OpEd

Sa e shpejtë është “shpejtësia”

Bashkimi Evropian synon të hyjë në shpejtësinë transformative të sfidave të mëdha globale, si ndryshimet klimatike, gara për inteligjencë artificiale dhe përcaktimi i kufijve lindorë me shpejtësi transformative, por e gjen veten të zënë në Kosovë mes predikimit për tejkalim të status quosë dhe mbajtjes së tij sapo të bëhet një hap, si p.sh. mbyllja e zyrave ilegale të strukturave të Serbisë. Ballkani Perëndimor mund të shërbejë si kuti matëse për matjen e shpejtësisë së ndryshimeve të politikave të BE-së

1.

“Shpejtësia”, tha Guillame Klossa, një intelektual francez, kur u pyet në Forumin Strategjik të Bledit se çka është ajo që e karakterizon kohën nëpër të cilën po kalojmë. 

Shpjegimi i tij për fenomenin kishte kuptim. Jemi duke jetuar shpejtësinë, për shembull në ndryshime klimatike. Kjo verë ishte më e nxehtë se ç’mbajmë mend për një kohë të gjatë, shtrëngatat mes verës janë më të forta se ç’mbajmë mend, dhe ky nuk është fenomen evropian- gjerësia e ndryshimeve globale.

Pastaj është argumenti tjetër, ai i ndryshimeve teknologjike. Shpejtësia me të cilën po zhvillohet inteligjenca artificiale i bën shoqëri shpejtësisë me të cilën SHBA-ja dhe Kina janë duke e zhvilluar garën shkencore-teknologjike, diçka që disa mendimtarë e kanë quajtur “momenti Laika”. Ashtu siç filloi gara kozmike mes SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik, kur B. Sovjetik dërgoi në gjithësi qenin Laika më 1957, ashtu mendohet se tashmë është duke u zhvilluar gara teknologjike mes SHBA-së dhe Kinës në shkencë e teknologji informative. 

Kjo garë është paralajmëruar, shkruan Mark Leonard, një intelektual britanik,  në librin e tij  “Koha e jopaqes” që kur lideri Xi Jinping shpalli në Kongresin e Partisë Komuniste kineze më 2016 se Kina duhet të barazohet me të arriturat amerikane në inteligjencë artificiale më 2025 e të jetë vend prijës më 2030.

2.

“Shpejtësia”, në shpjegimin e z.Klossa, duhet të ketë si zhvillim logjik të argumentit, meqë kemi shpejtim të proceseve me impakt global (ndryshimet klimatike, gara teknologjike si një luftë e re e ftohtë)- atëherë edhe përgjigjet ndaj këtyre sfidave kërkojnë shpejtim, kërkojnë urgjencë; në këtë rast kërkojnë urgjencë në kontinentin evropian. Dhe, ilustrimi më i mirë është lufta ruse në Ukrainë. Ajo ka treguar se një rrezikim i drejtpërdrejtë i sigurisë evropiane nga ana e Rusisë ka mobilizuar shtetet evropiane për të gjetur më shpejt përgjigje për vizionet e unifikimit të kontinentit evropian. Si rrjedhojë, ka më shumë iniciativa për politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-ë. Si rrjedhojë, ka sjellë vendimin strategjik për ofrimin e anëtarësimit të Ukrainës, Moldavisë dhe mbase Gjeorgjisë në Bashkim Evropian, duke i definuar kështu kufijtë lindorë të BE-së. E, si rrjedhojë e këtij vendimi strategjik ka sjellë ringjalljen e ideve për anëtarësimin e së paku ndonjë shteti të Ballkanit Perëndimor në BE deri më 2030. Dhe si rrjedhojë e kësaj cytjeje ka sjellë paralajmërimin e kryetares Von der Layen se Komisioni i ardhshëm Evropian do të ketë komisioner me dikaster të përcaktuar për zgjerim.
“Shpejtësia”, e përcaktuar nga G.Klossa, do të nënkuptonte atëherë që si rrjedhojë e tërë këtij zinxhiri zhvillimesh Kosova dhe Serbia t’i normalizojnë marrëdhëniet në , për shembull, dymbëdhjetë muajt e ardhshëm. Pra, që kur fëmijët të fillojnë shkollën në Serbi e në Kosovë, nxënësit e të dyja shteteve të nisen me një problem shumë të madh më pak për prindërit e tyre- atë të paparashikueshmërisë së ardhmërisë së marrëdhënieve mes dy shteteve. 

Një Serbi e një Kosovë më 2025, pa ngarkesën e marrëdhënieve të tyre të ndërsjella, do të ishin në gjendje që energjinë shoqërore e politike ta përqendrojë në reformimin e transformimin e shoqërive dhe shteteve të tyre për të qenë të gatshme për integrim më 2030.

3.

Kështu do të duhej të dukej shpejtësia e “shpejtësisë”; një Evropë që deri më 2030 do të ketë përcaktuar në masë të konsiderueshme tërësinë e saj, së paku atë të definimit të kufijve të saj. 
Nga perspektiva e sotme lindin jo pak dyshime në kapacitetin e kësaj shpejtësie. Ta zëmë, me Ukrainën është vështirë e paramendueshme që të ketë fitore ushtarake nga cilado palë, fitore që do t’i japë fund luftës. Në vend të fundit ushtarak, është shumë më i mundshëm një armëpushim i përkohshëm që mund të shndërrohet pastaj në një të zgjatur, diçka që konsiderohet si i përhershëm. Por një armëpushim i këtillë nuk është se garanton një stabilitet mes Ukrainës, në çfarëdo territori që kontrollon, dhe Rusisë në çfarëdo territori që kontrollon.  Dhe më pastaj do të vijnë Moldavia e Gjeorgjia, shtete të pakompletuara nga ndërhyrja fizike e Rusisë në to.

“Shpejtësia” evropiane nuk është interes i Rusisë, dhe ashtu siç ka treguar se mund të pengojë unifikimin evropian, ashtu do të vazhdojë të veprojë, duke e sfiduar Evropën në terrenin e raportit brutal të forcës.

Përgjigjja ndaj këtij brutaliteti, se në Ukrainë mbrohet një sistem i vlerave evropiane, nuk ka ndonjë relevancë të madhe sot. Ndëshkimi kolektiv i popullit palestinez në Gaza nga ana e shtetit të Izraelit pas sulmit përndjekës kolektiv të Hamasit kundër qytetarëve hebrenj të Izraelit më 7 tetor, ka testuar vlerat evropiane dhe në këtë test BE-ja nuk ka treguar konsistencë. Përndjekja industriale e grave dhe e  fëmijëve, e burrave civilë në Gaza, ka lënë shumicën e shteteve anëtare të BE-së në gjendje turpërimi ndaj vlerave me të cilat krenohen e për të cilat avokojnë.

4.

E, kështu pastaj arrihet te vërejtja me vend që i jepet Bashkimit Evropian mu në Lindje të Mesme: para se të na jepni leksione se çka duhet bërë në Lindje të Mesme, pse nuk i rregulloni punët në kopshtin tuaj, në Bosnjë-Hercegovinë, në marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë?

Ekziston një listë e gjatë e përgjigjeve nga e kaluara se përse BE-ja është treguar e paaftë të rregullojë punët “e mëhallës”, por në të sotmen më duket se do të duhet të ballafaqohet me dilemën e identifikimit se sa është e shpejtë shpejtësia në Ballkanin Perëndimor? Sepse ndryshimi epokal nëpër të cilin duhet të kalojë me shpejtësi të re Evropa (kriza klimatike, lufta teknologjike-inteligjenca artificiale mes Kinës dhe botës euroatlantike, fërkimi gjeopolik mes botës euroatlantike dhe asaj euroaziatike) nënkupton po ashtu konsolidimin e Ballkanit Perëndimor si pjesë integrale të botës euroatlantike.

E, aty është lehtë të kuptohet se sa e ka seriozisht BE-ja nga detajet e vogla. BE-ja me vite të tëra e me të drejtë deklaron se gjendja e statu quosë është e dëmshme në Ballkanin Perëndimor dhe se duhet bërë ndryshimet e duhura. 

Këtë e deklaron, metaforikisht, në  mëngjes, e pastaj pasdite pasi që është bërë një veprim pozitiv kundër status quosë - si për shembull mbyllja e zyrave të institucioneve të Serbisë në Kosovë, që janë ilegale që nga 12 qershori i vitit 1999 - deklaron se status quonë nuk duhet prishur, se duhet mbajtur gjendja siç është. 

Mbase Kosova, Serbia e Bosnjë-Hercegovina - i tërë Ballkani Perëndimor - i shërbejnë BE-së si një “reality check”, test realiteti, për të treguar se cila është shpejtësia e “shpejtësisë”.