Është me rëndësi që të kuptohen koalicionet e aktorëve që janë të nevojshëm për të ndikuar demokratikisht në ndryshime. Ndryshimi kërkon mobilizim politik. Në fund të ditës, është populli – që i bie, të gjithë ne – ai që i bën dhe i mbështet rregullat dhe politikat që ne i kemi quajtur “institucione”
Pandemia COVID-19 ka krijuar një laborator për testimin e sistemeve të ndryshme të qeverisjes karshi krizës së shëndetit publik, duke e shpërfaqur përfundimisht shpërputhjen në performancën e vendeve. Për shembull, vendet në Azinë Lindore (Kina, Tajvani, Koreja Veriore dhe Japonia) kanë bërë punë më të mirë në kontrollimin e pandemisë krahasuar me shumë vende në Amerikë dhe në Evropë.
Por këto rezultate nuk kanë të bëjnë me qeverisjen demokratike kundruall asaj autoritare, siç kanë argumentuar disa. Midis performuesve të suksesshëm në Azinë Lindore janë vendet autoritare sikundër edhe demokracitë e fuqishme. Dallimi nuk ndodh as shkaku i burimeve ekonomike apo ekspertizës së shëndetit publik, duke e pasur parasysh faktin se vendet më të varfra, si Vietnami, kanë kaluar goxha më mirë sesa shumë vende të kamura.
Çfarë andaj qëndron prapa divergjencës në rezultate?
Derisa shpjegimi është pa dyshim kompleks, janë tre faktorë kyç që shpërfaqen në aspektin e qeverisjes: kapaciteti shtetëror, besimi shoqëror dhe udhëheqja politike.
Kapaciteti shtetëror mund të jetë evident, mirëpo jodomosdoshmërisht është thelbësor. Një vend që nuk ka sistem të fortë të shëndetit publik do të ngecë në pandemi. Ky faktor u ka dhënë vendeve të Azisë Lindore një avantazh të madh. Por kapaciteti shtetëror nuk e përbën gjithë rrëfimin.
Në Brazil, ku sektori i shëndetësisë ka shënuar avancime të theksueshme viteve të fundit, kapaciteti adekuat nuk ishte kusht i mjaftueshëm për parandalimin e një krize më të thellë.
Faktori i dytë, besimi shoqëror, funksionon në dy dimensione. Popullata duhet t’i besojë Qeverisë së saj; përndryshe, bindja karshi detyrimeve të rënda, por të domosdoshme të shëndetit publik, siç janë karantinimet, do të jetë në shkallë të ulët.
Mjerisht, i tilli “besim institucional” ka qenë në rënie gjatë dhjetë vjetëve të fundit në Amerikën Latine dhe Karaibe. Andaj, bashkë me këtë, edhe besimi i qytetarëve, dimensioni i dytë i besimit shoqëror. Gjatë pandemisë, në shumë vende besimi i ulët shoqëror ka bashkëvepruar me nivelet e larta të polarizimit për të prodhuar pasoja shkatërrimtare.
Faktori i tretë është udhëheqja politike. Në kontekstin e emergjencës publike, njerëzit në krye të institucioneve hierarkike shtetërore fuqizohen për të marrë veprime vendimtare. Se kush janë këta njerëz dhe me çfarë shtysash përballen, mund ta bëjë dallimin e madh në përcaktimin e efikasitetit të veprimeve të tyre. Disa liderë politikë e panë pandeminë kryesisht si kërcënim për fatet e tyre politike dhe i përshtatën politikat sipas kësaj. Të tjerët i morën seriozisht rolet e tyre prej gardianëve të interesit publik.
Rezultatet e këtyre kalkulimeve të ndryshme politike janë reflektuar si në efikasitetin ashtu edhe në qëndrueshmërinë e përgjigjeve kombëtare kundruall pandemisë.
Udhëheqja politike ndodh në shumë nivele; por pa veprim të koordinuar dhe bashkëpunues nëpër hierarkitë dhe sektorët qeveritarë, përgjigjja e përgjithshme politike do të jetë më pak efikase. Kapaciteti i kufizuar shtetëror, besimi i ulët shoqëror dhe udhëheqja e dobët politike janë sinjale paralajmërimi për përkeqësimin e gjendjes së demokracisë. Kudo në botë, pandemia ka treguar se po përballemi me një recesion demokratik, nëpërmjet shpërfaqjes së sfidave që prej kohësh ishin ndërtuar nën sipërfaqe. Këto sfida mund t’i mendojmë si kushte paraekzistuese që i kanë bërë vendet pak a shumë të brishta karshi pandemisë.
Para shpërthimit të COVID-19, Amerika Latine dhe Karaibet veçse ishin rrethuar me trazira shoqërore dhe jostabilitet politik, reflektuar me anë të protestave të gjithmbarshme dhe populizmin në ngritje.
Themelet e lëkundura të rajonit e reflektojnë një fenomen, së cilit nganjëherë i referohet si “prishje politike”. Kur një sistem ekzistues politik dështon t’i përmbushë kërkesat e një popullate, pritjet e së cilës janë kthimi në përfitimet pozitive ekonomike dhe shoqërore, në fund e humb legjitimitetin dhe zhytet në jostabilitet.
Pas një periudhe të konsiderueshme të rritjes ekonomike, shtresa e re e mesme e Amerikës Latine po përballet përherë e më shumë me mospërmbushjen e pritjeve të saja dhe pasojat e kësaj tani po dalin plotësisht në dritë. Zemërimi rreth niveleve vazhdimisht të larta të pabarazisë dhe korrupsionit kanë ushqyer pakënaqësinë në rritje ndaj elitave, perceptimi për të cilat është se po e përdorin politikën për pasurim personal.
Nuk ekziston një zgjidhje e lehtë për problemin e qeverisjes. Investimi në kapacitetin shtetëror dhe në ndërtimin e besimit shoqëror mund të marrë shumë kohë dhe kërkon udhëheqje të mirë politike. Megjithëkëtë, në vendet që po përballen me qarkun vicioz të qeverisjes joefikase karshi pandemisë, liderët politikë mund ta ndjekin veprimin konstruktiv në tri fusha të ndërlidhura.
E para, dhe më urgjentja, është politika publike. Nuk është ende tepër vonë që të bëhen përmirësime dhe të zgjerohen masat për ballafaqimin me pasojat shëndetësore, ekonomike dhe shoqërore të pandemisë.
E dyta, dhe më e gjera, vendet e Amerikës Latine dhe Karaibeve duhet t’i rimendojnë “rregullat themelore të lojës”. Kjo mund ta nënkuptojë ndjekjen e politikave fiskale për rishpërndarjen e të ardhurave, përshtatjen e rregullimeve për parandalimin e kapjes së tregut nga aktorë të paktë dhe krijimin e shtigjeve më të mira të rrugës drejt pjesëmarrjes së organizatave të shoqërisë civile në përcaktimin e politikave dhe qeverisje. Ky është një projekt shumë më i gjatë, por do të jetë vendimtar në krijimin e institucioneve të atij lloji, që do të duhej të ofronin mbrojtje karshi pandemisë së radhës.
E fundit, është me rëndësi që të kuptohen koalicionet e aktorëve që janë të nevojshëm për të ndikuar në këto ndryshime demokratikisht. Ndryshimi kërkon mobilizim politik. Në fund të ditës, është populli – që i bie, të gjithë ne – ai që i bën dhe i mbështet rregullat dhe politikat që ne i kemi quajtur “institucione”.
(Francis Fukuyama, anëtar i lartë i Institutit Freeman Spogli për Studime Ndërkombëtare në Universitetin e Stanfordit, është drejtor i Qendrës FSI për Demokraci, Zhvillim dhe Sundim të Ligjit dhe në Programin për Politika Ndërkombëtare të Stanfordit. Luis Felipe Lopez-Calva është ndihmësadministrator dhe drejtor rajonal për Amerikën Latine dhe Karaibe i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin ndërkombëtar të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)