Duke pasur parasysh sofistikimin e forcave antidemokratike brenda dhe jashtë vendit, administrata e Bidenit duhet të lëvizë, si në mënyrë të njëanshme ashtu edhe përmes Kongresit, për të forcuar institucionet demokratike. Problemi nuk është mungesa e ideve. Organizata dhe studiues të shumtë në të gjithë spektrin politik kanë propozuar dhjetëra masa reformash. Por dritarja për të vepruar do të ngushtohet me nxehjen e ciklit zgjedhor të 2024-s
Zgjedhjet afatmesme të muajit të kaluar në Shtetet e Bashkuara ishin befasuese në më shumë se një mënyrë. Performanca papritur e fortë e demokratëve, jo vetëm që ka zhvendosur terrenin politik për dy vjetët e ardhshëm, por ka zbuluar se një numër i konsiderueshëm votuesish nga linjat partiake, shumë prej tyre të rinj, janë thellësisht të shqetësuar për fatin e demokracisë amerikane. Por askush nuk u ka ofruar këtyre votuesve agjendën e besueshme për përmirësimin dhe forcimin e vetëqeverisjes.
Mbështetja popullore për mbrojtjen e normave demokratike ishte veçse e dukshme në sondazhet parazgjedhore. Në një sondazh të “Pew Research Trust” të publikuar një javë para zgjedhjeve, 70 për qind e të anketuarve e renditën “të ardhmen e demokracisë në Shtetet e Bashkuara” si “shumë të rëndësishme” për ta, krahasuar me 79 për qind që përmendën ekonominë si shqetësimin kryesor. Në formë të ngjashme, sondazhi i NBC-së zbuloi se 68 për qind e votuesve e përshkruan demokracinë amerikane si “të kërcënuar”, në krahasim me “të sigurt”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoEdhe disa republikanë i japin përparësi demokracisë mbi pushtetin politik. Hulumtimet e fundit nga Laboratori i Kërkimit të Polarizimit – projekt i përbashkët i Kolegjit Dartmouth, Universitetit të Pensilvanisë dhe Universitetit të Stanfordit – tregon se mosrespektimi i normave demokratike brenda republikanëve është i kufizuar në fraksionin MAGA të Donald Trumpit. Pra, s’është për t’u habitur që shpallja e fushatës së rizgjedhjes së Trumpit nuk arriti të emociononte republikanët e establishmentit. Edhe “Fox News” mbuloi vetëm një pjesë të fushatës, ndërsa media konservatore “New York Post” ishte e zbehtë duke përdorur rreshtin “Burri nga Florida bën shpalljen” në ballinën e saj, teksa tekstin e kishte vendosur në faqen 26.
Shqetësimi për demokracinë amerikane është veçmas i përhapur në mesin e grupeve të reja. Një sondazh i Shkollës Kennedy të Harvardit nxori se, për votuesit e moshës 18-29 vjeç, vetëm ekonomia dhe të drejtat e abortit ishin çështje më të rëndësishme sesa “mbrojtja e demokracisë”. Këta votues ka të ngjarë të jenë thelbësorë për fitoret në senatet në Gjeorgji, Arizona dhe Pensilvani, si dhe fitoren e guvernatorit në Wisconsin. Çuditërisht, vetëm 5 për qind e të rinjve e përshkruan demokracinë amerikane si “të shëndetshme”.
Zelli demokratik i të rinjve amerikanë ka habitur disa vëzhgues. Një studim me ndikim i vitit 2017 nga Yascha Mounck dhe Roberto Foa sugjeroi se mbështetja për demokracinë po zbehej mes të rinjve në mbarë botën. A mund të ndodhë që pesë vjet të vëzhgimit të demokracive nën tendosje i ka bërë votuesit më të rinj të përshtaten më shumë me rreziqet?
Cilido qoftë shkaku i dividendit demokratik të mandatit të mesëm, kapitalizimi i tij nuk duket të jetë prioritet i lartë. Përpara zgjedhjeve, presidenti Joe Biden theksoi rëndësinë e “qëndrimit” për demokracinë. Ishte një bisedë e mirëfilltë, por nuk ofroi agjendë të qartë për zbutjen e rrezikut të rrëshqitjes demokratike.
Në dhjetor 2021, administrata e Bidenit publikoi një fletë faktesh që reklamonte një pako të politikave për të mbrojtur demokracinë e SHBA-së. Sigurisht, disa nga masat – nga rritja e qasjes me brez të gjerë e deri te “përkujtimi i shkollave” për detyrimin e tyre për të mësuar qytetarinë – do të ndihmonin në mbrojtjen afatgjatë të normave demokratike. Përshtypja e përgjithshme që lë lista e administratës, sidoqoftë, është se një praktikant i Shtëpisë së Bardhë, i stërmunduar, plaçkiti listat e detyrave të lëshuara nga institutet prodemokratike.
Por kërcënimi është shumë i madh për të bërë kaq pak punë. Ndërsa shumë adhurues të gënjeshtrës së madhe të Trumpit se zgjedhjet e vitit 2020 ishin “vjedhur” u mposhtën në zgjedhjet afatmesme dhe u mbyllën nga zyrat shtetërore ku mund të bënin më shumë dëm, demokracia amerikane mbetet në rrezik. Duke pasur parasysh se shumë mohues të zgjedhjeve fituan zgjedhjet shtetërore dhe federale dhe mbeten në Kongres, nuk ka asnjë arsye për të besuar se rreziku i dhunës politike është zvogëluar. As nuk mund të besojmë se humbësit e zgjedhjeve nuk do të përpiqen të përdorin gjykatat federale për t’i kthyer zgjedhjet në favor të tyre, siç bëri Trumpi më 2020.
Megjithatë, kur bëhet fjalë për përpjekje konkrete legjislative, janë avokatët e Gënjeshtrës së Madhe ata që kanë qenë më aktivë, duke shfrytëzuar në mënyrë cinike – nëse jo duke shpikur – shqetësimet rreth integritetit të zgjedhjeve për të nxitur ligje të reja për shtypjen e votuesve në 19 shtete. Në mënyrë të çoroditur, reformat ligjore më efektive të ekzekutuara në emër të mbrojtjes së demokracisë sot po kërkojnë në mënyrë aktive ta minojnë atë.
Duke pasur parasysh sofistikimin e forcave antidemokratike brenda dhe jashtë vendit, administrata e Bidenit duhet të lëvizë, si në mënyrë të njëanshme ashtu edhe përmes Kongresit, për të forcuar institucionet demokratike. Problemi nuk është mungesa e ideve. Organizata dhe studiues të shumtë në të gjithë spektrin politik kanë propozuar dhjetëra masa reformash. Por dritarja për të vepruar do të ngushtohet me nxehjen e ciklit zgjedhor të 2024-s.
Edhe pa kontrollin demokratik të Dhomës së Përfaqësuesve, administrata Biden mund të përdorë urdhra ekzekutivë për të forcuar qeverisjen demokratike. Mund të forcojë rregullat kundër komunikimit të Shtëpisë së Bardhë me Shërbimin e të Ardhurave të Brendshme për hetimet në pritje ose të mundshme, duke u mbështetur në rregullat që Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland ka nxjerrë tashmë për Departamentin e Drejtësisë në korrik 2021. Mund të forcojë gjithashtu statusin e inspektorëve të përgjithshëm brenda shtetit administrativ. Ai gjithashtu duhet të prezantojë rregullore të reja për të mbrojtur pavarësinë e prokurorëve specialë që hetojnë konfliktet e mundshme të interesit në Departamentin e Drejtësisë.
Është thelbësore të parandalohet përsëritja e përpjekjeve partizane të ish-Prokurorit të Përgjithshëm William Barr për të varrosur raportin e Prokurorit Special Robert Mueller mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të 2016-s. Sjellja e Barrit gjatë fazave përfundimtare të hetimit, nga vërejtjet e tij përfundimtare të parakohshme përpara publikimit të raportit deri te redaktimet e tepërta në versionin publik, i dha atij qortim nga gjykata federale.
Demokratët mund të përdorin gjithashtu seancën e Kongresit për të reformuar Aktin e Numërimit të Zgjedhjeve të vitit 1887, në përputhje me projektligjin e fundit të paraqitur nga senatorja republikane, Susan Collins. Në të njëjtën kohë, ata duhet gjithashtu të marrin në konsideratë legjislacionin e synuar që adreson një rast të argumentuar para Gjykatës së Lartë në fillim të këtij muaji që mund të destabilizojë rëndë zgjedhjet federale në SHBA.
Çështja, Moore kundër Harper, ka të bëjë me një teori më parë të skajshme që kushtetuta u jep “legjislaturës së pavarur të shtetit” autoritetin ekskluziv për të menaxhuar zgjedhjet federale. Nëse Gjykata vendos në favor të kësaj qasjeje, legjislaturat mund të shpërfillin kushtetutat e shtetit dhe ligjet e qarkut dhe potencialisht të anashkalojnë votën popullore. Kongresi duhet të përdorë fuqinë e tij të gjerë sipas nenit e parë të Kushtetutës për të siguruar integritetin e zgjedhjeve. Projektligji i ngecur i demokratëve për të drejtat e votës në vitin 2019, HR1 (i njohur gjithashtu si Akti Për Popullin), duhet gjithashtu të minohet për dispozita që mund të fitojnë ende mbështetjen dypartiake.
Shumë vende të tjera kanë gjetur rrugën e tyre për t’u rikthyer nga shkatërrimi demokratik. Zgjedhjet afatmesme në SHBA treguan se shumica e amerikanëve favorizojnë forcimin e institucioneve qytetare. Por demokratët – dhe republikanët me mendje demokratike – duhet të veprojnë tani. Duke pasur parasysh popullaritetin e provuar të masave të tilla, çfarë pret administrata e Bidenit?
Aziz Huq, profesor i juridikut në Universitetin e Chicagos, është autor i “The Collapse of Constitutional Remedies” (Oxford University Press, 2021). Tom Ginsburg, profesor i së drejtës ndërkombëtare dhe profesor i Shkencave Politike në Universitetin e Chicagos, është profesor kërkimor në Fondacionin Amerikan të Avokatëve. Vështrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”. Përktheu: Gent Mehmeti