Në të njëjtën kohë kur në shesh po mbahej “Parada e Krenarisë”, në njërën nga sallat e hoteleve të shumta në Prishtinë mbahej “Parada e Hajnisë”, në të ashtuquajturën konventë e PDK-së, me sloganin “Dekada e Re”. Nën kulmin e asaj salle, në të njëjtin moment, gjendeshin më shumë njerëz me aktakuza e të inkriminuar në krim sesa mund t’i gjesh në korridorin e cilësdo gjykatë në Kosovë.
Khabibi Vs Connor & Thaçi Vs Haradinaj
Si ambasador në Facebook nuk kisha se si t’i ikja ekzaltimit të popullatës së pafajshme civile para ndeshjes përbrenda kafazit ndërmjet Khabibit dhe Connorit. Një shtetas rus me nacionalitet dagistanez kundër një irlandezi. Përleshja e tyre do të ndodhte përbrenda kafazit të ashtuquajtur oktagon. Personalisht unë nuk mund ta konsideroj sport pasi që shpërfaq atë anën e kafshës tek njeriu pa kurrfarë respekti për oponentin. Por,në botën e komercializmit, ku gjithçka bëhet për para, tani edhe përleshjet e tilla kanë vërshuar ekranet tona dhe nga ato pamje shtazore nuk kursehen as më të vegjlit.
Po, është e vërtetë, gjatë gjithë historisë njerëzore ka pasur luftime të tilla apo të ngjashme, shpeshherë edhe më të përgjakshme. Në Romën antike është e njohur thënia e Juvenalit, poetit antik romak, i cili tha: “Bukë dhe cirqe (lojëra)”.
Thënia e tij kishte kuptime të shumëfishta qoftë në kontekstin e atëhershëm politik, kulturor, si dhe atë social.
Ekzaltimi i popullatës së pafajshme ishte edhe më i madh pasi që Khabibi shënoi fitore e ku pas provokimeve të shumta që i mori nga oponenti i tij Connor, si dhe shtabi teknik i Connorit ai nuk u mjaftua me fitoren përbrenda kafazit, por doli edhe jashtë tij dhe grushtoi edhe anëtarët e shtabit teknik të Connorit. Vështirë ta dijë njeriu se çfarë zihet në kokën e një të riu, i cili si fëmijë është gaxhumitur me arusha. Kthehemi te ekzaltimi i popullatës civile të pafajshme kosovare. Përkrahja ndaj Khabibit dhe fitores së tij u bë pikërisht pse ai ishte i besimit islam dhe nuk heziton të shfaqë përkatësinë e tij fetare. Në anën tjetër, i njëjti thirret mysafir tek Putini për urimin mbi fitoren e tij, si dhe një fjalim bombastik i rastit nga ana e Putinit, i cili nuk heziton gjithashtu të shfrytëzojë çdo rast, qoftë edhe një fitore të një çmendurie banale si ky “sport”, për të dërguar mesazh politik tek oponentët e tij perëndimorë se “po qe se gaxhumiteni me ariun rus, kjo është ajo çka do t’ju gjejë”. “Bukë dhe cirk” me bollëk. Egot e liderëve politikë vazhdojnë të stërmbushen dhe ushqehen me tregimin e fuqisë së tyre politike, e populli kënaqet me pak bukë dhe me cirkun që u servohet në TV-të e tyre.
Në të njëjtën kohë po ndodh edhe një betejë e ngjashme, por ajo nuk po zhvillohet në kafaz. E përbashkëta është se edhe ajo po zhvillohet në ekranet televizive nëpërmjet konferencave për shtyp, intervistave. Beteja është ndërmjet presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj. Gjasat që në rininë e tij të jetë gaxhumitur me arusha mund t’i ketë Haradinaj në këtë rast, pasi që vendlindja e tij është në zonë malore që njihet edhe si habitat i arinjve. Hashimi, në anën tjetër, ka mundur të gaxhumitej me ndonjë buallicë apo dhi që mund t’i ketë humbur rruga andejpari. Por pavarësisht gaxhumitjeve të tyre fëmijërore, këto betejat e tyre nuk bëhen nëpërmjet muskujve fizikë, por atyre politikë.
Hashimi vazhdon me korrigjimet e tija të kufirit me Serbinë, përderisa Ramushi thotë se asaj çështjeje i ka vdekur nana. Hashimi vazhdoi duke thënë se “korrigjohen kufijtë e edhe kryeministrat, vetëm presidentët jo”. Shumë e thellë kjo thënie e Hashimit, mirëpo, si diplomat që jam dhe duke e përcjellë recetën e arkadashit të tij në Turqi, me të cilin mund të jetë gaxhumitur në fëmijëri, do t’i them se edhe presidentët korrigjohen, vetëm duhet të vendosë Hashimi a ka dëshirë me u bë sulltan apo mbret? Se nga korrigjimi edhe ai s’ka shpëtim.
Hashimi ka mbetur i vetëm në betejën e tij të korrigjimit, ah, jo atë e shoqëron edhe këshilltari i tij Bekim Çollaku, i cili në rininë e tij ka mundur të gaxhumitej vetëm kundër hijes së vet, se ashtu e ka edhe natyrën, edhe ndërtimin e konstruktit trupor. Por, me rëndësi është që shefit me ia mbajtë anën. Nëse diçka për të cilën nuk kam respekt në jetë janë pikërisht njerëzit me hundët ngjyrë kafeje. Ngjyrën e marrin nga vendet ku dielli nuk shndrit kurrë.
Hashimi e ka kërcënuar Ramushin edhe me rrëzim të Qeverisë. Po unë nuk është se edhe nuk i besoj Hashimit me këtë rast. Ramushin mund ta kërcënojnë 20+ parti të koalicionit me rrëzim të Qeverisë në çdo moment nëse diçka vendimet e Ramushit nuk do t’iu shkonin për shtati interesave të ngushta të tyre, partiake, personale. E duke e ditur influencën e Hashimit në ish-partiakët e tij dhe telashet të cilat është duke ia shkaktuar edhe kryetarit të saj aktual, Kadri Veseli, nuk do të çuditesha po që se Hashimi do ta ushtronte zejen e moçme pellazge “një e rame dy të vrame”, ndoshta edhe s’e ka sefte as për atë zeje. Është i regjur gjarpri me dinakëri dhe mentalitetin e pellazgut mesatar, duhet t’ia zgjatësh dorën, e njeh shumë mirë dhe manipulon me të parexellence.
Populli si popull “Bukë e Cirk” me bollëk, nejse, buka të shumtën e rasteve thatë, me krunde të kafshëve, por s’ka dert, e ban lukthi pellazg edhe atë.
E enjte, 11.08.2018
Parada e Krenarisë VS Parada e Hajnisë
Jemi dëshmitarë të dy ngjarjeve të rëndësishme në një shoqëri demokratike, karakteret e tyre të ndryshme, mirëpo na e shpërfaqin neve si popull se si ne jemi duke e përjetuar demokracinë dhe si bashkëjetojmë me të. Me gjithë faktin se 99% të komenteve kishin përmbajtje fashiste sa i përket “Paradës së Krenarisë”, përderisa është në suazat “me gojë fol e me dorë mos prek” dhe me asnjë incident të shkaktuar në shesh aty ku u mbajt parada, mbetet në suazat e kuptimit të “demokracisë”. Homofobia si dukuri nuk është për t’u përshëndetur as për tu mburrur me të, por ne duhet të kemi parasysh se dalim nga një shoqëri e thellë patriarkale ende me probleme të shumta edhe ndërgjinore dhe me keqtrajtim të gruas në shoqëri e familje, të cilat i hasim çdo ditë në lajmet tona. Homoseksualët ekzistojnë prejse ekziston edhe njerëzimi. Studimet shkencore tregojnë edhe për së paku 350 lloje të shtazëve, të cilat gjithashtu hyjnë në raportet homoseksuale, d.m.th kjo çështje është shumë më e thellë se vetëm të quhet sëmundje, çrregullim mendor, shfrenim i epsheve etj. , etj. E tëra që kërkohet është që ky grup i shoqërisë të mos stigmatizohet, të mos bëhet ndjekja e shtrigave ndaj tyre. Secili njeri i moshës madhore e bën përzgjedhjen se si do ta jetojë jetën e vet në pajtim me partnerin/ën e tij të moshës madhore gjithashtu.
Të njëjtën kohë, përderisa në shesh po ndodhte “Parada e Krenarisë”, në njërën nga sallat e hoteleve të shumta në Prishtinë po ndodhte “Parada e Hajnisë” e ashtuquajtura konventë e PDK-së me sloganin “Dekada e Re”. Nën kulmin e asaj salle në të njëjtin moment gjendeshin më shumë njerëz me aktakuza e të inkriminuar në krim sesa që mund t’i gjesh në korridorin e cilësdo gjykatë në Kosovë. “Fillimi i Ri”, “Dekada e Re”, por hajnat e vjetër tanimë me përvojë, që në dekadën e radhës edhe brekët nga trupi të na i heqin se përndryshe nuk ma merr mendja që ka mbetë diçka tjetër për t’u vjedhur në Kosovë. E pse nuk reagohet kundër këtyre si kundrejt atyre të parëve që asgjë te keqe personale asnjëri nga ne nuk kishte nga ata?
Me dhimbje më duhet të konstatoj se të vjedhësh paranë publike, të keqpërdorësh postin publik është bërë normë dhe vlerë në shoqërinë tonë, përndryshe nuk ka se si të sqarohet një heshtje e tillë e publikut. Ehhh, po prapë vlen ajo që edhe më herët e kam pasur të shënuar në Ditarin tim “Bukë dhe Lojëra (cirk)”.
Edhe njëherë për hir të korrektësisë ndaj Ditarit tim dhe njerëzve të shumtë të cilët do ta lexojnë dua të sqaroj se ambasadori i ynë dhe i juaji nuk është anëtar i asnjërës parti politike e cila vepron në Kosovë apo kudo qoftë, unë vetëm shfaq mendimet e mia diplomatike duke interpretuar lajmet dhe kabllogramet e shumta të cilat më arrijnë, dhe duke i lexuar ato edhe ndërmjet rreshtash. Për mendimin tim PDK-ja mbetet çerdhja e krimit dhe partia që asnjë të mirë nuk ia ka sjellë Kosovës që nga ekzistimi i saj, normalisht aty mund të ketë individë të mirë dhe me qëllime të mira, por përderisa më shumë dominon heshtja e tyre sesa zëri kundërshtues, mua më mbetet që të besoj në atë që e thashë më lartë. Mbetet parti klanore e interesave të ngushta klienteliste e ngulfatur me nepotizëm dhe servilitet ekstrem. Rasti i fundit nga Ujmani me ministrin Ableard Tahiri është dëshmia e fundit për këto që i them e të tilla dëshmi kemi me mijëra përgjatë këtyre viteve të pasluftës prejse u formua kjo parti, apo jo rasti i fundit i servilizmit të kësaj partie ndodh pikërisht në momentin kur kryetari i saj gjatë fjalimit të tij i përmend të “arriturat dhe meritat” e kryetarit të dikurshëm të partisë Hashim Thaçi e që përcillet me një aplauz frenetik nga të pranishmit në sallë. Cirkun ja ku e keni, tash presim edhe bukën.
Urime “Dekada e Re” popullatë e pafajshme civile dhe demokratike në transicion!