Vendet perëndimore kanë ngrirë rreth gjysmën e rezervave ndërkombëtare të Rusisë. Kjo tregon për burimin tjetër të brishtësisë ekonomike ruse: SHBA-ja dhe Evropa, jo ekonomi të pazhvilluara si Rusia, kontrollojnë sistemin financiar global. Si rezultat, rezervat që supozohej të mbanin luftën e Putinit janë kthyer në detyrim
Duke parë një hartë, Rusia, e shtrirë në 11 zona kohore, mund të duket gjë e shkruar që të shtypë fqinjin e saj shumë më të vogël, Ukrainën. Por, siç e ka parë bota gjatë tre javëve të fundit, lufta nuk është aq e dobët sa presidenti rus, Vladimir Putin, ndoshta ka supozuar se do të ishte. Në fakt, ka arsye të mira për të menduar se, në fund, Rusia do të humbasë luftën që Putini ka nisur.
Kjo është kryesisht sepse, nga pikëpamja ekonomike, Rusia nuk është aspak vend i madh. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, PBB-ja e vendit arriti në 1.7 trilionë dollarë në vitin 2021. Kjo është mezi 10 për qind e PBB-së së Bashkimit Evropian, ose afërsisht prodhimi i kombinuar i Belgjikës (620 miliardë dollarë) dhe Holandës (1.1 trilion dollarë).
Me një ekonomi kaq të vogël, Rusia vështirë se është e pajisur për të fituar luftën kundër një vendi që po lufton forcat e saj me dhëmbë e gozhdë, e lëre më për ta pushtuar atë vend – dhe për t’u përballur me kryengritje të vendosur – për një periudhë të gjatë. Rusia sot shpenzon rreth 62 miliardë dollarë në vit (rreth 4% e PBB-së së saj) për ushtrinë e saj. Kjo është vetëm 8% e asaj që shpenzojnë Shtetet e Bashkuara - dhe jo aq sa duhet për të mbështetur përpjekjen luftarake intensive dhe të zgjatur.
Mirëpo, rritja e shpenzimeve ushtarake nuk është një opsion i mirë për Rusinë, sepse shpenzime të tilla nuk janë ekonomikisht produktive. Blerja e tankeve dhe avionëve luftarakë nuk do të çojë në rubla shtesë të prodhimit në të ardhmen dhe ka të ngjarë t’i pengojë investimet produktive, si për shembull në makineri. Sa më shumë që Rusia shpenzon për luftën e saj, aq më e vogël ka të ngjarë të jetë ekonomia e saj në të ardhmen.
Nuk ndihmon fakti që ekonomia e Rusisë është gjithashtu e pazhvilluar, me strukturë që ka shumë të ngjarë të gjendet në botën në zhvillim. Mallrat e prodhuara - makineri, pajisje transporti, elektronikë, kimikate dhe farmaceutikë - përbëjnë rreth dy të tretat e importeve të Rusisë, teksa lëndët e para dhe energjia (gazi dhe nafta e papërpunuar) përbëjnë 80 për qind të eksporteve të saj.
Për shkak se të ardhurat nga eksportet e mallrave janë cak i luhatjeve të mëdha, kjo e lë Rusinë në pozicion ekonomikisht të cenueshëm. Vërtet, përpara pushtimit, çmimet e larta të energjisë dhe të mallrave i dhanë mundësi Rusisë të grumbullonte më shumë se 600 miliardë dollarë në rezerva ndërkombëtare (në dollarë amerikanë, euro, funte britanike dhe ar) dhe rritën të ardhurat buxhetore të Qeverisë. Por, përfundimisht çmimet do të bien përsëri, duke shtrydhur buxhetin e Rusisë.
Ndërkohë, vendet perëndimore kanë ngrirë rreth gjysmën e rezervave ndërkombëtare të Rusisë. Kjo tregon për burimin tjetër të brishtësisë ekonomike ruse: SHBA-ja dhe Evropa, jo ekonomi të pazhvilluara si Rusia, kontrollojnë sistemin financiar global. Si rezultat, rezervat që supozohej të mbanin luftën e Putinit janë kthyer në detyrim.
Sigurisht, Qeveria ruse mund të lirojë burime për shpenzimet ushtarake duke i rikthyer shpenzimet në fusha të tjera. Por shumica e rusëve tashmë jetojnë në varfëri relative. Në fund të fundit, duke pasur parasysh popullsinë shumë më të madhe të Rusisë, PBB-ja për frymë është vetëm rreth një e pesta e nivelit në Belgjikë dhe Holandë. Nëse Putini i zhyt rusët edhe më tej në varfëri në ndjekje të ambicieve të tij perandorake, ndjenjat popullore mund të kthehen kundër tij, duke dobësuar diktaturën e tij.
Tashmë, sanksionet perëndimore po dëmtojnë rusët e zakonshëm. Dhe me furnizimin e pamjaftueshëm të mallrave të konsumit, inflacioni pritet të rritet ndjeshëm, duke rritur tundimin për të vendosur kontrolle të çmimeve. Mirëpo, rezultati i një lëvizjeje të tillë do të ishte mungesa dhe racionimi – tipar i jetës në Bashkimin Sovjetik që Putini nuk ka interes ta ringjallë.
Teksa Rusia është një ekonomi e vogël, e pazhvilluar dhe e brishtë, ajo ruan dy burime të rëndësishme të fuqisë. Të njëjtat eksporte të hidrokarbureve dhe mallrave që e lënë buxhetin e Rusisë të pambrojtur ndaj goditjeve të çmimeve, i japin vendit levë të rëndësishme politike mbi vendet importuese, duke përfshirë vendet në të gjithë Evropën. Nëse Rusia do të ndërpriste sot dërgesat e gazit në Evropë, disa vende do të vuanin fuqishëm në afat të shkurtër. Për shembull, gazi rus përbënte rreth 65% të të gjithë importeve të gazit të Gjermanisë dhe 45% të Italisë, në vitin 2020.
Në planin afatgjatë, megjithatë, Rusia do të vuante më së shumti nga një veprim i tillë. Tashmë, lufta në Ukrainë e ka nxitur BE-në të zbulojë planin për t'i dhënë fund varësisë së saj nga gazi rus, duke gjetur burime të reja importi ashtu edhe duke avancuar transicionin e energjisë së pastër. Me këtë, burimi kryesor i të ardhurave të huaja të Rusisë do të zvogëlohet në mënyrë drastike.
Burimi i dytë i fuqisë ruse është sigurisht arsenali më i madh bërthamor në botë. Armët bërthamore nuk do të jepnin fitore në luftën konvencionale, por ato mund ta shkatërronin një vend sa hap e mbyll sytë. Kjo na çon në një pyetje të tmerrshme: çfarë do të bëjë Putini kur të kuptojë se nuk mund ta fitojë luftën e tij në Ukrainë me mjete konvencionale?
(Paul De Grauwe është kryetar i Ekonomisë Politike Evropiane për Institutin Evropian në Shkollën Ekonomike të Londrës. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).