Dështimi i Parlamentit të Shqipërisë për miratimin e rezolutës mbi gjenocidin në Srebrenicë tregon se klasa politike e Tiranës nuk ngurron të keqpërdorë edhe tema të ndjeshme vetëm e vetëm për të thelluar polarizimet dhe polemikat e politikës së brendshme shqiptare.
1.
Nga dështimi i Parlamentit në Tiranë për miratimin e rezolutës mbi gjenocidin në Srebrenicë ka pësuar dëm vetëm imazhi i Shqipërisë. Shumë vende në rajon e më gjerë kanë miratuar rezoluta në parlamentet e tyre përmes të cilave kanë dërguar tri mesazhe: dënimin e gjenocidit të kryer nga forcat serbe të Bosnjës (të përkrahura nga Jugosllavia e atëhershme e Slloboban Millosheviqit), respektin ndaj viktimave dhe zotimin se gjenocidi nuk duhet të përsëritet më kurrë. Në kontinentin evropian gjenocidi i forcave serbe është i dyti pas gjenocidit të Adolf Hitlerit në Luftën e Dytë Botërore. Pse është kaq vështirë për Parlamentin shqiptar t'u bashkohet shteteve të civilizuara në dënimin e krimit masiv në Srebrenicë?
2.
Më 15 janar 2009, Parlamenti Evropian përmes një rezolute ka kërkuar që në të gjitha vendet e BE-së dita e përvjetorit të masakrës së Srebrenicës (11 korrik 1995) të shpallet ditë përkujtimore – në kujtim të viktimave të gjenocidit të forcave serbe në Srebrenicë. Më 31 mars 2010, Parlamenti i Serbisë e ka dënuar ashpër masakrën në Srebrenicë. (Pa e përmendur fjalën gjenocid, por megjithatë e ka dënuar krimin masiv). Parlamenti shqiptar nuk e ka dënuar gjenocidin në Srebrenicë. Dhe e ka pritur 12 majin e vitit 2022 që të bjerë në një kurth të Sali Berishës, gjë që aspak nuk e minimizon papërgjegjësinë e socialistëve. Përkundrazi. Sepse po të ishin pak më të mençur, socialistët do ta propozonin vetë rezolutën, ngaherë, pa i lënë shans Berishës për lojëra politike. Si politikan Berisha nuk është shquar aq në dënimin e krimeve serbe. Ka qenë në pushtet mes 2005 dhe 2014 dhe nuk ka miratuar partia e tij rezolutë për Srebrenicën. Ka mundur ta bënte pas vendimit të Parlamentit Evropian më 2009. E ka pasur shansin edhe për të miratuar rezolutë për krimet serbe në Kosovë. Nuk e ka bërë. Pse? Dhe pse e bën më 2022? Sepse nuk ka ardhmëri politike, por po lufton për ardhmëri politike. Me çdo mjet. Të lejueshëm e të palejueshëm.
3.
Dështimi i miratimit të Rezolutës mbi gjenocidin në Srebrenicë është një skandal i rëndë i Parlamentit të Republikës së Shqipërisë. Për shkak të polarizimeve të skajshme, urrejtjes së ndërsjellë e motiveve të ulëta politike, dy partitë politike dominuese në Kuvendin e Shqipërisë, socialistët dhe demokratët, kanë turpëruar rëndë shtetin dhe shoqërinë shqiptare. Të paaftë për kompromise, të papërgjegjshëm mbi pasojat politike mbi vendin, të padenjë për të qenë përfaqësues dinjitoz të votuesve të tyre, deputetët që prodhuan këtë skandal meritojnë vetëm ndëshkim dhe përbuzje. Dështimi i miratimit të Rezolutës mbi gjenocidin në Srebrenicë e nxjerr Shqipërinë para botës demokratike si shtet joserioz dhe qesharak. Për shkak të kalkulimeve politike u keqpërdor një tragjedi si ajo e Srebrenicës. Nuk u ngurrua të keqpërdoret edhe Kosova. Në Parlamentin shqiptar duket se nuk ka më asnjë fije përgjegjësie shtetërore.
4.
A e ka thyer Shqipëria embargon e OKB-së kundër Jugosllavisë së cunguar? Raporte të besueshme të OKB-së pohojnë një gjë të tillë. Ndonëse asnjë raport ndërkombëtar nuk e potencon se kjo kontrabandë mund të ketë pasur efekt vendimtar në luftën serbomadhe ndaj popujve të tjerë të Ballkanit. Në atë kohë (vitet ‘90) Shqipërinë e ka qeverisur Sali Berisha. Qeveria e atëhershme e Shqipërisë ka dështuar në bllokimin e aktiviteteve kontrabanduese. A kanë qenë vendimtare për gjenocidin serb disa fuçi me naftë të kontrabanduara përmes Bunës në Mal të Zi? Nuk kanë qenë! Derivate të naftës janë kontrabanduar edhe nga shtete të tjera të rajonit drejt Serbisë dhe tutje në Bosnjë (në pjesën e kontrolluar nga serbët).
Në fushatën e tyre kundër Sali Berishës, socialistët e Edi Ramës duan të krijojnë përshtypjen se pa naftën shqiptare tanket e Ratko Mlladiqit nuk do të ishin nisur drejt Srebrenicës. Kjo është marrëzi e madhe. Është e pavërtetë. Është politikë e verbër që nuk ngurron të njollosë shtetin shqiptar vetëm e vetëm për të goditur Berishën.
Sjellja e socialistëve tregon se ata për të luftuar Berishën janë në gjendje ta bëjnë edhe Shqipërinë bashkëpërgjegjëse për krimet serbe në Srebrenicë. Kjo qasje tregon se deri ku ka arritur papërgjegjësia në politikën shqiptare.
Ka shumë çështje për të cilat edhe Berisha do të duhej të përgjigjej. Meqë Shqipëria s’ka krijuar sistem drejtësie, çdo gjë politizohet deri në çmendi. Dhe masakrohet me beteja të ulëta politike në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Për interesa të tij Berisha nuk i përton asnjë poshtërsie parlamentare. Siç nuk u përtojnë as pseudosocialistët që duan ta rishkruajnë historinë e Jugosllavisë duke e quajtur “rrëmujë” – dhe jo me emrin e vërtetë: agresion serbomadh kundër 4 popujve.