OpEd

Pushteti t’i kthehet sovranit

Pavarësisht interpretimeve rreth shkaqeve të dorëheqjes së kryeministrit, mënyra si u formua, si funksionoi dhe si përfundoi kjo qeverisje dëshmon se patëm një eksperiment të kidnapimit të ekzekutivit të tretë me radhë pas shpalljes së pavarësisë. Tani, vetëm vullneti i elektoratit mund ta legjitimojë me votën e tij një qeveri të re me mandat e legjitimitet të ri

Me dorëheqjen e kryeministrit, kabineti qeveritar bie dhe nuk mund të ketë Qeveri me fuqi ekzekutive që s’ka kryeministër. Kryeministri është ai, te i cili përfundon përgjegjësia e një qeverie - kjo është logjika e shëndoshë, nga ky akt fillon zinxhiri i veprimeve të natyrshme të sanksionuara me ligje e që çojnë në një proces të zgjedhjeve të përgjithshme për të formuar një Qeveri të re. Vetëm vullneti i elektoratit mund ta legjitimojë me votën e tij një qeveri të re me mandat e legjitimitet të ri.

Pavarësisht interpretimeve rreth shkaqeve të dorëheqjes së kryeministrit, mënyra si u formua, si funksionoi dhe si përfundoi kjo qeverisje dëshmon se patëm një eksperiment të kidnapimit të ekzekutivit të tretë me radhë pas shpalljes së pavarësisë.

Ishin një turmë ministrash, zëvendësministrash, këshilltarësh. Nëse njerëzit janë infrastruktura kritike e suksesit të cilësdo qeveri, fatkeqësisht për ta dhe për Kosovën kjo qeveri nuk kishte njerëz .Ishte praktikisht Qeveri pa numra, minoritare, pa përmbajtje, kishte prapa një Parlament që nuk ishte as i nivelit po as në sinkron me të.

Kjo dorëheqje është vetëm fenomen politik dhe kjo qeveri ishte formë e arnimit , produkt i një situate krize evidente post-elektorale pa fituesit e qartë nga zgjedhjet e fundit.

Ishte Qeveri që praktikonte pushtet arbitrar e që e ushtroi vullnetin e vet pa e kufizuar as brenda ligjit, as ndërgjegjes. Ishte në bazë triumf i feudalizmit dhe provincializmit, dhe si i tillë anakron me kohën, ishte një Qeveri që funksiononte në gjendje të një pushteti të pakufizuar financiarisht dhe me mungesë të integritetit në vendime.

I vetmi moment kur kuptoheshin eksponentët e kësaj qeverie ishte kur fyenin opozitën. Pjesa tjetër ishte heshtje... një heshtje ndaj papunësisë masive, heshtje ndaj problemeve strukturale ekonomike, disbalancës import/eksport, kolapsit në fushën e shëndetësisë, arsimit e politikës së jashtme, politika sociale nuk pamë.

Mungoi strategjia zhvillimore... por e vërtetë – patëm "Bashkim kombëtar” folklorik, konfrontim me bashkësinë ndërkombëtare rreth obligimeve që i kemi marrë dhe degradim të përgjithshëm të moralit publik të paparë deri më tani në çdo aspekt : djathtas e majtas, poshtë e lart.

Vendime merreshin ad-hoc, pa kurrfarë konsiderate apo largpamësie për konsekuencat e këtyre veprimeve ndaj mirëqenies së përgjithshme të qytetarëve. Kjo qeveri dëshmoi se nuk mund të mbante balance mes konfliktit të prioriteteve.

Si e tillë kjo vetëm sa e ka rënduar dhe thelluar krizën sociale, këtë më së miri e dëshmoi mospërfillja që iu bë shtresave më të rënduara në shoqëri. Përveç kur kishte arsye ideologjike t’u japë pensione veteranëve të luftës qe na dolën një armatë e tërë.

Dhe çka do të jetë edhe më esenciale, kjo qeveri nuk arriti rezultate të prekshme në problemin madhor që e ka kjo shoqëri, problemin e dyfishtë, atë të krimit dhe korrupsionit e që po e dëmton rëndë shoqërinë ,tani dhe po cenon të ardhmen e saj. E përkthyer në praktikë, ky nivel i kriminalizimit në shoqëri po i mban peng investimet e huaja dhe daljen nga kjo humnerë.

Mjafton të shikohen vetëm dëshmitë e deklarimit të pasurisë të funksionarëve të lartë shtetërorë dhe dëshmohet qartazi për ngritje përtej limiteve të pranueshme për një pasuri private, e flitet edhe për më shumë sesa që ata deklarojnë. Këtu tani flasim edhe për humbje të reputacionit.

Janë hedhur pretendimet se kjo qeveri e formoi Ushtrinë dhe i stopoi aventurat për copëtimin e territorit të Kosovës. Që të dyja nuk qëndrojnë.

Kosova nuk ka ushtri, nuk e ka bazën ligjore së pari për një gjë të tillë, nuk e ka as infrastrukturën fizike, as njerëzore në vend që të thuhet se ka ushtri. Përveç vetëlavdërimeve që nuk ndihmojnë, duhet të jemi realë se liria na erdhi nga qielli dhe siguria e këtij vendi i është deponuar NATO-s.

Aranzhimet për copëtimin e Kosovës dështuan për dy arsye: një, nuk ekzistonte konsensus ndërkombëtar për një projekt të tillë ,fuqitë kryesore evropiane ishin kundra kufijve të rinj dhe shkëmbimit të popullatës / që i bie një pastrim etnik i qetë, i shtoni kësaj që këtë ide nuk munden t’ia kontrabandojnë assesi qytetarëve të Kosovës.

Zgjidhje që ofrohej nga kjo qeveri në largim ishte të premtohet ikja e trurit dhe e energjisë që disponon ky vend , kishim premtime për liberalizim të vizave që përfundonte me ndonjë shpërthim sporadik të ndonjë shampanje, që vuloste një vorbull të humbjes totale të kredibilitetit. Qeveri pa kredibilitet nuk ka apo ndoshta ka si kjo që ishte?.

Buxheti na mbushet nga mërgata, kjo është gjendja skandaloze në të cilën jemi.

Në legjislativ kishim një situatë bllokade dhe për nga përmbajtja kishim një Parlament me performancën më të ulët të tij prejse dihet. Parlamenti u shndërrua shpejt në arenë banaliteti dhe nuk e kryente detyrën kryesore të tij, ta kontrollonte punën e ekzekutivit.

Si pasojë e këtyre rrethanave, pushteti duhet të shkojë në treg. Demokracia aktive kërkon matje, pjesëmarrje në zgjedhje dhe korrigjim të drejtimit.

Presidenti nuk ka dyshim se ka akumuluar qetësi dhe i është kthyer realitetit të situatës, dhe ai në suaza ligjore t’i shpallë zgjedhjet e lira dhe demokratike. Çdo gjë tjetër është rrugë e aventurave. Dhe çdo manovrim i mosshpalljes së zgjedhjeve do ta rëndonte edhe më shumë pozicionin ndërkombëtar të demokracisë në Kosovë.

Kosova duhet të behet vend ku për veprime që bën do të kesh reperkusione ligjore dhe politike, madje edhe për një Qeveri e posaçërisht për të!

Qytetarët duhet të marrin përgjegjësinë nëse dëshirojnë të bëjnë ndryshimin, e jo t’u lejohet grupeve si kjo Qeveri pa legjitimitet ta riciklojnë vetveten.

Nevojitet një Qeveri që do t’i llogarisë dëmet dhe do të ofrojë zgjidhje për sanimin e këtyre dëmeve. Koha është për ndryshim, reforma të thella dhe ta shikojmë të vërtetën ashtu si është.

(Autori është ish-deputet i Parlamentit të Kosovës në tri mandate).