OpEd

Reflektorët dhe reflektimi i një emri në pavdekësi - Fadil Vokrri

Një ëndërr e madhe dhe shumë ambicioze e jona u arrit në saje të përkushtimit dhe punës së shumë njerëzve. Sot miku im Fadil, Kosova u pranua edhe nga FIFA, edhe nga UEFA, ato gjithsesi se kanë vulën dhe meritat tuaja, dhe ato ti arrite t’i përjetoje

E premte, 07.09.2018

Samiti i 5-të i ambasadorëve

Java që lamë pas ishte një javë përplot aktivitete diplomatike si dhe politike. Njëra nga aktivitetet diplomatike në Kosovë ishte samiti i 5-të i ambasadorëve. Shih ironinë unë nuk kisha pranuar ftesë. Me gjithë angazhimin tim të pashoq, ftesa zyrtare që të merrja pjesë nuk ishte në inboxin tim. Më pas shikova një kronikë lajmesh nga samiti ku ambasadorëve iu drejtua kryeministri Haradinaj. Ai në një moment të adresimit të tij, ambasadorët i quajti edhe “qyqanë” dhe aty e pata të qartë pse unë nuk kisha pranuar ftesë për pjesëmarrje. Sigurisht se adresimi me fjalën qyqan nuk do të ishte i aplikueshëm për mua, prandaj edhe nuk më kishin dërguar ftesën fare. U ndjeva i ngazëllyer dhe paksa mirënjohës që nuk më kanë humbur mundin dhe më vlerësojnë punën dhe përkushtimin tim diplomatik virtual. Kolegëve të mi diplomatë u dëshiroj që sa më shpejt ta mposhtin “qyqarllëkun” dhe më pas as që do të kishim nevojë për samite të tilla, sepse asnjëri nga ne s’do të pranonte ftesë, njëjtë si unë me këtë rast.

E diel, 09.09.2018

Aventurat e Rogner Kallamarit

Pas shumë deklaratave nga qeveritarët tanë se jo e lamë që të hyjë në Kosovë, e jo se lamë, jo miqtë amerikanë na e kërkuan lejimin e ardhjes së presidentit të Serbisë Vuçiq në Ujman, ai në fund me të vërtetë edhe u shfaq në Ujmanin e veshur me petkun e ngjyrave të flamurit të Serbisë. Organizatorët ishin përkujdesur që edhe rrethojat e grilat e hekurta të urës të ishin gjithashtu të ngjyrosura me ngjyrat e shtetësisë së Serbisë. Pra, qysh në fillim sinjalet dhe mesazhet ishin se Vuçiqi po vinte në “tokë të vet”. Më pas Vuçiqi mori rrugën për fshatin Banjë që gjendet në rajonin e Drenicës dhe që është i banuar nga serbët. Kabllogramet e para ishin se me të dëgjuar të këtij lajmi veteranët e UÇK-së dolën dhe bllokuan rrugën magjistrale. Atyre u bashkëngjitën edhe qytetarë të tjerë, si dhe pasardhës të familjes Jashari. Bekim Jashari deklaroi se Vuçiqit nuk do t’i lejohej kalimi nëpër Drenicën e përgjakur pa kërkimfaljen e Vuçiqit. Situata në pikën ku qytetarët e kishin bllokuar rrugën magjistrale dhe ku kishin ndezur zjarrin po vazhdonte që të tensionohej.

Për të tensionuar këtë gjendje edhe më tepër ministri serb “për Kosovën”, Vulin, deklaroi se presidenti serb dhe eskorta e tij ishin në kërkim të një rruge dytësore dhe alternative për të shkuar në Banjë. Nga ky moment e tutje fillojnë cirkusiadat e Qeverisë së Kosovës, gjë për të cilën ajo tashmë është e njohur për shumë kohë. Kryeministri Haradinaj jep urdhrin që vizita e Vuçiqit në Drenicë të mos lejohet dhe do të duhej të hynte në fuqi menjeherë, të njëjtin vendim për anulim të vizitës së presidentit Vuçiq e bën edhe Pacolli si ministër i Punëve të Jashtme dhe zëvendëskryeministër i Kosovës. Në fakt në një pikë Vuçiqi ndalohet nga Policia e Kosovës dhe kërkohet nga ai që të zmbrapset mbrapa. Këtu pasojnë edhe ca deklarata pompoze të palës serbe se ata janë në pritje të urdhrave të komandantit të tyre suprem dhe se ushtria serbe ishte në gjendje gatishmërie. Çdo gjë po të kujtonte historinë jo shumë të lashtë të Krimesë së aneksuar nga ana e Rusisë prej Ukrainës, por ku nuk kishte KFOR/NATO. Gjatë kësaj kohe përderisa e gjithë kjo katrahurë po merrte formë dhe po zhvillohej në terren, gjarpri që ua la këmbët e arushës në dorë, qeni i keq që e solli ujkun në torishtë, i dinte punët e veta duke drekuar me presidentin Meta në bregdetin shqiptar. Komandanti LEGENdar, Rogner Kallamari, do të deklaronte se ai i kuptonte dhimbjet e popullit të vet drenicak, si dhe vuajtjet e përjetuara gjatë luftës, mirëpo duhej shikuar nga e ardhmja dhe se pajtimi midis dy popujve do të ishte jetik për integrimin e dy popujve në proceset euro-atlantike.

Rogner Kallamari i hipnotizuar me egon e tij me apo pa dashje, me apo pa vetëdije vazhdon që flakën që e ndezi vetë ta fikë me benzinë. HOMOlogu i tij Vuçiq pasi iu refuzua shkuarja për në fshatin Banjë do të kthente rrugën për pjesën e Mitrovicës veriore, ku e priste bina e zbukuruar me ngjyrat nacionale serbe dhe ku pritej që ai të mbante fjalim.

Ashtu edhe ndodhi. Vuçiqi arriti aty dhe e mbajti fjalimin e vet. Ndërmjet të tjerash dhe midis rreshtash ashtu si ne diplomatët dimë të lexojmë ai lartësoi figurën e Milosheviqit për gjithçka që ai kishte arritur të bënte për popullin serb si lider i tij, por e qortoi atë që punën se kishte përfunduar deri në fund.

E çfarë borxhi i kishte Kosova dhe banorët e saj këtij njeriu që të vinte e t’i fyente mu në zemër të saj, ta poshtëronte në mënyrën më perfide primitive-diplomatike këtë e di më së miri

Rogner Kallamari dhe sejmenët e tij.

Përndryshe komandanti LEGENdar, Rogner Kallamari, tashmë PreseTnik, vazhdon që t’ia bashkojë Luginën Kosovës, duke korrigjuar kufijtë e Rankoviqit e duke mos dhënë asgjë.

Atij nuk i lejohet as vizita atje për dallim prej HOMOlogut të tij në Kosovë, mirëpo Rogner Kallamari i takon përfaqësuesit shqiptarë të Luginës për t’iu mundësuar edhe atyre që të shijojnë puthjen dhe pëshpëritjen biblike të gjarprit.

Ne pellazgët e rinj mbajmë ndërmend nga fëmijëria e hershme se nuk mund të ndërrosh asgjë për diçka. Si fëmijë ne ndërronim klikera (porta, sërrça, kapitasha ...) një që e quanim amerikankë që ishte disi nga xhami më i vrazhdë dhe me madhësi të ndryshme me dy apo tre klikerë të rëndomtë, të cilët ishin nga xhami më i lëmuar, apo një aso të çeliktë me 3-4 të tjerë të rëndomtë, ose ndërrimet e tyre “kry për kry”. Në mënyrë që ta mbajë barazinë gjinore në nivel diplomatik edhe pellazget e reja bënin ndërrime në rininë e tyre. Ato bënin ndërrime salvetash të letrave me dizajn e logo të ndryshme. Sa më e rrallë dhe e bukur të dukej paterna dhe dizajni i salvetës që ti e kishe në dispozicion mund ta ndërroje atë me 2-3 të tjera më të rëndomta. Por në asnjë rast me këto ndërrime s’do të merrje diçka për asgjë dhe të kuptohemi këto ndërrime ishin ashtu të çiltra fëmijërore, pa ndonjë interes, pa gjakderdhje e trauma gjenocidale, por thjesht instikt tregtar pellazg se merr diçka duke dhënë diçka. E pse Rogner Kallamari vazhdon që të na e fyejë inteligjencën me deklaratat e tija këtë nuk mund ta kuptoj as si diplomat që jam e as me rastin e leximit mes rreshtash të librit autobiografik të porositur si këngë në një dasmë, kushtuar Rogner Kallamarit, “New State Modern Salesman”.

E martë, 11.09.2018

Reflektorët dhe reflektimi i një emri në pavdekësi - Fadil Vokrri Post Mortem

I nderuar mik Fadil. Vendosa që të drejtohem me anë të Ditarit tim në mënyrë që ca gjëra të mbeten të shkruara. Ishe idhull i imi gjatë fëmijërisë sime ashtu siç ishe idhull i shumë moshatarëve të mi e edhe i atyre më të vjetër se unë në atë kohë. Mirëpo, do të kalonin disa dekada deri në momentin kur ne do të njoftoheshim dhe të bëheshim partnerë e edhe miq të respektuar. Ti ishe angazhuar si kryetar i Federatës së Futbollit, ndërsa unë isha në pozitën e drejtorit të marketingut dhe marrëdhënieve me publikun në kuadër të Raiffesien Bank. Ishte viti 2007. Futbolli kosovar po kalonte në një periudhë shumë të vështirë.

Vështirësitë ishin shumëdimensionale me karakter financiar, organizativ, logjistik, disiplinor, infrastrukturor e çfarë jo tjetër. Ne patëm disa takime të ndërsjella ku i diskutuam modalitetet dhe se si paratë që banka do t’i sponsorizonte do të hynin në shërbim të futbollit kosovar, dhe si do të përfitonte ai, si dhe obligimet e Federatës që do t’i merrte mbi vete. Nuk do të harroj asnjëherë shikimin dhe fytyrën tënde kur erdha në zyrën tënde dhe ta kumtova lajmin se Bordi menaxhues i Bankës e kishte aprovuar këtë projekt. Ty vetëm sa nuk të rrodhën lotët dhe më the “Asdren ju e shpëtuat Ligën e Futbollit, ajo ishte para shuarjes”. Në mënyrë që kjo ndihmë që banka po ia bënte futbollit kosovar të ishte sa më e qëndrueshme ajo duhej që të kishte edhe qëllimin dhe misionin e saj. Ai qëllim ishte ndërkombëtarizimi i tij dhe pranimi i Federatës së Futbollit të Kosovës në të gjitha instancat ndërkombëtare. Një ëndërr e madhe dhe shumë ambicioze e jona u arrit në saje të përkushtimit dhe punës së shumë njerëzve. Me gjithë qëndrimet diametralisht të kundërta politike dhe bindjeve të tija politike, të cilat ai i përfaqëson, unë gjithsesi do ta përmend edhe Memli Krasniqin, për të cilin ti pate respekt në ndihmën institucionale apo vetjake, të cilën ai ta kishte ofruar si ministër i Rinisë, Kulturës dhe Sportit, asokohe gjatë rrugëtimit të ndërkombëtarizimit.

Sot miku im Fadil, Kosova është e pranuar edhe nga FIFA, edhe nga UEFA dhe këto gjithsesi se e kanë vulën edhe meritat tuaja, dhe ato ti arrite t’i përjetoje. Pjesën të cilën ti nuk arrite ta përjetosh është se sot stadiumi i qytetit të Prishtinës mban emrin tënd përjetësisht. Aty u zhvillua edhe ndeshja e parë ndërkombëtare. Nën ndriçimin e reflektorëve, Prishtina dukej si asnjëherë më parë. Çunat tanë shënuan fitore dhe këtë fitore ta dedikuan ty miku im Fadil. Mijëra shikues në stadium ashtu si në kohën e fëmijërisë sime brohorisnin emrin tënd, ngritën në ajër numrin 9 që ti bartje në fanellën tënde dhe një fotografi gjigante me fytyrën tënde. Rrëqethem edhe në këtë moment që e rikujtoj atë skenografi, dhe duke e shkruar në Ditar.

Mik i nderuar Fadil, për fund do të dëshiroja që në Ditar të shpalos edhe pjesën tjetër të ëndrrës sonë e që tashmë ne të dy nuk jemi në rolet që të përmbushim atë, por që do të mbetet sfidë e udhëheqësve të tanishëm të Federatës, shtetit, e pse jo edhe e kompanive komerciale të cilat operojnë në Kosovë. Pjesa e mbetur e ëndrrës sonë ishte formimi i shumë shkollave profesioniste të futbollit anembanë Kosovës, me kushtet supermoderne. Një popull kaq vital me rini kaq të numërt dhe të talentuar, me një investim të kanalizuar mirë dhe me punë e mund profesional, do të shndërrohej në një mega fabrikë dhe oazë të talenteve të futbollit.

Ne ndoshta Mercedes e BMW-të nuk do t’i prodhojmë, por unë mbes me besimin se pjesa e mbetur e ëndrrës sonë mund të realizohet shumë lehtë me pak vullnet, përkushtim dhe dëshirë.

Deri në takimin e sërishëm, pusho i qetë miku im.