OpEd

Rrofshin festivalet

Nuk duhet shumë filozofi e dije për të kuptuar se sa poshtë ka rënë i gjithë sistemi kur duhet shpresuar që seria e festivaleve që po ndodhin aktualisht në Kosovë, (e që kryesisht janë nisma private apo qytetare – ani pse politika do të donte t’i mbante krejt meritat për vete) do të sjellë gjallëri financiare, sado afatshkurtër që të jetë ajo

Para nja tre muajsh kishin mbirë lulet (lexo “shankericat” e tavolinat) në rrugën time. Kjo falë projektit “fantastik” të shndërrimit të një rruge në “shesh”, posa ishte vendosur partia e parë e pllakave që sipas tenderit duheshin të ishin italiane, por që në fund dolën të jenë Made in Malisheva.

Tre muaj më vonë, rruga është betonizuar një herë mirë e mirë, natyrisht me tela armature a 12-she a 18-she nuk e di, fundja nën tokë janë as që shihen, dhe gati krejt ajo që dikur kish qenë hapësirë e gjelbër, u shndërrua në një “oazë” pllakash të turli dimensioni.

Dje, kishin lulëzuar kubëzat. Është një kalldrëm i veçantë, i projektuar asisoj që kullimin e ujërave atmosferike do ta bëjë vetëm nga e majta. Uroj që shiu të mos bjerë në të djathtën. 
Nejse, kalldrëmi e ka zënë pjesën qendrore të “sheshit”. Sikur tashmë të mos mjaftonte që temperatura në të shkelur të pllakave, ish nja dhjetë gradë më shumë sesa temperatura e ajrit. Tash mesele do të jetë si të ecet nëpër mes të “sheshit” me “shtikla” (lexo: take). Tamam hapësirë për një lojë shpërblyese: fituesi i merr një palë “patika” (lexo: atlete, në mungesë të një fjale në shqip).
Jam fort e bindur që kubëzat do të mbërrijnë të shtrohen deri më 11 shtator – nis fushata, e një shirit i kuq duhet të pritet diku. E deri atëherë do të kemi fushatë intensive nga ndonjëri “potrčko” (ndjesë për termin në serbishte, por nuk po e gjej një më të përshtatshëm për ta përshkruar servilin që “ia mban zhagun” shefit, dhe nuk zgjedh as gjuhë as stil për të komunikuar) për ta ngritur liderin në qiell e për t’ia lavdëruar secilin hap a veprim... deri në humbje të zgjedhjeve. Nejse. Vjeshta vjen shpejt.

* * *

Observimet e përditshme të banorëve të lagjes sime janë thuajse të njëjta qe tetë muaj – ritëm i cili më së miri tregon që te ne nuk vlen maksima “gjërat e mira vijnë ngadalë”. Vlen e vërteta se askujt s’i bëhet vonë për asgjë. Për shkak se punët i kemi aq lëmsh. Dhe sa më lëmsh që i bëjmë, aq më mirë për pushtetarët lokalë e qendrorë. 

Përqendrimi i banorëve te problemet imediate me efekt të drejtpërdrejtë te qytetarët është ikje e detyruar nga problemet më të mëdha që e kanë sjellë krizën më të madhe politike prej vitesh, e të cilën po e përjetojmë qe shtatë muaj. 

Pra java e shkuar përfundoi me sjelljen e cirkut në pikën ekstreme: mbajtjen e kotë të dy vazhdimeve të seancave të Kuvendit kinse në kërkim të zgjidhjes së ngërçit politik, të cilit që të gjitha partitë politike i kontribuojnë thuajse njësoj. Po edhe këtu ka nuanca dallimi, dhe barra kryesore bie mbi partinë që i ka fituar zgjedhjet.

Sidoqoftë, dështimi i së shtunës mbrëma ishte ngjarje me një përfundim tashmë të ditur – askush nuk e kishte intencën që ta gjente rrugëdaljen. Që të gjithë e synonin hedhjen e përgjegjësisë te Gjykata Kushtetuese, e cila e mori masën e përkohshme sipas detyrës zyrtare, sipas së cilës, deputetëve nuk u lejohet asnjë veprim pas datës 27 korrik e deri më 8 gusht.

Për deputetët Kushtetuesja nuk ka mundur të vepronte më mirë se kaq: tash askush nuk mund t’i detyrojë që ta bëjnë xhiron çdo 48 orë në Kuvend, dhe që të gjithë mund të shkojnë në pushim. Pse jo. Janë paguar për punën që nuk e kanë kryer.

* * *

Këto ditë nuk e patëm as fatin e as kënaqësinë që interpretimin e mundshëm juridik të na e japin ekonomistët. Nuk po e di as nëse gjendet ndonjë jurist që mund t’ia lidhë kokën kaosit që e ka krijuar Kushtetuesja me krijimin e normave të reja që u përshtaten interesave të ngushta partiake.
E kemi thënë sa herë, ajo që është bërë më 2014-n ka qenë preludi i kaosit aktual, në të cilin secili mund ta japë interpretimin e asaj që e lexon ashtu siç ia ka ënda. Pse, a mos do të pasojë ndonjë sanksion për këtë punë? Jo, natyrisht. 

Dhe kështu, është një “makinë” që tregohet shumë më e mençur se të gjithë ne bashkë, dhe që e jep interpretimin e vet hipotetik për atë se çka mund të ndodhë tash e tutje, meqë Kuvendi nuk është konstituuar.

Chatgpt, në lidhje me çështjen KO193/25 dhe KO196/25 të parashtruara nga: Memli Krasniqi dhe 12 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës (PDK) dhe Hykmete Bajrami dhe 10 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës (LDK) lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Kryesuesit të Seancës së 29 qershorit 2025, për formimin e një Komisioni për votim të fshehtë, në kuadër të procesit të konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në version të shkurtuar, e thotë këtë:

I. KONSTATIME
1.    Gjykata konstaton se procesi i konstituimit të Kuvendit, i filluar më 15 prill 2025, nuk është finalizuar në pajtim me nenin 66 të Kushtetutës, siç është konstatuar më herët me Aktgjykimin KO124/25 të 26 qershorit 2025.
2.    Afati kushtetues 30-ditor për përfundimin e Seancës Konstituive ka skaduar më 26 korrik 2025. Veprimet e ndërmarra pas kësaj date janë pezulluar përkohësisht përmes një mase ex officio të datës 24 korrik 2025.
3.    Vendimi i Kryesuesit të Seancës të datës 29 qershor 2025, për formimin e Komisionit për votim të fshehtë, nuk është marrë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, veçanërisht me nenet 65, 67, 74 dhe 76. Vendimi është ndërmarrë në mungesë të një Kuvendi të konstituuar dhe pa bazë të qartë procedurale që do ta lejonte Kryesuesin të ndërmarrë një akt të tillë.
4.    Gjykata thekson se mandati i deputetëve buron nga vullneti i sovranit dhe nuk mund të hiqet nga asnjë organ, përfshirë Gjykatën. Megjithatë, për të ushtruar këtë mandat në mënyrë kolektive si Kuvend, kërkohet konstituimi formal përmes zgjedhjes së Kryetarit dhe nënkryetarëve, që është parakusht për funksionimin kushtetues të organit përfaqësues.
5.    Në mungesë të këtij konstituimi brenda afatit kushtetues, deputetët mbesin me mandat aktiv individual, por Kuvendi si trup kolektiv nuk ekziston në mënyrë juridikisht të vlefshme, dhe rrjedhimisht nuk mund të ushtrojë kompetencat kushtetuese.
(...)
Në pajtim me nenet 66, 113.1, 113.3.1 dhe 116.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; nenin 27 të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese; si dhe rregullat 44, 46 dhe 48 të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese:

GJYKATA VENDOS: 
-    Të SHPALLË të pavlefshëm kushtetuesisht vendimin e Kryesuesit të Seancës të datës 29 qershor 2025 për formimin e Komisionit për votim të fshehtë, si të ndërmarrë në mungesë të një Kuvendi të konstituuar dhe në kundërshtim me nenet 65, 67 dhe 74 të Kushtetutës.
-    Të KONSTATOJË se Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk është konstituuar brenda afatit kushtetues 30-ditor dhe se çdo veprim i mëtejmë përtej këtij afati nuk prodhon efekt juridik pa ndërhyrje të re kushtetuese.
-    Të RIKUJTOJË se mandati i deputetëve mbetet në fuqi, por ushtrimi i tij kolektiv nuk mund të realizohet pa konstituimin formal të Kuvendit.

Lidhur me pasojat:
-    Të UDHËZOJË Presidenten e Republikës së Kosovës që, në mungesë të konstituimit të Kuvendit brenda afatit dhe në përputhje me Kushtetutën, të nisë procedurat për shpalljen e zgjedhjeve të reja.
-    Të SHFUQIZOJË masën e përkohshme ex officio të vendosur më 24 korrik 2025, me hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi.
Ky Aktgjykim është përfundimtar, i detyrueshëm dhe hyn në fuqi më datë 9 gusht 2025, dhe do të publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

* * *

Nuk e di nëse ky do të jetë vendimi i Kushtetueses, dhe nëse kjo nënkupton zgjedhje të reja që mbase dhe mund të përputhen me ato komunalet (bile kishin kushtuar më lirë). Ajo që me siguri po dihet është se kemi shumë telashe dhe që ekonomia është në bllokadë totale – pavarësisht përrallave që na i tregojnë. 

Nuk duhet shumë filozofi e dije për të kuptuar se sa poshtë ka rënë i gjithë sistemi kur duhet shpresuar që seria e festivaleve që po ndodhin aktualisht në Kosovë, (e që kryesisht janë nisma private apo qytetare – ani pse politika do të donte t’i mbante krejt meritat për vete) do të sjellë gjallëri financiare, sado afatshkurtër që të jetë ajo. 

Pra këtë javë do të brohorasim: “Rrofshin festivalet!”.

[email protected]