OpEd

Paul Lowe dokumentoi tragjeditë e botës sonë – tani ai vdiq pabesueshëm tragjikisht

Britaniku Paul Lowe ka fiksuar me kamerën e tij rënien e Murit të Berlinit, rrethimin e Sarajevës, lirimin e Nelson Mandelës dhe shumë e shumë ngjarje të mëdha. Së fundmi ai u ther me thikë. Sipas prokurorit amerikan, doras është i biri i Paul Lowe

Kjo ecje në bjeshkë mund të kishte përfunduar ndryshe. Gjatë një shëtitjeje çlodhëse në malet San Gabriel në Kaliforni, Paul Lowe dhe i biri i tij krijuan përsëri njëfarë afërsie, jeta familjare dukej në rrugë të mbarë. Por papritmas ndodhi e kundërta: 19-vjeçari goditi të atin me thikë në fyt. Të paktën kështu e paraqet situatën prokurori përkatës amerikan.

Paul Lowe, një nga fotografët më të famshëm të luftës në dekadat e fundit, u gjet i vdekur në mes të tetorit në malet pranë Los Angelesit. Djali i tij, i dyshuar për këtë krim të llahtarshëm, ndodhet në paraburgim. Sipas nënës së tij, Amra Abaxhiq Lowe, e cila foli për “New York Times”, djali i tyre kishte qenë në trajtim për shkak të problemeve psikologjike. Paul Lowe kishte shkuar në Los Angeles për ta bindur të birin që të kthehej në shtëpi, nga e cila ai ishte larguar dy muaj më parë.

Në shumë redaksi me të cilat britaniku Lowe ka punuar gjatë karrierës së tij, dhimbja është e madhe për vdekjen e tij tragjike. Me kamerën e tij, ai ka kapur disa nga ngjarjet më të rëndësishme të botës, të cilat janë ngulitur thellë në kujtesën kolektive gjatë dekadave të fundit.

Në vitin 1989, Lowe ndodhej përpara Murit të Berlinit dhe fotografoi një çift që festonte me shumë gëzim lirinë e sapofituar. Në sfond duken ushtarët e kufirit të diktaturës lindore gjermane, të cilët qëndronin mbi mur me duar të kryqëzuara pas shpinës.

Sarajeva la gjurmët më të thella në jetën profesionale dhe personale të Paul Lowe. Në pranverën e vitit 1992, ai ishte në Korsikë për punë kur dëgjoi në radio se brenda një dite të vetme ishin vrarë 26 civilë në kryeqytetin e Bosnjë-Hercegovinës. Më parë, trupat e serbëve të Bosnjës e kishin rrethuar qytetin. Rrethimi i Sarajevës – më i gjati në historinë moderne – zgjati 1425 ditë. Gjatë kësaj kohe snajperistët serbë vranë para syve të botës 11.500 njerëz, përfshirë 1.600 fëmijë. Ata qëllonin pa dallim nga malet përreth mbi kalimtarët që dilnin jashtë në kërkim të ujit, bukës apo ilaçeve.

Një famë tragjike fitoi e ashtuquajtura “Sniper Alley” (Aleja e Snajperëve), e cila u qëllua vazhdimisht për gati tre vjet e gjysmë. Lowe nuk dokumentoi vetëm terrorin e përditshëm, por edhe skena nga jeta e përditshme. “Gjatë rrethimit përpiqesha me të vërtetë të dokumentoja përvojat e qytetarëve të Sarajevës”, tha Lowe në vitin 2022 për platformën Balkan Investigative Reporting Network. Kjo përfshinte, sipas tij, edhe qëndrueshmërinë, guximin, humorin dhe kreativitetin e qytetarëve të Sarajevës përballë agresionit të pabesueshëm.

Në metropolin boshnjak, Lowe realizoi foton e tij më të famshme: një vajzë me pantallona, e cila po luante me një top pranë një pengese për tanke. Njerëzit rrezikonin jetën e tyre për një kënaqësi të vogël, tha njëherë Lowe në një intervistë për gazetën britanike “Guardian”. “Për fëmijët në Sarajevë ishte shumë e vështirë, pasi ata natyrisht nuk donin të qëndronin në shtëpi. Në kohë më të qeta, kishin më shumë mundësi të dilnin jashtë. Kam bërë një foto të fëmijëve që notonin në lumë gjatë një armëpushimi. Por lumi, ashtu si shumë gjëra në qytet, ishte lehtësisht i dukshëm për snajperistët serbë. Gjatë një dimri isha dëshmitar i një akti të tmerrshëm: Një grup prej pesë ose gjashtë fëmijësh u vra nga një granatë ndërsa po rrëshqisnin me sajë përpara shtëpisë së tyre”.

Fotografi i vlerësuar me shumë shpërblime punoi që nga fundi i viteve 1980 në më shumë se 80 vende. Lowe ishte në Rumani kur qindra e mijëra njerëz dolën në rrugë dhe rrëzuan Nikollai dhe Elena Çausheskun. Çifti diktatorial komunist u ekzekutua më pas nga një komandë speciale.

Lowe shkoi në Çeçeni për të dokumentuar luftën kundër ushtrisë ruse. Nga Ruanda raportoi për gjenocidin ndaj pakicës tutsi dhe nga Somalia për urinë. Në Afrikën e Jugut ai fiksoi momentin historik kur Nelson Mandela doli nga burgu duke buzëqeshur.

Fotot e Paul Lowe janë publikuar në gazeta dhe revista të njohura, duke përfshirë “Life”, “Time”, “Newsweek”, “Der Spiegel”, “Sunday Times Magazine” dhe “Guardian”. Fokusi i tij ishte jeta e njerëzve të zakonshëm në situata të jashtëzakonshme. Kritikët e fotografisë e vlerësuan veprën e tij për qasjen empatike dhe balancën e matur mes etikës dhe estetikës. Lowe ishte anëtar i agjencisë prestigjioze të fotografisë VII Photo Agency.

Lajmi për vdekjen e tij shkaktoi pikëllim të thellë te shumë njerëz në Sarajevë. Për ta, Paul Lowe është një hero dhe kronist i orëve më të errëta të historisë së qytetit. Për nder të tij autoritetet hapën sërish ekspozitën e tij për rrethimin e kryeqytetit boshnjak.

Lowe jetonte mes Londrës dhe Sarajevës, ku në fillim të luftës kishte njohur gruan e tij të ardhshme, Amra Abaxhiq, një korrespondente e agjencisë së lajmeve Reuters. Në librat e tij, ai është marrë me historinë e fotoreportazhit dhe ka dhënë mësim në një universitet në Londër.

Libri i tij “Bosnians”, i publikuar në vitin 2005, dokumenton vitet 1990 në Bosnjë-Hercegovinë. Gjysma e parë e kësaj dekade ishte e dominuar nga lufta, ndërsa gjysma e dytë nga përpjekjet e njerëzve për të rindërtuar jetën e tyre mbi rrënojat e së kaluarës së përgjakshme. Lowe gjithmonë dëshironte të ishte dëshmitar – në mes të luftës dhe në mes të paqes.