OpEd

Nga Ditari i një Ambasadori

Qëndrimet e mia Diplomatike janë të njohura gjithandej nëpër rrjetet sociale nga ata që më përcjellin, por jo gjithkush i shfrytëzon rrjetet sociale. Duke dashur që punën time Diplomatike dhe përfaqësimin e denjë që ia bëj atdheut ta përcjell edhe tek ata që nuk i shfrytëzojnë rrjetet sociale, propozimit të Flakës që qëndrimet e mia Diplomatike t'i shprehja në “Koha Ditore” iu përgjigja pozitivisht dhe pa hezitim

Me siguri se tash jeni duke e pyetur veten se kush na qenka tash ky dhe nga na doli tash ky? Në mënyrë që kërshërinë tuaj ta shuaj që në fillim, më lejoni qe t’iu prezantohem. Jo unë nuk jam gazetar, nuk jam as opinionist, nuk jam as analist e as ekspert i ndonjë fushe.

Unë jam Shkëlqesia e tij, Asdren Rrahmani, Ambasador i vetëshpallur i Republikës së Kosovës në Facebook, Instagram dhe Twitter. Vetëshpallja ka qenë në mënyrë demokratike, sepse “i pari kom thonë”. Ndoshta edhe nuk do të isha i pari ta kem thënë atë sikur të mos isha ndër të parët në këto troje që u inkuadrova në këto rrjete sociale, e meqë “e xonun UÇK” s’do të kishte kurrfarë efekti në botën virtuale, mendova se titulli permanent Diplomatik do ta kishte peshën e vet.

Qëndrimet e mia Diplomatike janë të njohura gjithandej nëpër rrjetet sociale nga ata që më përcjellin, por jo gjithkush i shfrytëzon rrjetet sociale. Ka edhe nga ata të cilët e shfrytëzojnë internetin që vetëm të hyjnë në web faqet e gazetave që të lexojnë lajmet nga vendi dhe bota, apo edhe ata klasikët nostalgjikë, të cilët pa e ndier aromën e letrës së gazetës duke e pirë kafenë e mëngjesit, nuk e llogarisin të kenë lexuar lajm. Respekt për ta.

Duke dashur që punën time Diplomatike dhe përfaqësimin e denjë që ia bëj atdheut ta përcjell edhe tek ata, propozimit të Flakës që qëndrimet e mia Diplomatike t'i shprehja në “Koha Ditore” iu përgjigja pozitivisht dhe pa hezitim.

Duke mos humbur kohë më shumë dhe pasi që e përfundova këtë prezantimin tim prej Diplomati, ashtu siç e kërkon Protokolli, më tutje vazhdoj me Ditarin tim.

E shtunë, 21.7.2018

MPJ: Pacollit i ndalohet hyrja në Serbi – nuk respektohet marrëveshja e Brukselit

Me të lexuar këtë lajm dhe këtë Notë Proteste që Qeveria e Kosovës ia kishte bërë asaj të Serbisë për hir të korrektësisë Diplomatike më duhet t’ia rikujtoj qytetarit të Kosovës që ministri ynë i Punëve të Jashtme apo zëvendëskryeministri z. Pacolli ditë më parë kishte shkaktu “skandal Diplomatik” kur e kishte kthyer me ruçne edhe e kishte shllajfitë aeroplanin e vet mbi qiellin e Serbisë me plot “terrorista” brenda në aeroplan e që Serbia ende i ka në kërkim dhe fletarreste. Moslejimi i hyrjes së Pacollit në Pazarin e Ri ndërlidhet me atë “skandal Diplomatik” apo “trimëri Diplomatike” varësisht nga këndi i vrojtimit.

Këshilla e Krasniqit për Thaçin: “Gomari nuk hyn dy herë në një batak”

Baci Kupë e ka plotësisht të drejtë me këtë thënien e Pellazgëve të vjetër vetëm se Baci Kupë sikur ka harru se gjarpni për dallim nga gomari është pakurrizor edhe hyn dy herë e më shumë në një batak se ka gajle atë punë. Ndjeva keqardhje për fyerjen që iu bë gomarit.

KEDS-i për një cent ia shkyç rrymën qytetarit

Këto kompanitë principiele në punë i çmoj shumë. Nëse s'kanë t'ima me të kthy kusur t'i zëvendësojnë me ndonjë krembanane apo sakëz. KEDS-i ia paska ndërprerë qytetarit rrymën për një cent borxh. Epo ja që shteti ndryshe nuk ndërtohet, ka një cent e ka një cent bahen 53 milionë euro e borxhi duhet me u pagu.

Konjufca: Molliqaj është teveqel, ka marrë rolin e relativizmit të opozitës

Lexova këtë lajm dhe u shtangova për një lajthitje aq të madhe dhe një deklaratë politikisht jokorrekte. Të vetmit TV çela që i di janë Blendi Fevziu, Mustafa Nano, Naim Abazi dhe ca të tjerë që ende mbahen për një fije floku.

E diel, 22.7.2018

Të jesh Ambasador dhe në krye të detyrës, dita e diel nuk është ditë pushimi, ngjarjet, lajmet nuk ndalen. Kafenë e mëngjesit e piva këtu afër ku jetoj dhe që është Londra qendrore. Pas një përshëndetjeje të rregullt me pronarin e lokalit si dhe bisedës së domosdoshme për motin që duhet bërë me një anglez unë ulem dhe zë vendin tim të preferuar. Filloj t'i shfletoj lajmet e zakonshme ditore i rrethuar nga një klimë e jashtëzakonshme tropikale angleze.

Dëgjova zërin e pronarit të lokalit jo larg prapa kokës sime “a beson në OPF-të (Objektet e Paidentifikuara Fluturuese ose si ju themi ne në shqip UFO-t) dhe se ka inteligjencë tjetër përveç nesh? Se ç'më zu ky taksirat mua tani? Në Ipadin tim kisha një lajm që kishte të bënte pikërisht me këtë temë. Tani më duhej që nga temat Diplomatike përtoke, përnjëherë të merresha me Exopolitikë dhe të ktheja përgjigje në pyetjen e bërë.

Duke e marrë parasysh se Universi përbëhet nga pa numër galaksish e që në përbërje të tyre kanë pa numër yje te rrethuar me pa numër planete do të ishte tepër absurde ta mendonim veten si të vetmet qenie inteligjente në këtë hapësirë Universi edhe pse personalisht ende e kam problem me atë se kush na kategorizoi neve si qenie inteligjente?

Po pse nuk shfaqen ato ashtu publikisht përderisa e marrin gjithë këtë mund që të vijnë të na vizitojnë në ketë Planet? Pse nuk zbarkojnë në oborrin e Parlamentit Britanik apo ne oborrin e BBC-së dhe t’i vënë kapak kësaj pune njëherë e përgjithmonë?

Epo thash këtu mund ta kesh edhe përgjigjen në pyetjen tënde Tom. E marrin gjithë atë mund që vijnë deri këtu për të takuar specie që ende janë ne gjendje ta zhdukin sojin e vet në luftërat se shoku imagjinar i kujt është më i forti në botë, jeta për të gjitha krijesat në Planet është pa pagesë, ndërsa anëtarët e specieve më inteligjente paguajnë për çdo gjë dhe vrasin në emër të parasë gjithashtu. Me të vërtetë mendon se do të shfaqeshe ashtu publikisht ndërmjet specieve qe e quajnë veten inteligjente, por sillen ndaj këtij Planeti si dhunuesit më të këqij të mundshëm? E dyshoj Tom, e dyshoj. Pikërisht e shpërfaqin inteligjencën e tyre duke mos dashur që së paku publikisht të zbarkonin në aso mënyre spektakolare, e çfarë misioni tjetër mund të kemi në të vërtetë aty unë edhe ti Tom mund të spekulojmë për gjithë kohën e mbetur të jetës qe e kemi.

E hënë, 23.7.2018

Dhjetë ditë pasi bën thirrje për kujdes në trafik, presidenti vetaksidentohet

Është e rënde të lexohet një titull i këtillë si kryelajm e sidomos kur je duke jetuar në ishullin në të cilin ende mbizotërojnë shumë besëtytni. “Është fat i mirë po ta kalojë macja e zezë rrugën”, “nuk sjell fat të mirë ta hapësh ombrellën në ambiente të mbyllura”, “gjërat e këqija vijnë në treshe” ... dhe këtu menjëherë m'u kujtua presidenti Thaçi dhe hera e tij e dytë që i shmanget më të keqes dhe atë në javën e parë që unë vendosa të shkruaja ditar. Ptu, ptu, ptu, jo unë nuk ia dëshiroj atë të keqe. Apo ndoshta e keqja e tretë ishin shkrimet e fqinjëve tanë veriorë se si popullata e Kosovës si duket e xhelozon stilin e jetesës së djalit të tij dhe fytyrën e tij e ka vendosur nëpër Billborde. “Plasni o dushmana veriorë”, ne nuk e xhelozojmë birin tonë të parë, edhe ne do e dëshironim secili atë life-style, por kushtet nuk po na e lejojnë!

E martë, 24.7.2018

“Galeria e ahurit” dhe protesta kundër artistit “që përdori 8 lopë për përfitim”

Në kabllogramin tim diplomatik arriti ky njoftim dhe sa ora ma ngriti Asdrenalinën. Mos të keqkuptohemi jam për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve, mirëpo asgjë nuk po më bind se atyre lopëve tek galeria u janë cenuar ato.

Mua më brengos qasja e Qeverisë, institucioneve publike për trajtimin e njeriut në Kosovë. Ka arsye për protesta edhe tri herë në ditë. Shikojeni trajtimin e njerëzve/pacientëve në QKUK qe 18 vjet, dhe nëse edhe atëherë nuk e keni të qartë mendoj se ju jetoni në një botë paralele tjetër. Përndryshe edhe unë kam një pakënaqësi me artistin Sislej Xhafa dhe do ta organizoja një “Task Force” për protestë. Pse nuk e vendosi ahurin me lopët para ndërtesës së Qeverisë, por aty tek Galeria e Arteve? Përndryshe shuma e ndarë nga Ministria e Kulturës për këtë instahajnacion po që do të duhej të diskutohej në publik. Çmimi i një lope kualitative zvicerane është 3,500 Fr. Mund t’i bëni vet përllogaritë se si do të mundë të realizohej edhe ndryshe ky projekt dhe në fund lopët t'u faleshin disa familjeve fshatare në nevojë. Ministria e realizoi një “çnukje” në emër të artit e shpirtit të shenjtë. Amin.

Mitropoliti fajëson “ateistin” Tspiras për tragjedinë

Njeriu ndien keqardhje për vuajtjet dhe humbjet e jetëve të njerëzve me rastin e flakëve të cilat e kanë kapluar një pjesë të Athinës. Por edhe këto klithjet e Mitropolitit nuk kanë për të ndikuar që situata të përmirësohet. E tija mbetet që të vazhdojë t'i lutet Zotit të vet që t'i kursejë bijtë e vet në Tokë ose edhe po deshi mund që t’ia bëja ca pyetje atij pse e lejoi një tragjedi të tillë të ndodhte dhe qytetarët e pafajshëm, si dhe fëmijët të pësonin.

* * *

Të nderuar bashkatdhetarë, bashkëqytetarë, bashkëkombës, bashkëvirtualë dhe bashkëlexues Ditari im për këtë javë këtu mbaron. Nëse do ta shprehni dëshirën që të vazhdoj me publikimin e tij, atëherë mos i kurseni SHARE-t në Facebook, ta bindim Mark Sheqerbegun se ne “Dimë, mundemi dhe ia dalim”. Ju që e lexoni gazetën mos hezitoni që ta blini “Kohën Ditore” dhe ta bindim Flaka Surroin se Ambasadori ynë në Facebook bën punë të shkëlqyer prej Diplomati.

Deri në leximin e sërishëm, mirë mbetshi!

*Qëndrimet dhe mendimet e kabllogrameve diplomatike të Blla blla blla nuk paraqesin edhe qëndrimet e “Kohës Ditore”