OpEd

Paqe, zhvillim… dhe medalje në Lojërat Olimpike “Paris 2024”

Është traditë të shprehen dëshira në fillim të vitit. Unë do të bëj një që është sa e thjeshtë aq edhe ambicioze: që Kosova të vazhdojë zhvillimin e saj ekonomik, social, mjedisor dhe sportiv të ndërmarrë që nga vitet 1999 dhe 2008. Është bërë shumë, mbetet shumë për të bërë. Franca është përkrah Kosovës për ta ndihmuar në këtë rrugë

Ndërrimi i moteve është sigurisht momenti për të kujtuar ngjarjet e vitit që po e lëmë pas, ose për projeksionet në vitin tjetër, me rrezikun që ngjarjet ta dëshmojnë plotësisht të kundërtën. Shkojmë! Unë po marr guximin dhe në vend që të bëj një bilanc të vitit 2023, do të rrezikoj duke bërë disa parashikime, do të lë disa pyetje të hapura dhe do të shpreh disa dëshira.

Viti fillon më 1 janar – këtu ka pak rrezik të gabohem – njësoj sikurse për liberalizimin e vizave për qëndrim të shkurtër për hyrje në zonën Shengen. Gjithashtu nuk ka dyshim se shumë kosovarë e prisnin këtë vendim për të vizituar të afërmit e tyre në diasporë apo thjesht për të vizituar vendet e tjera më lehtë dhe se shumë prej tyre do të përfitojnë nga kjo mundësi e re. Ajo që është më pak e lehtë për t'u parashikuar është efekti në ekonominë e Kosovës: a do të përdoren qëndrimet (rikujtim: maksimumi 90 në 180 ditë) për të kërkuar punë jashtë Kosovës dhe për të provuar një jetë të re? Cili do të jetë ndikimi në ekonominë e Kosovës? Unë nuk mendoj se dikush është shumë i sigurt për përgjigjen dhe nuk do të bëj një parashikim. Do të dëshiroja vetëm një qëndrim të këndshëm për të gjithë ata që do të udhëtojnë në zonën Shengen dhe veçanërisht në Francë më 2024.

Franca 2024: Është viti olimpik. 100 vjet pas Lojërave të vitit 1924, Franca organizon sërish Lojërat Olimpike Verore (ndërsa kemi organizuar disa herë Lojërat Olimpike Dimërore). Një festë e madhe sportive planetare, e cila do të zhvillohet jo vetëm në stadiume, por edhe në vendet më ikonike: pranë Kullës Eiffel, në Pallatin e Versajës, në Seine, por edhe në disa rajone jashtë Parisit: në Lille. në Hauts de France, Marsejë, madje edhe në Oqeanin Paqësor. Lojërat Olimpike të vitit 2024 do të jenë më të decentralizuarat në histori. Ne duam që Lojërat Olimpike të jenë shembullore për sa i përket përfshirjes: Lojërat Paralimpike do të trajtohen në të njëjtën mënyrë, janë bërë përpjekje për t'i bërë ato të qasshme. Lojërat do të jenë gjithashtu shembullore në çështjet sociale dhe mjedisore (pa plastikë njëpërdorimshe për spektatorët dhe atletët, blerjet dhe investimet e orientuara drejt riciklimit, emetimet e CO2 pjesëtuar me 2 në krahasim me lojërat e mëparshme). Lojërat do të jenë të barabarta: në mesin e sportistëve do të ketë po aq vajza e gra sa edhe djem e burra. Paraprakisht i uroj mirëseardhje dhe suksese ekipit kosovar, në veçanti grupit të xhudistëve, të cilët për një kohë kaq të shkurtër u ngjitën në majat e elitës botërore. Marr guximin të bëj një parashikim: sportistët kosovarë do të kthehen me medalje.

Franca 2024: Është edhe samiti i Frankofonisë, anëtare e asociuar e së cilës është Kosova. Një mundësi më shumë për Kosovën dhe liderët e saj për t'u afirmuar në skenën ndërkombëtare, për të shkëmbyer me vende të tjera, qoftë edhe me ato që nuk e njohin Kosovën. Të jesh pjesë e Frankofonisë do të thotë të jesh anëtar i një organizate që përdor, në nivele të ndryshme, një gjuhë të përbashkët. Do të thotë gjithashtu angazhim për ta promovuar dhe përhapur frëngjishten. Ambasada është e gatshme të mbështesë përpjekjet për promovimin dhe mësimin e gjuhës frënge në Kosovë që autoritetet vendore dëshirojnë t'i bëjnë në prag të kësaj ngjarjeje të rëndësishme.

Kosova ka një dëshirë legjitime që të anëtarësohet në më shumë organizata ndërkombëtare. Nuk e di nëse do të mund të ketë përparim konkret që nga viti 2024 për Kosovën. Shumë varet nga mënyra se si Qeveria e Kosovës do t'i përmbushë pritjet e miqve dhe partnerëve të saj, përfshirë Francën. Ajo që unë parashikoj, në anën tjetër, është progresi në drejtim të zgjerimit të BE-së, fillimisht në vende të tjera përveç Kosovës, por ka një dinamikë që po fillon, duke përfshirë edhe përfitimin afatgjatë të Kosovës.

Integrimi i Kosovës në institucionet evropiane është i lidhur edhe me përkushtimin e saj për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Shpresoj se viti 2024 do të ketë progres konkret në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit/Ohrit dhe në veçanti do të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe: ndërmjetësuesi evropian ka propozuar statute të balancuara plotësisht në përputhje me zhvillimin e Republikës së Kosovës si një shtet funksional. Kosova ta shfrytëzojë këtë mundësi. Të gjithë duhet gjithashtu të shpresojmë se tensionet do të ulen në 4 komunat veriore, veçanërisht me mbajtjen e zgjedhjeve për të gjetur një zgjidhje politike, domethënë jo të dhunshme, të situatës aktuale. Dhuna nuk do të sjellë asnjë zgjidhje dhe nuk do të ketë zgjidhje të njëanshme të situatës aktuale. Qëllimi i këtyre marrëveshjeve është konkret: sigurimi i paqes dhe që jeta e përditshme, për tê gjithë, pavarësisht nga komuniteti i tyre, të çlirohet nga të gjitha pengesat e panevojshme që vijnë nga mungesa e normalizimit.

Është traditë të shprehen dëshira në fillim të vitit. Unë do të bëj një që është sa e thjeshtë dhe ambicioze: që Kosova të vazhdojë zhvillimin e saj ekonomik, social, mjedisor dhe sportiv të ndërmarrë që nga vitet 1999 dhe 2008. Është bërë shumë, mbetet shumë për të bërë. Franca është përkrah Kosovës për ta ndihmuar në këtë rrugë.

(Autori është ambasador i Francës në Kosovë. Kjo kolumne është shkruar enkas për KOHËN me rastin e Vitit të Ri)