E vetmja mënyrë për të shmangur që kontestet e ndërlidhura me kulturën të shfaqin kokën më vonë është që ato të trajtohen tani
Siç e tregojnë protestat e kohës së fundit në Maqedoninë Veriore, çështjet kulturore mund të jenë ndarëse dhe penguese po aq sa edhe çështjet politike. Në rastin e Maqedonisë Veriore dhe Bullgarisë, të dy vendet ia njohin kufijtë e njëra-tjetrës dhe nuk ka ndonjë parti politike apo organizatë moderne bullgare që kërkon përfshirjen e Maqedonisë Veriore në shtetin e Bullgarisë, sikur që kanë bërë shumë grupe bullgare në shekullin e 19-të dhe fillim të shekullit 20-të. Dy vendet e kanë nënshkruar një traktat miqësie më 2017, në mënyrë që të përmirësojnë marrëdhëniet e tyre.
Megjithatë, Bullgaria po e bllokon progresin e Maqedonisë Veriore drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Bullgaria u bëri veto bisedimeve për anëtarësim në BE të Maqedonisë Veriore në nëntor 2020 dhe e mbajti atë përsëri në maj 2021. Arsyet për veton bullgare janë të rrënjosura në kontestet rreth kulturës dhe historisë. Ato përfshijnë edhe përdorimin e termit “gjuhë maqedonase”, ekzistimin e kontestuar të një minoriteti maqedonas në Bullgari, dhe interpretime kundërthënëse të historisë së këtyre shteteve, përfshirë përkatësinë etnike të revolucionarit të kohës Otomane, Goce Delçev. Në anën tjetër, vetoja ka shkaktuar trazira të brendshme në Maqedoninë Veriore, me protestat që u organizuan dhe me partinë kryesore opozitare që pohon se Qeveria po planifikon t’u nënshtrohet kërkesave bullgare.
Çfarë mësimesh mund të nxjerrë Kosova prej kësaj? Me procesin e dialogut me Serbinë, të lehtësuar nga BE-ja, tashmë të rinisur në qershor, është me rëndësi të mos humbet nga mendja fakti se çështjet praktike dhe politike të përfshira në atë dialog nuk janë e tërë shumësia e marrëdhënieve me Serbinë. Nëse Serbia ndonjëherë e njeh Kosovën, marrëdhëniet e mira fqinjësore do të jenë të rëndësishme për suksesin e Kosovës si shtet i pavarur. Këto marrëdhënie do të varen nga një seri e tërë çështjesh shoqërore, ekonomike dhe kulturore. Njohja politike nga Serbia nuk do të nënkuptojë se të gjitha kontestet janë zgjidhur. E as nuk do ta lërë Serbinë pa fuqi për të frenuar përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.
Për më tepër, ankesat potenciale kulturore që Serbia mund të ngritë kundër Kosovës, qofshin ato legjitime apo jo, janë të numërta. Ato shkojnë prej trajtimit të manastireve ortodokse serbe, deri te përdorimi i gjuhës serbe në Kosovë, e deri te përmbajtja e librave mësimorë të historisë. Cilado prej këtyre do të provokojë një pengesë të ngjashme me atë që aktualisht po e përjeton Maqedonia Veriore.
Serbia tashmë ka treguar vullnetin e saj për të përdorur si armë çështjet kulturore në kundërshtimin e saj ndaj aplikimit të Kosovës për anëtarësim në UNESCO, më 2016. Fushata e Serbisë u pat përqendruar rëndë në trashëgiminë kulturore serbe në Kosovë dhe shkatërrimin e shkaktuar nga trazirat antiserbe të vitit 2004. Asnjë nga këto çështje nuk do të hiqen me njohjen politike të Kosovës si shtet. Progresi i Kosovës drejt BE-së mund të pengohet nga kontestet e tashme bilaterale kulturore njëjtë sikur në rastin e Maqedonisë Veriore. Sigurisht, situatat janë të ndryshme, meqë Bullgaria tashmë është anëtare e BE-së dhe kështu, ajo ka fuqi vetoje rreth anëtarësimit të Maqedonisë Veriore, por ajo që kontesti mes Maqedonisë Veriore dhe Bullgarisë tregon është se njohja nuk nënkupton edhe fundin e të gjitha mospajtimeve, posaçërisht atyre që janë më thellë të rrënjosura sikur këto që ndërlidhen me kulturën. Nuk është e paparamendueshme që Serbia sërish të bëjë fushatë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, edhe pasi ta ketë njohur Kosovën.
E vetmja mënyrë për të shmangur që kontestet e ndërlidhura me kulturën të shfaqin kokën më vonë është që ato të trajtohen tani. Kjo nuk është e lehtë. Serbia nuk duket se mund të jetë një partner i vullnetshëm apo të veprojë në mirëbesim në diskutimin e këtyre çështjeve. Përpjekjet për marrëveshje bilaterale rreth temave të tilla shpeshherë kanë qenë të zorshme; komisioni i përbashkët i Bullgarisë dhe Maqedonisë Veriore për librat mësimorë të historisë aktualisht është i bllokuar. Organizatat e shoqërisë civile po ashtu e kanë pasur të zorshme të navigojnë me këto çështje kulturore. Qendra për Demokraci dhe Pajtim me seli në Selanik është përpjekur të krijojë libra të përbashkët mësimorë të historisë për Ballkanin, për t’i shtuar në kurrikulat kombëtare dhe për të ofruar perspektivë të ndryshme. Megjithatë, këta libra mësimorë janë kritikuar në Kosovë për relativizim të dhunës së viteve 1990.
Përkundër këtyre problemeve, përpjekje duhet të ndërmerren ose të punohet me Serbinë në zgjidhjen e kontesteve, ose, nëse një gjë e tillë është e pamundur, të përgatiten kundërshtime adekuate ndaj linjave të pritshme të sulmeve nga Serbia në frontet kulturore. Kosova do të mund të ndërtojë mbi aktivitetet ekzistuese kulturore që mund të kontribuojnë në marrëdhënie më të mira me Serbinë. Këto përfshijnë ngjarjet kulturore apo të tjera që janë të nuancuara dhe përfshirëse. Për shembull, ekspozita “Na ishte njëherë dhe kurrë më”, e organizuar nga Qendra për të Drejtën Humanitare në Kosovë, u bë një hapësirë ku komunitete të ndryshme të Kosovës erdhën bashkë dhe paraqitën rrëfimet e tyre.
Qeveria e Kosovës duhet të jetë e përgatitur që publikisht të përkrahë dhe përqafojë aksione të tilla, dhe fakti që Qeveria e tashme e Serbisë nuk është e pritshme të bëjë të njëjtën gjë e bën përkrahjen nga ana e Kosovës edhe më të rëndësishme. Kjo do të demonstronte që Kosova është serioze rreth kontributit për marrëdhënie më të mira me Serbinë dhe do të ndihmonte në demonstrimin e progresit të Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së. Dhe vërtet, BE-ja dhe organizatat e tjera të përfshira në nivel lokal që janë të ngarkuara me promovimin e marrëdhënieve të mira me Serbinë, duhet të jenë të gatshme që të përkrahin iniciativat e tilla. Në fund, një reflektim më përfshirës dhe më i nuancuar i historisë do të jetë në dobi për të dyja shoqëritë po ashtu, sikur edhe marrëdhëniet me njëri-tjetrin, qasja e Serbisë për përpjekje të tilla nuk pritet të jetë bashkëpunuese, por kjo nuk do të thotë që Kosova duhet të shmanget që ta hedhë hapin e parë.
(George Kyris është ligjërues në Universitetin e Birminghamit, ndërsa Luke Bacigalupo është hulumtues i pavarur aktualisht i vendosur në Beograd, Serbi. Ky vështrim është pjesë e një projekti më të gjerë hulumtues që autorët e kanë kryer për Fondacionin e Kosovës për Shoqëri të Hapur, KFOS).