Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Politikë tregtare, apo tregti politike?

Në Ballkanin Perëndimor ka filluar një luftë e re. Tregtare. Pas shumë vitesh të vendimeve anemike, Kosova eskaloi dramatikisht konfrontimin e hapur tregtar me Serbinë. Por, ajo po e zhvillon këtë betejë më shumë si një strategji të “tregtisë politike” se sa të “politikës tregtare”.

Rivalitetet tregtare nuk janë gjë e re në historinë ndërkombëtare. Vetë Luftës së Dytë Botërore i parapriu proteksionizmi tregtar, si formë e qerimit të hesapeve politike e ekonomike. Sot, betejat tregtare po riaktualizohen përsëri. Mjafton ta shohesh SHBA-në e Kinën.

Por, në Kosovë shkaqet ekonomike nuk janë arsyeja përse vendi i hyri konfrontimit tregtar me fqinjin verior. Ai u ndërmorr si pasojë e defanzivës që Serbia suksesshëm imponoi kohëve të fundit. U jetësua nga pushteti si nevojë e menaxhimit politik të zemërimit të publikut kosovar.

Vënia e tarifave ndaj produkteve serbe nuk u ndërmorr për të demonstruar seriozitetin e pushtetit për rikthimin e pronësisë vendore ndaj zhvillimit ekonomik. Pushteti duket se ka nevojë që Serbia të jetë kryetema ditore në kushtet e zymtësisë së mossukseseve të fundit.

Tarifat tregtare janë një akrobacion politik në shërbim të mobilizimit të sentimentit nacionalist, si formë e shfajësimit nga dështimet e fundit. Shënjestrimi tregtar ndaj Serbisë e bën më të përballueshëm kapërdimin e dështimeve diplomatike nga ana e publikut kosovar.

Edhe Opinion Politika e jashtme e Kosovës: mes retorikës dhe improvizimit

Dhe kjo strategji duket se funksionoi. Publiku kosovar është euforik e i elektrizuar. Shumicës nuk i intereson fare nëse u mendua strategjia ekonomike prapa tarifave. Ose se çfarë pasojash mund t’ia kemi shkaktuar vetës, apo se cilat mjete alternative mund të siguronin një rezultat të njejtë.

Por, tarifat u vendosën jo vetëm si mjet i qetësimit të reagimit të publikut. Ato u inicuan poashtu në shërbim të forcimit të pozitës negociuese të Kosovës në dialogun final me Serbinë. Politika tregtare u vendos në shërbim të tregtisë politike.

Megjithatë, hyrja në këtë aventurë ka potencial të imponojë një drejtim radikalisht të ri nga çfarë ka qenë politika tradicionale tregtare e Kosovës. Politika tregtare e vendit, aktualisht, është e trashëguar nga kohërat e UNMIK-ut. Është politikë ultraliberale ndaj produkteve të huaja.

Që nga shpallja e pavarësisë, Kosova nuk tregoi guximin ta rimendojë politikën e saj tregtare, duke mbajtur të pandryshuar linjën të cilin e përcaktoi UNMIK-u rreth dy dekada më parë. Mirëmbajti një politike tregtare liberale – joaktiviste ndaj prodhimit vendor.

Formalisht, vendi mban të drejtën sovrane ta thurrë politikën e saj tregtare në mbrojtje të interesave të saj ekonomike. Por kjo e drejtë – për të ndërtuar një politikë autonome tregtare – është e kufizuar nga shumë faktorë.

Kosova, si vend pa peshë, është importuese e rregullave ndërkombëtare; ajo i konsumon por nuk i përcakton ato. Përdorimi i euros nuk lejon zhvlerësimin e valutës për të krijuar avantazhe në tregjet e huaja, të cilën Serbia – me dinarin e saj – e bën në mënyrë aktive.

Si ekonomi e vogël, vendet si Kosova rëndom tregtojë autonominë e tyre, atë të përcaktimit të politikave ekonomike, në këmbim të qasjes në tregjet e jashtme. Kësisoj, hyrja në marrëveshje tregtare ua kufizon vendeve përdorimin e politikave aktiviste, ani pse kjo rëndom shkelet nga ata.

Sidoqoftë, me gjithë kufizimet, Kosova ka hapësirë ta ndryshojë kursin e derisotëm të politikës tregtare. Por, ajo së pari duhet ta kuptojë se në cilat fusha e sektorë ekonomikë ajo mund t’i ndërtojë e fuqizojë përparësitë e saj krahasuese.

Mbi të gjitha, Kosova duhet të arrijë të përcaktojë se në cilat pika të “zinxhirëve global të prodhimit” ajo ka mundësi t’i integrojë bizneset e veta. Dhe kjo duhet shoqëruar me politika aktive të mbështetjes përmes resurseve e stimujve të cilat shpërblejnë inovacionin.

Edhe Kosova rriti importin nga Serbia mbi 100 për qind Arbëri Kosova rriti importin nga Serbia mbi 100 për qind

Konfrontimi tregtar me Serbinë, megjithë improvizimin, mund të shndërrohet në mundësi të rrallë për ridefinimin e politikës tregtare të vendit. Që kjo të ndodhë, duhet të tejkalohen sentimentet nacionaliste dhe t’i kthehemi gjykimit të ftohët, atë të kalkulimit racional ekonomik.

Vendi ka përpara vetës një mundësi të veçantë ta ndryshojë statuskuonë ekonomike me Serbinë në favor të saj, duke e përcaktuar si kryeprioritet kombëtar ngritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve kosovare dhe duke e vendosur politikën tregtare në shërbim të këtij procesi.

Njohësit e “politikës së tregtisë strategjike” thonë se depërtimi i mallrave në tregjet e huaja arrihet duke zbatuar politika publike që shënjestrojnë qëllimisht ngritjen e kapacitetit konkurrues. Përparësitë krahasuese duhet ndërtuar në mënyrë proaktive.

Ekzistojnë shumë politika ekonomike që mund ta jetësojnë frymën e “politikës së tregtisë strategjike”. Por, kjo është temë për një shkrim tjetër. Mjafton që diskutimet publike në Kosovë lidhur me këtë temë të pasurohen e që pushteti të tregohet i hapur ndaj ideve të tilla.

Pushteti ka një mundësi para vetës ta shfrytëzojë sentimentin publik, i cili u krijua pas vënies së tarifave, për ta rimenduar politikën e saj tregtare. Ky rimendim nisë me menaxhimin e matur të raporteve tregtare me Serbinë.

Si hap i parë, Kosova duhet t’i bindë partnerët e saj të jashtëm se veprimet e saj tregtare ndaj Serbisë paraqesin domosdoshmëri ekonomike. Kosova ka kapital politik të kufizuar dhe strategjia e saj tregtare duhet të rrëfehet si nevojë ekonomike, e jo të shihet si e motivuar politikisht.

Si hap i dytë, Kosova duhet ta zgjërojë përkrahjen ndërkombëtare lidhur me këtë temë duke mbledhur e publikuar faktet për të gjitha shkeljet tregtare nga ana e Serbisë gjithë këtyre viteve, posaçërisht lidhur me zbatimin e barrierave jotarifore ndaj eksporteve kosovare.

Si hap i tretë, Kosova duhet të tërhiqet nga shënjestrimi gjithëpërfshirës tarifor ndaj të gjitha produkteve serbe, sepse kjo nuk është në interesin tonë afatgjatë. Nëse vërtetë pushteti i sheh tarifat si instrument legjitim, atëherë ato duhet zbatuar në mënyrë selektive – të jenë të afatizuara dhe vetëm ndaj atyre produkteve të cilat vlerësohet se rrezikojnë konkurrueshmërinë e sektorëve ekonomik prioritarë.

Si hap i katërt, Kosova duhet ta tregojë seriozitetin e saj përmes zbatimit të parimit të “reciprocitetit rregullativ”, duke e bërë të qartë se përdorimi i masave jotarifore ndaj produkteve kosovare do të sjellë përgjigje simetrike nga ana jonë.

Edhe OpEd Tarifa e Trumpit dhe “zbulimi” për tarifën ndaj ekonomisë amerikane

Sentimentet nacionaliste e reagimet e improvizuara nuk janë reçetë për zhvillimin ekonomik të vendit. Por, nëse ky moment shërben për të hapur debat përmbajtësor lidhur me atë se si duhet të duket politika e re tregtare e Kosovës, atëherë – mbase – trashëgimia e veprimeve të fundit mund të jetë megjithatë pozitive.

Autori është ekonomist i zhvillimit. Ky opinion paraqet pikëpamjet personale të tij.