Rizgjimi evropian nuk është një proces i natyrshëm i evolucionit politik, por përgjigje e imponuar nga rrethanat – nga kërcënimi rus dhe tërheqja graduale e SHBA-së si garantuese e sigurisë evropiane. Ky moment historik paraqet mundësi të rrallë që Evropa të dalë nga hija e pasluftës së Dytë Botërore dhe të ndërtojë kapacitete të mirëfillta politike dhe ushtarake.... Tri fuqitë kyçe – Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar – janë në pozicion që ta ofrojnë këtë lidership të munguar. Koalicioni i të vullnetshmëve dhe bashkërendimi i qëndrimeve karshi agresionit rus tregojnë se është duke lindur një Evropë e re – një Evropë që synon të bëhet fuqi e besueshme politike dhe ushtarake, jo si alternativë ndaj SHBA-së, por si garanci për vetë ekzistencën dhe sigurinë e saj
Në 80 vjetët e fundit, prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kontinenti evropian ka kaluar nëpër dy epoka të rëndësishme historike. Në 45-vjeçarin e parë pas 1945-tës, ajo qe në epokën e Luftës së Ftohtë dhe të perdes së hekurt, e cila e ndante Evropën ideologjikisht në Perëndimin demokratik dhe në Lindjen komuniste. Përderisa Perëndimi udhëhiqej nga SHBA-ja nëpërmjet NATO-s, Lindja udhëhiqej nga Bashkimi Sovjetik përmes Traktatit të Varshavës. Periudha e Luftës së Ftohtë u përcoll me stabilitet, ku politika e frenimit nga kërcënimi i një lufte bërthamore ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes ishte arsyeja përse ato kohabitonin në paqe me njëra-tjetrën. Epoka e dytë filloi në vitin 1989, me rënien e murit të Berlinit, me bashkimin e Gjermanisë Perëndimore dhe asaj Lindore, me revolucione në vendet ish-komuniste dhe me shpërbërjen e shteteve shumëkombëshe, si Bashkimi Sovjetik, Jugosllavia e Çekosllovakia.
Kjo periudhë nuk qe e lehtë. Përderisa çekët e sllovakët u ndanë në mënyrë paqësore dhe Bashkimi Sovjetik u shpërbë kryesisht pa ndonjë problem madhor – përjashtuar luftën në Çeçeni – shpërbërja e Jugosllavisë e përfaqësoi krizën kryesore të fundit të qindvjeçarit të 20-të. Kjo shpërbërje u përcoll me tre luftëra që zgjatën nga 1991 deri më 1999 dhe me qindra mijëra viktima civile në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë e Kosovë, si pasojë e kundërshtimit serb të shpërbërjes paqësore të ish-shtetit shumëkombësh. Pra, përderisa epokën e perdes së hekurt Evropa e kaloi në një kohabitim të ideologjive të ndryshme nën kërcënimin permanent të një lufte bërthamore, fillimi i epokës së dytë, asaj të demokratizimit, të prosperitetit dhe të ekspansionit evropian, u përcoll me tri luftëra të përgjakshme, përgjegjëse kryesore e të cilave ishte Serbia që ishte ende nën ndikimin e doktrinës së Luftës së Ftohtë të mosndërhyrje në punët e brendshme të shteteve dhe e verbëruar nga ideologjia nacionalshoviniste serbomadhe e që nuk kishte arritur të kuptonte se epoka në të cilën ajo do t’i dominonte kombet e tjera të ish-Jugosllavisë kishte përfunduar.
Sidoqoftë me përfundimin e luftës në Kosovë qershorin e 1999-tës, filloi një periudhë stabiliteti e ekspansioni evropian, në të cilin BE-ja dhe NATO-ja u zgjeruan në mënyrë të paprecedent deri në kufij të Rusisë. Megjithëkëtë, Evropa ende ishte e fragmentuar në kuptimin e politikës së jashtme, kurse në pikëpamje të sigurisë varësia e saj nga SHBA-ja nuk ishte zvogëluar. SHBA-ja vazhdoi të ishte garantuesi kryesor i paqes në kontinentin e vjetër, gjë që u dëshmua edhe me ndërprerjen e luftërave në ish-Jugosllavi, në të cilën Evropa, pa lidershipin amerikan, nuk ishte në gjendje të vepronte ngase i mungonte kapaciteti i vendimmarrjes politike. Madje edhe bashkimi i Gjermanisë në vitin 1990 ishte parë fillimisht me dyshim dhe me kundërshtim nga fitueset evropiane të Luftës së Dytë Botërore – Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar – si pasojë e frikës së rikthimit të Gjermanisë si fuqi evropiane.
Edhe Margaret Thatcheri e edhe François Miterrandi dhanë deklarata me të cilat shprehën rezerva ndaj ribashkimit gjerman. Pra, Evropa, megjithëqë kishte hyrë në një epokë të re, ishte ende nën ndikimin e pasojave të Luftës së Dytë Botërore.
Tani, në tetëdhjetëvjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në Evropë po nis edhe një epokë e re. Këtë do ta quaja Epokë e Rizgjimit Evropian (Era of European Awakening). Fillimi i saj u shënua me agresionin dhe invadimin rus të Ukrainës, që përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë evropiane, si dhe me ardhjen në krye të SHBA-së të presidentit Donald J. Trump, i cili ia bëri të qartë Evropës se nuk mund të mbështetet më në garancitë amerikane kundër Rusisë dhe se duhet t’i rrisë investimet për t’i ndërtuar kapacitetet e saja mbrojtëse. Ky rizgjim, pra, nuk ishte pjesë e ndonjë evolucioni politik e historik të Evropës. U shkaktua nga dy ngjarje që e prishën ekuilibrin ekzistues gjeopolitik dhe që po e detyrojnë Evropën të ndryshojë.
Politika e jashtme evropiane në raport me Ukrainën tani është krejtësisht e ndryshme prej politikës së SHBA-së. Përderisa SHBA-ja po përpiqet t’i japë fund luftës në Ukrainë në partneritet me Rusinë, duke mos i përjashtuar koncesionet territoriale, pra njohjen e pushtimeve ruse nga Ukraina, kursi evropian mbetet i njëjtë: përfundimi i luftës në Ukrainë duhet të ndodhë me tërheqjen e plotë të trupave ruse nga vendi. Në këtë aspekt shtetet evropiane, nën lidershipin e deritanishëm të presidentit francez, Emmanuel Macron, të kryeministrit britanik, Keir Starmer, janë tubuar rreth një doktrine të re të vetëmjaftueshmërisë evropiane në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.
Gjermanie, e cila në muajt e fundit ka qenë kryesisht jashtë loje shkaku i procesit zgjedhor dhe krijimit të qeverisë së re, po rikthehet në skenën e teatrit gjeopolitik evropian. Kryeministri i ri gjerman, Friedrich Merz, deklaroi gjatë javës se Gjermania do t’i rrisë investimet e saja në kapacitetet mbrojtëse dhe “do të ndërtojë ushtrinë më të fortë në Evropë”. Rikthimi i Mbretërisë së Bashkuar si një lojtar udhëheqës në fushën e sigurisë evropiane, fuqizimi ushtarak i Gjermanisë mbase edhe deri në ndërtimin e kapaciteteve bërthamore, gjë që nuk do të duhej përjashtuar si mundësi, dhe lidershipi francez krijojnë një trini të fuqishme politike që mund ta ofrojë udhëheqjen e munguar për rizgjimin evropian.
Një Evropë me tri fuqi bërthamore – Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Gjermaninë – do të mund të ndikonte në frenimin e ekspansionit agresiv rus në kontinentin evropian.
Ky rizgjim, i shkaktuar nga ndryshimet e mëdha dhe nga paqartësitë gjeopolitike që më së shumti e prekin kontinentin evropian, duhet ta ketë për objektiv shndërrimin e Evropës në forcë të fuqishme politike e ushtarake që është në gjendje të përballet me sukses karshi çfarëdolloj kërcënimi dhe sfide të sigurisë, me apo pa SHBA-në, duke e përfshirë edhe Rusinë dhe në këtë mënyrë të frenojë çfarëdo synimi për të kërcënuar sigurinë evropiane. Në këtë mes, krijimi i të ashtuquajturit “Koalicion i të vullnetshmëve” (Coalition of the willing) nga 30 vende evropiane për t’u dislokuar në Ukrainë dhe për të garantuar për sigurinë e saj në rast të përfundimit të luftës, është veprim që e tregon unitetin politik të Evropës karshi kërcënimit rus. Ky koalicion, i cili nuk është në kundërshtim me doktrinën e mbrojtjes kolektive që e ofron NATO-ja me SHBA-në në krye, është përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj ndryshimit të politikës amerikane në raport me Ukrainën. Është me rëndësi të theksohet se në këtë përgjigje janë përfshirë në mënyrë të unifikuar tri fuqitë kryesore evropiane: Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.
Në këtë kontekst të ri gjeopolitik, rizgjimi evropian nuk është një proces i natyrshëm i evolucionit politik, por përgjigje e imponuar nga rrethanat – nga kërcënimi rus dhe tërheqja graduale e SHBA-së si garantuese e sigurisë evropiane. Ky moment historik paraqet një mundësi të rrallë për Evropën që të dalë nga hija e pasluftës së dytë botërore dhe të ndërtojë kapacitete të mirëfillta politike dhe ushtarake, të cilat e bëjnë atë të aftë të veprojë me vendosmëri dhe ta sigurojë veten në mënyrë të pavarur. Tri fuqitë kyç – Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar – janë në pozicion që ta ofrojnë këtë lidership të munguar. Koalicioni i të vullnetshmëve dhe bashkërendimi i qëndrimeve karshi agresionit rus tregojnë se është duke lindur një Evropë e re – një Evropë që synon të bëhet fuqi e besueshme politike dhe ushtarake, jo si alternativë ndaj SHBA-së, por si garanci për vetë ekzistencën dhe sigurinë e saj.