OpEd

Ngufatja e demokracisë amerikane?!

Po si e lejoi Amerika veten që demokracia e saj të shndërrohet si një demokraci e ndonjë vendi të rendit të tretë botëror? Unë do të thosha se vdekja e demokracisë nuk vjen nga një goditje e vetme e çekanit në kokë, e as nga një plumb i shkrepur nga ndonjë pistoletë, vdekja e një demokracie vjen duke e ngufatur atë, në mënyrë të ngadalshme dhe me hapa të vegjël, porse ngufatja si proces vazhdon. A nuk jemi familjarë me këtë dukuri ne shqiptarët se si është ngufatur demokracia në shtetet tona gjatë dy, respektivisht tri dekadave të fundit

Ashtu siç do të kishit imagjinuar edhe ju, sirtari im diplomatik u mbush përplot kabllograme të ndryshme diplomatike gjatë javës të cilën e lamë pas. Fitorja e projektuar e presidentit të zgjedhur Joe Biden, tashmë si konfirmim i projektuar i të gjitha mediave më me nam në Amerikë, si dhe nga ato botëroret. Deri më 1 dhjetor është afati që ato edhe të certifikohen nga shtetet veç e veç, si dhe rezultati i zgjedhjeve të tyre me numrin e të dërguarve të Kolegjit Elektoral që secili shtet i bart në vete.

Sipas një tradite të zgjedhjeve amerikane nga e kaluara, edhe pse nuk është obligim kushtetues, pas projektimit të saktë për zgjedhjen dhe fituesin e garave presidenciale, pretendenti i garës për president i cili i ka humbur ato e thërret garuesin tjetër duke ia uruar fitoren, si dhe mban një tubim dhe fjalim lamtumirës me shtabin e vet elektoral dhe me votuesit e vet, duke ia uruar fituesit fitoren, duke iu falënderuar të gjithë atyre të cilët e përkrahën gjatë kësaj gare, si dhe gjatë mandatit presidencial në Shtëpinë e Bardhë e kështu me radhë. Ka shumë të tilla nëpër YouTube. Ju mund t’i kërkoni si "Concession Speeches" dhe do të shihni se si janë zhvilluar ato më parë.

Mirëpo fëmija i llastuar në duragjak, Donald Trump është hidhëruar, i ka hedhur dhe vazhdon t’i hedhë të gjitha lodrat e veta nga duragjaku. Ai humbjen nuk po mund që ta honepsë. Në fakt, ai tashmë po sillet si një buall në dyqan të ornamenteve të kristalta, ngado që sillet vetëm shkakton thyerje të ndryshme e shumica nga to do të jenë vështirë të riparueshme.

Po si e lejoi Amerika veten që demokracia e saj të shndërrohet si një demokraci e ndonjë vendi të rendit të tretë botëror? Unë do të thosha se vdekja e demokracisë nuk vjen nga një goditje e vetme e çekanit në kokë, e as nga një plumb i shkrepur nga ndonjë pistoletë, vdekja e një demokracie vjen duke e ngufatur atë, në mënyrë të ngadalshme dhe me hapa të vegjël, porse ngufatja si proces vazhdon. A nuk jemi familjarë me këtë dukuri ne shqiptarët se si është ngufatur demokracia në shtetet tona gjatë dy, respektivisht tri dekadave të fundit.

Ajo që tash dallon është se Donald Trumpit i kanë ngelur edhe 70 ditë që të shkaktojë dëme si president i plotfuqishëm i SHBA-së dhe më 20 janar sa i përket presidencës së tij atë ditë gjithçka do të përfundojë, sepse atë ditë Joe Biden edhe zyrtarisht e jep betimin për postin e presidentit të SHBA-së dhe zyrtarisht shpallet dhe e merr atë detyrë. Mirëpo t’i kthehemi buallit në dyqanin e kristaleve. Çfarë është duke bërë ai? Së fundmi ai është duke e testuar rrethin e njerëzve lojalë përreth vetes, i ka aktivizuar të gjitha proceset ligjore që votimet të rinumërohen, të gjenden të gjitha "keqpërdorimet" dhe "vjedhjet e votave", sidomos të atyre të bëra me postë. Shih ironinë, ai dje u shpall fitues i projektuar në shtetin e Alaskës pikërisht nga votat me postë. Aty nuk paska pasur vjedhje e as keqpërdorime të votës.

Është për t’u çuditur nga sjellja e republikanëve të tjerë të cilët vazhdojnë që t'ia mbajnë anën Donald Trumpit me vendimet e tyre arbitrare dhe thjesht vetëm vërtetuese në autokracinë e tij e cila është shfaqur në të hapur, si dhe në servilitetin e tyre ndaj ngufatjes së demokracisë amerikane.

Prokurori i përgjithshëm i SHBA-së, William Barr, jep urdhër për të filluar hetimet mbi procesin e zgjedhjeve. Kjo do të irritojë një mori gjykatësish dhe prokurorësh të tjerë, disa prej të cilëve edhe do të japin dorëheqje nën trysninë e prokurorit të përgjithshëm, William Barr.

Në të njëjtën kohë presidenti i zgjedhur vazhdon parapërgatitjet e veta për qeverisjen me vendin. Ai edhe zëvendëspresidentja e tij, Kamala Harris, formuan trupën e task-forcës të përbërë nga 19 shkencëtarë të ndryshëm, të cilët do të merren ekskluzivisht vetëm me temën e COVID-19 dhe të pandemisë. Vetëm dje në Amerikë ishin shënuar 144.000 të infektuar brenda 24 orëve, e që është numri më i madh qysh se kjo pandemi e kaploi edhe kontinentin amerikan.

Në procedurat e parapara të cilat aplikohen për bartjen e kompetencave nga njëri president tek tjetri, ai do të duhej që qysh tash të kishte qasje edhe në raportimet ditore nga të gjitha shërbimet sekrete amerikane, në mënyrë që të mos krijohet asnjë lloj vakumi deri më datën 20 janar 2021, kur edhe zyrtarizohet pozita e presidentit të zgjedhur Biden. Mirëpo as këto raportime nuk po ndodhin me të gjitha obstruksionet të cilat Donald Trumpi dhe sejmenët e tij republikanë janë duke i ushtruar, duke mos i njohur rezultatet dhe fitoren e presidentit Joe Biden.

Zakonisht në raste të tilla kur ndodhin në vende të rendit të tretë botëror do të kishim prononcimin e ndonjë ambasadori amerikan të akredituar në atë vend, i cili do të njihte procesin zgjedhor dhe kandidatin fitues, përderisa asnjë pretendim për ndonjë vjedhje industriale nuk mund të argumentohet.

Po shih se si sillet bota, tash unë si ambasador i vetëshpallur i Kosovës në Facebook më duhet t’i bëj thirrje Qeverisë amerikane që t’i pranojë rezultatet zgjedhore dhe vullnetin e popullatës shumicë të shprehur nëpërmjet votës së tyre konform ligjeve zgjedhore të secilit shtet amerikan veç e veç. E di se ambasadorët amerikanë nëpër vende të ndryshme ku ata punojnë momentalisht mbajnë profil të ulët dhe luten që këto 70 ditët e mbetura të kalojnë sa më shpejt. Çfarë të bëjnë me urimet të cilat mund t’i marrin nga qeveritë e vendeve ku ata janë të akredituar?

Bualli në dyqanin e kristaleve është duke vëzhguar për secilin njeri jolojal ndaj tij dhe ambasadorët të cilët ai vetë i emëron dhe i shkarkon janë target i lehtë, shkarkimi momental pason me vetëm një cicërimë në Twitter.

A nuk ju tingëllon se Amerika është shndërruar në njëfarë lloj ndërmarrësie private?

Hiç më larg se dy ditë më parë Trumpi kishte filluar edhe spastrimet përbrenda Pentagonit. Duke i larguar njerëzit të cilët ai mendon se nuk janë nga radhët e njerëzve lojalë ndaj tij dhe duke emëruar njerëz qoftë edhe fare jokompetentë në pozita shumë delikate për sigurinë shtetërore amerikane.

Shtëpia e Bardhë “duke kërkuar emrat e atyre që duartrokitën zyrtarin e Pentagonit që po largohej” (një shkrim nga e përditshmja britanike ‘The Independent’)

Bill Kristol ka pohuar se ekziston një “atmosferë betimi i besnikërisë” brenda Pentagonit pas një raundi të paparë paszgjedhor të pushimeve nga puna dhe dorëheqjeve të njëpasnjëshme.

Shtëpia e Bardhë thuhet se ka kërkuar një listë të emrave të njerëzve që duartrokitën ndërsa një zyrtar i Pentagonit që largohej nga ndërtesa, pasi kishte dhënë dorëheqjen, ngase shefi i tij u pushua nga puna nga Donald Trump.

James Anderson, duke vepruar nën sekretarin e politikave të mbrojtjes, ishte një këshilltar kryesor i Mark Esper, sekretari i mbrojtjes i të cilin, z. Trump, e njoftoi përmes cicërimit të hënën se ishte "pushuar nga puna".

Z. Anderson, një ish-marins i cili ligjëroi në Kolegjin e Luftës së Korpusit të Marinës para se të bashkohej me Departamentin e Mbrojtjes, dha dorëheqjen të martën.

Bill Kristol, një republikan "Never Trump" dhe ish-redaktor i gazetës, i cili tani drejton organizatën e avokatisë ”Mbrojtja e Demokracisë së Bashku”, tha se kishte një atmosferë të "betimit për besnikëri" brenda Pentagonit.

Nga intervistat e bëra nga gazetarët në kushte anonimiteti me disa nga top ushtarakët e Pentagonit ata deklarojnë se ushtria assesi nuk do të bjerë pre e lojërave të presidentit aktual të SHBA-së, Donald Trump, dhe se ata nuk do të lejojnë asnjë lloj grusht shteti për mosdorëzimin e detyrës së presidentit pas certifikimeve zyrtare të rezultateve zgjedhore.

Në një konferencë për shtyp sekretari aktual i shtetit, Mike Pompeo, pasi pyetet nga gazetarët se a po bëhet ushtrimi i transicionit të qeverisjes tek presidenti i ri, ai përsëriti pretendimin se do të ketë "transicion paqësor në mandatin e dytë të Trumpit".

Të gjitha këto ngjarje dhe deklarime janë në shërbim direkt të ngufatjes së demokracisë amerikane.

U kërkoj falje lexueseve të Ditarit tim që kësaj radhe nuk u mora aspak me temat vendore dhe me shumë ngjarje vendore, mirëpo duke e ditur se ne jemi një projekt afatgjatë amerikan, si diplomat vlerësova që ngjarjet të cilat ndodhin atje do të jenë jetike edhe për ne në një të ardhme të afërt.

Unë e di që 70 ditët e mbetura të buallit në dyqanin e ornamenteve të kristalta do të shkaktojnë lëkundje të politikës amerikane dhe të rendit kushtetues të tyre, por në të njëjtën kohë e njoh shpirtin luftarak amerikan. Ai shpirt nuk do lejojë që rendi demokratik dhe Kushtetuta e atij vendi të shkelen për teke të askujt, qoftë ai person edhe presidenti aktual i Amerikës.