OpEd

Ndikimi i Spanjës në procesin e integrimit të Kosovës në BE

Kosova e ka konsideruar integrimin në Bashkimin Evropian (BE) si një nga objektivat kryesorë strategjikë të politikës së saj të jashtme. Mirëpo, i gjithë procesi i përafrimit të Kosovës në BE ka rezultuar të jetë mjaft i vështirë dhe i komplikuar. Megjithëse njëzet e dy shtete anëtare të BE-së e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, pesë shtetet mosnjohëse – Sllovakia, Rumania, Greqia, Qiproja dhe Spanja – vazhdimisht e kanë vështirësuar përparimin e Kosovës drejt BE-së. Si rezultat, Kosova ngec dukshëm pas vendeve të tjera nga rajoni, si shteti i fundit që e ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA), dhe i vetmi në gjithë Ballkanin Perëndimor pa liberalizim të vizave për qytetarët e saj. Pozicioni neutral i BE-së ndaj statusit të Kosovës, përveç që dëmton shtetndërtimin e Kosovës, gjithashtu realisht e ka bërë të pamundur përparimin e mëtejmë të Kosovës drejt BE-së, pavarësisht nga përmbushja e kritereve të pranimit.

Aktualisht është vështirë të besohet se pesë shtetet mosnjohëse të BE-së do ta njohin pavarësinë e Kosovës pa nënshkrimin e një marrëveshjeje detyruese për normalizim të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Përderisa Greqia dhe Sllovakia si të ashtuquajturat “mosnjohës të butë”, pavarësisht nga mosnjohja, kanë pasur një përfshirje mjaft të rëndësishme dhe të vazhdueshme në Kosovë, Spanja dhe Qiproja si “jo-njohës të fortë”, kanë miratuar një pozicion krejtësisht të pakompromis ndaj Kosovës. Në vitet e fundit, Spanja konsiderohet si vendi anëtar i BE-së me qëndrimin më të ashpër që ka refuzuar çdo marrëdhënie me Kosovën, si në rrafshin bilateral, ashtu edhe në atë multilateral. Kjo ka qenë veçanërisht e dukshme në lidhje me procesin e integrimit të Kosovës në BE, në të cilin Spanja ka luajtur një rol mjaft pengues.

Në esencë, Spanja e kundërshton fuqishëm procesin e pranimit të Kosovës në BE, pasi që, sipas Traktatit për Bashkimin Evropian (Treaty on European Union), vetëm shtetet evropiane mund të anëtarësohen në BE, ndërkaq që sipas mendimit të Spanjës - Kosova nuk është shtet. Rrjedhimisht, Qeveria spanjolle e ka bllokuar çdo vendim të BE-së lidhur me Kosovën që nuk ishte në përputhje me pozicionin neutral ndaj statusit të Kosovës. Rrjedhimisht, Kosova MSA-në e ka nënshkruar me Komisionin Evropian, pa u ratifikuar nga shtetet anëtare. Për më tepër, kjo marrëveshje përveçqë e respekton pozicionin neutral ndaj statusit të Kosovës, madje nuk i referohet aspak shtetësisë. Për më tepër, në MSA shkruan qartë se marrëveshja “nuk përbën njohje të Kosovës nga BE-ja si shtet i pavarur dhe as nuk përbën njohje të Kosovës nga shtetet individuale anëtare në rast se ato nuk e kanë ndërmarrë një hap të tillë”. Spanja gjithashtu kishte këmbëngulur që në Marrëveshje mos të përmendet fare integrimi evropian i Kosovës ose anëtarësimi i ardhshëm në BE, siç shkruan në MSA-të e shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Prandaj, marrëveshja i referohet vetëm “perspektivës evropiane të Kosovës”, pasi që për Spanjën, të flasësh për “integrimin në BE”, automatikisht nënkupton anëtarësimin në BE, duke çuar kështu në njohjen de facto të Kosovës.

Ngjashëm, Spanja e ka kundërshtuar edhe liberalizimin e vizave për Kosovën, pasi që, sipas burimeve zyrtare spanjolle, Prishtina nuk i ka përmbushur të gjitha kriteret e BE-së. Duke ditur që Komisioni Evropian që nga viti 2018 e ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara nga BE-ja, është e qartë se pozicioni i këtillë në të vërtetë është rezultat i frikës së Spanjës për të mbështetur çdo veprim që do të çonte në njohjen de facto të Kosovës. Megjithatë, Spanja nuk ka marrë rol udhëheqës në bllokimin e liberalizimit të vizave të Kosovës në Këshillin Evropian, pasi që ishte qartë se Franca dhe Holanda ishin definitivisht kundër vendimit për liberalizim. Për më tepër, edhe në rast se hiqen vizat për qytetarët e Kosovës, Madridi e ka bërë të qartë se kjo nuk do ta ndryshojë pozicionin spanjoll për pasaportat kosovare. Kjo do të thotë se në rast të liberalizimit të vizave, autoritetet spanjolle përsëri do t’i refuzojnë dokumentet e udhëtimit të Kosovës, meqë sipas tyre kjo do të ishte një njohje de facto e shtetësisë së Kosovës. Së fundi, Spanja nuk ka avokuar në mënyrë më aktive kundër liberalizimit të vizave të Kosovës, sepse për shkak të natyrës së votimit për liberalizimin e vizave (votimi me shumicë të kualifikuar) në Këshill, ajo ishte e vetëdijshme se nuk mund të vendoste veto në një vendim të tillë.

Është interesante të vërehet se për dallim nga pozicioni i saj kundërshtues ndaj MSA-së dhe liberalizimit të vizave, Spanja e ka mbështetur dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja midis Kosovës dhe Serbisë. Madridi beson se për sa kohë që dialogu në Bruksel zhvillohet në kuadër të pozicionit neutral ndaj statusit të Kosovës, ai nuk e minon pozicionin spanjoll lidhur me shtetësinë e Kosovës. Për më tepër, nëse dialogu eventualisht rezulton në njohjen e Kosovës nga Serbia, ai do ta nxirrte Madridin nga pozita momentale e “pakëndshme” duke i mundësuar Spanjës ta ndjekë shembullin e njëjtë.

Është e qartë se Spanja ka luajtur një rol mjaft të rëndësishëm në pengimin e procesit të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Mirëpo, nga qershori i vitit 2018, Qeveria e re e udhëhequr nga kryeministri socialist Pedro Sanchez ka treguar më tepër gatishmëri për përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën. Nga ana tjetër, emërimi i Josep Borrellit si përfaqësues i lartë i BE-së në vitin 2019 po ashtu ka kontribuar në zbutjen e pozicionit spanjoll ndaj Kosovës. Kohët e fundit janë bërë përpjekje që përmes qarqeve jopolitike të hapen kanale të reja të komunikimit mes Kosovës dhe Spanjës, për sa kohë që kjo nuk minon pozicionin spanjoll për shtetësinë. Ngjashëm me Greqinë dhe Sllovakinë, Spanja duhet të kuptojë se përfshirja në Kosovë nuk e nënkupton njohjen e shtetësisë. Prandaj, Madridi duhet ta konsiderojë njohjen e pasaportave të Kosovës dhe të hapë më tepër kanale të komunikimit me shoqërinë civile dhe sektorin e kulturës dhe biznesit të Kosovës. Duke vepruar në këtë mënyrë, Spanja do të ishte në një pozitë më komode për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Kosovën, në rastin e njohjes eventuale të ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë. Këtë të mërkurë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror në Katar, në Spanjë do të zhvillohet ndeshja futbollistike mes reprezentacioneve të Spanjës dhe Kosovës. Zotimi i Spanjës se ndeshja do të zhvillohet në përputhje me rregullat e FIFA-s dhe UEFA-s, dhe se ajo do të respektojë sovranitetin, flamurin dhe himnin kombëtar të Kosovës, ndoshta paraqet hapin e parë konkret drejt përmirësimit të marrëdhënieve mes dy shteteve.

Ky editorial është shkruar si pjesë e një hulumtimi më të gjerë dhe avokimit të përkrahur nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) si pjesë e projektit Kosovo Research and Analysis