Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Rindërtim për më keq

Mësimi kyç i dalë nga pandemia COVID-19 është se Qeveria dhe industria duhet të bashkëpunojnë për t’i luftuar sfidat e shekullit njëzetenjë. Një shtet që e lë tregun në mëshirë të mjeteve të tij nuk do ta krijojë kurrë një politikë ekonomike, për të cilën kemi nevojë. Përderisa Qeveria Johnson nuk ofron diçka më shumë sesa “Planin për rritje”, problemet ekonomike të Britanisë së Madhe do të mbesin të pazgjidhura

Termi “strategji industriale” ka një histori të trazuar. Pasi të jetë përqafuar në Mbretërinë e Bashkuar nga qeveritë laburiste të viteve 1960 dhe 1970, ishte mohuar nga Margaret Thatcheri dhe nga kryeministrat pasues në bazë (të dyshimtë) se Qeveria është natyrshëm shpërdoruese dhe e paefektshme.

Ndonëse strategjia industriale ishte rehabilituar pjesërisht nga Partia Laburiste më 2009 dhe më pas sërish gjatë Qeverisë së koalicionit konservator-lideraldemokrat të David Cameronit, u desh të vinte kabineti konservator i Theresa Mayit për ta rikthyer atë tërësisht. Më 2016, May e krijoi Departamentin britanik për Biznes, Energji dhe Strategji Industriale, e që më pas e publikoi të parën “Strategji Industriale” të Britanisë së Madhe ndër dekada.

Në këtë aspekt, strategjia bënte thirrje për më shumë fonde për shkencë, krijim shkathtësish dhe investime të tjera të ngritjes së prodhimtarisë, me një theks të veçantë te sektorët kyç për të ardhmen e konkurrencës (përfshirë shkencat jetësore, industritë kreative, ndërtimtari dhe aerohapësirë).

Për të parën herë një strategji e tillë gjithashtu kishte vënë qëllimisht në shënjestër “sfidat madhore” shoqërore, të cilat Komisioni i UCL-së për Inovacion të Orientuar kah Misioni dhe Strategji Industriale (MOIIS) ka këshilluar Qeverinë se si ta zbatojë atë.

Në vend se të krijojmë një listë të sektorëve për t’i mbështetur, ne kemi pretenduar se një strategji industriale duhet të zgjidhë probleme më të gjera, me ç’rast të gjithë sektorët relevantë mund të angazhohen organikisht në zgjidhje. Në këtë mënyrë, vetë gjendja i formëson proaktivisht tregjet, në vend se thjesht t’i zgjidhë ato kur të shfaqen.

Edhe Opinion 2 j. më parë Përbërësi që mungon për sovranitetin teknologjik të Evropës

Mjerisht, kthimi i Britanisë së Madhe kah strategjia industriale ishte jetëshkurtër. Këtë muaj Thesari e zëvendësoi strategjinë e Qeverisë së Mayit me një projekt të ri – “Build Back Better: Our Plan to Growth” (Rindërto për më mirë: Plani ynë për rritjen), duke argumentuar se “shumëçka ka ndryshuar prej 2017-s”. Me këtë, Qeveria po i referohej cakut britanik të 2050-s për neutralitet të karbonit dhe planeve për “nivelimin” e rajoneve. Dhe, megjithëkëtë, asnjëra prej këtyre synimeve nuk është në pajtueshmëri me strategjinë e mëhershme industriale, e cila përfshin “rritjen e pastër” mes katër “sfidave të mëdha” të saj dhe i kushton vëmendje të veçantë “vendit”.

Strategjia e 2017-s është tani më e qëlluar në aspektin kohor se kurrë më parë, andaj çdokush mund të vlerësojë se ishte shkërmoqur thjesht për shkak se Qeveria aktuale nuk e ka krijuar atë. Kostot e një vogëlsie të tillë së shpejti do të bëhen të qarta.

Britania e Madhe ka urgjentisht nevojë për një shtet dinamik e sipërmarrës për ta konfrontuar krizën e trefishtë të COVID-19, pabarazisë në rritje dhe ndryshimeve klimatike.

Suksesi i Britanisë në zhvillimin e një vaksine është në vetvete një shembull i asaj çfarë mund të arrihet me një strategji industriale. Vaksina e “Oxford”-“AstraZenecas” nuk ka pikur prej qielli.

Ishte rezultat i investimeve patentuese shumëvjeçare (nëse jo edhe për dekada) për kërkime në shumë sfera. Kur momenti i së vërtetës mbërriti, mbështetja e vazhdueshme e shtetit për ekspertizën shkencore dhe teknike u shndërrua në një lansues të zhvillimit të shpejtë të një vaksine. Pandemia paraqiti një mision të qartë dhe urgjent, i cili si kthim e nxiti koordinimin e sektorit publik dhe investimin e sektorit privat.

Qeveria e kryeministrit Boris Johnson është qartazi e lumtur se shteti ka luajtur një rol më të madh në ekonomi. Por kjo gjë si e vetme nuk do të prodhojë rezultate më të mira. Pa një kornizë koherente, transparente dhe publikisht llogaridhënëse për të drejtuar politikat qeveritare, Britania e Madhe rrezikon që të katandiset më tej në nivel miku apo t’i përsërisë gabimet e së shkuarës.

Strategjitë e suksesshme industriale kërkojnë gjithashtu burime të duruara (afatgjata) financiare, të cilat Britanisë dëshpërimisht i mungojnë. Tentimet e mëhershme për të krijuar banka publike investimi në Britaninë e Madhe janë ballafaquar me një lloj suksesi të limituar. Banka e Gjelbër e Investimit ishte privatizuar marrëzisht më 2017, ndërsa Banka Britanike e Biznesit kurrë nuk e ka marrë mandatin apo fuqizimin e nevojshëm financiar. Mbetet të shihet nëse Banka Britanike e Infrastrukturës do ta ketë më ndryshe; por indikacionet e hershme nuk janë premtuese.

Edhe Një dekadë pas BREXIT-it, kryeministri i ri britanik dhe sfidat në raport me BE-në Botë 4 j. më parë Një dekadë pas BREXIT-it, kryeministri i ri britanik dhe sfidat në raport me BE-në

Vendimi i Qeverisë së Johnsonit për ta prishur Këshillin e Strategjisë Industriale – një veprim ky i kritikuar gjithmbarshëm edhe nga liderët e biznesit – është një akt edhe më dëmtues i vetësabotimit.

E prirë nga kryeekonomisti i Bankës së Anglisë, Andy Haldane, ISC-ja ka bashkuar hisedarët kryesorë për të garantuar që strategjia industriale e 2017-s t’i përmbushë zotimet e saj. Në raportin e tij inaugurues vjetor vitin e shkuar, Këshilli ka nënvizuar se strategjitë e suksesshme industriale “në mënyrë tipike kërkojnë periudha të gjata kohore për të pasur ndikim domethënës dhe të qëndrueshëm mbi ekonominë”. Kjo është arsyeja pse ne në MOIIS kemi rekomanduar që ISC-së t’i krijohet një bazë e përhershme statusore, ashtu që ta mbijetojë Qeverinë që e krijoi atë.

Akëcila strategji ekonomike, pavarësisht nëse quhet “strategji industriale” apo jo, do të ketë nevojë për një kornizë institucionale përbrenda Qeverisë ashtu që ta mbikëqyrë zbatimin nëpër departamente. Dhe asnjë qeveri nuk mund ta përmbushë një synim po aq kompleks sa neutraliteti i karbonit pa pasur mekanizma për vendosjen dhe koordinimin e pjesëmarrjes së bizneseve, akademisë dhe shoqërisë civile. Një qasje e stopimit që në fillim – kur flamuri i ngritur i strategjisë ulet qysh para ditëlindjes së parë – e minon fatalisht besimin e sektorit privat te shteti.

Plani i ri i Qeverisë Johnson duket të jetë një rivendosje e sfidave të përmendura në strategjinë industriale të Mayit, por me një kornizë dukshëm më të paplotë të përgjigjeve politike. Kësisoj, të përhumbura janë “sfidat e mëdha” dhe ujditë sektoriale; krejt çka fitojmë janë të njëjtat grafika të moçme që e shpërfaqin prodhimin e stagnuar dhe të ardhurat e ngrira mesatare.

Derisa plani po që ofron një lloj qartësie rreth vizionit të Qeverisë për “nivelin”, çështja se si do të arrihet ajo mbetet e mjegullt. Plani identifikon se Britania e Madhe ka “investime më të pakta afariste (sesa ekonomitë e tjera të avancuara)”, por ofron pak zgjidhje.

Por “Plani për rritje” e përmbledh një gjë siç duhet: “Jo, krejt rritja krijohet barabar”. Rritja ka të bëjë me drejtimin e ekspansionit të ekonomisë, jo vetëm me shkallën. Në rastin e Britanisë, rritja ekonomike vazhdon të jetë e prirë nga konsumi, teksa borxhi privat po i prek pikat e reja më të larta derisa investimet e sektorit privat dhe atij publik po fundosen në nivelet më të ulëta përbrenda botës së zhvilluar. Për të ofruar premtim të çfarëdoshëm, plani i Qeverisë duhet që ta shpjerë ekonominë në një drejtim më gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm.

Edhe Blairi i kërkon Starmerit afrim me Trumpin: Rrezikojmë të mbesim jashtë “ligës së kombeve kryesore” Botë 1 muaj më parë Blairi i kërkon Starmerit afrim me Trumpin: Rrezikojmë të mbesim jashtë “ligës së kombeve kryesore”

Mësimi kyç i dalë nga pandemia COVID-19 është se Qeveria dhe industria duhet të bashkëpunojnë për t’i luftuar sfidat e shekullit njëzetenjë. Një shtet që e lë tregun në mëshirë të mjeteve të tij nuk do ta krijojë kurrë një politikë ekonomike, për të cilën kemi nevojë. Përderisa Qeveria Johnson nuk ofron diçka më shumë sesa “Planin për rritje”, problemet ekonomike të Britanisë së Madhe do të mbesin të pazgjidhura.

(Mariana Mazzucato, profesoreshë e Ekonomisë për Inovacion dhe Vlerë Publike në Kolegjin Universitar të Londrës dhe drejtoreshë themeluese e Institutit UCL për Inovacion dhe Synime Publike, është shefe e Këshillit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë “Ekonomi Shëndetësore për të Gjithë”. Ajo është autore e librit më të fundit: “Mission Economy: A Moonshot Guide to Changing Capitalism”. Laurie Macfarlane është anëtar i Institutit UCL për Inovacion dhe Synime Publike, si dhe redaktor në “openDemocracy”. Ai është bashkautor i librit “Rethinking the Economics of Land and Housing”. George Dibb është anëtar i Institutit UCL për Inovacion dhe Synime Publike, si dhe shef i Qendrës për Drejtësi Ekonomike në Institutin për Kërkime Publike Politike. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).