Rrugëtimi drejt barazisë ka sjellë edhe një paradoks të heshtur; ngarkesa mbi gratë është bërë më e madhe, sidomos gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes, kur ato janë më të brishta emocionalisht dhe fizikisht. Nga gratë pritet jo vetëm të punojnë, por edhe të kontribuojnë financiarisht për familjen. Por ndërsa ato përpiqen ta balancojnë punën, familjen dhe rolin e nënës, shpesh përballen me një fakt të dhimbshëm: karriera e tyre ngadalësohet ose ndalet krejtësisht
Aulona Memeti
Feminizmi si lëvizje ka synuar fuqizimin e grave dhe sigurimin e të drejtave të barabarta. Dhe, pa dyshim, ka pasur suksese historike: gratë sot votojnë, arsimohen dhe konkurrojnë në profesione që dikur ishin vetëm për burra. Por rrugëtimi drejt barazisë ka sjellë edhe një paradoks të heshtur; ngarkesa mbi gratë është bërë më e madhe, sidomos gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes, kur ato janë më të brishta emocionalisht dhe fizikisht.
Nga gratë pritet jo vetëm të punojnë, por edhe të kontribuojnë financiarisht për familjen. Por ndërsa ato përpiqen ta balancojnë punën, familjen dhe rolin e nënës, shpesh përballen me një fakt të dhimbshëm: karriera e tyre ngadalësohet ose ndalet krejtësisht.
Një pabarazi e re po lind. Në shumë familje të reja, në emër të "barazisë," përgjegjësitë financiare ndahen sipas parimit “Ti paguan këto, unë ato”. Ndonëse kjo mund të duket e drejtë në letër, ajo injoron një realitet bazik, barrën fizike dhe emocionale që gratë përballojnë gjatë shtatzënisë, lindjes dhe rritjes së një fëmije. Nëse gjithçka duhet të ndahet, a nuk duhet të përfshihen këtu edhe 9 muajt e shtatzënisë? Dhimbjet e lindjes? Ndryshimet e trupit që shpesh kërkojnë vite për t'u rikuperuar? Çmimin emocional të depresionit pas lindjes dhe luhatjet hormonale? Ose dhimbjet dhe sfidat pas një prerjeje cezariane që mund të zgjasin me muaj?
Përderisa këto kosto të fshehura nuk përfshihen në ekuacion, ndarja “e barabartë” financiare nuk është gjë tjetër veçse iluzion i barazisë. Ndërkohë, shumica e burrave përparojnë në karrierë pa pengesa të tilla. Ata nuk ndërpresin punën për t’i rikuperuar energjitë pas lindjes, nuk humbasin net pa gjumë për gjidhënie, dhe nuk detyrohen që të vendosin në mes karrierës, pra të ndërpresin ndonjë master apo projekt personal që mund të kenë nisur, dhe mirëqenies së fëmijës.
Për një nënë të re, dita shpesh përbëhet nga një cikël i pafund lodhjeje ku përfshihen puna profesionale, kthim në shtëpi për ushqyerje/gjidhënie, gatim, pastrim, kujdesi për fëmijën dhe përpjekja të dëshpëruar për të gjetur pak kohë për veten. Edhe kur ajo gjen disa orë të lira, ato shpesh janë të mbushura me larje rrobash, organizim i gjërave të bebes, përgatitje e ushqimit, e të mos flasim për listat e pafundme mendore ku planifikojnë blerjet e nevojshme, planifikimet për kontrollet rutinore, terminët për vaksinë, harqi për shtëpi, vitaminat e nevojshme, e me radhë. Dhe kështu, barazia e vërtetë bëhet një iluzion, duke e lënë gruan në një situatë të pafavorshme, fizikisht, emocionalisht dhe financiarisht.
Raportet tregojnë se gratë kryejnë mbi 76% të punës së papaguar globalisht, punë që përfshin kujdesin për fëmijët dhe punët e shtëpisë. Shoqëria shpesh e romantizon këtë barrë, por e neglizhon vlerën reale të saj. Siç thoshte Gloria Steinem: “Gratë janë të mbingarkuara, sepse shoqëria i trajton si nëna të dyfishta, njëra për shtëpinë dhe tjetra për botën.”
Kjo situatë është përkeqësuar nga mungesa e mbështetjes sociale. Disa dekada më parë, gratë e reja kishin mbështetjen e të afërmve, duke përfshirë kujdesin për të porsalindurin dhe punët e shtëpisë. Sot, kjo mbështetje është zhdukur, duke e lënë gruan të përballet e vetme me gjithçka.
Gjidhënia, që në parim është më e mira për fëmijën, kërkon kohë, energji dhe një mendje të qetë, por në praktikë, mbi nënat rëndojnë pritshmëri dhe përgjegjësi të pafundme. Ndërkohë që familja, rrethi dhe shoqëria shpesh inkurajojnë, ose madje bëjnë presion që një nënë të ushqejë fëmijën sa më shumë me gji, shumë herë harrohet një aspekt thelbësor, se stresi i punës, lodhja e madhe, pagjumësia dhe kequshqyerja (për shkak të mungesës së kohës për të përgatitur ushqim për veten), e vështirësojnë këtë proces. Këta faktorë jo vetëm që janë të lodhshëm, por edhe ndikojnë drejtpërdrejt në prodhimin e qumështit, duke e reduktuar atë ose edhe duke e ndërprerë krejtësisht. Dhe kur kjo ndodh, rrethi shpesh ia faturon nënës këtë “dështim”.
Ndonëse në thelb feminizmi ka për qëllim fuqizimin e individit, kryesisht gruas, për të zgjedhur rolin e vet në shoqëri, pavarësisht normave dhe pritshmërive sociale, kapitalizmi e ka orientuar feminizmin në një kahe tjetër. Sot, gratë jo vetëm që penalizohen nga një ngarkesë e pashpërndarë drejt, por gjithashtu u janë shtuar obligime dhe përgjegjësi të tjera, pa u ofruar mbështetje të mjaftueshme.
Në të kaluarën, të paktën gratë që ishin amvise kishin një status të njohur dhe një rol të pranuar. Tani, gratë duhet të bëjnë gjithçka, por nuk vlerësohen për asgjë mjaftueshëm. Përderisa barra vazhdon të rritet pa asnjë përfitim të dukshëm, satisfaksioni i vetëm është shpresa që po bën më të mirën për fëmijën tënd.