Rreth Nikola Teslës nuk ka pothuajse aspak dilema për origjinën e tij. Ai ka qenë një shtetas amerikan, i lindur, rritur dhe shkolluar në territorin e sotëm të Kroacisë dhe ka qenë i biri i prindërve ortodoksë serbë. Askush në Kroaci nuk e mohon se ai ka qenë me përkatësi fetare dhe etnike një serb ortodoks. E askush nuk mund ta mohojë se ka lindur në Kroaci, ka kryer aty shkollën dhe ka nisur punën para se të shkonte në Amerikë. Dhe zbulimet më të mëdha i ka bërë në Amerikë kur ishte bërë edhe shtetas amerikan
Është e vështirë që Kroacia të bëjë diçka e që të mos hasë në reagime në Serbi. Rivaliteti është aq i madh, saqë reagohet edhe atëherë kur pakkush sheh logjikë. Nuk është fjala vetëm për luftën e fundit, më saktësisht mospajtimeve rreth interpretimit të agresionit serb ndaj Kroacisë dhe kush ishte aty agresor e kush viktimë. Kroacia dhe Serbia tash kanë hyrë në një garë, për momentin vetëm verbale, rreth përkatësisë së Nikola Teslës, një prej zbuluesve më të mëdhenj që ka pasur njerëzimi. Gjithçka ka shpërthyer ditëve të fundit pasi Qeveria e Kroacisë, pas konsultimeve publike dhe anketës me qytetarët, ka vendosur që figura e Nikola Teslës të jetë në monedhat e euros kur Kroacia së shpejti të hyjë në eurozonë dhe të ndërrojë valutën e saj, kunën me euron.
Por ka reaguar ashpër Serbia duke e quajtur këtë si “vjedhje të trashëgimisë serbe”. Beogradi ka paralajmëruar se do të ankohet edhe në BE. Por në BE pohojnë se i takon shtetit, i cili vendos se si do të jetë dizajni i monedhave të metalit në pjesën ku mund të përfshihen dhe simbole të atij vendi. Por thuhet dhe në rregulloren e BE-së se duhet pasur kujdes që ai dizajn të mos jetë “fyes”.
Rreth Nikola Teslës nuk ka pothuajse aspak dilema rreth origjinës së tij. Ai ka qenë një shtetas amerikan, i lindur, rritur dhe shkolluar në territorin e sotëm të Kroacisë dhe ka qenë i biri i prindërve ortodoksë serbë. Askush në Kroaci nuk e mohon se ai ka qenë me përkatësi fetare dhe etnike një serb ortodoks. E askush nuk mund ta mohojë se ka lindur në Kroaci, ka kryer aty shkollën dhe ka nisur punën para se të shkonte në Amerikë. Dhe zbulimet më të mëdha i ka bërë në Amerikë kur ishte bërë edhe shtetas amerikan.
Pra, askush nuk mund të pohojë se Tesla ishte “vetëm i tyre”, por askush nuk mund t’ua mohojë të tjerëve që të thirren në Teslan dhe ta konsiderojnë si një personalitet që meriton ta nderojnë edhe duke e vendosur figurën e tij në monedhë. Prandaj është edhe i logjikshëm pohimi i kryeministrit të Kroacisë, Andrej Plenkoviq, se ai, sikur të ishte kryetar i Bankës Kombëtare të Serbisë, do ta mirëpriste vendimin e Kroacisë që Nikola Teslan ta vendosin në monedhën e euros.
Pak më larg ka shkuar presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, duke thënë se, ndonëse ishte serb, Tesla kishte shumë pak lidhje me Serbinë. Madje tha se ai në Serbi ka kaluar “vetëm 35 orë të jetës së tij”.
Në këtë kontest nuk është problemi te Nikola Tesla dhe origjina e tij sa është tek rivaliteti mes dy shteteve dhe dy popujve. Problem do të ishte sikur Kroacia të refuzonte ta vendoste Teslën në euro me arsyetimin se “ai ishte serb”. Çfarë reagimi do të kishte në atë rast Serbia? Do ta merrte këtë si “dëshmi për urrejtjen ndaj serbëve” e kush e di se çka. Ose, si do të vepronte Serbia nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vendosin figurën e Teslës në dollar. Me siguri do ta quanin këtë si “njohje e madhe për një gjeni serb”.
Sa i përket BE-së, nuk ka dyshim se do të pranojë propozimin e Kroacisë. Sepse për Evropë sot nuk ka aq rëndësi profilizimi etnik.
Mospajtimet rreth përkatësisë së figurave të mëdha historike tashmë janë dëshmuar si pengesë e madhe në procese të rëndësishme në BE. Shembulli më i mirë, apo edhe më i dëmshëm, është ai i Republikës së Maqedonisë, sot Maqedonisë së Veriut. Për vite ky shtet, dikur lider në rajon në procesin e integrimeve evropiane, u bllokua nga Greqia për shkak se pretendonte se Aleksandri i Madh, i ati i tij Filipi, ishin paraardhës të tyre. Greqia pretendon se Maqedonia është krahinë e saj dhe ia mohonte Shkupit edhe përdorimin e emrit. Së fundi u gjet një kompromis dhe Greqia hoqi bllokadën e saj. Por më pas doli Bullgaria e cila e bllokon edhe sot Maqedoninë e Veriut në nisjen e negociatave të anëtarësimit në BE. Me këtë, në mënyrë indirekte bllokon edhe Shqipërinë dhe tërë procesin e zgjerimit të BE-së. Mes të tjerash, Sofja e bllokon Shkupin edhe për shkak të mospajtimeve rreth përkatësisë etnike të Goce Delqevit, për Shkupin hero maqedonas e për Sofjen, hero kombëtar bullgar.
Edhe Bullgaria do të hyjë një ditë në eurozonë. Nuk dihet nëse do të propozojë që në monedha të jetë ndonjë figurë e ndonjë personaliteti që e përvetësojnë edhe të tjerët. Apo ndoshta edhe Rumania del me idenë që në monedhë ta vendosë Nikola Teslën. Sepse edhe në Rumani ka shumë që thonë se “Tesla ishte pa dyshim rumun”, duke pohuar se ishte “vllah” apo “istriano – rumun” (një pakicë që jeton në pjesën kroate të Istrës).
Kush do ta propozojë, për shembull, Nënë Terezën që të jetë në monedhat e euros kur një ditë në eurozonë të hyjnë Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova. Shqiptare e lindur në Shkup me prejardhje nga Kosova. Apo edhe figura të tjera historike. Shpresojmë se askujt nuk do t’i shkojë në mendje që të propozojnë figura të errëta të historisë. E për njerëz të mëdhenj, siç ishte edhe Nikola Tesla, apo Nënë Tereza dhe shumë të tjerë, nuk mund të mohohet se i përkasin gjithë botës e as të mohohet prejardhja dhe vendlindja e tyre. Se ishin të një përkatësie etnike, u lindën dhe jetuan në vende të ndryshme folën dhe punuan në gjuhë të ndryshme, janë elemente që vetëm i bëjnë edhe më shumë të duhur që të jenë pjesë e simboleve të Bashkimit Evropian.