OpEd

Polarizimi i shoqërisë për përfitime zgjedhore: të shpërblehet apo të ndëshkohet?

Mungesa e debatit të drejtpërdrejtë dhe e ballafaqimit të programeve politike ka për synim që të shmanget diskutimi mbi rezultatet e qeverisjes së kaluar dhe mosinformimin e qytetarëve mbi programet qeverisëse në të ardhmen. Është me rëndësi që votuesit ta dinë nëse katër vjetët e ardhshëm do të jenë humbje kohe apo do të jenë vite të përparimit e prosperitetit. Talenti për të sharë, fyer e denigruar nuk duhet të jetë kriter për ta votuar dikë. Përkundrazi, ky talent sa më shumë që të shfaqet nga liderët e partive politike, aq më shumë duhet ndëshkuar në kutitë e votimit

Fjalët dhe gjuha që përdoren në politikë ndikojnë ndjeshëm në polarizimin apo në ndërtimin e kohezionit social të një shoqërie. Në këtë kontekst fushatat zgjedhore tregojnë më së miri për karakteristikat e një force politike. Fjalët dhe gjuha që përzgjidhen nga liderë dhe kandidatë politikë janë rrëfim mbi orientimin e një force politike: a e ndërton ajo kohezionin social apo e shkakton polarizim shoqëror për t’i eksploatuar ndasitë në shoqëri për përfitime politike.

Kritikat dhe sulmet konstruktive mbi kundërshtarët politikë, sidomos kur bëhen nga opozita për pushtetin, janë gjë normale veçmas gjatë fushatës zgjedhore. Mirëpo gjuha fyese dhe polarizuese që ka për qëllim denigrimin e kundërshtarëve politikë, por edhe të trupit të caktuar zgjedhor, nuk duhet të ketë vend në një fushatë politike. Kjo është pikërisht ajo që po ndodh gjatë kësaj fushate zgjedhore, e cila nuk ka as një javë që ka filluar. Në vetëm pak ditë, sipas raportimit të mediave, PZAP-ja shqiptoi gjoba në vlerë 35,000 euro për subjektet politike, për shkak të gjuhës fyese e denigruese ndaj kundërshtarëve politikë. Por këto gjoba nuk do të kenë kurrfarë efekti në vendimin e votuesve se për kë të votojnë në zgjedhjet e 9 shkurtit. Prandaj, pritet që fushata të karakterizohet edhe më tej nga gjuha e papërshtatshme për një fushatë të mirëfilltë politike zgjedhore.

Njëra prej arsyeve përse gjuha e papërshtatshme zë vend në fushatë politike është edhe mungesa e debatit rreth qeverisjes së deritanishme të partisë në pushtet dhe të planeve qeverisëse për katër vjetët e ardhshëm. Siç është bërë e ditur, LVV-ja, si parti në pushtet, ka vendosur që t’i bojkotojë debatet kryesore dhe më të shikuara politike në televizionet nacionale. Bojkoti i debateve politike nga LVV-ja ka ndodhur edhe gjatë legjislaturës që po e lëmë pas, kur kjo parti ka bojkotuar seancat kyç parlamentare në të cilat opozita ka ngritur çështje kritike që kanë të bëjnë me qeverisjen e saj. Pra, shmangia e ballafaqimit me opozitën e privon votuesin nga mundësia për ta bërë krahasimin në mes të programeve të partive politike, por e tregon edhe arrogancën e partisë në pushtet, e cila është aq e sigurt në fitoren e saj saqë nuk e sheh të nevojshme që para votuesve të ballafaqohet me opozitën, qoftë lidhur me qeverisjen e saj katërvjeçare, qoftë për programin qeverisës të katër vjetëve të ardhshëm.

Kjo mungesë e debatit, e ballafaqimit të kandidatëve dhe të programeve politike e zhvendos fushatën zgjedhore në rrafshin polarizues të akuzave e kundërakuzave, të fyerjeve e denigrimeve në mes të kundërshtarëve politikë. Kjo është pikërisht ajo që e dëshiron LVV-ja. Ballafaqimi mes partive garuese do t’u jepte votuesve një pasqyrë se si është qeverisur gjatë katër vjetëve të kaluar dhe cila parti realisht e ka programin më të mirë për katër vjetët e ardhshëm. LVV-ja as gjatë fushatës së 2021-s nuk ka pasur program politik. Arsyeja e fitores së saj bindëse ka qenë mllefi qytetar me makinacionet politike të opozitës së tanishme, përkatësisht me rrëzimin e koalicionit LDK-LVV, të cilin e udhëhiqte lideri i LVV-së, Albin Kurti. Ky koalicion u pasua nga koalicioni i LDK-së me AAK-në dhe NISMA-n, e udhëhequr nga ish-kryeministri Avdullah Hoti, që e qeverisi Kosovën deri në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, kur LVV-ja fitoi mbi 50% të votave. Për këtë arsye, LDK-ja e pagoi çmimin më të lartë në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, duke humbur një masë të madhe të elektoratit të tij që votoi për koalicionin LVV-Guxo. Një pjesë e madhe e votave të LDK-së shkuan te koalicioni LVV-Guxo, si rezultat i daljes nga LDK-ja të Vjosa Osmanit, që ishte figurë mjaft popullore në mesin e simpatizantëve të LDK-së, por e cila u shkarkua nga funksionet e saj në LDK në shtator 2020. Përveç frustrimit të saj që nuk iu lejua të kandidonte për kryetare të LDK-së, Osmani ishte edhe kundër mocionit të mosbesimit për qeverinë e koalicionit LDK-LVV. Dalja e saj nga LDK-ja dhe prishja e koalicionit me LVV-në i kushtuan më së shumti LDK-së në zgjedhjet e vitit 2021.

Mirëpo, situata tani ka ndryshuar. LDK-ja ka një udhëheqje krejtësisht të re me figura që nuk ishin të përfshira në lidershipin e partisë, gjatë viteve që u paraprinë zgjedhjeve të 2021-tës. LDK-ja është partia e vetme në Kosovë që ka kaluar në ndërrim të lidershipit të saj përmes proceseve zgjedhore e demokratike. Lideri i saj, Lumir Abdixhiku, e mundi në garë për lider të partisë veteranin partiak, Lutfi Haziri, i cili e pranoi humbjen pa shkaktuar asnjë përçarje brendapartiake. Abdixhiku solli një frymë të re brenda kësaj partie, duke angazhuar një mori ekspertësh të papërfshirë më parë në politikë. Ai po ashtu punoi gjatë në ndërtimin e një programi politik, me të cilin LDK-ja po garon për të fituar mbështetje në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Deri më tani e vetmja parti që nuk është gjobitur nga PZAP-ja është PDK-ja, e cila e pagoi të njëjtin çmim sikurse LDK-ja në zgjedhjet e 2021-tës, duke e humbur një masë të madhe të trupit të saj votues për shkak se ishte e hendikepuar nga arrestimi i liderëve të saj - ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli - nga Gjykata Speciale në Hagë, disa muaj para zgjedhjeve.

E a do të mund të këndellet nga mungesa e lidershipit të saj mbetet të shihet. Përcaktimi i kësaj partie për kandidimin e Bedri Hamzës për kryeministër tregon se ajo do të përqendrohet në fushatë konstruktive, të bazuar në shpalosjen e programit të saj politik. Deri më tani Hamza ka treguar një nivel konstruktiviteti, i cili synon që t’i informojë votuesit me pikat kyç të programit të tij politik, duke i shmangur sulmet ad hominem dhe fyerjet ndaj kundërshtarëve politikë.

Në kontekstin kur të dy partitë kryesore opozitare garojnë me lidership të ri është dëm që LVV-ja bojkoton debatet zgjedhore. Do të ishte shumë me interes për votuesit që të shohin ballafaqimin e programeve politike të LDK-së, PDK-së, AAK-së dhe LVV-së. Fatkeqësisht, në vend të këtij ballafaqimi, në javën e parë të fushatës, jemi dëshmitarë të një gjuhe denigruese, fyese e polarizuese, e cila vetëm tregon se cili lider e ka gjuhën më polarizuese se tjetri dhe cili prej tyre e ka gamën e fyerjeve më të gjerë se tjetri.

Njëri prej kampionëve të gjuhës polarizuese është kryeministri dhe lideri i LVV-së, Albin Kurti. Me sa duket, ai e sheh shansin më të mirë për të pasur sukses në zgjedhjet e 9 shkurtit duke iu shmangur debatit të drejtpërdrejtë me kundërshtarët politikë dhe duke përdorur gjuhën fyese e denigruese ndaj partive rivale. Me këtë strategji ai i ka fituar zgjedhjet e 2021-tës. Mirëpo po harron se në këto zgjedhje është duke garuar jo nga pozicioni i opozitarizmit, por nga ai i pushtetit dhe se votuesit do ta vlerësojnë jo nga talenti i tij për të bërë cilësime denigruese ndaj të tjerëve, por nga performanca e Qeverisë së tij në katër vjetët e fundit dhe nga planet e tij qeverisëse për katër vjetët e ardhshëm. Përderisa sulmet ndaj partive opozitare mund të kenë efekt tek militantët, votuesit kritikë dhe ata të papërcaktuar do ta vlerësojnë nga performanca e qeverisjes së tij dhe nga programi që ai u ofron atyre në periudhën pasuese.

Prandaj, për të pasur një fushatë zgjedhore të shëndetshme është me rëndësi që partia në pushtet të mos i shmanget debatit, siç ka bërë, jo vetëm në këtë fushatë, por gjatë katër vjetëve të qeverisjes së saj në Kuvend. Kjo do të na kursente nga retorikë polarizuese, e cila e karakterizoi javën e parë të fushatës zgjedhore, që është fyerje e inteligjencës së votuesve jomilitantë. Mungesa e debatit të drejtpërdrejtë dhe e ballafaqimit të programeve politike ka për synim që të shmanget diskutimi mbi rezultatet e qeverisjes së kaluar dhe mosinformimin e qytetarëve mbi programet qeverisëse në të ardhmen. Është me rëndësi që votuesit ta dinë nëse katër vjetët e ardhshëm do të jenë humbje kohe apo do të jenë vite të përparimit e prosperitetit. Talenti për të sharë, fyer e denigruar nuk duhet të jetë kriter për ta votuar dikë. Përkundrazi, ky talent sa më shumë që të shfaqet nga liderët e partive politike, aq më shumë duhet ndëshkuar në kutitë e votimit. Kosovës i nevojitet një lider që e ndërton kohezionin social, pavarësisht orientimeve politike të qytetarëve e jo një lider që e thellon polarizimin shoqëror duke i eksploatuar ndasitë shoqërore për përfitime afatshkurtra politike.