OpEd

Nëpër autobahna me miliona

Rruga e njohur Prishtinë-Morinë, sipas praktikës folklorike, është pagëzuar me emrin e presidentit Ibrahim Rugova. Kjo, pjesë e strategjisë së pushtetit për ta paketuar një vepër me elemente korruptuese me emra figurash politike e historike, po aq edhe për ta neutralizuar shumën marramendëse të harxhuar për të. “Jeni duke lëvizur në autostradën ‘Ibrahim Rugova’”. Kjo e dhënë do t`iu shfaqet në ekranet e navigatorëve. Të dhënë pas simbolikave, gjithsesi që shumë njerëz do të ndihen mirë vetëm me përmendjen e Rugovës, siç do të ndodhë njësoj edhe kur lëvizin nëpër autostradën me emrin “Arbën Xhaferi”, për të cilën janë shpenzuar më se 650 milionë euro.

Do ta fishkëllejnë refrenin “Me jarana nëpër autobana”, ngase të dhënat e deritashme flasin se trasetë e këtyre autostradave nuk shkuan andej nga ishte më lehtë e më lirë, por andej nga qëlluan jaranat për ta kuptimësuar edhe më refrenin e këngës

Rrëfimet e kosovarëve nga diaspora shpesh janë tipizuar me apostrofimin e autobahn-eve, si shenjë e zhvillimit të shtetit prej nga vijnë ata. Aq është ngulitur termi autobahn në zhargonin e diasporës kosovare, saqë fillim e mbarim rrëfimet e tyre dukeshin sikur përfundonin në autobahn. Për të qenë edhe nuk kishin faj, ngase duke jetuar në lloç deri në mbarim të luftës, ëndrrat tona me gjasë janë asfaltuar. Të tilla sa për t`u bërë autostradë!

Jo rastësisht, nga kjo sindromë është afektuar edhe klasa politike, e cila gradualisht veten e ka betonuar në pushtet e Kosovën në asfalt.

Nga kjo logjikë, Kosova është ndër vendet e rralla të vogla e cila qosh më qosh lidhet me autostrada. Për kastën politike kjo një e arritur e kuptueshme. Natyrisht që nga prizmi utilitar edhe për qytetarët, sepse çmimi i tyre do të harrohet shpejt në relacion me funksionin.

Për tri-katër orë secili kosovar mund të freskohet në Durrës e Ulqin, duke e shfrytëzuar Rrugën 7, kostoja e së cilës është 830 milionë euro. Eh, po një autostradë që mban epitetin e rrugës së kombit nuk bën të kushtojë më lirë!

Kjo është rruga e njohur Prishtinë-Morinë, e cila sipas praktikës folklorike është pagëzuar me emrin e presidentit Ibrahim Rugova. Kjo, pjesë e strategjisë së pushtetit për ta paketuar një vepër me elemente korruptuese me emra figurash politike e historike, po aq edhe për ta neutralizuar shumën marramendëse të harxhuar për të.

Vite më pas askush nuk e mban mend se sa ka kushtuar ajo, por e mban mend emrin e saj. Këtu përmbyllet rrëfimi!

“Jeni duke lëvizur në autostradën ‘Ibrahim Rugova’”. Kjo e dhënë do t`iu shfaqet në ekranet e navigatorëve.

Të dhënë pas simbolikave, gjithsesi që shumë njerëz do të ndihen mirë vetëm me përmendjen e Rugovës, siç do të ndodhë njësoj edhe kur lëvizin nëpër autostradën me emrin “Arbën Xhaferi”, për të cilën janë shpenzuar më se 650 milionë euro.

Do ta fishkëllejnë refrenin “Me jarana nëpër autobana”, ngase të dhënat e deritashme flasin se trasetë e këtyre autostradave nuk shkuan andej nga ishte më lehtë e më lirë, por andej nga qëlluan jaranat për ta kuptimësuar edhe më refrenin e këngës.

Paradoksi i çmimit që paguam e po paguajmë për të mbërritur sa më shpejt në destinacion në një territor prej më pak se 11 mijë kilometrash katrorë sa vjen e bëhet më anakronik kur krahasohen çmimet e një kilometri autostradë në vendet evropiane me reliev gjeografik të ngjashëm.

Sipas një analize të institutit “Riinvest”, mesatarja e çmimit për një kilometër autostradë kap vlerën 7-8 milionë euro. Të ecësh mbi miliona pa kushte elementare jetese është rrëfim tipik prej kosovari.

Shtëpinë gati të rrënuar, ama përpara derës të parkuar një X6. Sikur të kishim prejardhje prej japonezëve, ndoshta do ta kishim trashëguar precizitetin e kryerjes së detyrave dhe synim jetësor do ta kishim mbërritjen në cak në kohën e duhur. Por mbase është krejtësisht rutinore, në këtë vend që ka shumë nguti për asgjë. Të gjithë i japin zor për diku, por shpesh duket sikur njerëzit nuk e kanë një cak. Ose e kanë një cak... Kafenenë! Pra, nguten për të pirë kafe. Kështu që, këto autostrada më së shumti do të jenë në funksion të eksplorimit të kafeneve të Kosovës anekënd vendit. Ngase në një vend ku gjithçka ka shënuar njëfarë stagnimi, këto autostrada do të mbesin vetëm në përdorim të brendshëm, për konsum politik, porse zor në funksion të tërheqjes së investitorëve,zhvillimit ekonomik.

Duke e ndjekur logjikën e ngjashme me hapjen e universiteteve publike, secili rajon ka autostradën e vet me emër të përveçëm. Tashmë kur po shfaqen ide për reduktimin e këtyre filialeve universitare gjithandej Kosovës, çfarë do të bëhet me autostradat?! Natyrisht që asfalti nuk mund të përvilet, porse ka gjasa që Kosova të shquhet për diçka në nivel global.

Që ndonjërën nga këto autostrada ta shpallë artefakt infrastrukturor, ose ta shndërrojë në pistë për mbajtjen e garave me vetura.

Në një shtet të prodhuar nga parimi sui generis, investimi marramendës në asfalt vazhdon të jetë ende mënyra e vetme e zhvatjes institucionale.

Nuk është vetëm ndërtimi i autostradave që po kushton. Kur kësaj i shtohet edhe shpronësimi, nuk do ta arsyetonte çmimin edhe po të ishin ato me ngrohje në kushte dimri.

Vetëm shpronësimi për Autostradën e Gjilanit do të kushtojë afro 40 milionë euro. Megjithëse punimet për ndërtimin e saj kanë nisur në prill të këtij viti, po këtë muaj kanë nisur edhe hetimet në lidhje me parregullsitë eventuale tenderuese që lidhen me koston përfundimtare të saj.

Prokuroria Speciale ka mëdyshje për manipulim të procesit. Teksa qarku i problemeve me autostradat mbetet ende i hapur.

E fundit në listë është Autostrada e Dukagjinit. Me shpronësimet eventuale në atë pjesë, çmimi i saj arrin në 1 miliard euro. Por banorë të Rahovecit, të cilët kanë formuar një këshill, kanë bërë të ditur rrezikun që kanoset nga kjo autostradë. Madje kundërshtimin e tyre për trasenë e kanë bërë edhe me një peticion prej afro 6 mijë nënshkrimesh.

Ata pretendojnë se kjo trase që kalon nëpër Rahovec, ndër të tjera, dëmton lumin Drini i Bardhë, tokat pjellore, kanionet te Ura e Fshejtë, pamundësohen garat e njohura për kërcim nga kjo urë, dhe rrit çmimin e shpronësimit të tokave në 900 milionë euro.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës për 2045 kilometra rrugë, sa ka Kosova, tregojnë se mbi 90 për qind e tyre janë të asfaltuara.

Raporti i Agjencisë së Statistikave të Kosovës bën të ditur se në nivel vendi janë vetëm 90 kilometra (4,4 për qind) rrugë të paasfaltuara. Ndaj, duket se ngopjes me asfalt po i vije fundi.

Do t`u falej këtyre pushtetarëve apo të tjerëve, nëse do të mundë të jepnin një përgjigje - çka pas asfaltit?! Apo, do ta gërryejmë e do t`ia nisim prej fillimit...!

Sa për rikujtim: në shkollën “Ismail Qemali”, në kryeqytetin e Kosovës, mësimet në një klasë i ndjekin nga 45 nxënës!

[email protected]