Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Arifi: Mosemërimi i ambasadorëve të rinj shkon përtej skandalit

Dritëro Arifi, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka thënë se shkarkimi dhe mosemërimi i ambasadorëve të rinj në disa prej shteteve më të fuqishme në botë nga qeveria Kurti, është bërë me qëllim të keq, në mënyrë që të dëmtohet, siç ka thwnw, imazhi i shtetit të Kosovës.

Arifi ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së se kjo tregon për joharmonizim të politikës së brendshme me politikën e jashtme dhe për mosmarrëveshje mes partnerëve të koalicionit se kush duhet të emërohet ambasador.

“Kjo është si me qëllim të keq për të dëmtuar imazhin e shtetit të Kosovës. Mendoj që është edhe mospërvoja por jo mosdija sepse në shërbimin civil të MPJ-së ka njerëz të përgatitur që i dinë rregullat, por më duket se ka edhe mosmarrëveshje mes partnerëve të koalicionit se kush duhet të shkojë ambasador. Tërheqja e ambasadorit dhe mosemërimi i tij, tregon një neglizhencë skajshmërisht, dhe një lloj joharmonizimi i politikës së brendshme me politikën e jashtme dhe kjo tregon se Kosova nuk është pjekur ende si shtet”, ka thënë Arifi.

Sipas tij, shkarkimi i ambasadorëve të Kosovës është bërë me shpejtësinë e dritës, ndërkaq emërimi i ambasadorëve të rinj po bëhet me hapa të breshkës.

“Mazhoranca po tregohet e padijshme dhe qesharake. Kur e kanë bërë shkarkimin e kanë bërë me shpejtësi të dritës, pa analiza, por emërimi i tyre po bëhet me hapa të breshkës. Duhet të ketë gjithmonë një marrëveshje kur është çështje e politikës së jashtme, por këtu nuk ka koordinim për asnjë çështje. Nuk e kam menduar që një qeveri e re të vijë në këtë gjendje”, është shprehur Arifi.

“Rekomandimi i SHBA-së për zgjatjen e moratoriumit, joserioz e i çuditshëm”

Edhe Kurti: Përpjekjet e Serbisë për minim të sovranitetit të Kosovës, kërcënim serioz Arbëri Kurti: Përpjekjet e Serbisë për minim të sovranitetit të Kosovës, kërcënim serioz

Dritëro Arifi, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare, e ka konsideruar të çuditshëm dhe joserioz rekomandimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zgjatje të moratoriumit të nënshkruar më 4 shtator të vitit të shkuar në Washington nga Kosova dhe Serbia, me të cilin Kosovës i ndalohej aplikimi për anëtarësim në organizata ndërkombëtare e Serbisë fushata e çnjohjeve të Kosovës.

Sipas tij, rekomandimi ka qenë i çuditshëm “nga aspekti protokollar sepse t’u dërgohet mediave një njoftim i tillë më është dukur joserioz”.

Arifi e ka cilësuar marrëveshje të mirë për Kosovën pikën që ia ndalte Serbisë fushatën për çnjohje. Ai ka thënë se kjo ka qenë politikë e mençur sepse “disi është dashur t’i ndalej hovi Serbisë, pasi që Kosova s’mundej”.

Ai ka rekomanduar që Qeveria nuk duhet të deklarohet për propozimin e SHBA-së pa biseduar zyrtarisht me këtë shtet.

Për anëtarësime të suksesshme pas moratoriumit, Arifi ka thënë se Kosova duhet të bashkëpunojë më së afërmi me SHBA-në e të kryejë lobimin kryesor nëpërmjet shteteve mike.

Anëtarësimin në NATO e ka quajtur si cak kryesor që duhet ta ketë Kosova.

Sa i përket dialogut me Serbinë, Arifi ka thënë se problemi kryesor është te ndërmjetësuesi, Bashkimi Evropian, që nuk e njeh Kosovën.

Edhe Shteti me “sponsor”, por pa ambasador: Ironia strategjike e Kosovës OpEd Shteti me “sponsor”, por pa ambasador: Ironia strategjike e Kosovës

Ai ka thënë se çdo zgjatje apo devijim i dialogut mund të çojë në konflikte, teksa ka shtuar se nuk pret asgjë të madhe as nga takimi i paralajmëruar mes liderëve të Kosovës e Serbisë në shtator.

“BE-ja s’i ka mekanizmat e imponimit. Duhet të ketë afat kohor. Derisa s’kemi, do ta kemi problem ta rrumbullakojmë dialogun”, është shprehur ai.