OpEd

Nga kuzhina e Davosit: Mbi ballkanasit në Alpet e Zvicrës

Djathi i shkrirë dhe i ngrirë i Zvicrës në fulteren e autokratit nga Beogradi, “Bordi i Paqes”, bufeja e Davosit dhe si e izoluan Kanadanë superfuqitë botërore nga Ballkani: Kosova e Shqipëria

1.

Presidenti i Serbisë u kujdes, në stilin e tij mbase pavullnetshëm qesharak, për dëfrimin e miletit serbian nga Subotica në Vladiçin Han. Kësaj radhe këtë nuk e bëri nga studiot e televizioneve të tij të preferuara në Beograd, por nga Davosi. Në një postim në profilin e tij në Instagram ai tregoi se ka shijuar një specialitet zviceran.

Specialiteti quhet raklet (Raclette). Djathi hidhet në një minifultere dhe vendoset mbi zjarr derisa të fillojë të shkrihet. Mandej, valë i nxehtë, djathi hidhet mbi patate. Rreth e rrotull vendosen kastravecë turshi, koka të vogla qepësh dhe zarzavate të tjera (sipas dëshirës).

Presidenti i Serbisë me gjasë i tha ndonjë hyzmeqari burokratik ta incizojë me kamerë telefoni, ndërsa po demonstronte si hahet rakleti i famshëm zviceran. Me atë rast ai, me sa duket, kishte harruar djathin, i cili tashmë kishte filluar të forcohej në fultere. U përpoq ta hidhte djathin mbi patate, por nuk ia doli. Ose ia doli vetëm pjesërisht. Nuk ka gajle, tha ai, pjesën tjetër do ta hajë Sinisha. E kishte fjalën për ministrin e tij të Financave. Ky është fati i shërbëtorit: poshtërohet para kamerave nga shefi pa manire. Presidenti serb nuk është i vetmi me këso sjelljesh. Ka në Ballkan politikanë e politikane të tjerë që besojnë se janë të pushtetshëm dhe pushtetin e tyre e demonstrojnë ndaj vartësve: me gjuhë toksike, me terror psikologjik, me kërkesa absurde, me budallallëqe infantile. Kërkesa për të hëngër copën e mbetur të djathit në Davos ka, së paku, edhe një ngjyresë humoristike.

2.

Skena tjetër: prapë një shërbëtor incizon ndërsa presidenti i Serbisë tregon dhomën në të cilën qëndronte në Klosters afër Davosit. Mobiliet, thotë ai, janë të stilit të IKEA-s. Dru i thjeshtë. Shtrati pak i shkurtër. Sepse, dihet, presidenti është i gjatë. Jo i madh. I gjatë. Në ballkon vazhdon shpjegimin për popullin serbian i pari i shtetit, në ballkon të hotelit temperatura është minus pesë gradë. Ç’befasi! Në bjeshkë e Alpe temperatura është e ulët. Këtu s’bën dallim as Davosi.

3.

Në Davos presidenti i SHBA-së organizoi një ceremoni për themelimin e të ashtuquajturit “Bordi i Paqes”. Fillimisht ideja ishte që bordi të merrej me të ardhmen e Gazës së shkatërruar. Në statutin e bordit, Gaza nuk përmendet fare. “Bordi i Paqes” tani është një klub i Trumpit, ku ai e ka zgjedhur veten me mandat të përjetshëm. Do të jetë në krye të bordit edhe pasi t’i përfundojë mandati si president. Si në një emision televiziv, Trump vendos kush mund të jetë anëtar i bordit, kush jo. Po ashtu ai mund të përjashtojë anëtarët që atij i duken josimpatikë. Ky është këshilli personal i sigurimit i Donald Trumpit. Prej 193 shteteve anëtare të OKB-së, vetëm rreth 35 pranuan të jenë pjesë e klubit. Edhe më pak, sall 19, ngarendën në Davos për të hedhur nënshkrimin, mes tyre edhe kryetarja e Kosovës, por jo kryeministri i Shqipërisë, i cili i iku kësaj skene edhe për të evituar keqkuptimet me miqtë e tij në BE, prej të cilëve pret ta pranojnë Tiranën në BE deri në vitin 2030. Kushedi, mund të shfaqet një ditë kryeministri i Shqipërisë në Shtëpinë e Bardhë për të nënshkruar dokumentin e bordit.
Kuzhina e Davosit është e madhe: Kur zëdhënësja e Trumpit, Karoline Leavitt, njoftoi solemnisht se nëpërmjet nënshkrimit të dokumentit të “Bordit të Paqes” është krijuar një organizatë zyrtare ndërkombëtare, nga salla u dëgjuan thirrje: “Jo!”. Siç shkroi gazeta zvicerane “Tages Anzeiger”: “Ndërsa nënshkruesit e dokumentit largohen nga salla nën duartrokitjet e mëdha të ithtarëve të tyre, vizitorët e Forumit Ekonomik Botëror mbajnë radhën te bufeja. Uria është më e madhe se oreksi për shfaqjen e Trumpit”.

4.

Komedia tashmë ka filluar. Për shembull: Kosova (dhe Shqipëria) bashkë me Trumpin nuk e pranuan Kanadanë në “Bordin e Paqes”. Si është e mundur kjo? Ja disa detaje nga kjo komedi. Ndërsa Evropa fle, Donald Trump kujdeset që, kur njerëzit në kontinentin e vjetër të zgjohen nga gjumi, të kenë çfarë të lexojnë. Pas kthimit nga Davosi, ku mbajti një seri fjalimesh vetëlavdëruese, Trump goditi të premten që shkoi Kanadanë, shtet fqinj, miqësor, partneri i dytë ekonomik i SHBA-së. E njoftoi kryeministrin e Kanadasë, Mark Carney, se “Bordi i Paqes” dhe shefi i tij i përjetshëm (!) Donald Trump kanë tërhequr ftesën që Kanadaja të bëhet pjesë e "Bordit të Paqes". Trump informoi rreth kësaj nëpërmjet një postimi të shkurtër në platformën e tij online, Truth Social, pa dhënë një arsye specifike. Interesant është se Trump foli në emër të “Bordit të Paqes”, pra në emër të shteteve që i janë bashkuar shout të tij. Ai tha se bordi po e tërheq ftesën. Kjo i bie se edhe Kosova e Shqipëria, si pjesë e bordit, natyrisht pa i pyetur askush, nuk e pranojnë Kanadanë në “Bordin e Paqes”.
Këso komedish do të përjetojmë pandërprerë në vitet e ardhshme. Së paku deri në shkurt të vitit 2029. Atëherë skadon afati i anëtarësimit pa para në klubin e Trumpit. Aty e tutje kush ka qejf të vazhdojë shoqërimin me presidentin e pensionuar amerikan, duhet të paguajë 1 miliard dollarë anëtarësim. Atëherë Kosova e Shqipëria do tërhiqen në mënyrë diskrete dhe s’përjashtohet mundësia që të shpotiten nga Trumpi në media (a)sociale. Deri atëherë do të dëgjojmë përralla shqiptare për “liderin e botës së lirë”, i cili ia tregon gishtin e mesëm Kanadasë dhe i duartroket një demokrati të pastër si loti si puna e diktatorit të Azerbajxhanit. Një rezolutë e OKB-së i jep mandat “Bordit të Paqes” deri në fund të vitit 2027, por aty bëhet fjalë për bordin që merret me Gazën, jo për një bord për punë globale, siç e devijoi Trumpi. Deri më tani asnjë shtet nuk ka premtuar asnjë ushtar për të qenë pjesë e trupës ndërkombëtare të stabilizimit, e cila do të kujdeset për sigurinë në Gazë. (PS. Ndonëse nuk përmend arsye, Donald Trump duket i mllefosur me një fjalim të kryeministrit të Kanadasë në Davos).

5.

Nuk ka qenë çdo gjë mirë në të kaluarën, por disa gjëra po, siç tregojnë këto fjalë të presidentit amerikan John F. Kennedy, thënë në parlamentin kanadez më 17 maj 1961: “Gjeografia na bëri fqinjë. Historia na bëri miq. Ekonomia na bëri partnerë. Dhe nevoja na bëri aleatë. Ata që natyra i ka bashkuar kështu, asnjë njeri mos t’i ndajë.”

6.

Është e kuptueshme që kur vjen një ftesë a një kërkesë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e veçanërisht nga Shtëpia e Bardhë, Kosova e ka shumë të vështirë të thotë jo. Zor të thuhet jo edhe kur ftesa ka të bëjë me nisma apo klube personale të presidentit aktual amerikan ku NUK marrin pjesë gati 160 shtete të botës, mes tyre edhe shtete mike si Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia, Suedia, Norvegjia, Zvicra, Austria… Është një dilemë e madhe dhe arsyen e dimë të gjithë: roli historik i SHBA-së në çlirimin e Kosovës. Deri këtu jemi në rregull.

Problemet fillojnë kur opinioni bombardohet paturpësisht me kopalla, rrena e propagandë.

Po thuhet, për shembull, se në të ashtuquajturin “Bord i Paqes” të Donald Trumpit, nuk kanë të drejtë vetoje Rusia dhe Kina. E vërteta është: as Rusia, as Kina nuk janë anëtare të kësaj trupe (së paku deri tani). Pse kjo rrenë?

Hyrja e Kosovës në këtë organ apo klub po krahasohet pa pikë turpi me shpalljen e pavarësisë (2008) dhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi vlefshmërinë e deklaratës për shpalljen e pavarësisë së Kosovës (2010).

Këto krahasime janë të paqëndrueshme. Edhe më keq: janë mashtrim i opinionit. Nuk ka nevojë për rrena, nga asnjë zyrë shteti, as nga ndonjë vartëse në zyrën e kryetares së vendit.

Duhet vetëm sinqeritet në komunikim me opinionin, i cili nuk është naiv. Përndryshe kjo seri rrenash i ngjan një personazhi të romanit “Mali magjik” të Thomas Mannit, i cili thotë: “E di që po flas marrëzi, por po vazhdoj të llomotit…”.

Aktualisht nuk dimë pothuaj asgjë lidhur me rrethanat dhe kushtet e hyrjes së Kosovës në këtë klub. Cilat janë obligimet? A pati koordinim ndërinstitucional dhe ndërpartiak? Cilat janë përfitimet? A do të jetë Kosova pjesë e këtij klubi edhe pas tre vjetësh kur shpikësi i bordit kërkon 1 miliard dollarë si taksë anëtarësimi? A duhet të pyetet parlamenti për këtë anëtarësim? A duhet të votohet ky anëtarësim në parlament? Kur do të votohet? Pse Shqipëria i iku ceremonisë? Nëse sundimtari i saj ishte i zënë duke bredhur nëpër ngastra të Zvërnecit, pse nuk u dërgua presidenti i Shqipërisë në Davos? Apo ministrja e Jashtme? Apo ndonjë ambasador?

Poshtërsia më e madhe që mund të bëhet ndaj qytetarëve në Kosovë është mashtrimi e propaganda për interesa të ulëta personale e egoiste. Politika e brendshme nuk duhet të shndërrohet në politikë të jashtme. Modelet e rrenave nga e kaluara nuk duhet të përsëriten. As tentimet qesharake për të përdorur topuze morale. As analizat e nivelit të kafehaneve mbi rendin e ri botëror që tani Kosova po e ndërtuaka bashkë me shefin e ri dhe të përjetshëm të “Bordit të Paqes”. I ngjan asaj barsoletës kur elefanti e miu kalonin një urë dhe miu i thoshte elefantit: “E sheh si po e dridhim urën?”