OpEd

Pavdekshmëria

Pavdekshmëria e synuar e sundimtarëve mbetet vetëm një ëndërr e vjetër e tyre, e shfaqur herë përmes piramidave e miteve fetare e herë përmes teknologjisë moderne dhe iluzioneve shkencore. Qëllimi është i njëjtë: Zgjatja e sundimit përtej kufijve natyrorë të jetës njerëzore. Mirëpo, ashtu siç dëshmon historia, pushteti i ndërtuar mbi frikë, mbi kauza të rreme dhe armiqve të shpikur nuk mund të mbijetojë pafundësisht. Pavdekshmëria e vetme që u mbetet këtyre sundimtarëve është kujtesa e errët që lënë pas, një kujtesë që nuk do të mund ta shpëtojë kurrë as teknologjia, as propaganda

Gjatë takimit të diktatorëve botërorë në Kinë, që u mbajt këtë javë me rastin e paradës ushtarake për shënimin e përvjetorit të fitores në Luftën e Dytë Botërore, presidenti rus, Vladimir Putin, dhe ai kinez, Xi Jingping, u dëgjuan duke folur për pavdekshmërinë. Biseda e tyre, thellësisht private, u transmetua rastësisht dhe u bë publike pasi që i kishin harruar mikrofonat hapur. Sipas tyre, do të jetë e mundur që të arrihet pavdekshmëria përmes transplantimit të organeve dhe që njerëzit në këtë shekull të arrijnë moshën 150-vjeçare. Po, kjo ishte biseda që e bënin këta të dy, të shoqëruar edhe nga diktatori koreanoverior, Kim

Jong-Un, presidenti e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e diktatorë të tjerë.

Biseda e Putinit dhe e Xisë mbi pavdekshmërinë më së miri e ilustron preokupimin kryesor të diktatorëve. E ky është se si të mbahet pushteti sa më gjatë që është e mundur.

Pavdekshmëria, si nocion dhe si synim, ekziston pothuajse që prej ekzistencës së njerëzimit. Është pjesë përbërëse e religjioneve abrahamike, të cilat pavdekshmërinë e kanë krijuar përmes ringjalljes së Krishtit dhe jetës së përtejme, pas vdekjes. Pavdekshmëria është pjesë përbërëse edhe e budizmit, sipas të cilit, qeniet e gjalla nuk vdesin por reinkarnohen në qenie tjera, pas vdekjes së trupit. Të gjitha këto religjione, pra islami, krishterimi, judaizmi e budizmi, në thelb e kanë pavdekshmërinë. Mirëpo, t’i kthehemi pavdekshmërisë së sundimtarëve, në kontekstin e bisedës së dëgjuar rastësisht mes Putinit e Xisë. Pavdekshmëria ka qenë preokupim i sundimtarëve që u përkisnin kulturave të ndryshme dhe arritja e saj është reflektuar në mënyra të ndryshme. Kështu, për shembull, faraonët egjiptianë që e cilësonin veten si  bij të Amon Rasë – Perëndisë supreme egjiptiane apo Diellit – e synonin arritjen e pavdekshmërisë

së përtejme, duke ndërtuar piramida madhështore, në të cilat varroseshin së bashku me eunukët e tyre, kafshët, armët, stolitë, ushqimin dhe gjësendet me vlerë. Në kultura të tjera, të cilat nuk kishin zakon të ndërtonin monumente të tilla pavdekshmërie, luftëtarë në zë dhe sundimtarë varroseshin me stolitë dhe me armatimin e tyre për të kaluar kështu të pajisur në botën e përtejme, ku e kishin të siguruar pavdekshmërinë.

Megjithëkëtë, pavdekshmëria e përtejme, hyjnore që e synonin këta sundimtarë ka mbështetje në besëtytnitë dhe në besimin në perëndi, në parajsë e skëterrë, si streha të përjetshme, ku sundimtarët ia siguronin vetvetes përjetësinë. Religjionet abrahamike e zgjeruan këtë koncept të përjetësisë, duke ia atribuuar atë të gjithë vdekatarëve të zakonshëm. Pra, pavdekshmëria si synim e si nocion përbën një filozofi të tërë, të shtrirë përgjatë shekujve e mileniumeve të ekzistencës njerëzore.

Por biseda mes Putinit e Xisë nuk e kishte për synim kurrfarë filozofimi mbi konceptin e pavdekshmërisë. Ajo kishte për bazë përdorimin e shkencës moderne për ta arritur pavdekshmërinë, si mënyrë për të qëndruar në pushtet sa më gjatë që është e mundur.

Diktatorët si Putini, Xi dhe Kim Jong-Uni e kanë fatin që përveç dëshirës për mbajtjen e pushtetit dhe frikës nga humbja e tij, nuk kanë ndonjë preokupim tjetër të rëndësishëm. Besoj se Putini do ta përfundonte luftën në Ukrainë në rastin e parë që do t’i jepej po të mos frikësohej nga humbja e pushtetit dhe nga pasojat që do t’i kishte ai personalisht, ngase lufta në Ukrainë e ka treguar anën e dobët të Rusisë: Një superfuqi ushtarake që as pas tre vjetësh të ofensivave të vazhdueshme nuk është në gjendje ta pushtojë më shumë se një të pestën e territorit të një shteti si Ukraina.

Pra, humbësja më e madhe e kësaj lufte është Rusia, e cila ka treguar se nuk është superfuqi, por një shtet, diktatori i të cilit bën luftëra të pakuptimta vetëm e vetëm për t’ia siguruar vetes zgjatjen e pushtetit përmes krijimit të aspiratave dhe kauzave të rrejshme, nga të cilat rusët e zakonshëm nuk kanë kurrfarë përfitimi, por vetëm humbje.

Për t’i zgjatur sa më shumë pushtetet, diktatorët nisin luftëra, apo kur nuk janë në gjendje të zhvillojnë luftëra, bëjnë fushata për të krijuar kauza të rreme dhe për ta mobilizuar mbështetjen popullore rreth këtyre kauzave. Pra, sundimi diktatorial është i mbështetur kryekëput në kauza të rreme e që mbështeten në mbjelljen e urrejtjes dhe të frikës, dhe në përhapjen e kultit të sundimtarit si shpëtimtar i vetëm nga objekti apo subjekti i perceptuar, i cili urrehet apo ngjall frikë.

Putini erdhi në pushtet me premtimin për ta rivendosur madhështinë e Rusisë dhe për rikthimin e saj në vendin e merituar që e pati humbur pas Luftës së Ftohtë, si një fuqi në të cilën të tjerët duhet të llogarisin. E Rusia, jo vetëm që nuk e arriti këtë gjatë sundimit të tij, por u tregua e paaftë të shndërrohet në

fuqi ekonomike e teknologjike, siç është rasti me Kinën e Indinë. Prandaj, duke qenë se fuqia e saj bërthamore, e mbetur nga Lufta e Ftohtë e bënë Rusinë fuqi të madhe ushtarake, ai i zgjodhi luftërat e kërcënimin si mjete për ta kompensuar dështimin e tij si udhëheqës i një shteti gjigant, por me rol të vogël në skenën ndërkombëtare. Ky dështim ia rrezikon drejtpërdrejt pushtetin dhe shpëtimin e vetëm personal ai e gjeti në luftëra.

Klubi i diktatorëve, i mbledhur në Pekin gjatë kësaj jave, përveç synimit për ta arritur pavdekshmërinë fizike, e shpërfaqi edhe një cilësi tjetër: se bota po ndahet në dy pole të kundërta.

Në njërën anë është poli i vendeve demokratike e në tjetrën ai i vendeve diktatoriale. Ky klub i diktatorëve pati në mesin e tij edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si mishërim i pushtetit autoritar në këtë pjesë të Evropës. Nuk jam i sigurt nëse do të donte edhe ai, sikurse Putini dhe Xi, arritjen e pavdekshmërisë, ngase themelet e pushtetit të tij po dridhen seriozisht nga protestat tanimë gjithëpopullore. Nuk ishte rastësore që në Pekin, Vuçiqi e përmendi Kosovën, Shqipërinë e Kroacinë, si vende antagoniste të Serbisë, kur tha se ato kanë lidhur aleancë ushtarake kundër shtetit të tij. Në gjuhën tipike kanosëse prej diktatori, ai e paralajmëroi një paradë ushtarake në Beograd, e cila do ta demonstronte “fuqinë ushtarake” të këtij shteti. Pra, njëlloj sikurse Putini, edhe Vuçiqi, me qëllim të zgjatjes së pushtetit të tij, po shpik armiq, duke dashur të mbjellë frikë tek popullsia e vet për të mobilizuar mbështetje popullore rreth asaj frike imagjinare, si shpëtimtar i popullit serb nga armiqtë e jashtëm, e që janë shqiptarët dhe kroatët.

Në përmbyllje, pavdekshmëria e sundimtarëve mbetet vetëm një ëndërr e vjetër e tyre, e shfaqur herë përmes piramidave e miteve fetare e herë përmes teknologjisë moderne dhe iluzioneve shkencore. Qëllimi është i njëjtë: Zgjatja e sundimit përtej kufijve natyrorë të jetës njerëzore. Mirëpo, ashtu siç dëshmon historia, pushteti i ndërtuar mbi frikë, mbi kauza të rreme dhe armiqve të shpikur nuk mund të mbijetojë pafundësisht. Pavdekshmëria e vetme që u mbetet këtyre sundimtarëve është kujtesa e errët që lënë pas, një kujtesë që nuk do të mund ta shpëtojë kurrë as teknologjia, as propaganda.