OpEd

Një dolli për më pak budallaki

Për Babadimrin që nuk ka më famë. Dhe, për gazetarin që do absurditet, për politikanin që gafat e kthejnë në fenomen, për stomatologun e gjashtësheve që klient ka VIP-at, dhe për berberin e rapsodin që bëhen yje me budallallëk

Babadimri zbriti nga mali në qytet pas pesë vjetësh mungesë, pak para se dritat festive ta mbulojnë sheshin me shkëlqim. Borë ende nuk ka rënë, por fryma e ftohtë ia shpon faqet. Me njërën dorë mban thesin e kuq, të rëndë, përplot dhurata e sende të moçme të tij, e me tjetrën shkund kambanat që dikur mjaftonin për t’i mbledhur fëmijët rreth tij. Kambanat tingëllonin, por askush nuk i dëgjon më. Askush nuk kthen kokën nga ai.

Njerëzit kalojnë pranë pa e parë, kryesisht me sytë e ngulur në ekranet e celularëve që u ndriçojnë fytyrat me dritën e ftohtë blu. Gishtat u rrëshqasin me shpejtësi, sikur të jenë të komanduar nga një instinkt i ri.

Babadimri u ndal në mes të sheshit, mbi kalldrëmin e ftohtë, pikërisht aty ku dikur fëmijët vraponin drejt tij, i kapeshin për rroba, i numëronin dhuratat dhe i kërkonin edhe një fotografi.

Në një cep të sheshit, pak metra larg, një gazetar, me fytyrën që i shndriste nga entuziazmi profesional, mbante mikrofonin përballë një burri me rroba të përlyera, me flokë të shprishura, me mjekër edhe më të gjatë se të Babadimrit dhe me sy zgurdulluar që digjnin nga zjarri i brendshëm. Burri fliste pa pushim. Herë sikur është Krishti, i moçëm 2026 vjet, herë si shkencëtar që ka zbuluar sekretet e universit, herë si president i Shteteve të Bashkuara. Ishte një nga ata të hutuarit të pastrehë, i ikur nga Psikiatria që bredhte poshtë e lartë sheshit, ndërsa bota e tij dhe realiteti nuk përputhen prej kohësh.

Gazetari nuk e ndërpreu. Nuk i kërkonte sqarim. Nuk ia kërkonte as të vërtetën. Kërkonte sa më shumë absurditet. Sa më shumë çmenduri që mund të paketohen në pak sekonda videoje. Sepse, vetëm këto do ta kallnin rrjetin.

E, fjalët e burrit që po intervistohej, ishin bombë për tituj, ndërsa secila fjali përmbante potencial për të ndezur në rrjete sociale.

Babadimri qëndroi pak më tutje, me thesin ende në shpinë, dhe ndjeu therje të ftohtë nga kuptimi që po i zbriste ngadalë. Brenda pesë vjetësh, pa e vizituar qytetin, gjithçka kishte ndërruar. Vëmendje më ai nuk merr. As dhuratat brenda thesit. Tani njerëzit kërkojnë diçka tjetër.

Ai vazhdoi rrugën, i hutuar, duke menduar se mos mosha e ka lënë pas kohës.

E për ta hequr dilemën, iu afrua një lokali ngjitur sheshit. Aroma e kafesë së freskët i doli përpara si ftesë e vjetër, nga ato që dikur i njihte mirë. U ndal pranë dritares. Brenda, disa të rinj rreth tavolinës, me filxhanët e kafesë anash e telefonat në qendër, si altarë të vegjël modernë. Gishtat u lëvizin shpejt, ndërsa fytyrat u ndizen herë nga e qeshura, herë nga habia, herë nga një lloj adhurimi i çuditshëm.

Babadimri nuk kishte nevojë të pyeste. Fjalët u dilnin vetë, të zhurmshme, të ngazëllyera, sepse po flisnin për heronj të një kohe të re.

Njëri prej tyre po tregonte videon e saposhpërndarë e me mijëra viewes. Në të kryepersonazh ishte kryetari i një komune të vogël, por tashmë i famshëm në të gjithë vendin, shkaku se bënte show në studio televizive. Fliste me gjuhë rruge, lëshonte ndonjë fjalë që shpërthente si bombë e bënte gafa sa herë përmendte emra, premtime apo synonte të tregonte diçka. Të tjerët qeshnin me të si me arushën. Ama jo me përbuzje, por me admirim.

Ky është fenomen, flisnin me entuziazëm të rinjtë në kafene. S’e kishin fjalën për ndonjë shenjë në qeverisje, por për gafat që i ktheheshin në meme. Dhe, sa më shumë gabonte, aq më shumë e ftonin në televizione. Edhe njerëzit e ndalnin në rrugë për selfie, kurse fotografitë me të shpërndaheshin kudo. Pra, për të qenë pranë famës.

Babadimri ndjeu se thesi i tij tani rëndon mbi supe si peshë e panevojshme, në një botë ku vlera nuk matet më as nga dashuria, as nga puna apo përkushtimi, por nga klikimet, shpërndarjet dhe videot virale.

Një tjetër video u hap mbi tavolinë. Një yll botëror futbolli po ulej në karrigen e ordinancës dentare që ndodhet në qytet. Pak më vonë, shfaqet tek buzëqesh me dhëmbët që i shkëlqejnë nga bardhësia. Në videon e radhës, një yll muzike. Në një tjetër, një tjetër VIP... Ordinanca e vogël, dikur e zakonshme, ka marrë famë me videot në TikTok, Instagram dhe Facebook. Në to shfaqet edhe vetë stomatologu, zakonisht i heshtur dhe i qetë. Ai kishte qenë student i 6-sheve. Shokët e gjeneratës më shumë e kujtojnë si njeri që binte në sy për kohën e gjatë që e kalonte në kafenenë pranë fakultetit. Por, formulën e suksesit e gjeti te videot me yjet, që i shkonin flakë në rrjete sociale, e me të cilat ushqente iluzionin te njerëzit e rëndomtë se mjaftonte t’i rregulloje dhëmbët aty për t’u ndier, qoftë edhe për pak çaste, si VIP.

Pak më vonë, një tjetër video u shfaq në një nga telefonat në tavolinën e rrethuar me të rinjtë në kafene. Këtë herë në fokus është karrigia e berberit. Aty nuk demonstrohet shkathtësi në prerjen e flokëve dhe as nuk ekspozohen modele prerjesh, por budallallëqe të berberit me klientë, që të xhiruara shpërthejnë në rrjet.

Mes zhurmës së videove që ndërrohen njëra pas tjetrës, në një nga celularët u shfaq edhe një rapsod. Për një çast, Babadimri u ndal. Iu duk se, më në fund, diçka e vjetër po gjen vend në këtë qytet e te këta të rinj në kafene. Se kënga rapsodike e kujtesa po mbahen gjallë. Të rinjtë u përkulën më afër ekraneve. Por, entuziazmi i Babadimrit u shua shpejt. Nuk ishin vargjet, as kënga dhe as zëri që nxitën kureshtjen e të rinjve. Ishte momenti kur rapsodi, në kulmin e performancës, po ngrihej në dy gjunjë dhe po e thyen çiftelinë.

Babadimri uli shikimin dhe ndjeu boshllëkun që i kaloi rrufe trupit. Shtrëngoi thesin e kuq, tashmë të rëndë nga dhuratat që askush nuk i kërkoi, dhe nisi të largohej me hapa të ngadaltë sheshit të kalldrëmtë. Kambanat nuk i shkund më.

Ishte e qartë: Sot budallallëku mban kurorën e famës.

Kur la qytetin, Babadimri hapi thesin, nxori një gotë dhe e mbushi me verë, ktheu kokën pas dhe pëshpëriti me vete: “Një dolli, për më pak budallaki në 2026-n!”.