E gjithë kjo do t’u kontribuonte deficiteve qeveritare, por do të ndihmonte edhe në inicimin e një rimëkëmbjeje më të qëndrueshme. Teksa politikanët janë tani më të përqendruar se kurrë në nevojat e njerëzve dhe të planetit, është kjo koha e duhur për një agjendë më ambicioze në sistemin e gjelbër tatimor
Shumë qeveri, në synimin për ta ndihmuar rimëkëmbjen e gjelbër dhe gjithëpërfshirëse të paspandemisë, kanë përqafuar sloganin “Ndërtoje sërish më mirë”. Deri më tani, politikëbërësit janë përqendruar në rritjen e shpenzimeve publike në mënyrat që i adresojnë ndryshimet klimatike dhe mjedisore, derisa krijojnë gjithashtu vende pune për ata që janë në disavantazh. Por, konservatorët fiskalë druajnë se ngritja shtresës së bojës së kuqe do t’i përmbysë ekonomitë në borxhe dhe do të shpjerë drejt një kundërpërgjigjeje të tregut financiar.
Meqë pandemia ende nuk ka marrë fund, politikanët janë befasisht të pavullnetshëm për t’u angazhuar më tutje në rritjen e taksave. Por, ndryshimi i qëndrueshëm social, të cilin ata pretendojnë se e synojnë, do të kërkojë reforma në të ardhura.
Aktualisht, debati aktual për taksa ka të bëjë më shumë me përzierjen e taksave sesa me nivelin e tyre. Fjala më shumë është për taksa të mençura sesa për taksa më të larta. Çelësi këtu është që të kalohet prej tatimit të punës në tatimimin e përdorimit të resurseve. Politikëbërësit, kësisoj, duhet ta kenë parasysh prezantimin e taksave progresive të konsumit të mallrave.
Kjo nuk është një ide e re. Ekonomistët prej kohësh kanë argumentuar se financimi i shkurtimeve në taksat në të ardhura nëpërmjet rritjes së taksave në përdorimin e resurseve dhe dëmeve mjedisore do të ishte më efikas dhe i barabartë.
Taksat e tilla do ta adresonin dështimin e tregut për t’i penalizuar ndotësit për kostot që ia shkaktojnë shoqërisë.
Interesat e fshehura i kanë penguar propozimet e tilla për dekada me radhë. Por, teksa po dalim prej përplasjeve të shumëfishta të pandemisë, po shohim shkallën dhe fushëveprimin e veprimit qeveritar, modelet afariste dhe mënyrat tona personale të jetesës në një dritë krejtësisht radikale. Tani është mundësia e përnjëmendtë për ndryshim.
Një mënyrë efikase për zbutjen e ngrohjes globale do të ishte që të rritet çmimi për emetimin e dyoksid karbonit me anë të vendosjes së taksave për karbonin, apo duke e kufizuar furnizimin e lejeve të tregtueshme të emetuesve, nëpërmjet ndërprerjes së subvencioneve të kahershme për karburantet fosile.
Kjo do të jetë një çështje tejet e diskutuar në Samitin Klimatik të Kombeve të Bashkuar COP26, në Glasgow gjatë nëntorit. Por, sfidat më të gjera mjedisore dhe shoqërore që e konfrontojnë agjendën “Ndërto përsëri më mirë” shkojnë përtej nevojës për ta përshpejtuar shkëputjen prej karburanteve fosike dhe kalimin në energjinë e ripërtëritshme.
Pikërisht në këtë mes hyjnë në punë taksat e gjelbra të konsumit.
Ndonëse përcaktimi i çmimit për karbonin do të ushqehej nga zinxhirët e furnizimit për t’i nxitur çmimet e mallrave, ndikimi mbi prodhimin, përdorimin dhe heqjen e resurseve joenergjetike do të ishte i mbytur dhe indirekt. Nga këndvështrimi i një konsumatori, emetimet e dyoksid karbonit janë një armik i padukshëm.
Taksat e drejtpërdrejta të konsumit, që qartazi janë të lidhura me dëmet e ndërlidhura me të mirat që qytetarët i blejnë, i përdorin dhe i hedhin, do të bëheshin më transparente dhe më të kuptueshme. Ndërlidhja e taksave të gjelbra me peshën dhe madhësinë e mallrave do ta tërhiqte një lidhje më të qartë me përdorimin e resurseve të paripërtëritshme dhe do të ndihmonte në ndryshimin e normave sociale. Njerëzit që përdorin vetura më të mëdha apo jetojnë në shtëpi më të mëdha do të paguajnë kësisoj më tepër, duke i bërë opsionet më të vogla, më joshëse. Kjo do t’i trimëronte prodhuesit për inovacion dhe për ofrimin e shërbimeve që ua lejojnë konsumatorëve që të ndajnë e jo të posedojnë asete.
Sërish, kjo nuk është një ide e mirë. Ekonomisti E. F. Schumacher e ka mbështetur këtë në librin e tij “Small Is Beautiful”, të vitit 1973. Që atëherë, Amerika në veçanti ka zhvilluar një lidhje dashurie me të voglën.
Por, ne qartazi nuk munde dhe nuk do të duhej të aspironim për një botë në të cilën secila amvisëri e trashëgon një shtëpi dhe e posedon një SUV dy tonë e gjysmë. Vendosja e taksave më të larta progresive për blerjen dhe përdorimin e qëndrueshmërive më të mëdha të konsumit, si veturat dhe shtëpitë, do t’i nxiste konsumatorët të nisin dhe t’i adoptonin shprehitë më të qëndrueshme të shpenzimit.
Natyrshëm, sikurse në çdo rritje të taksës, këto taksa më të mëdha mallrash do të ballafaqoheshin me kundërshtim të ashpër. Mirëpo, racionalja për taksat do të jetë e qartë dhe esencialisht e drejtë. Dhe natyra e tyre progresive nënkupton se barra do të ishte joproporcionale.
Sipas një përllogaritjeje, në vitin 2015, 10 përqindëshi më i pasur i popullatës botërore ishte përgjegjës për 52 për qind të emetimeve akumulative të dyoksid karbonit, teksa 1-përqindëshi kryesor numëron 15-përqindëshin. Tatimimi i materialeve dhe energjisë që ata konsumojnë mund t’u shitej të pasurve si një opsion më i pëlqyeshëm sesa të ardhurat më të larta apo taksat e pasurisë.
Pandemia dhe izolimet e ndërlidhura na kanë ofruar ndjenjën e rreziqeve prej konsumimit dhe mobilitetit të tepërt. Ndonëse njerëzit do të heqin dorë nga disa prej shprehive të tyre të reja prej zori kur pandemia të marrë pjesë, shumë prej tyre do të pranojnë se lumturia e tyre dhe mirëqenia qëndrojnë më mirë me anë të ndërveprimit me të tjerët sesa me anë të akumulimit të më shumë gjërave.
Një mënyrë edhe më e fuqishme që qeveritë të sigurojnë mbështetje për taksat e reja të konsumit do të ishte arritja e një “Ujdie të Madhe të Gjelbër”, ashtu që publiku ta përdorte për përshpejtimin e agjendës “Ndërto prapë më mirë”. Të ardhurat prej taksave të tilla do ta financonin, për shembull, një rënie në taksat e punës, veçanërisht mes atyre që janë më pak të paguar. Kjo do ta bënte pakon dyfish progresive.
Një opsion do të ishte një “dividente karboni”, me ç’rast amvisëritë do të pranonin të ardhura në tarifa fikse të financuara nga të ardhurat prej taksës së gjelbër. Kjo gjë do t’u sillte përfitime disproporcionale amvisërive më të varfra.
Një tjetër mundësi do të ishte përdorimi i një ardhure të re për shkurtimin e taksave apo rritja e subvencioneve për shërbimet dhe produktet e gjelbra. Izolimet shkaku i pandemisë kanë dëmtuar rëndë bizneset lokale dhe shërbimet, veçanërisht në restorante dhe në sektorin e gastronomisë.
Në mënyrë të veçantë, qeveritë do të mund t’i përdornin disa prej taksave për financimin e investimeve të gjelbra, përfshirë nëpërmjet mbështetjes së amvisërive, për të investuar në automjete elektrike (sidomos ato të vogla) dhe në sistemet shtëpiake energjetike. Financimet do të orientoheshin gjithashtu te bizneset dhe investimi qeveritar është i nevojshëm për infrastrukturë, kërkim dhe zhvillim.
Për më tepër, politikat fiskale në ekonomitë prijëse botërore mbesin ekspansioniste për momentin. Kjo do të thotë se taksat e konsumit të gjelbër mund të përcaktohen brenda disa vjetësh.
E gjithë kjo do t’u kontribuonte deficiteve qeveritare, por do të ndihmonte edhe në inicimin e një rimëkëmbjeje më të qëndrueshme. Teksa politikanët tani janë më të përqendruar se kurrë në nevojat e njerëzve dhe të planetit, është kjo koha e duhur për një agjendë më ambicioze në sistemin e gjelbër tatimor.
(Mark Cliffe është ish-kryeekonomist i “ING Group”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)