OpEd

Nuk ka as arsye praktike e as bazë ligjore për forca të Serbisë në Kosovë

Me kërkesa për kthimin e ushtrisë dhe të policisë në Kosovë, Serbia synon vetëm rritjen e tensioneve për qëllime politike. Kjo kërkesë është kundërpërgjigje ndaj aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE dhe propozimit “evropian” për marrëveshjen bazë mes Kosovës dhe Serbisë. Rezoluta 1244 në të cilën thirret Serbia është tejkaluar para shumë vjetësh. E vetmja arsye pse ajo nuk është shpallur e përfunduar zyrtarisht është kundërshtimi i Rusisë. Ajo rezolutë nuk është shkelur nga Kosova, por është kompletuar me shpalljen e pavarësisë, pas një procesi politik ndërkombëtar, të udhëhequr nga i dërguari i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së. Shpallja e pavarësisë së Kosovës, siç ka konfirmuar Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, duke u përgjigjur në pyetjen e vetë Serbisë, nuk e ka shkelur as të drejtën ndërkombëtare e as nuk e ka shkelur Rezolutën 1244. Rezoluta 1244 ishte rrugë drejt definimit të statusit e jo definim i statusit

Serbia deri më tash e ka menaxhuar jashtëzakonisht mirë sjelljen e saj në dialogun e Brukselit. E ka përdorur atë për të dëshmuar se ajo është “konstruktive” në sytë e bashkësisë ndërkombëtare, ndërkohë përmes saj ka rritur ndikimin në Kosovë, e në arenën ndërkombëtare e ka përdorur dialogun për të krijuar përshtypjen se ky dialog është për statusin e Kosovës. Në këtë mënyrë ka parandaluar disa njohje të Kosovës nga disa shtete dhe nga disa të tjera ka siguruar që të tërhiqen njohjet. BE-ja në këtë drejtim i ka ndihmuar duke hezituar të thotë se çështja e statusit është e përmbyllur. Dhe Serbia vazhdon, pa u qortuar, të thotë se “pse është dialogu nëse statusi është çështje e mbyllur” dhe shkon edhe më larg duke thënë, përmes ministrit të Jashtëm, Ivica Daçiq, “pse Kosova vjen në dialog nëse na qenka e mbyllur çështja e statusit”.

Në këtë mënyrë deri më tash dialogu jo vetëm që nuk ka qenë i dëmshëm për Serbinë, por i ka ndihmuar që të mbajë status quonë. E tash, kur vërtet janë paraqitur disa nisma më ambicioze nga BE-ja për arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, përmes një propozimi, tekstin e të cilit e ka botuar KOHA, Serbia dëshiron ta kthejë procesin prapa. Për këtë tash përmend përsëri Rezolutën 1244 dhe për më tepër kërkon edhe “kthim të ushtrisë dhe policisë së Serbisë në Kosovë”, prapë duke u thirrur në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, të miratuar para më shumë se 24 vjetësh.

Me kërkesa për kthimin e ushtrisë dhe të policisë në Kosovë, Serbia synon vetëm rritjen e tensioneve për qëllime politike. Kjo kërkesë është kundërpërgjigje ndaj aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE dhe propozimit “evropian” për marrëveshjen bazë mes Kosovës dhe Serbisë. Rezoluta 1244 në të cilën thirret Serbia është tejkaluar para shumë vjetësh. E vetmja arsye pse ajo nuk është shpallur e përfunduar zyrtarisht është kundërshtimi i Rusisë. Ajo rezolutë nuk është shkelur nga Kosova, por është kompletuar me shpalljen e pavarësisë, pas një procesi politik ndërkombëtar, të udhëhequr nga i dërguari i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së. Shpallja e pavarësisë së Kosovës, siç ka konfirmuar Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, duke u përgjigjur në pyetjen e vetë Serbisë, nuk e ka shkelur as të drejtën ndërkombëtare e as nuk e ka shkelur Rezolutën 1244. Rezoluta 1244 ishte rrugë drejt definimit të statusit e jo definim i statusit

Presidenti i Serbisë, Vuçiq, ka thënë se ai e di se kërkesa e tij për kthimin e ushtrisë dhe policisë në Kosovë nuk do të përfillet. Por ai e ka bërë këtë për të krijuar tensione në terren e në anën tjetër për ta shfrytëzuar në fushatën e tij të pandërprerë antiperëndimore, në të cilën vendet që e kanë njohur Kosovën i quan “hipokrite” dhe “shkelëse të së drejtës ndërkombëtare”. Si gjithmonë me propagandë në mënyrë selektive dhe me interpretime vetjake, përdoren dokumentet të cilat më nuk janë aktuale. Kështu ai thirret në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Por as në atë rezolutë nuk përmendet “kthimi i forcave policore apo ushtarake të Serbisë”. Përmendet vetëm kthimi i “një numri të dakorduar të personelit” ushtarak dhe policor. Dhe ishte specifikuar që ky “kthim” do të ishte vetëm për 4 detyra specifike.

Në atë kohë NATO-s i dukej një gjë e tillë e logjikshme, sepse besonin se do të kishin një bashkëpunim për të kryer këto detyra. Por shumë shpejt në NATO e kuptuan se më nuk ka nevojë për një gjë të tillë, se një gjë e tillë do të ishte edhe e rrezikshme për stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë, duke pasur parasysh kujtesën kolektive të popullit të Kosovës për krimet e tmerrshme që këto forca kishin bërë në Kosovë. Për më tepër, thoshin pas luftës në NATO, kthimi i një personeli të tillë do të shtonte detyrat për NATO-n, pasi do të duhej siguruar forca të NATO-s që të ruajnë sigurinë e “personelit” të tillë ushtarak dhje policor të Serbisë në rast të ardhjes së tyre në Kosovë.

Ata, edhe po të ktheheshin, do të duhej të punonin nën mbikëqyrjen e “pranisë ndërkombëtare të sigurisë”, që në fakt është misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO-ja.

Sot është krejtësisht e panevojshme, dhe për siguri dhe stabilitet si të Kosovës ashtu edhe të rajonit jashtëzakonisht e rrezikshme, edhe të mendohet për çfarëdo kthimi të pjesëtarëve të policisë dhe ushtrisë së Serbisë. Por në kohën kur është përmendur kjo mundësi, sipas logjikës së NATO-s, ka pasur ndoshta edhe nevojë. Por ekskluzivisht për katër detyrat e mundshme, disa prej këtyre detyrave janë rregulluar ndërkohë.

E para ishte “lidhjet me praninë ndërkombëtare civile dhe të sigurisë”. Këto lidhje janë vendosur dhe mbahen edhe sot e kësaj dite. Në NATO vazhdimisht kanë thënë se kanë një “bashkëpunim të shkëlqyer ushtarak me Serbinë”. Komandantët e KFOR-it kanë mbajtur kontakte të rregullta me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë. Pra, sipas kësaj pike, nuk ka më nevojë që të ketë prani në territor të Kosovës të personelit.

Pika e dytë, ndoshta më e rëndësishmja, ishte “shënjimi dhe pastrimi i minave”. Pasi ata vetë i kishin vendosur, mendohej se “personeli” nga Serbia do të mund të ndihmonte që ato të zbuloheshin dhe të pastroheshin. Por këtë e bënë së bashku pjesëtarët e organizatave ndërkombëtare, madje me shumë shpenzime. Tash kur kanë kaluar 24 vjet nuk ka më nevojë për prani të tyre. Nëse duan të japin informacione shtesë mund t’i dërgojnë përmes kanaleve të duhura të dhënat.

Arsye e tretë është prania në objektet patrimoniale serbe. Ato tashmë ruhen ose nga njësitë e policisë së Kosovës ose të KFOR-it. Dhe nuk ka nevojë që të ketë forca nga Serbia për t’i ruajtur ato.

Edhe arsyeja e fundit, ajo e katërta, nuk ekziston më. “Prania në vendkalimet kufitare”. Këtu mendohej në kufijtë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Jo vetëm këto dy shtete, por edhe Mali i Zi krahas tyre tashmë është anëtar i NATO-s. Dhe janë kufij ndërshtetërorë të Kosovës me këto tri shtete, të cilat edhe e kanë njohur Kosovën. E në kufirin e katërt të Kosovës, atë me Serbinë, pjesëtarët e policisë edhe ashtu janë të pranishëm. Mes të tjerash, edhe zbatojnë Marrëveshjen e IBM-it.

Pra, më nuk ka asnjë arsye as praktike e as ligjore për kthim të “personelit” të ushtrisë apo policisë së Serbisë në territorin e Kosovës.

E vetmja mënyrë që në Kosovë të ketë ushtarë apo policë nga Serbia mund të jetë nëse ata vijnë për të zhvilluar stërvitje të përbashkët me kolegët nga Kosova. Pse jo një ditë kur të normalizohen raportet. Ose nëse Serbia bëhet anëtare e NATO-s dhe atëherë në kuadër të misionit të KFOR-it të ketë ndonjë personel.

Por as kosovarët nuk duhet të jenë aq të sigurt kur thonë se “nuk ka dhe nuk do të ketë ushtarë apo policë të Serbisë në Kosovë”. Ata mund të kenë qenë dhe mund të jenë akoma në Kosovë ilegalisht.

Është pikëpyetje nëse vërtet është kompletuar detyrimi për “tërheqje komplete dhe të verifikuar” të “forcave ushtarake, policore dhe paramilitare” të Serbisë nga Kosova. Ka pasur shumë burime që me vite kanë thënë se në veri të Kosovës, me uniforma të ndryshme, apo të maskuar, kanë qëndruar dhe operuar pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake e paramilitare të Serbisë. Madje disa ish-zyrtarë të Qeverisë së Serbisë këto ditë edhe e kanë konfirmuar se në Kosovë kanë mbajtur fshehurazi pjesëtarë të këtyre forcave edhe pas luftës. Ky ka qenë një prej lëshimeve të mëdha të KFOR-it dhe EULEX-it për vite në Kosovë. Dhe kjo ka bërë që sot situata në veri të Kosovës të jetë e tensionuar, siç ka qenë tërë kohën në 24 vjetët e shkuar. Krejt kjo me qëllime politike për të parandaluar normalizimin e raporteve dhe një jetë normale për të gjithë në Kosovë. Viktimë e kësaj kanë qenë më së shumti serbët e Kosovës e pastaj e tërë Kosova.