Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Osmani duhet ta refuzojë votimin për Hotin

Nëse lihen mënjanë çështjet e virusit,, pyetja kryesore është se a duhet të formohet qeveri e re apo të shpërndahet Kuvendi. Shkëmbimi i letrave mes presidentit Hashim Thaçi e kryeministrit Albin Kurti ishte për këtë. Thaçi preferon zgjidhjen e parë, Kurti të dytën.

Thaçi e ka pyetur Kurtin-Vetëvendosjen që të nominojë një kryeministër, nën nenin 95 të Kushtetutës. Ata iu përgjigjen se zgjedhjet e reja, pasi virusi të lejojë, janë zgjidhja e vetme legjitime politike dhe kushtetuese. Pajtohem me legjitimitetin politik, më pak atë kushtetues: në këtë pikë, teksti i Kushtetutës duket të jetë në anën e Thaçit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kurti, megjithatë, nuk ka refuzuar të nominojë një kryeministër dhe ka shprehur rezerva të bëjë këtë. Për më shumë, nuk ka afat kohor për caktimin e një emri. Andaj, Thaçi ishte gabim kur tha se do të emërojë dikë tjetër, sepse Kurti-Vetëvendosje e kishte zgjatur shumë. Nuk është tejkaluar asnjë afat, disa ditë kishin kaluar, dhe Kurti-Vetëvendosje nuk kishte hequr dorë shprehimisht nga e drejta e tyre. Nëse Thaçi nominon dikë tjetër – Hotin e LDK-së, duket se shkeli nenin 96 të Kushtetutës.

Nuk jam ekspert i ligjeve të Kosovës: por kjo, mendoj, është shumë e qartë. Dua të flas për pasojat e tij.

Nëse emërimi i Hotit si kryeministër është antikushtetues, ai duhet të ndjekë një votim në Kuvend që garanton besimin në qeverinë e tij e që do të ishte njëjtë antikushtetues.

Nëse një votim në Kuvend është antikushtetues, ai nuk duhet të mbahet në radhë të parë. Kjo s’është e shkruar në Kushtetutë dhe Rregulloren e Kuvendit, sepse ishte vështirë e imagjinueshme që Kuvendi do të bënte votime antikushtetuese. Por kjo zbrazëtirë është pengesë për atë që them: nëse një votim është antikushtetues, do të ishte absurde të thuash se ai duhet të mbahet gjithsesi.

Por kush mund ta ndalë votimin? Përgjigjja është e qartë: duhet të jetë kreu i Kuvendit, që cakton agjendën dhe është përgjegjës për funksionimin e tij.

Andaj kryeparlamentarja Osmani duhet të refuzojë lejimin e votimit të kabinetit Hoti në agjendën e Kuvendit. Dhe ajo duhet të refuzojë pavarësisht nëse është kërkesë e Kryesisë së Kuvendit, presidentit Thaçi apo dikujt tjetër.

Dikush mund të kundërshtojë se kryeparlamentarja nuk është interpretuese apo gjykatëse e Kushtetutës, prandaj nuk mund të bëjë atë që po them derisa Gjykata Kushtetuese të thotë ashtu. Kjo mund të tingëllojë e arsyeshme, por është e gabueshme. Është e lehtë të dëshmohet pse.

Presidenti Thaçi po ashtu nuk është gjyqtar i Kushtetutës. Po, pavarësisht kundërshtimeve të kryeministrit Kurti, ai vendosi të mos e shpërndajë Parlamentin: Ai interpretoi Kushtetutën (gjithsesi, në pikëpamjen time) në kuptim të asaj që shpërndarja s’është e domosdoshme. Në barasvlerë, kur Thaçi e caktoi Hotin ai vendosi që Vetëvendosje është tërhequr nga e drejta e tyre për të nominuar një kryeministër, sepse kanë pritur tepër gjatë: kjo, sërish, është interpretim i Kushtetutës (dhe thjesht gabim, siç thashë). Në të vërtetë, të gjitha autoritetet e larta interpretojnë kushtetutën kur veprojnë, saktësisht për të vendosur si të veprojnë.

Sigurisht, nëse veprojnë gabimisht, Gjykata Kushtetuese mund të intervenojë e të rregullojë gabimet e tyre: më pas ata duhet të bëjnë atë që u thotë gjykata. Por roli i gjykatës, në mënyrë tipike, është të intervenojë pas veprimeve. Dhe ekzistenca e saj nuk ua heq autoriteteve më të larta nga detyra e tyre interpretimin e Kushtetutës, por ta bëjnë atë siç duhet dhe të veprojnë në pajtim. Kjo është puna e tyre, për këtë kanë marrë garanci në fuqitë më të mëdha publike.

Një tjetër përjashtim, më praktik: çfarë do të përfitonte Kosova nga kjo? Refuzimi i mbajtjes së votimit të Qeverisë Hoti vetëm do të shtynte gjërat.

Jo aq, sepse refuzimi i kryeparlamentares që ta vërë në votim në agjendë është i patejkalueshëm, për tri arsye: (1) Kuvendi nuk mund të votojë çështjet që s’janë në agjendë; (2) Kreu i Kuvendit “cakton agjendën, thërret dhe drejton seancat” e këtij organi (neni 67.7(2) i Kushtetutës), që nënkupton se askush tjetër nuk mund të caktojë agjendën; dhe (3) Kryeparlamentari ka gjithmonë të drejtë të bëjë ‘interpretimin final të Rregullores së Kuvendit para seancave plenare’ (neni 17.1 i Rregullores së Kuvendit). Andaj, pa pajtimin e Osmanit një votim për Hotin nuk mund të bëhet. Refuzimi i saj do të detyronte Thaçin të tërhiqej nga dekreti i tij ilegal për caktimin e Hotit, ose të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese nëse refuzimi i Osmanit është legal. Në të dyja mënyrat, Kosova do të përfitonte.

Dy argumente të tjera në favor të sugjerimit tim, përfundimisht, një pragmatik e një politik. Fillimisht, nuk është e këshillueshme të ketë ndryshim në qeveri përderisa pandemia po vazhdon, sepse përfshin një vakum të shkurtër në kapacitetin de facto të Qeverisë për të ushtruar funksionet ekzekutive (ministrave të rinj u duhet kohë që të formojnë kabinetet e tyre dhe të marrin vetë njohuritë për çështjet e hapura). Interesi publik sugjeron që të pritet deri të paktën kulmi i epidemisë të përfundojë qartë.

Tjetri argument është se garda e vjetër, që ishte inxhiniere e rënies së Qeverisë, është forcë e shpenzuar dhe e frikësuar politike. Ajo e sheh se populli po largohet prej saj; frikësohet se do të humbë fuqinë, për shkak të sjelljeve të saj në të kaluarën. Tani është një mace në qosh, që po i kalon koha. Macet në qosh janë të rrezikshme, gjithsesi. Nëse kam të drejtë të mendoj se kjo gardë e vjetër nuk është duke vepruar në interesin më të mirë të Kosovës, ka arsye të mira për ta mbajtur larg fuqisë sa më shumë që të jetë e mundur.

(Andrea Lorenzo Capussela është ekspert juridik, me përfshirje të gjatë në Kosovë dhe autori i librit “Shtetndërtimi në Kosovë: demokracia, korrupsioni dhe BE-ja në Ballkan”, botuar në shqip nga KOHA)