OpEd

Qe ku po na dhemb

Përderisa politikanët të mos e kuptojnë se popullit nuk i bën mirë po qe se mbetet pa pasuri, pa punë, pa shëndet, pa shkollë, pa kulturë, pa sport – ky popull do të vazhdojë ta vuajë dhimbjen e dyfishtë: të asaj që ia shkaktojnë politikanët injorantë, arrogantë dhe të pandërgjegjshëm, dhe të asaj që ia shkakton vetes me defetizmin e vet

Argumenti “më i fuqishëm” i kryeministrit sa herë që debaton në Kuvend, dhe sa herë që shpreh mospajtim me opozitën është: “Ku po ju dhem?”.

Për ta bërë edhe më të fuqishëm “argumentin”, patjetër do ta shtojë edhe fjalën “burra”, duke i përjashtuar kështu plotësisht gratë nga vendimmarrja politike. Dhe në fakt nuk do të mundë të ishte ndryshe kur merret parasysh se jo vetëm Qeveria, por edhe institucionet kosovare në përgjithësi u ngjasojnë odave të burrave, ku gratë shërbejnë për dekor.

Pos që është absolutisht irritues komunikimi kaq “popullor” – pra unë po flas me fjalët e popullit, është po aq irritues qëndrimi shpërfillës ndaj cilësdo kritikë apo fjale që nuk i shkon për shtat. Marrja e përgjegjësisë së udhëheqjes së Qeverisë nënkupton edhe rrezikun e të qenit të kritikuar gjithherë, por ndaj së cilës kritikë do të duhej reaguar me veprime dhe fjalë të matura, posaçërisht jo ofenduese. Porse ja, Kosova ka pasur fatin që në katër mandatet e fundit të ketë në krye të ekzekutivit njerëz që kanë qenë shpërfillës, arrogantë e inatçorë, e që paaftësinë e tyre politike e kanë shndërruar në luftë të kotë fjalësh, që kanë sjellë, jo njëherë, bllokimin e komplet shtetit.

Dhjetë dhimbje

Pyetja e kryeministrit nuk më është drejtuar mua, se nuk jam as deputete e as burrë. Porse si qytetare e këtij vendi të hallakatur e kam një listë të gjatë dhimbjesh që do të doja t’ia bëja me dije. Nuk pres se ai do t’i shërojë këto dhimbje. Vetëm po frikësohem se lista do të zgjerohet edhe më dhe dhimbja do të bëhet dikur e padurueshme. Bile, bile, ende çuditem me popullin tim se sa i durueshëm tregohet ndaj krejt kësaj që po e jeton me vite të tëra.

Nuk e di nëse do t’i lexojë e as nuk e di nëse do t’i mbajë mend dhimbjet që na shkaktohen kryesisht nga ai dhe institucionet e tjera, porse, megjithatë, unë do të ndihem më mirë që t’i lë të shkruara. Nëse për asgjë tjetër, atëherë për kujtim.

1) Shumë po dhemb kur kuptohet se Kosova përjashtohet nga EQAR-i për shkak se shkarkohet komplet Bordi i Agjencisë së Akreditimit të Kosovës. Nëse problem paska qenë “hajni ordiner”, lënda e të cilit është dashur të shkonte në Prokurori para pesë muajsh, pse shkarkimi i gjithë Bordit pra? Me siguri jo për cilësi më të mirë. Për biznes, pa dyshim;

2) Shumë po dhemb të dihet se ekziston një vendim gjyqësor që e obligon Qeverinë për ta shpalosur sekretin më të madh të Kosovës – kontratën me Bechtel Enkan për ndërtimin e autostradave. Shumë e dhimbshme që na shkuan 1,5 miliardë para të gatshme në dy objekte që kanë mundur të kushtonin shumë më lirë e që të kenë mundur të ndërtoheshin edhe me kredi, duke e ruajtur solvencën e shtetit;

3) Shumë po dhemb me e ditë që me një fjalë goje fillimisht iu falen 60 milionë euro obligime të papaguara ambalazhuesve të ujit. Dikush ia tërhoqi vërejtjen se nuk është vendim ligjor, dhe tha ani pra le t’iu krijohen lehtësira për ta përmbushur obligimin. Por kurrsesi nuk i shkoi në mendje të kërkonte nga Administrata Tatimore që këto firma të dënoheshin dhe t’iu mblidheshin obligimet me zor, ashtu siç e parasheh ligji. Dhemb me ditë që ATK-ja i ndjek taksapaguesit e rregullt kur ata vonohen, përderisa lejon që evazioni fiskal ta mbërrijë gjysmëmiliardëshin;

4) Po dhemb shumë të kuptosh se Kosova është futur në një marrëveshje për ndërtimin e një termocentrali nga e cila del gjithsesi humbëse: po u realizua, Kosova do të punojë për firmën private, pothuajse fantome. Po nuk u realizua, do t’i humbë 19 milionë euro, që duhet të na bëjë të kërcejmë prej gëzimit;

5) Po dhemb me ditë që 290 mijë euro tonat u janë falur të dënuarve për një incident të paprecedentë në Kumanovë, në kundërshtim madje me ligjin që ndalon luftimet jashtë vendit. Ata njerëz dikur do të dalin nga burgu – a mos ndoshta hapi i ardhshëm do të jetë futja e tyre në listat e veteranëve, nëse tashmë nuk janë aty;

6) Shumë po dhemb avullimi i 600 mijë eurove për kremtimin e 10-vjetorit të Pavarësisë. Me gjithë premtimin e organizatorëve, raporti financiar kurrë nuk u bë publik. E nëse pesë koncerte të dështuara në tri podiume të montuara nëpër sheshet e Prishtinës bëjnë kaq shumë para, krejt Kosova do të duhej të niste të merrej me muzikë, se ia qet me marrë para për “artin” që prodhon;

7) Edhe më shumë po dhemb që 1 milion euro janë ndarë nga buxheti për t’ia dhënë KOSTT-it, e që ky më pas do t’ia japë KESCO-s për t’i mbuluar shpenzimet e papaguara të rrymës së serbëve në veri. Deklarata se kjo është një zgjidhje provizore për nuk e di çka, se nuk e mora vesh çka deshi të thoshte autori, është rrenë e kulluar, sepse ne po vazhdojmë ta paguajmë rrymën në veri. Mbështetur në faturën e muajit të shkuar, gjendja nuk ka ndryshuar – pagesa vazhdon njësoj;

8) Shumë po dhemb kur po e di se 1 milion euro në vit do të na shkojnë për 70 badihavxhinjtë zëvendësministra, të cilëve kryeministri as emrat nuk ua di. Po aq dhimbje po shkakton Qeveria më e madhe në botë, që shpenzon paranë publike kryesisht në shëtitje dhe në projekte fitimprurëse për partitë në pushtet, e që e gllabëron një pjesë të madhe të buxhetit;

9) Po dhemb me ditë që prioriteti i vetëm për kryeministrin është rritja e rrogave për veten dhe për anëtarët e kabinetit qeveritar, pa përfillur as ligj, e as një send;

10) Po dhemb me ditë që rezervat shtetërore të Kosovës janë shpenzuar në aktivitete improvizuese që lidhen për vendimet që i teken kryeministrit. Po dhemb, kur kuptohet lehtësia me të cilën kërkohen 1 milion euro për shënimin e 550-vjetorit të Skënderbeut. Me siguri me këto para janë paraparë të mbahen dhjetë koncerte në katër bina me 10 shikues edhe ndonjë flamur aty-këtu.

Edhe dhjetë dhimbje

11) Po dhemb shumë kur dihet se kjo Qeveri varet nga një a dy vota, apo më mirë thënë varet nga serbët që mund ta rrëzojnë atë kur të donë dhe për çfarë të donë. Po dhemb edhe kur kupton se kauzat politike që kinse mbështeten në parime, në fakt avullohen si flluska sapuni vetëm për rehatinë personale. Po dhemb kur ke të bësh me njerëz që i hanë fjalët e veta për mungesë integriteti;

13) Po dhemb shumë kur kupton se e ke një Kuvend që merret me shfaqje e jo me punë; kur kupton se deputetët e partisë së kryeministrit, për të njëjtën çështje e flasin të kundërtën e asaj që e kanë thënë në legjislaturën e kaluar;

14) Shumë po dhemb kur e kupton me çfarë lehtësie është lejuar shkatërrimi i natyrës në grykën e Deçanit, kinse në kërkim të gjetjes së burimeve alternative të energjisë. Ndalja e rrjedhës së lumenjve veç do ta shkatërrojë edhe më shumë biodiversitetin dhe do të na lërë edhe më të shkretë seç jemi;

15) Shumë po dhemb kur të bien në dorë raporte shkruar nga të huajt, që tregojnë për shkatërrimin e pyjeve dhe shitjen e pishave të zeza në të zezën;

16) Edhe më shumë po dhemb kur e sheh se për pesë muaj Mitrovica as që është përmendur ndonjëherë në ndonjë mbledhje të Qeverisë apo të Kuvendit – thuajse kemi çuar duar nga ajo;

17) Po dhemb shumë kur po e di se po shkojmë në Bruksel të bisedojmë për çështje teknike, derisa Serbia po bën plane si të na copëtojë e të na bëjë edhe më pak funksionalë, sepse e fut krejt makinerinë diplomatike e shkencore për këtë punë. Ne kënaqemi me pranimin e këngëtarëve në audienca privato/publike nëpër kabinete e zyra;

18) Po dhemb shumë me ditë se gjyqësia është aq e politizuar, saqë qëllimisht bëhet jofunksionale. Dhemb shumë kur kupton se nuk mund të kesh besim në asnjërin institucion, për shkak se gjithkush i ka shtrirë interesat personale në to, për ta mbajtur pushtetin;

19) Po dhemb lehtësia me të cilën EULEX-i për tre vjet i ka dorëzuar 20 lëndë “të mëdha”, për shkak se nuk ka pasur vullnet as bashkëpunimi e as intence për t’i ndryshuar ligjet procedurale që do të rezultonin me bile ndonjë aktgjykim ndëshkues;

20) Po dhemb me ditë sesi dikur e vetmja ndërmarrje fitimprurëse e Kosovës u soll në buzë të falimentimit veç për t’u shitur më lirë, ose për të mbaruar në arbitrazh. Po dhemb që lihet ende pa udhëheqës, edhe pse prej kohësh është ditur që mandati i drejtorit do të skadonte në shkurt.

* * *

Me këso Qeverie, derisa t’i zgjatë jeta, Kosova do të përjetojë vetëm dhimbje. Të ngjashmet që ia ka shkaktuar secila qeveri paraprake, me po të njëjtat parti politike që po dëshmohen përherë më të pasinqerta dhe të papërgatitura për ta mbajtur pushtetin për të bërë ndryshime pozitive. Sepse të gjithë deri tash kanë dëshmuar se ndryshimi i vetëm që u intereson është emri i atij që do të ulet në këtë apo atë kolltuk.

Dhe përderisa politikanët të mos e kuptojnë se popullit nuk i bën mirë po qe se mbetet pa pasuri, pa punë, pa shëndet, pa shkollë, pa kulturë, pa sport – ky popull do të vazhdojë ta vuajë dhimbjen e dyfishtë: të asaj që ia shkaktojnë politikanët injorantë, arrogantë dhe të pandërgjegjshëm, dhe të asaj që ia shkakton vetes me defetizmin e vet.

Po dhemb që po ju durojmë!

[email protected]