OpEd

Përgjegjësia për dështimet në Kosovë është e përbashkët

Mund të gjenden arsyetime për dështime të rasteve të caktuara gjyqësore për disa skandale individuale në misionin e EULEX-it. Por ky mision duke pasur parasysh kompetencat që ka pasur dhe vazhdon t’i ketë, nuk mund t’i ikë faktit se është bashkëpërgjegjës për situatën në të cilën gjenden sundimi i ligjit dhe gjyqësori në Kosovë. Për dhjetë vjet BE-ja nuk ka arritur as të japë shembuj të mirë nga të cilët do të mundë të mësonin kosovarët

Si vend ku ka krim të organizuar dhe korrupsion të zgjeruar, ku këto dukuri janë të lidhura me strukturat politike, i cili është edhe burim edhe zonë transiti i trafikimeve, ku gjyqësori dhe administrata publike janë të politizuara, Kosova cilësohet edhe nga vetë Bashkimi Evropian, përfshirë edhe përmes raporteve të Progresit. Dhe kosovarët këtë e dinë, sepse e shohin në jetën e tyre të përditshme. Por, ndonëse janë fajtorët kryesorë, kosovarët nuk janë të vetmit përgjegjës për një situatë të këtillë. Përgjegjësi duhet të marrë edhe prania ndërkombëtare në Kosovë e sidomos EULEX-i që ka pasur detyra të qarta në dhjetë vjetët e fundit prej kur ka ardhur në këtë vend.

Mund të gjinden arsyetime për dështime të rasteve të caktuara gjyqësore, për disa skandale individuale në misionin e EULEX-it. Por ky mision, duke pasur parasysh kompetencat që ka pasur dhe vazhdon t’i ketë, nuk mund t’i ikë faktit se është bashkëpërgjegjës për situatën në të cilën gjenden sundimi i ligjit dhe gjyqësori në Kosovë. Për dhjetë vjet, BE-ja nuk ka arritur as të japë shembuj të mirë nga të cilët do të mundë të mësonin kosovarët.

Rastet e fundit që dolën në opinion, si rezultat i pranimit në Bruksel se po zhvillohen dy hetime të brendshme, njëri për pohimin e ish-kryetarit të gjykatësve të këtij misioni, Simons dhe tjetri kundër tij, më shumë shërbejnë për të besuar se në vend që kosovarët të mësojnë në mënyrë profesionale nga kolegët nga BE-ja ka ndodhur e kundërta. Cilido që të jetë epilogu i këtyre hetimeve, do të jetë një përfundim i pakëndshëm për BE-në. Nëse dëshmohet se britaniku Simons ka dëshmi për ndërhyrje politike në proceset gjyqësore kjo është një goditje e rëndë për reputacionin e këtij misioni dhe të tërë angazhimit të BE-së në Kosovë, sepse pavarësia e gjyqësorit, siç po shihet edhe në vende të tjera evropiane, është një prej parimeve themelore të BE-së me të cilat nuk bëhet kompromis. Nëse në anën tjetër dëshmohen akuzat ndaj Simonsit se ai ka qenë i përfshirë në skandale, se është profesionalisht i papërgatitur, atëherë kjo dëshmon joprofesionalizmin, neglizhencën dhe diletantizmin e tërë Misionit, i cili ka lejuar që njerëz të tillë me vite te jenë në nivele aq të larta në këtë mision. Nëse është e vërtetë ajo që dëgjojmë në BE se vetëm shtetet të cilat i kanë dërguar personat e tillë në mision mund t’i tërheqin, kjo hap pyetjen se sa gjykatës, prokurorë apo hetues të tjerë të tillë ka nga vendet e tjera. Nëse nga një shtet si Britania kanë ardhur në Kosovë persona të tillë si Simons e më parë edhe Maria Bameih, të cilët tash sulmohen nga EULEX-i dhe nga zyrtarët e BE-së në Bruksel, atëherë çfarë mund të ketë ardhur në mision nga vendet e tjera që edhe nuk kanë shumë traditë të mirë të sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe depolitizimit të gjyqësorit.

Të rikujtojmë se kosovarët kur erdhi EULEX-i, në kohën e entuziazmit për shpalljen e pavarësisë dhe pakënaqësisë me performancën e UNMIK-ut, kishin pritje të mëdha nga ky mision. Pritjet dukeshin reale, sepse ndihma ofrohej nga ata të cilët angazhohen për respektimin e vlerave të BE-së, sundimit të ligjit dhe që kishin traditë për këtë. Pra gjithsesi besohej se shtetet e BE-së, dhe ato që nuk janë në BE, por i kanë të njëjtat standarde, si SHBA, Norvegjia e Zvicra, do të jenë më serioze sesa të gjitha shtetet anëtare të OKB-së që dërgonin personel në Kosovë, sepse në botë ka edhe shtete jodemokratike, totalitare dhe që nuk kanë traditë të sundimit të ligjit.

Por me kalimin e viteve pritjet e mëdha shkaktuan edhe zhgënjim tek kosovarët me këtë mision. Kur kosovarët nisën të shprehnin pakënaqësinë me rezultatet e këtij misioni zyrtarët e BE-së arsyetohen se “EULEX-i është aty vetëm për të ndihmuar, kurse përgjegjësinë kryesore për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin e kanë autoritetet e Kosovës dhe vetë kosovarët”.

Dështimet në raste të krimeve të rënda shpesh i arsyetonin me paragjykime ndaj qytetarëve të Kosovës dhe shoqërisë kosovarë duke potencuar se “këtu mbretëron kultura e heshtjes dhe dëshmitarët nuk vijnë të dëshmojnë”. Kur kritikat vinin nga deputetet e Parlamentit Evropian apo edhe nga vetë Gjykata e auditorëve të BE-së, të cilët kishin konstatuar se misioni nuk i ka përmbushur detyrat dhe nuk është sa duhet llogaridhënës, përgjigjeshin se “tashmë i kanë marrë parasysh këto kritika dhe kanë ndryshuar”.

Pasoja e këtyre skandaleve do të jetë humbja edhe më e madhe e besimit që kanë pasur qytetarët e Kosovës në këtë mision. Pasojë tjetër është humbja e besimit brenda vetë misionit dhe distancimi gradual, i heshtur, i disa shteteve anëtare nga ky mision. Kemi parë se si shtete serioze kanë tërhequr zyrtarë të lartë nga ky mision, pa sqaruar arsyet.

Arsyet për dështime duhet kërkuar edhe në nivel politikë e jo vetëm në disa raste individuale të prokurorëve apo gjykatësve që dyshohen për korrupsion. Edhe më parë ka pasur dyshime se disa politikanë janë mbrojtur nga strukturat e EULEX-it, për arsye politike, por edhe se disa të tjerë janë përndjekur qëllimisht me të njëjtat motive. Ekziston rreziku që skandalet në EULEX, jo vetëm ato që kanë dalë në sipërfaqe, por edhe të tjerët që mund të jenë duke ndodhur, të mos jenë raste të izoluara, por një dukuri normale.

Të dëshpëruarit në Kosovë nuk janë vetëm ata të cilët kanë qenë kundër misionit të EULEX-it, por edhe ata të cilët kanë pritur shumë nga ky mision. Të dëshpëruarit në BE nuk janë ata të cilët kanë qenë apriori kundër këtij misioni, sepse janë edhe kundër Kosovës, por janë edhe ata të cilët e kanë mbrojtur këtë mision deri me tash, madje duke rrezikuar dhe reputacionin personal.

Humbja e besimit në EULEX është edhe një gozhdë në arkivolin e drejtësisë dhe sundimit të ligjit në Kosovë, sepse nuk e kanë kryer misionin primar për të cilin kanë ardhur, dhe për çka edhe janë ftuar nga vetë Kosova, e ajo është t’i mësojnë kosovarët se si gjyqësori duhet të jetë i pavarur dhe i pandikuar nga politika.

Ajo që është edhe më keq është se politikanët e Kosovës janë të fundit që kanë të drejtë të kritikojnë EULEX-in, të bëjnë fushat kundër tij dhe të justifikojnë përgjegjësinë e tyre me problemet që ka misioni i EULEX-it. Që nga ardhja e EULEX-it e deri tek zgjatja dhe ndryshimi i mandatit janë bërë me bekimin dhe pajtimin e autoriteteve të Kosovës. Prandaj edhe dështimi është përgjegjësi e përbashkët.