Analizë e gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”

A është Hashim Thaçi i pafajshëm?

Hashim Thaçi

Hashim Thaçi

Foto: Associated Press

Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” analizon procesin në Hagë kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lidhur me disa dëshmitarë që u distancuan nga librat e tyre, gazeta gjermane pyet: A kanë gënjyer atëherë, kur e idealizuan UÇK-në në kujtime, apo gënjejnë tani, duke u përpjekur ta dobësojnë rolin e saj për të shpëtuar Hashim Thaçin?

Më shumë se një çerek shekulli pas luftës në Kosovë, figura e Hashim Thaçit ndodhet në qendër të një procesi gjyqësor që pritet të përcaktojë jo vetëm fatin e tij personal, por edhe mënyrën si do të shkruhet historia e asaj lufte, nënvizon “Frankfurter Allgemeine Zeitung” në një artikull të botuar në numrin e së hënës nga korrespondenti Michael Martens. Në vitin 1999, Thaçi ishte zëdhënësi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një organizatë guerile që me sulme ndaj policisë e ushtrisë serbe e shtyu më tej konfliktin dhe e tërhoqi vëmendjen e botës. NATO e përdori UÇK-në si trupë tokësore, ndërsa vetë e bombardoi Serbinë derisa forcat e Millosheviqit u tërhoqën.

Pas luftës, Thaçi u shndërrua në njeriun kryesor të Kosovës së re. Si kryeministër, ministër i jashtëm e më pas president, ai u konsiderua partner i domosdoshëm për SHBA-në dhe Evropën. Takimet me Gerhard Schröderin, Joschka Fischerin apo Tony Blair e potencuan rolin e tij si garant të stabilitetit. Por tashmë ai përballet me akuza të rënda nga një tribunal special në Hagë: krime kundër njerëzimit, tortura dhe qindra vrasje të kryera mes marsit 1998 dhe shtatorit 1999, jo vetëm ndaj serbëve e romëve, por edhe ndaj shqiptarëve të dyshuar si bashkëpunëtorë të regjimit serb, shkruan “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Prokuroria pretendon se nën drejtimin e Thaçit, UÇK-ja mbajti kampe të burgosjes ku u kryen mizori. Që prej fillimit të procesit, në prill 2023, kanë dëshmuar mbi 260 persona. Gjysma kanë folur në sallën e gjyqit, të tjerët përmes dokumenteve të shkruara. Akuza e paraqet Thaçin si përgjegjësin e fundit politik për krimet e trupave të tij.

Mbrojtja ndërkaq e sheh ndryshe. Avokatët amerikanë të Thaçit, të paguar pjesërisht nga fondet publike të Kosovës, nuk mohojnë se brenda UÇK-së ka pasur krime. Por ata këmbëngulin se përgjegjësia nuk i takon Thaçit. Argumenti i tyre qendror është se UÇK-ja nuk ishte kurrë një ushtri e rregullt: ajo përbëhej nga fshatarë, studentë, tregtarë e mësues, të organizuar në zona të vogla nga komandantë lokalë. Shtabi i përgjithshëm ekzistonte vetëm në letër, ndërsa zinxhir komandues nuk ka pasur kurrë. Në këtë situatë, thonë ata, Thaçi nuk mund të jepte urdhra që do të zbatoheshin në terren.

Disa dëshmitarë e mbështetën këtë version. Ish-komandanti Rrustem Mustafa tha se pushtetin real e kishin udhëheqësit lokalë si ai vetë, ndërsa urdhrat nga lart nuk kuptoheshin kurrë si obligim, por si “rekomandime”. Ky përshkrim përputhet me kujtimet e Madeleine Albrigh, e cila në Rambuje e pa Thaçin si të pasigurt, të varur nga balancat mes komandantëve dhe sponsorëve të ndryshëm të UÇK-së.

Por kontradiktat janë të shumta. Shumë prej atyre që sot e paraqesin UÇK-në si trupë të shpërndarë e pa strukturë, dikur në librat e tyre e kishin portretizuar si ushtri të organizuar. Në sallën e gjyqit, ata nisën të tërhiqeshin. Hajrush Kurtaj e quajti librin e vet një “teprim e stolisje”. Ilaz Kadolli tha se kishte përdorur “burime të pakonfirmuara”. Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Bislim Zyrapi, i mohoi ato kujtime si të parëndësishme. Edhe gazetarët që dikur e kishin madhëruar Thaçin, kërkuan që librat e tyre të mos shërbenin si prova, duke pranuar se e kishin paraqitur UÇK-në më të fuqishme sesa ishte.

Kjo sjell pyetjen thelbësore: a kanë gënjyer atëherë, kur e idealizuan UÇK-në në kujtime, apo gënjejnë tani, duke u përpjekur ta dobësojnë rolin e saj për të shpëtuar Thaçin? Këto dilema rëndojnë mbi procesin, por nuk janë të vetmet. Gjykata ka dokumentuar raste kur Thaçi e bashkëpunëtorët e tij kanë ndikuar mbi dëshmitarët. Ai dyshohet se nga qelia u ka dhënë udhëzime miqve për të orientuar deklaratat. Disa veteranë janë dënuar veçmas për frikësim dëshmitarësh, ndërsa Thaçi përballet edhe me këtë akuzë. Për këtë arsye rregullat e vizitave në burg janë ashpërsuar.

Mes dëshmive më të forta janë ato të viktimave. Dragica Bozhaniq, një grua serbe, tregoi se burri dhe djali i saj u morën nga luftëtarë të UÇK-së në korrik 1998 dhe nuk u kthyen kurrë. Predrag Dediq, mbi 90 vjeç, rrëfeu se djali i tij u rrëmbye në qershor 1999 dhe ende nuk di ku është varri. Këto rrëfime u japin fytyrë njerëzore akuzave dhe e bëjnë procesin veçanërisht të rëndë.

Nuk dihet ende se si do të përfundojë gjyqi. Por edhe pse vendimi final pritet në vitin 2026, dilemat që ka ngritur janë të qarta: a ka qenë Thaçi një lider politik që mbante mbi supe përgjegjësinë për krime të rënda, apo një figurë simbolike pa kontroll real mbi guerilët? Dhe a ishte Perëndimi i vetëdijshëm kur e pranoi si partner një njeri mbi të cilin rëndonin hije të tilla?

Një gjë është e sigurt: ndërhyrja e NATO-s, që e përkrahu Thaçin dhe njerëzit e tij, i dha fund një epoke të dhunshme dhe solli stabilitet në Ballkan. Por ky stabilitet tani bashkëjeton me pyetjet e hapura mbi krimet e supozuara të atyre që atëherë u shihnin si çlirimtarë.