OpEd

Rreziku nga arroganca e numrave

A do të jenë ministra ata që në tetor i kishte paraqitur Kurti para Kuvendit? Nëse kjo listë mbetet e pandryshuar, do të dëshmojë edhe një herë se VV-ja, pavarësisht gjithë kësaj fitoreje, nuk ka njerëz të aftë për të udhëhequr me dikastere qeveritare. Përsëritja e emrave që kanë dështuar në sektorët e tyre dhe futja në listë e emrave që e kalojnë ditën duke shkruar statuse me gabime gjuhësore është lajm i keq për Kosovën

Fitore e frikshme kjo e Vetëvendosjes dhe debakël monumental i LDK-së është si e shoh epilogun e zgjedhjeve të parakohshme që u mbajtën para dy javësh.

Si kurrë më parë, KQZ-ja ia doli t’i numëronte të gjitha votat për më pak se dy javë, duke lënë hapësirë që madje në javën vijuese tashmë të certifikohen rezultatet dhe të shkohet drejt konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Në të kundërtën nga manovrat e pafund në Kuvend që ndodhën nga marsi i 2025-s e deri te zgjedhjet tri ditë para përfundimit të vitit, tash nuk ka më asnjë arsye për tjerrjen e procedurave – një, për shkak se Kushtetuesja tashmë ka caktuar afat (konstituimi 30 ditë nga certifikimi) dhe dy, për shkak se VV-ja si dhe katër deputetë nga radha e minoriteteve mjaftojnë për t’i zgjedhur kryetaren (e besoj se Albulena Haxhiut më në fund po i vjen radha) dhe nënkryetarët e Kuvendit – dhe kështu të nisë të rrjedhë afati për formimin e Qeverisë.

Është fort e mundur që ta kemi qeverinë, jo më në detyrë, nga fundi i këtij muaji. Dhe shumë mirë do të ishte po qe se është kështu – ka shumë gjëra që duhen votuar shpejt, përfshirë buxhetin dhe marrëveshjet ndërkombëtare që presin mbi një vit për të kaluar.

* * *

Kisha bindjen se tashmë shumica e dinim se fitues i zgjedhjeve do të ishte Kurti. Porse nuk e besoj se as vetë VV-ja do ta ketë besuar se në zgjedhjet “e përsëritura” do të arrinte ta tejkalonte rezultatin e vitit 2021 si me përqindje, ashtu edhe me numër të votave.

Se çka do të ketë ndikuar që vota t’i shkonte VV-së në masë, e besoj se arsye ka disa.

Me gjithë qeverisjen jo të mirë në pesë vjetët të Qeverisë Kurti 2 – me rezultate shumë të varfra në thuajse të gjithë resorët dhe me dështime në infrastrukturë, mjedis, tregti, shëndetësi, arsim, me probleme shumë serioze në energji dhe me një krizë të thellë ekonomike që vetëm pushteti refuzon ta shohë dhe ta pranojë, VV-ja ia doli ta bindte votuesin kosovar vendas e atë mërgimtar, se në mesin e partive garuese, ajo ishte alternativa më e mirë.

Më e mirë, për shkak se ka ditur ta shesë shumë mirë suksesin e arritur në veri, ku duhet pranuar, me mjeshtëri të jashtëzakonshme, Kurti e shfrytëzoi tërheqjen e Vuçiqit dhe të Listës Serbe në favor të Kosovës.

Me mbylljen e zyrave paralele, hapjen e zyrave të postës e të bankave kosovare, ndalimin e qarkullimit me targa ilegale dhe ndalimin e qarkullimit të dinarit, vendosjen e njësive speciale në veri dhe forcimin e stacioneve të policisë, ndërtimin e urave në Mitrovicë me gjithë kundërshtimin e atyre që e mbanin mbyllur urën kryesore mbi dy dekada tashmë – bëri atë që asnjëri kryeministër nuk kishte bërë më parë. E solli ndryshimin në Mitrovicë e tri komunat e tjera.

Qeveria e tij bëri edhe një gjë që nuk e kishin bërë ato parapraket – ose që i kishin bërë posa afroheshin zgjedhjet: me konsistencë ka shpërndarë para të gatshme te kategori të caktuara të popullatës – sidomos para tri palë zgjedhjeve që i mbajtëm brenda vitit të fundit. Shpenzoi shumë miliona në diçka që edhe mund të përkufizohet si blerje votash dhe njëkohësisht dështoi që t’i themelonte sistemet shëndetësore, sociale dhe pensionale-invalidore. Po të kishin qenë këto prioritetet e njëmendta, pesë vjet do të mjaftonin për t’i themeluar ato. Dhe nuk do të duhej të shpikej uji i nxehtë – ligjet e së kaluarës funksionojnë për mrekulli në shtetet fqinje. Edhe këtu kanë mundur t’ia përshtatin ligjet kontekstit të ri. Paratë e shpërndara gjithandej, do të kanalizoheshin nëpërmjet sistemeve. Natyrisht, me kusht që do të kishte kuadro të afta dhe të dijshme që t’i udhëhiqnin këto sisteme. E kuadrot duken të jenë problemi më serioz me të cilin ballafaqohen Kurti dhe partia e tij.

Në vendimin e votuesve ndikoi shumë edhe Ministria e Mbrojtjes, blerja e armëve për FSK-në dhe vendimi për të ndërtuar fabrikë për prodhimin e armëve. Për një vend që e di se si është të mbetesh pa asnjë mbrojtje kur të sulmon dikush shumëfish më i fuqishëm se ti, armët kanë rëndësi përtej simbolikes. Dhe, siç po shihet, sjellin vota.

E fundit, në mes arsyeve që mendoj se kanë ndikuar në këtë rezultat, ka qenë shërbimi që e bënë partitë kundërshtare gjatë krizës së tejzgjatur politike, posaçërisht LDK-ja.

* * *

Pas zgjedhjeve të shkurtit, kur VV-ja e pa se nuk i kishte numrat për ta krijuar qeverinë, të gjitha partitë opozitare dolën për të thënë se me VV-në nuk hynin në koalicion. E në fakt e vetmja që mori ftesë, sado jobindëse që ishte, për t’u bashkuar në Qeveri dhe për t’u bërë, siç e thonë amerikanët, “the kingmaker”, ishte LDK-ja.

E LDK-ja zgjodhi ta refuzonte çfarëdo koalicioni, me opozitën apo edhe pushtetin, duke e mbajtur një qëndrim “neutral” që në fund i kushtoi me debaklin e pësuar më 28 dhjetor.

Gjuha ofenduese e Kurtit pas zgjedhjeve të shkurtit, kur opozitën dhe votuesit e saj i quajti “hajvana”, natyrisht se ka ndikuar. Ashtu siç kishte ndikuar e gjithë performanca e tij në fushatën e janarit, që e kaloi duke u tallur dhe duke përdorur “mesele” për të arritur te vota. Si dhe diskursi i përhershëm – “ata para nesh e kanë bërë lëmsh, e ne tash duhet t’i zgjidhim problemet”, pra ai i viktimizimit aty ku nuk ka pasur pse të viktimizohet. E kishte shumicën për të vendosur për shumëçka (pos kur i është nevojitur shumica e kualifikuar). Dhe kjo i kushtoi me humbjen e asaj shumice, të cilën tash e riktheu.

Dhe e riktheu ngase gjuhën që e përdori në këtë fushatë qe shumë më normale, jo ofenduese në atë masë sa të irritonte, dhe ia doli që të gjithë fajin për bllokadën politike t’ua lërë në duar partive opozitare – posaçërisht kur erdhi puna për ta votuar buxhetin, para se të shpalleshin zgjedhjet e parakohshme.

Ia doli që bllokadën që e shkaktoi vetë për shkak të një dispozite kushtetuese jo fort të saktësuar, me insistimin thuajse patologjik për zgjedhjen e Haxhiut kryeparlamentare, t’ua lërë kile partive opozitare, të cilat besuan se në zgjedhjet e reja, populli do ta ndëshkonte bllokuesin dhe do t’u hapte rrugë për një koalicion anti-VV, për të cilin megjithatë kishte shumë pretendentë për një fron të vetëm.

Mbase problemi më i madh që ka pasur LDK-ja gjatë të dyja palë zgjedhjet parlamentare qe përqendrimi i fushatës më shumë në liderin e partisë sesa programin (i cili doli i shtypur, dhe madje me gabim shtypi në titull) apo edhe në diskursin alternativ ndaj atij që garonte.

Gjithashtu, problem ka qenë edhe përzgjedhja selektive e mediumeve nëpërmjet të cilave përçonte mesazhet e veta politike. Kjo e fundit në vetvete, u bë porosi për votuesin.

Atë që Abdixhiku nuk e kuptoi, pavarësisht “PR”-it të jashtëzakonshëm që ia bënte ekipi i tij me xhirime të bukura dhe me iluzione për masa njerëzish që i dilnin në përkrahje, qe se i mungonte karizma, në kohën kur kundërshtari kryesor i të gjithëve mblodhi shumë vota jo për shkak të ndonjë programi zgjedhor (se nuk e pati pos një liste “do t’i rrisim pagat e do t’i rrisim shtesat”), por për shkak të imazhit të krijuar në shumë vitet që merret me politikë.

Plus, nuk e kuptoi se në tetor e kishte bërë një gabim shumë të madh që nuk i kërkoi ministritë kyç për vete në një koalicion eventual me VV-në, që do t’ia shmangin debaklin e dhjetorit.

Qeverisë Kurti 2 përherë i ishte referuar si “praktikantët”. Por në fund, ishte mungesa e sensit, e edhe e përvojës politike ajo që e fundosi edhe atë edhe partinë e tij.

* * *

Pra, së shpejti do të kemi qeveri të re, dhe ende nuk e dimë me siguri po qe se do të rritet numri i ministrive (që tash mbase nuk ka nevojë, për shkak se kësaj radhe VV-ja i ka 9 vota më shumë sesa pas zgjedhjeve të shkurtit). Dhe, nëse do të rritet, a do të jenë ministra ata që në tetor i kishte paraqitur Kurti para Kuvendit.

Nëse kjo listë mbetet e pandryshuar, do të dëshmojë edhe një herë, se VV-ja, pavarësisht gjithë kësaj fitoreje, nuk ka njerëz të aftë për të udhëhequr me dikastere qeveritare. Përsëritja e emrave që kanë dështuar në sektorët e tyre dhe futja në listë e emrave që e kalojnë ditën duke shkruar statuse me gabime gjuhësore është lajm i keq për Kosovën.

Nga ana tjetër, dhe pavarësisht emrave që do t’i zgjedhë, nëse Kurti edhe kësaj radhe vendos të veprojë njësoj si në të shkuarën – pra, që të mos i shkarkojë ministrat e paaftë dhe joefikasë gjatë ushtrimit të mandatit, rezultati do të jetë i njëjti.

Pra, vetëkënaqësi “se kemi bërë mrekulli”, ani që për gati pesë vjet nuk përfundoi asnjë projekt kapital infrastrukture ose edhe që deficitin tregtar kurrë nuk e kemi pasur më të madh, në kohën kur inflacioni na bëri më të varfër. Ministri i Financave mund të jetë interpretues i shkëlqyer i Kushtetutës dhe shpërndarës i përkryer i parave të gatshme, por e ka një botëkuptim tepër teorik për atë se çka nënkupton përnjëmend zhvillimi ekonomik dhe prosperiteti.

* * *

E frikshme për Kosovën do të jetë nëse qeveria e re do të veprojë me arrogancën që ia sigurojnë numrat dhe nëse i mbyll sytë për ta parë realitetin në terren e edhe veshët për të dëgjuar edhe këshilla e edhe kritika prej atyre që mund t’i dinë punët më mirë se ministrat që do të zgjidhen.

Mbase numrat e siguruar do të duhej t’ia ofronin komoditetin e mjaftueshëm Kurtit që për ministra të emërojë ekspertë të lëmenjve, pavarësisht përkatësisë partiake, e nëse jo ministra, atëherë zëvendësministra apo këshilltarë që ua kanë haberin punëve që duhen të kryhen.

Nuk e kemi luksin as për kriza e as për ngecje. Gati 27 vjet pas luftës, do të duhej ta kishim një jetë të mirë e të përmbushur me cilësi jetese, e jo me debate të pafundme politike që nuk shpien askund.

[email protected]