Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Arifi: Njohja de facto e Kosovës nga Serbia nuk e zgjidh problemin

Profesori universitar, Dritëro Arifi, thotë se duke marrë parasysh sjelljet e Serbisë karshi Kosovës, atëherë një njohje de facto e Kosovës nga ana e Serbisë nuk do t’i zgjidhte problemet.

Arifi për “Ekonomia Online” ka thënë se bashkësia ndërkombëtare s’po e ka guximin që t’i kërkojë Serbisë njohje de jure.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës në Kosovë e Serbi pak ditë më parë, kërkoi njohje de facto të Kosovës nga ana e Serbisë.

“Me vendet si Serbia është problematike edhe njohja ligjore, vetëm njohja de facto nuk e zgjidh problemin. Bindja ime është që perëndimi nuk po e ka guximin me shkuar të ajo njohja e obligueshme ligjore, kjo do të ishte vetë perëndimi që ka kërkuar në fillim. Sidomos letrat e dy presidentëve amerikanë që thoshin se do të ishte njohja ligjërisht e obliguar që i bie njohje de jure, pra nga de facto në de jure. Sepse vetëm ajo në një farë forme e qetëson rajonin dhe mund ta ndryshojë mentalitetin ne Serbi, sepse garancione nuk ka asnjëherë. Njohja de facto është vetëm zgjatje e problemit”, tha Arifi.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe profesori universitar Avni Mazreku, ka thënë se njohja de facto është kur shteti heziton ta njoh de jure një shtet tjetër, por merr një qëndrim konstruktiv në raport me atë shtet.

Edhe Surroi: Njohja e Kosovës nga Serbia nuk është çështje mbi të gjitha çështjet Arbëri Surroi: Njohja e Kosovës nga Serbia nuk është çështje mbi të gjitha çështjet

Mazreku shtoi se qëllimi kryesor i njohjes de facto nënkupton sjelljen konstruktive të shtetit në raport me sovranitetin e shteti tjetër.

“Në terma të tjerë shteti sillet në atë formë që nuk krijon obstruksione në raport me sovranitetin e shtetit respektiv. Ky është qëllimi kryesor, njohja de facto nënkupton sjelljen konstruktive të shtetit në raport me sovranitetin e shtetit respektiv. Në këtë rast për shembull Serbia në organizata ndërkombëtare nuk do ta përdorë kurrë votën kundër për anëtarësimin e Kosovës në ato organizata ndërkombëtare. Sot sovraniteti i shteteve artikulohet në raport me rolin e shteteve në organizata ndërkombëtare dhe dihet që Serbia që nga viti 2008 deri më tani ka investuar shumë në obstruksionet e ndryshme për me penguar Kosovën në anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare. E dyta funksionimi i institucioneve paralele përkatësisht institucioneve të shtetit serb brenda territorit të Kosovës ato automatikisht do të duhej të shuheshin, për shkakun se ato janë instrument i sponsorizuar, i financuar nga shteti për të krijuar obstruksione në raport me sovranitetin e shteti të Kosovës. Njohja e pikave, përkatësisht e vijës kufitare të Kosovës nuk do të kualifikohej si njohje, si vij administrative dhe në zhargonin politik, diplomatik të Serbisë”, tha Mazreku.