Samiti i Bashkësisë Politike Evropiane i mbajtur në Tiranë nuk ka lidhje me zgjerimin e BE-së. Pikërisht për të dalë jashtë mbështjellësit formal dhe burokratik të BE-së edhe është bërë kjo nismë. Ndonëse është thënë shpesh se “nuk është alternativë për BE-në”, kjo nismë mund edhe të bëhet e tillë. Por për Shqipërinë ishte një sukses i jashtëzakonshëm në kohën kur ajo po e shfrytëzon momentin e krijuar për progres në procesin e negociatave. Më 22 maj, Shqipëria edhe formalisht do ta tejkalojë Serbinë për nga numri i kapitujve të hapur duke bërë për shtatë muaj më shumë sesa për dhjetë vjetët e fundit
Shqipëria për vite ka vuajtur nga mungesa e vëmendjes së duhur nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Dhe si pasojë, ka qenë bukur shumë vend i panjohur, shpesh edhe i paragjykuar pikërisht për shkak të mosnjohjes së duhur. Bile kur përmendej “Ballkani Perëndimor” kryesisht mendohej për vendet e ish-Jugosllavisë dhe shpesh harrohej Shqipëria. Vëmendja ndaj vendeve të ish-Jugosllavisë nuk ishte meritë e atyre vendeve, por pasojë e luftërave të përgjakshme, krimeve që atje ndodhën në përmasat që nuk ishin parë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Tash Shqipëria ka vëmendjen disproporcionalisht më të madhe sesa cilido vend tjetër i rajonit. Dhe atë në rrethana krejt të tjera. Si vend anëtar i NATO-s, vend i cili pati rastin të ketë edhe kryesimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për një kohë, vend ku u zhvilluan disa samite ndërkombëtare dhe gjithçka kulmoj me Samitin e Bashkësisë Politike Evropiane më 16 maj në Tiranë, më të madhin samit që zhvillohet në territorin e gjithë Evropës.
Shqipëria e kaloi shkëlqyeshëm testin për nga aspekti organizativ. Edhe shtete shumë më të mëdha dhe më të zhvilluara do ta kishin të vështirë të organizojnë një tubim të tillë të aq shumë liderëve brenda një dite.
Për nga aspekti i zhvillimeve në këtë samit pak do të mbahet mend. Vëmendje mori performanca artistike dhe aty këtu disa mesazhe të kryeministrit Rama që për disa pjesëmarrës nuk e kishin vendin. Për shembull nuk ka pasur nevojë fitoren madhështore të partisë së tij në zgjedhje ta paraqesë si votë të shqiptarëve në favor të BE-së. E sidomos jo ta krahasojë me votën kundër BE-së në Britani në referendumin për Brexit. Dhe ishte e panevojshme e mbi të gjitha edhe e pasaktë, t’i quash 48 për qind të atyre që votuan për partitë e tjera si “të painformuar”. Sepse, nëse kanë diçka të përbashkët shqiptarët, pa marrë parasysh se për kë votojnë, është qëllimi për integrim në BE. Rama ka pasur të drejtë legjitime që integrimet evropiane t’i ketë moto në fushatën zgjedhore. Por tash kur ato përfunduan nuk ka nevojë të vazhdojë t’i etiketojë kundërshtarët si “të painformuar”.
Përkundër fitores madhështore të Ramës dhe humbjes madhështore të Berishës, këto zgjedhje e nxorën Shqipërinë si një shtet dypartiak. Sepse së bashku dy partitë kryesore kanë marrë më shumë se 90 për qind të vendeve në Kuvend. Dhe opozita, më fjalë tjera PD-ja, do të vazhdojë të jetë faktor shumë i rëndësishëm edhe në procesin e integrimeve evropiane.
Samiti i Bashkësisë Politike Evropiane i mbajtur në Tiranë nuk ka lidhje me zgjerimin e BE-së. Pikërisht për të dalë jashtë mbështjellësit formal dhe burokratik të BE-së edhe është bërë kjo nismë. Ndonëse është thënë shpesh se “nuk është alternativë për BE-në”, kjo nismë mund edhe të bëhet e tillë. Por për Shqipërinë ishte një sukses i jashtëzakonshëm në kohën kur ajo po e shfrytëzon momentin e krijuar për progres në procesin e negociatave. Më 22 maj Shqipëria edhe formalisht do ta tejkalojë Serbinë për nga numri i kapitujve të hapur duke bërë për shtatë muaj më shumë sesa për dhjetë vjetët e fundit.
Gjithçka mund të ndodhë me procesin e zgjerimit. Mund edhe të kthehen disa vende anëtare të BE-së kundër këtij procesi. Por për aq sa po vazhdon duhet shfrytëzuar rastin. E Shqipëria po e bën këtë. Nga ana tjetër nisma e “Bashkësisë Politike Evropiane” është në një test. Ajo akoma nuk ka marrë formë. Vazhdon të jetë një tubim, joformal ku liderët tubohen dhe flasin pa ndonjë obligim, nuk miratojnë vendime dhe nuk marrin obligime. Në Tiranë, presidenti i Francës Emmanuel Macron ka përmendur nevojën për krijimin e një sekretariati të kësaj bashkësie. Ky do të ishte hapi i parë i marrjes së një forme. Dhe do të ndihmonte që ai të bëhet i përhershëm.
Evropa pa dyshim ka nevojë për një nismë të tillë, sepse ajo është i vetmi forum ku takohen të gjitha vendet e kontinentit të vjetër (pos Rusisë dhe Bjellorusisë), pa marrë parasysh se a janë apo jo anëtare të BE-së dhe NATO-s. Asnjë forum tjetër nuk i mbledh të gjithë, madje as Këshilli i Evropës, si organizata më e madhe, sepse aty nuk është Kosova. Aty janë vende që nuk duan të jenë në BE, ato që duan dhe nuk po arrijnë të bëhen anëtare, ato që janë anëtare, pra të gjitha. Dhe askush nuk ndihet i përjashtuar.
Por nuk bën të lidhet me BE-në sepse, nëse lidhet, kjo do të shkoj kundër procesit të zgjerimit. Historia e 20 viteve të fundit e procesit të zgjerimit na mëson të jemi skeptik sidomos ndaj Francës, Holandës dhe Gjermanisë kur ato “mbështesin” zgjerimin. Sepse kjo mbështetje nga ana e tyre nuk ka qenë e sinqertë. Dhe disa qarqe në këto vende, që e kanë rolin kryesor në BE, mezi do të prisnin që të ketë një alternativë ndaj anëtarësimit të plotë në BE të vendeve që sot nuk janë anëtare. Samitet sikur ai i Tiranës ndihmojnë që të forcohen lidhjet, e atëherë edhe proceset e tjera të diktuara nga vullneti dhe interesat politike shkojnë më lehtë. Por formalisht këto samite nuk janë në kuadër të BE-së. Prandaj edhe është bërë rregull që një samit të zhvillohet në një vend të BE-së dhe një jashtë BE-së. Kështu pas Moldavisë dhe Britanisë së Madhe Shqipëria pati rastin të jetë e treta jashtë BE-së që të jetë mikpritëse e një samiti të tillë.