Shqiprim Pula
Ndarja disa herë e kombit shqiptar tregon historinë se sa i madh ishte dhe se jetonte kudo brenda gjeografisë së Evropës Juglindore dhe në të njëjtën kohë jeton i përkufizuar me vetveten, por me kufij të tjerë.
Fqinjët tanë në të katër anët i kishin dhënë vetes të drejtë mbi territoret tona të mbështetura edhe nga fuqitë e mëdha, këtë po e jetojmë në realitet se jemi të degëzuar pesë herë, po këta fqinj në jug e veri i kanë dhënë vetes të drejtë t'i përcaktojnë të drejtat tona politike, këtë nuk e kemi mësuar akoma, fatkeqësisht.
Gjatë historisë intelektualisht ishim më pak të ditur, për këtë edhe të gjendur jashtë konteksteve politike kohore, bile edhe përbashkimin e kombit e unifikimin politik nuk i kishim kuptuar për nga rëndësia e kohës, siç e bënë fqinjët tanë. Edhe kur kemi pasur ndonjë rast historik të flisnim, nuk kemi folur. Çuditërisht, edhe sot, brezat politikë kudo që ndodhen nuk i bëjnë thirrje popullit shqiptar për t'i mbrojtur interesat dhe vlerat e kombit, madje duke kërkuar hapur unitet përballë sfidave, dhe me gatishmëri për çfarëdo lloj kërcënimesh për ta ruajtur dinjitetin nga fqinjët aspak fqinjësorë.
Ishte qershor 2003, kur rajonit iu dha udhërrëfyesi për anëtarësim në Unionin Evropian (UE), si konkludime të Samitit të Selanikut - por procesi i anëtarësimit sa është një mundësi për dy republikat tona, po aq do të jetë përgjegjësi kombëtare historike se si do të ndiqet ky udhëtim. Kosova ka ngecje në avancimin e statusit drejt UE-së, ndërkaq Shqipëria ka avancuar me hapjen e kapitujve, dhe 2027-a apo 2030-a janë vitet e deklaruara për anëtarësim (të mundshëm) në UE.
Duhet apo jo Shqipëria të anëtarësohet në UE pa Kosovën dhe a duhet të mbetet Kosova pa Shqipërinë e pasinkronizuar në mbrojtjen e degëzave të kombit? Rreziqet ndaj kombit shqiptar me kohën janë ndërruar, por nuk janë shuar, prandaj edhe duhet ta kemi mundësinë që ta shpjegojmë veten me hapa inteligjentë e të guximshëm për një organizim commonwealth të degëzimeve shqiptare. Kombin na e kanë ndarë, duke na detyruar të jetojmë të ndarë, dhe kurdo që kemi folur për bashkim, na kanë kritikuar e akuzuar për të mos u bërë bashkë. E për këtë politikanët shqiptarë duhet ta kundërshtojnë me vendosmëri përdorimin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, që të përdoren si instrumente të ndikimit politik mbi ne. E dimë, jemi në dijeni se në Kushtetutën e Shqipërisë (1998) kishte ndikim në hartim të shtetit Helen, ashtu siç edhe Kushtetuta e Kosovës (2008) është derivat i propozimit të Ahtisaarit, që lëndon aspiratën historike kombëtare shqiptare. Po ashtu, mungesa e akteve ligjore për referendum ka thelluar realitete të ndryshme shqiptare. Por një nismë strategjike për një gjeopolitikë shqiptare do të mundësohej përmes një commonwealthi, duke e planifikuar dhe krijuar një strukturë institucionale - Këshilli Kombëtar i popullit shqiptar si strukturë mbiqeveritare që do të qëndronte besnike ndaj interesave kombëtare edhe me detyrën për krijimin e një dite commonwealthi për etninë shqiptare, duke mos e shmangur rrugën evropiane, por me një strukturë të përbashkët dhe me respekt të plotë të interesave kombëtare të popullit shqiptar.
Gjithandej nëpër botë janë raste të ndarjeve të kombeve, ashtu siç i kemi edhe në Evropë, si: Rumania e anëtarësuar në UE, por e ndarë me Moldavinë; Irlanda e anëtarësuar në UE, por e ndarë me Irlandën e Veriut apo Greqia anëtare e UE-së, por e ndarë me Qipron edhe pse janë e njëjta etni të cilat kanë ndjekur rrugë të ndara anëtarësimi në organizma ndërkombëtarë, kështu duke e thelluar ndarjen e tyre kombëtare. Por, në strategjitë e tyre politike nuk e thonë se do të bashkohen në Union Evropian, ashtu siç na e thonë disa politikanë inferiorë ndaj aspiratave kombëtare se do të bashkohemi në UE, sepse nuk bëhet e nuk ndodh bashkimi i kombit shqiptar në UE. Ne duhet ndjekur shembullin e bashkimit të kombit gjerman - duke u angazhuar me mençuri për t'i tejkaluar pengesat e përkohshme, me një gjeostrategji për një gjeopolitikë commonwealthi shqiptare.
Filozofët politikë John Locke dhe Thomas Hobbes apo drejtues shteti si John Adams i kanë dhënë kuptim termit 'commonwealth' qysh në shekullin e 18-të, duke e elaboruar mjaftueshëm. Ne mund ta perceptojmë si të pranueshëm përmes vullnetit të përfaqësuesve politikë, si zë i qytetarëve duke rënë dakord me njëri-tjetrin, madje edhe solemnisht për të formuar një organ politik mbiqeveritar, që do të kujdesej për pasuritë dhe të mirat e përbashkëta kombëtare, do të mbikëqyrte promovimin e prosperitetit kombëtar, nuk do të pengonte ndarjet administrative në nivel republikash, do të fuqizonte parimet ekonomike dhe tregtare, do të promovonte dhe përfaqësonte diplomacinë, si dhe do të mbikëqyrte zhvillimet mbi mbrojtjen dhe sigurinë.
Mbase, duke konsideruar se kombi ynë në tërësinë e degëzimeve të saj edhe nuk mund të prodhojmë armë nukleare, po mundësinë që të përbashkohemi në një commonwealth mund ta bëjë.
Mençuria e thellë kombëtare duhet ta krijojë strategjinë politike për një commonwealth shqiptar, i cili do t'i mbajë larg ndikimet sllavo-ruse në rajon, sepse elementi serb praktikisht është element rus në Evropën Juglindore.
Bërja e një commonwealthi shqiptar do të jetë edhe burim force e qëndrueshmërie për t'iu bë ballë sfidave e presioneve të papërputhshme jo vetëm me legjislacionin vendor, por edhe atë ndërkombëtar.
Commonwealthi shqiptar do të mund t'i atribuohej çështjes kombëtare si autoritet i palëkundur dhe i shenjtë, për - dhe nga të gjithë brezat politikë.
Shqiprim Pula
Njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare