OpEd

Prej zgjedhjeve në zgjedhje

Kontaktin me Amerikën dhe Evropën assesi nuk duhet humbur, edhe pse tash Kosova i ka mendtë vetëm te fushata dhe zgjedhjet. Dhe sinqerisht, është absurde të bëhen përpjekje për çfarëdo muhabeti në Bruksel, përderisa Kosova të mos bëhet me qeverinë e re që do të dalë nga zgjedhjet e shkurtit

Pra, lajmi i javës gjithsesi erdhi nga ana tjetër e Atlantikut dhe zgjedhjet presidenciale në SHBA. Donald Trump u kthye në pushtet, më lehtë sesa do të ishte paramenduar. Pavarësisht se është i dënuar penalisht dhe se ballafaqohet me shumë padi, përfshirë edhe atë që ndërlidhet për sulmin ndaj Capitolit, pasi i humbi zgjedhjet paraprake.

Përfundimisht, ekipi i tij ia doli t’ia organizonte fushatën asisoj që ia siguroi fitoren, kësaj radhe edhe me votën popullore, pos votave elektorale. Dhe për të dytën herë ngadhënjeu ndaj një kandidateje të Partisë Demokratike. Por për shefe të kabinetit e emëroi një grua – atë që ia kishte udhëhequr fushatën.

Edhe pas thuajse 250 vjetësh qëkur Amerika është shtet, shtetasit e saj nuk janë të gatshëm ta zgjedhin një grua në krye të shtetit. Dikush do të mund të thoshte se kandidatet kundër të cilave garoi Trumpi nuk do të kenë qenë më të përgatiturat apo të duhurat, por është vështirë të besohet se për dy shekuj e gjysmë të mos jetë gjetur bile një grua që do të mund ta udhëhiqte shtetin me ndikimin më të madh në botë.

Sido që të jetë, duhet përcjellë zhvillimet pas janarit. Do të jetë shumë me rëndësi të kuptojmë se kush do të jetë ministri i ri i Jashtëm amerikan – sepse shumëçka në lidhje me Evropën në përgjithësi dhe Ballkanin Perëndimor në veçanti, do të varet nga ky person. E në rastin e Ballkanit, edhe nga ndonjë emisar special që do të emërohet, me gjasë, për t’u përfshirë në proceset politike këndej pari.

* * *

Natën e zgjedhjeve në Amerikë, KTV-ja transmetoi një emision special ku u paraqitën edhe disa zyrtarë apo ish-zyrtarë të huaj, për ta shprehur mendimin në lidhje me atë se çfarë do të duhej pritur nëse do të fitonte njëri apo tjetri kandidat.

Më së shumti përshtypje më la Jamie Shea, ish-zëdhënësi i NATO-s në kohën e bombardimeve. Shea e përmblodhi fitoren eventuale të Trumpit dhe pasojat e mundshme kështu: “Atë që e dimë me siguri është se nëse Trumpi fiton, pa asnjë dyshim do t’u kthehet temave që i do. Këtë kurrë nuk e ka fshehur: nuk është adhurues i NATO-s, por mund ta tolerojë, siç kishte bërë herën e shkuar. Do të donte që evropianët të shpenzonin më shumë për mbrojtjen, së paku 2% të BPV-së, pra vlera për të cilën ishin marrë vesh anëtarët e NATO-s më 2014. Do të donte që evropianet të merrnin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e tyre, që do të thotë se më shume shtete evropianoperëndimore do të duheshin zbarkuar më shumë trupa në Evropën lindore. Nuk pres të shohim më shumë trupa amerikane në Evropë, po qe se fiton Trumpi, dhe pa dyshim se do ta zvogëloje ndihmën amerikane Ukrainës. Edhe pse nuk dihet nëse do ta ndërpresë të gjithë ndihmën, sepse ka thënë gjëra të ndryshme në raste të ndryshme, si dhe këshilltarë të ndryshëm të Trupit gjithashtu kanë thënë gjëra të ndryshme, pra nuk është shumë e qartë se cili do të jetë pozicioni i tij si president, por pa dyshim se ai do që Ukraina të negociojë me Rusinë dhe është më pak optimist sesa administrata e Bidenit, se Ukraina mund ta fitojë luftën kundër Rusisë.

Trumpi e beson se fitorja e Ukrainës është e pamundur, prandaj gjëja më e mirë për Ukrainën do të ishte t’ia shkurtojë vetes humbjet dhe ta kërkojë paqen... 

...Besoj se Trumpi nuk do të dojë të shikohej si i dobët karshi Putinit, duke e lejuar Putinin që ta marrë krejt territorin e okupuar dhe ta detyrojë Ukrainën që të dorëzohet. Ky do të ishte një poshtërim i madh i Amerikës, do t’ia zvogëlonte rolin e Amerikës në skenën botërore. E besoj se e do një paqe, por jo krejtësisht sipas kushteve të Rusisë. Por, nëse i ka shkathtësitë që t’i bëjë palët bashkë në negociata e që ta arrijnë një kompromis, kjo tashmë është çështje krejt më vete...

... Do të mund të përpiqej edhe njëherë ta ulë Beogradin e Prishtinën në tavolinë e ta nisë procesin, por nga ana tjetër, a do të ishte ky prioritet për të, me Ukrainën dhe Lindjen e Afërt, Tajvanin e Kinën. Bota është vend shumë më i rrezikshëm sot sesa kur kishte qenë në Shtëpinë e Bardhë – atëherë nuk kishte luftëra që po zhvilloheshin, e tash ka shumë luftëra. 

Futja e Ballkanit Perëndimor në listën e prioriteteve do të jetë shumë më e vështirë, dhe e besoj se dialogu mes Prishtinës e Beogradit sponsorizuar nga BE-ja, do të jetë arsye për Amerikën të thotë se ky është problem evropian, ‘që Evropa duhet ta zgjidhë, sepse është e lidhur për anëtarësimin në BE, pra t’ua lëmë atyre’. Por nuk i dihet... e besoj se reagimi i parë do të jetë se ‘i kemi duart plot, prandaj ta lëmë këtë në duart e evropianëve”.

* * *

E duart e evropianëve janë treguar krejtësisht të mangëta në 13 vjetët e fundit. Negociatat e pafund me njëqind telashe dhe pati pozicione që nuk bënë që palët të lëviznin si dhe trajtimi i pabarabartë i palëve në dialog, nuk është se na shpurën larg.

Negociatat e pafund që dukej se në fakt e synonin një status quo dhe vendnumërim. Nuk e di pse – kujt i konvenon ta ketë një copëz territori në kontinentin më të vjetër që lëngon nga jostabiliteti dhe konflikti i ngrirë? Për çfarë arsye?

Për ta kthyer kujtesën pak mbrapa, çështja e Kosovës nuk u internacionalizua e as nuk u bë temë që ka nevojë për kujdes të shtuar derisa Amerika nuk u përfshi në proces. Edhe atëherë thuhej se çështja e ish-Jugosllavisë ishte çështje e Evropës dhe se ajo do të duhej ta zgjidhte. Aq e zgjodhi sa shpërthyen tri luftëra njëra pas tjetrës dhe u desh përfshirja e Amerikës për t’u përmbyllur ajo më e përgjakshmja dhe më tragjikja: Bosnja. 

Edhe pse zgjidhja e arritur në fakt e ka bërë atë shtet jo fort funksional, megjithatë lufta u ndal. Dhe kur shpërtheu lufta e fundit, ajo në Kosovë, përfshirja e Amerikës qe kyç për fundin e saj dhe për hapat që pasuan pas çlirimit. Ani pse gjatë luftës ishte po Amerika, nëpërmjet Christopher Hillit, ajo që ia ofronte Kosovës zgjidhjen që të mbetej autonomi brenda asaj që kishte mbetur nga ish-shteti federativ.

Ajo ofertë u refuzua nga shqiptarët e Kosovës, që për herë të parë në histori me gjasë, u treguan të bashkuar dhe folën me një zë. Erdhi Rambouillet, dhe një paragraf e dokumentit të cilin e nënshkruan shqiptarët, që e mundësonte opsionin e rishikimit të marrëveshjes (Tre vjet pas hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje, do të thirret një takim ndërkombëtar për të përcaktuar një mekanizëm për një zgjidhje përfundimtare për Kosovën, në bazë të vullnetit të popullit, opinioneve të autoriteteve përkatëse, përpjekjeve të secilës palë në lidhje me zbatimin e kësaj Marrëveshjeje dhe Aktit Final të Helsinkit, dhe të ndërmarrë një vlerësim gjithëpërfshirës të zbatimit të kësaj Marrëveshjeje dhe të shqyrtojë propozimet nga çdo palë për masa shtesë). Dhe barra më e madhe për këtë arritje u ra amerikanëve, përkatësisht një gruaje të hekurt: Madeleine Albright.

Kthimi i topit te Evropa, përderisa “qeveria” e vjetër e Evropës ende mban pushtetin (deri në konstituimin e Komisionit të ri pas zgjedhjeve evropiane), është i kotë. 

Thuajse dy vjet me radhë, Serbia dhe zyrtarët e Serbisë e kanë mohuar se e kanë pranuar planin franko-gjerman; kanë refuzuar ta nënshkruajnë marrëveshjen e re të Brukselit dhe aneksin e Ohrit; kanë deponuar, nëpërmjet kryeministres Bërnabiq, rezerva ndaj tekstit, me shkrim; e kanë thënë në formë eksplicite se nuk e kanë pranuar marrëveshjen dhe se atë nuk do ta zbatojnë, me anë të kryeministrit Vuçeviq në Kuvendin e Serbisë - dhe Evropa heshti. U bë se nuk po sheh dhe nuk po ndien gjë.

Tash, përnjëherë, BE-ja e merr të mirëqenë një deklaratë të kryeministrit Vuçeviq, më 9 tetor, “se Serbia rikonfirmon përkushtimin e saj për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zotohet se do të angazhohet në mënyrë konstruktive në atë proces në mënyrë që ai të përparojë shpejt. Në këtë kontekst, Serbia angazhohet të zbatojë plotësisht të gjitha detyrimet e saj përkatëse që dalin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksi i Zbatimit të saj, si dhe nga të gjitha marrëveshjet e mëparshme të dialogut”, megjithëse refuzon t’i bëjë publike letrat e Bërnabiqit.

* * *

Kontaktin me Amerikën dhe Evropën assesi nuk duhet humbur, edhe pse tash Kosova i ka mendtë vetëm te fushata dhe zgjedhjet. 

Dhe sinqerisht, është absurde të bëhen përpjekje për çfarëdo muhabeti në Bruksel, përderisa Kosova të mos bëhet me qeverinë e re që do të dalë nga zgjedhjet e shkurtit. 

Fundja nuk do të ishte hera e parë që procesi “i normalizimit” shtyhet për shkak se mbahen zgjedhje në ndonjërin nga dy shtetet. 

Bëhet fjalë për gati 14 vjet. Katërmbëdhjetë vjet që janë shumë të gjata: ata që kanë qenë në çerdhe para 14 vjetësh, më 9 shkurt 2025 do të votojnë në Kosovë.

[email protected]