OpEd

Një Papë për Rerum Nuvorum Digitalis

Robert Francis Prevost u bë amerikani më i fuqishëm në botë, pa asnjë divizion tankesh. Në një botë luftërash, krize ekologjike dhe revolucioni teknologjik me inteligjencën artificiale ky është momenti kur historia do të kërkojë që ai të lërë vulën e tij mbi të

1.

Po të pyetej Shën Augustini do të ishte krejtësisht e kuptueshme- dhe gjithsesi jo një rastësi-që Joseph Nye, njëri prej mendimtarëve të spikatur të marrëdhënieve ndërkombëtare në Amerikë e botë vdiq dy ditë para se Robert Francis Prevost të zgjidhej Papë dhe të merrte emrin Leoni XIV.
Joseph Nye kishte shpikur në fund të shekullit të kaluar termin “soft power” (fuqi e butë). Me këtë fuqi të butë-nëpërmjet kulturës, politikës së jashtme, vlera politike e morale- shtetet si SHBA kanë mundësi që  të përfitojnë ato që dëshirojnë në marrëdhënie ndërkombëtare përmes joshjes e jo detyrimit të dhunshëm apo pagesës. Në dyzet vitet e fundit është zhvilluar tërë një degë analizash të “soft power” në marrëdhëniet ndërkombëtare , inspiruar fillimisht me mënyrën se si idetë-Hollywodi, librat e revistat, emisionet e Zërit të Amerikës dhe Radio Evropës së Lirë-rrëzuan komunizmin në Evropë. Të gjitha këto (përfshirë edhe konceptin e ri “smart power”, fuqi e mençur, me të cilën kombinohet fuqia tradicionale e forcës fizike me ato të fuqisë së butë të joshjes) u përmendën në të dëgjuar për vdekjen e profesorit Nye. 

Dhe, vdekja e profesorit Nye ndodhi brenda 100-ditëshit të presidencës Trump e cila u largua dukshëm dhe zhurmshëm nga koncepti i “fuqisë së butë”. Në vend të “Zërit të Amerikës” , librave e përcaktimin të vlerave për të cilat është njohur diplomacia amerikane si të drejtat e njeriut, transparenca e qeverisjes demokratike e forcimi i shoqërisë civile, politika e re amerikane ishte ajo e kërcënimit me tarifa, parime transaksionale (sa do t’i sjellë para SHBA-së çfarëdo veprimi në politikë të jashtme e të sigurisë) dhe kërkesa për zgjerim territorial (Kanada, Panama, Grenlanda).   

Dy ditë pas vdekjes së profesorit Nye nga Vatikani u shpall zgjedhja e Robert Francis Prevostit si Papë. Në lojë koincidencash-të cilat nuk do t’i pranonte Shën Augustini- kardinali i zgjedhur Prevost ishte një matematikan nga Chicago, i cili zgjodhi rrugën e shërbimit të Jezu Krishtit e të Kishës katolike dhe brenda saj zgjodhi rendin augustinian.

2.

Po të pyetej Shën Augustini i Hipos (vdekur në shekullin V të erës sonë) zgjedhja e Robert Francis Provostit si Papë ishte krejtësisht e kuptueshme. Ishte Providencë hyjnore (Divina providentia) , pra një parapërcaktim hyjnor i gjërave. Atë ditë e në këtë kohë turbullirash dhe në këtë shekull duhej zgjedhur një Papë nga rendi i augustianëve, të atyre që e kanë për detyrë të jenë misionarë të porosisë së Krishtit, të jenë pjesë e një jete komunitare dhe të mendojnë e të shpërndajnë të arriturat e të menduarit të tyre mbi problemet e bashkëkohësisë.

Po të mos pyetej Shën Augustini, rezultati nuk do të dilte shumë larg. Kardinalët e mbledhur në Konklavë vendosën që Papa i ri të jetë një kardinal i njohur si misionar në Chiclayo të Perusë, një misionar që foli në emër të të varfërve dhe përndjekurve dhe u pranua si njëri prej tyre. Dhe, kardinalët zgjodhën që Papa i ri të jetë për herë të parë një njeri i lindur në SHBA, i rritur e edukuar në SHBA dhe i adoptuar nga pjesa tjetër e Amerikave, nga Peruja.

Qoftë me interpretim të Shën Augustinit, qoftë pa të, rezultati i zgjedhjes ishte që dy ditë pas vdekjes së babait të termit “soft power” , një instrument shumë i fuqishëm i “soft power” mund të jetë në duart e amerikanit më të fuqishëm sot në Botë. Jo të Donald Trumpit, por të njeriut të nënshkruhej në emaile me “Bob” e që sot quhet Papa Leoni XIV.

Në kohën kur ligjërimi zyrtar amerikan është ai i një potere, me sanksione tarifash, denigrim kundërshtarësh dhe vendosje të marrëdhënieve njerëzore në transaksion merkantil, një ligjërim tjetër amerikan ka dalë në sipërfaqe në këtë muaj të majit, ai i lutjes për paqe, i rikthimit të dinjitetit të njeriut e të dinjitetit të marrëdhënieve me njerëz të tjerë. Ky është mesazhi i Papës XIV, atij që mishëron atë Amerikë tjetër, të “fuqisë së butë”, që nuk shpall epërsi por ofron shërbim; që nuk garon për dominim por për pajtim.

3.

Por, aty nuk ndalen koincidencat, apo me interpretimin e Shën Augustinit, të parapërcaktimeve hyjnore.

Kardinali Prevost zgjodhi të jetë i njohur si Papa Leoni XIV. Paraardhësi i tij me këtë emër ishte Papa Leoni XIII i cili u bë i njohur si Papa që vendosi mendimin social të Kishës katolike me “Rerum Novarum” (Mbi gjërat e reja), enciklikën në të cilën u angazhua për dinjitetin e njeriut në revolucionin teknologjik i cili po ndodhte në fund të shekullit XIX.

Papa i ri, Leoni XIV e pranoi menjëherë sfidën e paraardhësit të tij dhe në fjalimin e tij të parë zyrtar si Papë, më 8 maj 2025, Leo XIV e identifikoi inteligjencën artificiale (IA) si një nga sfidat më të rëndësishme me të cilat përballet njerëzimi. Ai theksoi nevojën që Kisha të trajtojë pasojat etike të IA-së, veçanërisht në lidhje me dinjitetin njerëzor, drejtësinë dhe punën. Duke u frymëzuar nga enciklika Rerum Novarum e Papës Leo XIII, e publikuar më 15 maj 1891 dhe që trajtonte të drejtat e punëtorëve gjatë revolucionit industrial, Leo XIV vuri në dukje ngjashmëritë midis trazirave teknologjike të së kaluarës dhe atyre të tashmes. 

Sfida e tij e ardhshme e natyrshme do të jetë enciklika Rerum Novarum Digitalis, një traktat të ri për drejtësinë dhe dinjitetin njerëzor në epokën e inteligjencës artificiale, të punës së shuar nga makinat, të ekonomisë së shpërqendruar dhe të shpirtit të zbrazët.

4.

Thuhet se Stalini përgjatë një bisede, mbase me Churchillin, dhe në dëshirë për të përqeshur rolin e Kishës katolike e pyeti atëherë: “E, sa divizione tankesh ka Papa?”.

Përgjigjja mbi forcën sociale të Papës ia dha Bashkimit sovjetik , me Stalinin tashmë të vdekur, Papa Gjon Pali II, polaku Karol Wojtyla, i cili u gjet me popullin polak në konfrontimin e tij kundër diktaturës komuniste. Divizionet e tankeve ruse u tërhoqën nga Polonia e pastaj edhe nga tërë Evropa Qendrore e Lindore, të mundura nga “soft power”, fuqia e butë e mendjes, bindjes dhe besimit.

Në një botë luftërash që sfidojnë të arriturat  e shekullit XX të pas Luftës së Dytë Botërore - se shtetet nuk mund të sulmojnë sovranitetin e tërësinë tokësore siç bën Rusia në Ukrainë apo se nuk mund të bëjnë përndjekje kolektive popujsh siç bën Izraeli në Gaza-Papa Leoni do të ndodhet në njërin prej momenteve kyçe të shekulli XXI. Është botë luftërash që do të përcaktojnë si do të duket ky shekull, është kohë krize ekologjike që do të përcaktojë si duket ky shekull dhe është kohë e transformimit të madh me inteligjencën artificiale që do të përcaktojë se si duket ky shekull.

Skena nuk ka mundur të jetë më dramatike për Papa Leonin XIV; ai është i ftuar t’i japë vulën historike këtij momenti, natyrisht jo me divizionet e Stalinit, por si misionar i Kishës, i atillë çfarë ishte ndër të varfrit e Chiclayos. Në një botë ku të dhënat maten në terabajt, por ku ndjeshmëria njerëzore pakësohet në statuset digjitale, Papa Leoni XIV ngrihet si kujtesë se Kisha ende mund të flasë jo me algoritme, por me metafora. Jo me protokolle kompjuterike, por me njerëz.