OpEd

Republika e krizës së përhershme

Po të kishin pak sens për krejt çka po ndodh jashtë objekteve qeveritare, do ta kuptonin se mungesa e parasë në qarkullim ka arritur në një pikë papërshkrueshëm të ulët – dhe se zinxhiri i obligimeve prej palës në palë shkon e zgjatet dita më ditë duke e shndërruar jetën tonë në jetë me këste

Sa më shumë kohë po kalon, aq më pak po marr vesh se në çfarë vendi po jetoj.

Në thuajse 45 vjetët e fundit, Kosova kaloi nëpër një varg demonstratash, katër gjendjesh të jashtëzakonshme, shuarje të autonomisë, represion, aparteid, luftë, masakra, shkatërrim, rindërtim, administratë ndërkombëtare të dështuar, administratë kosovare po aq të dështuar... e që tash, po get prej gjithë energjisë së investuar në mbijetesë, kemi ardhur në një fazë apatie të thellë, që nuk e di njeriu si e shpjegon.

A është kjo qetësi para stuhisë, apo është futje edhe më e thellë në depresion total dhe mbyllje e edhe asaj dritës së vockël në fund të tunelit, unë nuk e di. Por atë që e di është që nervat, që me kohë na ishin trashur, tash kanë nisur të tëhollohen. Dhe dikur do të këputen.

* * *

Dje në Kuvend u mblodhën për të 45-tën herë e nesër do të mblidhen për të 46-n. Rezultati do të jetë identik. Faji do të vazhdojë të jetë jetim. Secila palë do të vazhdojë ta akuzojë atë tjetrën për shkelje të Kushtetutës, dhe pas gjysmë ore do të shpërndahen.

Ne do të vazhdojmë t’i çojmë ekipet për t’ua përcjellë cirkun e pafytyrë, dhe në fund e gjitha do të mbarojë me një raport që ka mundur të ishte po i njëjti që kishim publikuar para nja dy muajsh.

Po shihet qartazi që të gjithëve u konvenon kjo fazë as në tokë, as në qiell.

VV-së, sepse vazhdon ta mbajë pushtetin ekzekutiv, thuajse krejt punët i kemi në dyzen, kurse PDK-së, LDK-së e AAK-së, për shkak se e kanë kohën optimale për t’i përgatitur kandidatët e tyre për fushatën e zgjedhjeve lokale.

Deri në nisjen e fushatës ka gati dy muaj, por këto parti tashmë i kanë identifikuar kandidatët e tyre. Dhe synimi i tyre është që ta mbajnë primatin në komunat e “tyre”, e besa edhe ta shtojnë ndonjë. E krejt gjasat janë se rezultatet e para katër vjetësh mund të përsëriten në shumicën e komunave. Kjo, për shkak se për dallim nga pushteti qendror, votën e ndëshkimit e çon në ambientin ku jeton.

* * *

Pra, Kosova, ende nën sanksione të Evropës, dhe plus tash me autosanksione, po kalon nëpër fazën më të keqe ekonomike që prej kur shpërtheu pandemia. Por, kjo absolutisht askujt nuk i lë përshtypje.

Për më tepër, pushteti kënaqet me shifra që dalin e na i qesin me postera të FB-së, thuajse duan të na bindin se atë që e shohim me sy nuk është ajo që e shohim, por është shumë më mirë e më bukur.

Do të thotë, për pushtetin fare nuk është me rëndësi po qe se firmat mund të mbijetojnë në një treg të vdekur e pa prodhim. Nuk brengoset as për faktin se bankat përherë e më shumë ngurrojnë t’u japin kredi firmave për mjete qarkulluese a investuese – ani pse këtë e kanë punë dhe prej kësaj e nxjerrin fitimin. Fare nuk brengosen se janë duke e shtyrë sektorin privat të bëjë fizkultura nga më të ndryshmet për mbijetesë. Pra, pa përkrahje të shtetit në kuptimin e politikave zhvillimore, pa përkrahje të sektorit bankar, çfarë mbetet opsion?

Para disa ditësh, Agjencia e Statistikave e Kosovës bëri të ditur se shkalla mesatare e inflacionit për muajin qershor ishte 4,3%. Kur e krahason këtë shifër me nëntorin e vjetëm, kur inflacioni kishte qenë 0,7% dhe janarin e sivjetmë me 1,5%, kjo që është regjistruar muajin e shkuar do të duhej të ishte alarm për pushtetin.

Kjo do të thotë se aftësia blerëse e popullatës është duke u tkurrur përditë e më shumë.

Po të kishin pak sens për krejt çka po ndodh jashtë objekteve qeveritare, do ta kuptonin se mungesa e parasë në qarkullim ka arritur në një pikë papërshkrueshëm të ulët – dhe se zinxhiri i obligimeve prej palës në palë shkon e zgjatet dita më ditë duke e shndërruar jetën tonë në jetë me këste.

Ky është vendi i absurdeve: sektori publik me mesatare rrogash më të lartë sesa sektori privat. E ky i fundit rrugës për në humnerë.

Po kjo nuk është punë që prek asnjërin prej atyre 120 deputetëve e 84 asistentëve personalë të tyre, dhe kushedi sa mijëra shërbyesish civilë – për ta kurrë nuk ka krizë, se gjithmonë ka tatime e dogana që mblidhen për t’ua paguar atyre pagat.

* * *

E buxheti, pos rrogave, shërben edhe për projekte kapitale.

Për thuajse pesë vjet nuk e pamë asnjë të përfunduar, pos dy urave të vogla. Asnjëra nga rrugët, për Mitrovicë, Pejë, Gjilan, Podujevë... nuk ka përfunduar. Arsyetimi i përhershëm është “kanë mbetur shumë shpronësime të pazgjidhura, e kjo merr kohë”. Por kurrë askujt nuk iu kujtua të dalë e të tregojë cilat shpronësime janë ato, për sa tokë bëhet fjalë që kalojnë me nga 15-20 vjet e që ai proces të mos kryhet.

Një problem tjetër që përherë ndërlidhet me prokurimin jo vetëm në Ministrinë e Infrastrukturës, janë kontratat e negociuara.

E fundit që u bë publike në këtë format qe ndërtimi i dy urave në Mitrovicë, për të cilat janë ndarë madje 3 milionë euro (e të cilat tash hetohen nga Prokuroria Speciale).

Po mendohem, me tre milionë do të mund të hapej ndonjë repart prodhimi të një diçkaje që e importojmë... dhe do të punësoheshin bile një duzinë njerëzish sa për fillim... por disi më lehtë “me i gjuajt” paratë në ura sesa të mendojmë për prodhim.

Nejse, Qeveria në detyrë vendosi që duhen ndërtuar jo një, po dy ura në Mitrovicë.

Po e kuptoj se pse u shkua në procedurë pa zhurmë: që të gjithë të sillen para aktit të kryer. Po e kuptoj edhe qëllimin politik pas urave – por që të dyja, edhe ndërtimi i urave e edhe shpenzimi i parave për to janë nonsens.

Tri ura në distancë prej disa metrash, ta merr mendja Mitrovica është Stamboll...  

* * *

Ashtu siç është nonsens insistimi i të huajve për ta mbajtur urën e Ibrit të mbyllur. Në takim me një diplomat të akredituar këtu, e patëm debatin nëse duhej hapur rruga për qarkullim apo jo. Më tha ura është e hapur, por nuk lejohen veturat. Dhe më pyeti nëse do të doja që qyteti të ndotej, po qe se do të lejohej kalimi edhe i veturave.

Iu përgjigja se vetëm te ne bën vaki që rrugica të shndërrohet në “shesh” apo edhe ura në “park”. I thashë që pas të gjitha këtyre viteve, diplomatët e huaj nuk e kanë kuptuar se politika në Kosovë funksionon në bazë të parimit të inatit, dhe që në këtë kategori nuk ka dallime etnike. Gjithashtu i thashë se janë dy gjëra: me insistimin që ura të mbahet e mbyllur dërgohet porosia te serbët se nuk janë të mirëseardhur për të qarkulluar kah jugu dhe se vendimi nëse ura duhet të mbahet hapur u takon qytetarëve të Mitrovicës e jo BE-së.

E fundit, i thashë është shumë përçmuese qe menaxhimi i një ure të bëhet objekt negociatash politike të ndërmjetësuara.

U pajtuam se shpenzimi i 3 milionëve për dy ura është i kotë. Por nuk u pajtuam për peshën që ka ura e mbyllur e Ibrit. Dallimi është se ai jeton në Kosovë përkohësisht.

* * *

Përpjekja për ta përshkruar mishmashin e javës brenda një kolumne, me gjasë më së miri e jep përgjigjen në pyetjen e shtruar në fillim.

Jetoj në një mishmash, që krejt me ngulm e thërrasin republikë, e së cilës më pas ia shtojnë nga një atribut varësisht se sa patriotikë duan të tingëllojnë.

Mua me gjasë frymën patriotike ma ka mbytur apatia kolektive e republikës së krizës së përhershme.

[email protected]