Unë nuk jam rritur në një zonë lufte, jam rritur larg saj. Por, pas karrierës së babait tim, kam qenë gjithmonë i vetëdijshëm për rreziqet e saj.
Isha 7-vjeçar kur babai im u largua për në Prishtinë, si pjesë e Ministrisë britanike të Mbrojtjes për KFOR-in, dhe nuk e kisha idenë atë kohë se çfarë do të thoshte kjo. Papritmas lajmet u ndaluan në shtëpinë tonë për t’u tentuar që të mbahej pak normalitet, dhe e mbaj mend se si shoqëria e nënës sime na ofronte përkrahje shtesë për t’u përshtatur me jetën, përkohësisht pa babanë.
Ndryshoi shumë gjëra në mua. Por natyrisht asgjë e tillë që ka mundur të ndryshonte njerëzit këtu. E di se babai im e dinte gjithmonë se po bënte diçka të mirë këtu.
Kur vinte në shtëpi çdo disa muaj, ai na sillte dhurata nga tregu dhe na tregonte histori për vendësit.
Lojëra PlayStacion, CD-ja, suvenire të NATO-s. Më kujtohet se pranë shtratit tim në shtëpi ishte një mbajtëse telefoni në formë të shezllonit, me logo të KFOR-it.
S’ka rëndësi që nuk kisha telefon në atë kohë, unë i vendosja lodrat sipër . Dhuratat nuk ishin magjepsëse, por një kujtim i rëndësishëm që e ruanim kur kthehej në Prishtinë. Sigurisht, e dinim çdoherë se mund të mos e shihnim më.
Por, ajo që ndodhi ishte se m’u rrit tepër interesimi për Kosovën. Ndihesha i etur për historitë që dëgjoja për vendin, që më në fund të mund të bëja një imazh. Shpresoja që një ditë do të mund ta vizitoja dhe ta shihja vetë vendin për të cilin kam dëgjuar aq shumë. Ndërsa vendi fitoi lirinë, unë e ndoqa nga afër, duke shpresuar se së shpejti do të mund të vija.
Para 4 vjetësh erdha në Prishtinë për 4 ditë për të eksploruar qytetin. Më pyesnin pse jam këtu, dhe natyrisht se u shpjegoja arsyen e kuriozitetit tim. Një gjë që më bëri përshtypje ishte mirënjohja e ofruar për britanikët dhe amerikanët, që nuk e prisja fare. Unë u godita nga ngrohtësia e popullit kosovar dhe vendosa në vetvete që të kthehesha sa më shpejt të jetë e mundur.
Me kalimin e kohës kam fituar disa miq në Holandë, që ishin lindur apo prindërit e të cilëve ishin nga Kosova. Ata gjithmonë janë të lumtur të dinë për interesimin tim për këtë vend. Dhe ndihem mirënjohës që kam kulturën kosovare pranë meje në Amsterdam.
Ndiej një lidhje të fortë me këtë vend. Unë kam bërë miqësi me artistin vendës Agron Mulliqi dhe jam frymëzuar gjithmonë nga skena e artit këtu. Në ditët e sotme shoh nëpër revista, si “Monocle” këtë muaj, artikuj për Prishtinën, dhe i blej menjëherë. Gjithashtu shpresoj që industria e turizmit të mund të fillojë të tërheqë sa më shumë njerëz kureshtarë për të jetuar kulturën e gjallë dhe mikpritëse.
Unë jam kthyer në Kosovë këtë vit për 10 ditë. Duke ditur që ka disa prej maleve më të bukura në Evropë. U nisa për një udhëtim rreth perëndimit të vendit, pa pasur asnjë plan, por duke besuar plotësisht se përvoja do të ishte e pabesueshme. Dhe ka qenë.
Arrita në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë dhe shkova drejt e në studion e Agronit, ku ai më ftoi në Pejë për hapjen e një ekspozite.
Mëkat që në 4 vjet sa ishte këtu, babai im kurrë nuk pati mundësi të eksploronte vërtet. Kështu që nga ky udhëtim i kam dërguar atij shumë fotografi të përvojës sime, në mënyrë që ta shohë bukurinë që është këtu. Shpresoj një ditë të mund të kthehemi së bashku.
Duke folur me të rinjtë në Kosovë, e kuptoj se përvoja që patëm me babanë tim ishte e ngjashme në njëfarë mënyre. Ne të gjithë mësuam në një mënyrë për t’u përballur me frikën për familjet tone gjatë luftës. Më vjen keq që aq shumë njerëz këtu janë rritur pa baballarë. Jam falënderues që i imi është ende këtu dhe se mund të ndaj me të storiet e mia për Kosovën.
Jam i lumtur që shoh se Kosova ka nisur të lulëzojë dhe shoh ndryshime të mëdha edhe nga viti 2018 deri tash. E kam ndarë udhëtimin tim me miqtë dhe njerëzit në shtëpi, me shpresën që shumë njerëz të mund t’i përjetojnë bujarinë, bukurinë dhe mirësinë e njerëzve këtu, dhe sigurisht bukurinë e peizazhit. Ëndrra ime është të kaloj më shumë kohë këtu, në një vend të cilin kam nisur ta konsideroj shtëpi të dytë. Me siguri do të kthehem për të eksploruar më shumë.
Pra, popullit të Kosovës dua t’i them faleminderit. Si fëmijë kurrë nuk e kisha imagjinuar që do të rrija ulur në malet e Rugovës, duke shkruar për dashurinë time për vendin tuaj. Por jam shumë i lumtur që sot mundem.
(Thomas Garrod-Pullar është britanik që jeton dhe punon në Holandë. Ai është i biri i një ish-pjesëtari të KFOR-it)