OpEd

Në Merdar kufiri kinez

Dinamika e re gjeopolitike e cila po ndërtohet në botën euro-aziatike përpiqet të thotë se ka qenë e mundur të çlirohet e të pavarësohet Kosova në kundërshtim me vullnetin e Rusisë dhe Kinës, por nuk është e mundur që Kosova dhe Serbia t’i normalizojnë marrëdhëniet në kundërshtim me këtë vullnet

1.
Më 1974 në Gjermani u mbajt Botërori i Futbollit, e në të Përfaqësuesja e Jugosllavisë e mundi Zairenë 9-0. 

Kjo ngjarje qe e rëndësishme për t’u përmendur javën e kaluar në Beograd, madje mu në ditën kur në Gjermani zhvillohej një kampionat tjetër, ai evropian, dhe jo pse kisha shkuar për të folur për futboll, por sepse kisha shkuar për të folur për një paqe ende të paarritur mes Kosovës dhe Serbisë, dhe për faktin se kalimi i kohës mund të ilustrohej edhe me kujtesën tonë ndaj futbollit.

Në Beograd isha si folës në tribunë me ftesë të Komitetit të Helsinkit të Serbisë, një organizatë konsekuente për kultivimin e demokracisë e të drejtave të njeriut në Serbi e në tërë hapësirën e ish-Jugosllavisë. Pjesëmarrësit në këtë aktivitet ishin në shumicë njerëz që gjatë luftërave në ish-Jugosllavi ishin pozicionuar qartazi në pozita kundër luftës, nacionalizmit dhe shkeljes së të drejtave të njeriut. Njëri prej tyre, kur m’u afrua , më tha: “Jemi i njëjti minoritet që ishim para çerek shekulli, vetëm se tash jemi edhe më pak”.

Disa prej tyre mbanin mend ndeshjen mes Jugosllavisë dhe Zairesë. Ajo kishte ndodhur në Gjermani 29 vjet pas fundit të Luftës së Dytë Botërore. Në përllogaritje të kohës së ish- Jugosllavisë 29 vjet janë të një natyre krejt tjetër, joevropiane, janë përvjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes së Daytonit. Pjesëmarrësit që mbanin mend emrat e futbollistëve që luajtën kundër Zairesë -Bajeviq, Oblak, Shurjak, Muzhiniq-sot e mbajnë mend atë moment si të një jete sigurie përballë 29 vjetëve të kaluar nga Marrëveshja e Daytonit, vite që ende nuk krijojnë siguri. 

Dhe, pothuajse i njëjti kontekst shpjegimor vlen edhe për Kosovën: 25 vjet pas fundit të luftës, largimit të forcave të shtetit të Serbisë dhe fillimit të procesit të shtetndërtimit e të pavarësisë së Kosovës ja ku jemi, pa një ndjenjë sigurie, gjegjësisht në ambientin e një konflikti të papërfunduar.

2.

Më dramatik se kalimi i kohës i matur me futboll është ai i ndryshimit të kontekstit historik në marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, dhe ky është një fakt që nuk merret parasysh aq sa vlen në realitet. Ndërhyrja ushtarake në Kosovë, vendosja e administrimit ndërkombëtar dhe krijimi i kushteve për një shpallje të koordinuar të pavarësisë ishin produkt i një bote ku superfuqia e vetme ishte SHBA-ja. Liria e Kosovës dhe pavarësia e saj ishin produkt të Pax Americana, një paqeje amerikane e cila që nga viti 1945 ka garantuar bashkimin e kombeve dhe shteteve evropiane, lirinë e atyre të robëruara nga Bashkimi Sovjetik dhe rënien e Murit të Berlinit. Statusi i pavarur i Kosovës është zgjatim i procesit të filluar me  rënien e Murit të Berlinit; një fitore e demokracisë e cila në fund pati nevojë edhe për ndërhyrje ushtarake fillimisht për të garantuar të drejtën për jetë të shqiptarëve të Kosovës, pastaj edhe të drejtën e sundimit të shumicës demokratike në të. 

Në këtë çerek të shekullit XXI çështja e konfliktit të papërfunduar mes Kosovës dhe Serbisë ka kaluar prej kushteve të një bote unipolare të sundimit gjeopolitik të SHBA-së në një botë shumëpolëshe në të cilën paraqitet një superfuqi e re, Kina, dhe shumë fuqi të tjera të mesme që janë në proces të ndërtimit të aleancave të reja.

Apo thjeshtësuar: dëshirohet të duket sikur ka qenë e mundur të çlirohet e të pavarësohet Kosova në kundërshtim me vullnetin e Rusisë dhe Kinës, por nuk është e mundur që Kosova dhe Serbia t’i normalizojnë marrëdhëniet në kundërshtim me vullnetin e Rusisë dhe Kinës.

3.

Formulimi paraprak natyrisht është paragjykues ndaj vullnetit të Serbisë, pra të qytetarëve të saj. Duket, kur thuhet se normalizimi në Ballkanin Perëndimor nuk mund të bëhet pa vullnetin e Rusisë dhe Kinës, sikur qytetarët e Serbisë nuk pyeten, sikur vullneti i tyre nuk ka ndonjë vlerë. Por qytetarët e Serbisë qoftë në formë bashkëpunimi të vullnetshëm apo  “vullnetarisht me zor”, siç shpreheshim në socializëm, e kanë dorëzuar pozicionin e vet gjeopolitik gjatë këtij çerekshekulli. Pas rrëzimit të regjimit të Milosheviqit një shumicë e qytetarëve të Serbisë besonte në integrime në BE e një numër i konsiderueshëm (pothuajse 40 për qind) edhe për integrim në NATO. Sot, në aspektin e vlerave identitare gjeopolitike, Serbia e qytetarëve të saj është më afër Rusisë e Kinës dhe më larg BE-së e NATO-s se ndonjëherë më parë. Rrjedhimisht, Serbia mund të dalë sikur po ia “dorëzon” Kinës dhe Rusisë vullnetin për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën agjendës së tyre për një balancë të re marrëdhëniesh ndërkombëtare. Në kësi konstelacioni Kosova është njëra prej pikave të agjendës së gjatë të fërkimit të ri gjeopolitik mes Kinës dhe SHBA-së (e me Rusinë si pjesë e botës së udhëhequr nga Kina).

Ky projeksion gjeopolitik mund të duket i largët, por shpejtësia transformative e shekullit XXI e bën më të afërt. Në fillim të këtij shekulli vetëm 3.1 për qind e popullatës kineze i përkiste shtresës së mesme. Sot, më shumë se gjysma e popullatës kineze i përket shtresës së mesme, bile pak më shumë se në SHBA. Prania e këtillë e shtresës së mesme krijon qëndrueshmëri qeverisjeje e në rastin e superfuqive tregon po ashtu vijën e konfliktit mes dy sistemeve. Një i demokracisë liberale (SHBA) që nëpërmjet lirive politike dhe ekonomike krijon rritje dhe qëndrueshmëri. Tjetri i sistemit të kapitalizmit të kontrolluar (Kina) që nëpërmjet të sistemit autoritar krijon kushte për konkurrencë ekonomike në tregje të brendshme e të jashtme.

Kur lideri kinez Xi JiPing nënshkroi në Beograd marrëveshjen me Serbinë “për ardhmërinë e përbashkët”, e solli vijën e fërkimit mes Kinës dhe botës euro-atlantike mu në një shtet të rrethuar me NATO-n. E me këtë, adoptoi edhe kauzën e Kosovës si gjeopolitikisht të veten.

4.

Modeli i konfliktit global i thjeshtësuar në dy modele të krijimit të shtresave të mesme-njëri të demokracisë liberale e tjetri me sistemin e autokracisë- është që tani vijë fërkimi mes Kosovës dhe Serbisë. Kosova po përpiqet që me modelin e demokracisë liberale të krijojë zhvillim më të shpejtë. Serbia ka kuptuar se ekziston një model që për të është më i shpejtë, e ai është zvogëlimi i të drejtave politike në favor të zhvillimit ekonomik, dhe ky model po del të jetë i suksesshëm për të. Kryeministri Orban e ka quajtur këtë model “demokraci joliberale” dhe është përpjekur që jo vetëm ta sendërtojë në Hungari, por edhe ta krijojë si model për të tjerët në Evropë.

Në pyetjen hipotetike që po e përsëris në biseda me diplomatë e në paraqitje publike - “çka do të ndodhte po të ndalej lufta në Ukrainë sot”-përgjigjja imediate është se do të kishim një vijë ndarëse mes botës euro-atlantike dhe asaj euro-aziatike diku në vijën e armëpushimit mes forcave ukrainase dhe atyre ruse. Përgjigjja plotësuese është se do të kishim një vijë të re ndarëse mes dy koncepteve gjeopolitike - të demokracisë liberale dhe autokracisë - gjegjësisht mes SHBA-së dhe Kinës, duke kaluar nëpër kufirin mes Kosovës dhe Serbisë.

Dhe kjo, në një botë kurrë më të ndërlikuar, mund ta bëjë çështjen e normalizimit Kosovë-Serbi edhe më të vështirë.