BE-ja e ka shndërruar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në një proces ku normalizohet mosnjohja. Qëndrimi i Serbisë se Kosova është pjesë e saj, është bërë pothuajse një qëndrim normal. Sjellja e strukturave të BE-së, të cilat merren me dialog për më shumë se dhjetë vjet ka qenë në favor të gjetjes së zgjidhjeve të pranueshme për pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën. Edhe tash sjellja e tyre është sikur shumica të mos e kishte njohur Kosovën e pakica po, edhe pse është e kundërta. Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëmoti janë pajtuar se Serbia “nuk ka nevojë ta njohë Kosovën”, përderisa nuk e pengon. Në këtë rrethanë propozimi aktual për “marrëveshjen bazë“ është maksimumi që mund të ndodhë. Por BE-ja tash është në një test për të dëshmuar se është e gatshme ta fajësojë edhe Beogradin, nëse Serbia nuk do të pranojë marrëveshjen.
Kur Joseph Biden, në cilësinë e zëvendëspresidentit amerikan kishte vizituar Beogradin para shumë vjetësh, në kohën e administratës së presidentit Obama, ai ishte angazhuar për raporte më të mira mes SHBA-së dhe Serbisë. Pa dyshim një prej mbështetësve më të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës, edhe si politikan, por edhe personalisht, Biden, megjithatë kishte pranuar se nuk ka pajtim rreth Kosovës. Por ai ishte ndër politikanët e parë të lartë amerikanë që kishte përdorur fjalinë “pajtohemi se nuk pajtohemi” (We agree to disagree) rreth statusit të Kosovës duke porositur se, megjithatë, duhet të ketë pritje të arsyeshme. Edhe pse në disa raste Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë thënë se normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ndodhë përmes njohjes së ndërsjellë, porosia se në këtë moment njohja nuk është reale, nuk është diçka e re. Pra kemi një qëndrim amerikan se Kosova është shtet i pavarur, se kjo nuk mund të zhbëhet, por ka diplomatë amerikanë që edhe tash mendojnë se nuk duket në këtë moment reale njohja. Në Kosovë gabojnë kur thonë se “pse amerikanët ndryshuan qëndrimin“. Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë ta konsiderojnë njohjen e ndërsjellë si bazë për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Por ajo që tash është në tavolinë, është një marrëveshje tjetër kalimtare, e cila do të sjellë në një nivel të ri raportet, por nuk do të jetë marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, përmes së cilës do të zgjidhen të gjitha problemet e hapura.
Në anën tjetër, në BE njohja e ndërsjellë asnjëherë nuk ka qenë synim i shprehur i dialogut. Në fakt dialogu ka shërbyer më shumë për të normalizuar mosnjohjen e Kosovës, si nga Serbia, si nga disa prej 5 vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur akoma. Kur para afro një viti Parlamenti Evropian në Raportin për Serbinë kishte përfshirë njohjen e ndërsjellë si qëllim të dialogut, raportuesi për këtë shtet Vladimir Biliçik nga Sllovakia, pati thënë se ai nuk është pajtuar që kjo të përshihet në raport, por kjo paraqet realitetin e ai është se shumica e vendeve e kanë njohur Kosovën dhe si rrjedhojë, për këtë ekziston edhe shumica në Parlamentin Evropian. Por ai “siguroi” Serbinë se njohja e ndërsjellë nuk është qëllim i BE-së, pasi që ka disa shtete që nuk e shohin epilogun e dialogut doemos me njohje të ndërsjellë. Dhe propozimi për të cilin tash po diskutohet, propozimi për “marrëveshjen bazë“, edhe pse i afrohet shumë njohjes, nuk e përfshin atë. Njohja siç duket është lënë për një periudhë në të ardhmen, ndërsa deri atëherë duhet vendosur një nivel të ri të raporteve, pak më normale, përmes marrëveshjes bazë.
BE-ja e ka shndërruar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në një proces ku normalizohet mosnjohja. Qëndrimi i Serbisë se Kosova është pjesë e saj, është bërë pothuajse një qëndrim normal. Sjellja e strukturave të BE-së, të cilat merren me dialog për më shumë se dhjetë vjet ka qenë në favor të gjetjes së zgjidhjeve të pranueshme për pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën. Edhe tash, sjellja e tyre është sikur shumica të mos e kishte njohur Kosovën e pakica po, edhe pse është e kundërta. Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëmoti janë pajtuar se Serbia “nuk ka nevojë ta njohë Kosovën”, përderisa nuk e pengon. Në këtë rrethanë propozimi aktual për “marrëveshjen bazë“ është maksimumi që mund të ndodhë. Por BE-ja tash është në një test për të dëshmuar se është e gatshme të fajësojë edhe Beogradin nëse Serbia nuk do të pranojë marrëveshjen.
Nuk kemi arritur të gjejmë asnjë deklaratë të vetme publike të Përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell, dhe të dërguarit të posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak, ku ata përgjegjësinë për ndonjë dështim t’ia lënë Beogradit. E ka pasur disa raste kur publikisht kanë fajësuar Kosovën. Pas takimit të fundit në nivel të lartë në kuadër të dialogut kur ishin takuar Kurti dhe Vuçiqi, Borrell në deklarim për shtyp kishte thënë, “për hir të transparencës“ se Beogradi ishte i gatshëm të pranojë një marrëveshje për targat, por Prishtina jo. Në një prej vizitave rishtazi, Lajçak pati thënë në Prishtinë se “ka pritur më shumë”, ndërsa në Beograd ka qenë i inkurajuar me konstruktivitet. Edhe Borrelli pas një paraqitje publike të Vuçiqit rreth propozimit për “marrëveshjen bazë“, lavdëroi presidentin e Serbisë duke thënë se “kanë marrë mirë në dijeni“ (We take a good note) prononcimet e tij. Në këtë mënyrë edhe është krijuar përshtypja se Kosova nuk është konstruktive e Serbia po. Dhe këtë përshtypje e ka krijuar BE-ja e jo Serbia. Ndoshta zyrtarët e BE-së u thonë diçka tjetër zyrtarëve të Kosovës në takime që kanë me ta prapa dyerve të mbyllura. Por perceptimi krijohet përmes deklarimeve publike e jo atyre private e ai perceptim është se Serbia është konstruktive e Kosova jo. Apo së paku se Serbia është pak më konstruktive sesa Kosova.
Shumë gjëra kanë ndryshuar prej kur kryeministri i Kosovës Albin Kurti, deklaroi se e pranon propozimin evropian apo “franko-gjerman”. Duket se prej atëherë, presidenti i Serbisë kërkon alibi për ta refuzuar, e që të mos i bjerë se ai po e refuzon. Kjo po bëhet edhe përmes krijimit të përshtypjes së opinionit në Serbi është kundër e deri te loja me kinse jostabilitetin e koalicionit qeverisës në Serbi. Por as kur Kurti deklaroi se e pranon marrëveshjen, diçka që Vuçiqi nuk e ka bërë kurrë, nuk dëgjuam ndonjë “përshëndetje dhe urim“ nga BE-ja. Duhen pritur ditët në vijim për të parë se a do të ketë lëvizje drejt një takimi të shpejtë në nivel të lartë dhe nëse jo, kush do të jetë përgjegjës pse kjo nuk po ndodhë. Në BE thonë se kjo varet nga Kurti dhe Vuçiqi. Por nëse njëri pranon e tjetri jo, a do të tregojë BE-ja se cila palë nuk ishte konstruktive kësaj radhe. Apo do t’i kthehet lojës së vjetër të mosqortimit të Serbisë, duke ua ndarë përgjegjësinë të dyja palëve.