OpEd

Mrizi

Propozimi 15-pikësh i Abdixhikut mbase është nxjerrë nga programi zgjedhor i partisë së tij. Pra, potencialisht, paraqet program qeveritar për sundim katërvjeçar. Për pasojë, propozimi që të formohet një qeveri transitore nga të gjitha partitë politike e që të zgjasë deri në mars të vitit vijues është, a priori, ftesë për dështim. Mjafton fakti që do të shërbente si urë kalimi nga një krizë në tjetrën

Më 13 qershor 1999, ekipi i UNICEF-it kthehej në Prishtinë, si pjesë e varganit 70 veturash, kamionësh e xhipash, që u nis nga Shkupi andej nga ora 10:00. Ato 80 kilometrat u bënë 800, ngase nuk mund të lëviznim më shpejt se 10-20 kilometra në orë. Arritëm në qytet nga ora 16:00.

Një ditë më herët, më 12 qershor, kishte arritur vargani i parë i forcave të KFOR-it në Prishtinë, e simultanisht ishin shpërndarë edhe nëpër qytetet e tjera të Kosovës, duke i zënë pozicionet e duhura për t’i dëbuar forcat ushtarake dhe policore serbe sa më shpejt të ishte e mundur.

E një natë para kësaj dite, pra më 11 qershor, në Prishtinë ishin futur ushtarët rusë – në përpjekje për të dëshmuar se edhe ata ishin faktorë me rëndësi në këtë arenë ndërkombëtare. Faktorë u bënë – të shfrenimit dhe të tërbimit të kriminelëve që panë rastin për grabitje e vrasje në minutat e fundit të okupimit gjakatar.

Atë të diel të 13 qershorit, pos që ajrin e kishte ngufatur ajo ndjenjë e frikës që nuk përshkruhet me fjalë, qyteti krejtësisht i boshatisur, “stolisej” nga grumbuj të mëdhenj bërlloku që brenda tri-katër ditësh do të shndërroheshin në kodra mbeturinash.

* * *

Para tri ditësh dhe 26 vjet pas, Prishtina, sërish, e festoi 11 qershorin si Ditë të Çlirimit. Ditën kur rusët mbollën tmerrin tek ata që kishin qëndruar të ngujuar të 78 ditët e bombardimit në qytet. Për dallim nga atëherë, kësaj radhe qyteti kishte udhëheqje politike. Por, pa dallim nga atëherë, kishte edhe kodra bërlloku të grumbulluar gjithandej. Madje edhe më shumë se atëherë.

Një ditë më vonë u shënua Dita e Lirisë, pra një ditë memoriale sipas Ligjit për festat zyrtare, që nuk zë vend në orarin e pushimeve në shtetin laik, që i feston madje gjashtë festa fetare. Por nuk e feston Ditën e Çlirimit – sepse qe 17 vjet nuk mund ta ndërrojë një ligj, që e quajnë jetik. Përfundimisht, shumë jetike se sa ditë do të mund të lidhen për fundjavë të zgjatura, se “plasëm” duke punuar.

Për mua, dje ishte ajo që e përjetova si Ditë Çlirimi para 26 vjetësh. Por, ishte edhe hera e parë që nuk munda ta gëzoja peshën e një date kaq domethënëse. Gëzimin e atëbotshëm ma kanë zëvendësuar hidhërimi dhe dëshpërimi i thellë me atë që e jetojmë dita më ditë. Zor do ta kisha paramenduar se inati do të ishte ai i cili do ta përcaktonte mirëqenien e një populli të tërë.

* * *

Dje, për të 31-tën herë, u mblodhën badihavxhinjtë e Kuvendit për të hyrë, për t’u nënshkruar dhe për të dalë nga seanca. Bllokada e kotë që zgjat qe dy muaj, ku secili tabor deputetësh e ngarkon me përgjegjësi atë tjetrin për bllokadë, me qëndrime akuzuese që vlejnë edhe për taborin që flet, ka kaluar në fazën e nonsensit absolut: krejt çka flasin janë gjepura.

Tashmë e shkrova në kolumnen e javës së shkuar: këta njerëz nuk e duan Kosovën. Sepse po ta kishin dashur bile një grimë, me shumë pak mund do ta konstituonin Kuvendin dhe do t’iu  “grahnin” punëve. Por nuk janë të interesuar: VV-ja për shkak se mund të mbetet në pushtet me qeverinë në detyrë sa t’ia dojë zemra; partitë deri dje opozitare, për shkak se kanë kohë për t’u përgatitur për zgjedhjet lokale që mbahen në tetor. Sipas traditës sonë të kamotshme, fushata do të duhej nisur tash në korrik – dhe kështu do të na e çajnë kokën deri më 12 tetor.

* * *

VV-ja vazhdon të thotë se i ka numrat për Qeveri, vazhdon të mos i ketë për Haxhiun, që në fund duket që as që është e interesuar ta zgjedhë. Në fakt e përdor si figurë shahu, e cila në çfarëdo momenti do të mund të bjerë nga loja.

PDK-ja thotë se do të mund ta bënte qeverinë me opozitën e deridjeshme, pa Listën Serbe, duke llogaritur që pakicat e lidhura për VV-në hë për hë, do të mund ta kalonin në taborin tjetër posa t’u jepej rasti. Në teori, e bëshme. Në praktikë, zor.

LDK-ja prej disa javësh insiston në Qeverinë e unitetit kombëtar, dhe para dy ditësh bëri paraqitjen e propozimit 15-pikësh, i cili thotë sa vijon:

1. Funksionalizimi i institucioneve kushtetuese dhe departiakizimi i tyre

2. Rritja e pagave dhe zbatimi i Ligjit të Pagave

3. Pako emergjente për menaxhimin e krizës energjetike

4. Nisja e projektit kombëtar të gazifikimit të Kosovës

5. Rindërtimi i partneritetit me BE-në dhe SHBA-në, rikthimi i politikës së jashtme aktive

6. Votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nga ana e Kuvendit të Kosovës

7. Fillimi i procesit të vettingut në sistemin e drejtësisë

8. Fillimi i projekteve me rëndësi të veçantë

9. Reforma kushtetuese në funksion të stabilitetit institucional

10. Fillimi i reformës në arsim

11. Përgatitjet institucionale për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030

12. Reforma Strategjike e Sigurisë dhe e Mbrojtjes

13. Rishikimi i formulës për buxhetin e komunave

14. Përgatitja për zgjedhje të rregullta dhe të lira demokratike brenda 10 muajve

15. Mekanizmi i transparencës dhe llogaridhënies për periudhën kalimtare

Pikat e renditura në dokumentin që e paraqiti Abdixhiku në konferencë për shtyp, por i cili dje u mor vesh, nuk u ishte shpërndarë partive të tjera, në të shumtën e rasteve kanë të bëjnë me çështje që ka mbi një dekadë e gjysmë janë temë shqyrtimi (hiq krizën energjetike dhe Lojërat Mesdhetare – e para e shndërruar në akute, për shkak të neglizhencës masive të rregullatorit dhe ekzekutivit, dhe e dyta obligim i marrë thuajse për hajgare, “hajt se bâhet”).

Kapja e institucioneve kushtetuese nga partitë politike kishte nisur edhe para se të miratohej Kushtetuta. Dhe në këtë uzurpim pushtetesh kanë marrë pjesë krejt, absolutisht krejt partitë politike që janë dëshmuar për nga aftësia për t’i eliminuar profesionistët duke i zëvendësuar me njerëz të dëgjueshëm dhe të “vyeshëm” për partinë. Dhe përderisa këta deputetë që nuk e konstituojnë veten janë po ata që duhet zgjedhur profesionistët e pavarur, pika 1 mbetet një dëshirë e madhe e një liste të gjatë sish.

Rritja e pagave dhe zbatimi i ligjit – ky është pikërisht elementi që në disa vitet e fundit e ka kthyer balancën e të ardhurave personale të të punësuarve në favor të sektorit publik. Sektor i cili që nga 2006-a, kur ishte bërë strategjia e parë e reformës së administratës publike, nuk është reformuar dhe është mbipopulluar me njerëz që jo të gjithë kanë çka punojnë.

Gazifikimi, projektet e mëdha, rindërtimi i partneriteteve, reforma në arsim, ndryshimet kushtetuese janë gjëra nuk mund të bëhen për dhjetë muaj. Në propozim thuhet: “fillimi i...”, porse është dëshmuar qe sa dekada që politikanët tanë janë shumë të aftë për t’i mbytur idetë, për shkak se nuk tregojnë se kanë vullnet politik.

Pra nisja e një diçkaje që nuk e ka një mekanizëm që e siguron vijueshmërinë e një projekti të mbështetur mbi themele të forta, dëshmohet në fund si humbje e resurseve njerëzore, financiare dhe mbi të gjitha, humbje e kohës që mund të investohet në diçka të mirë.

Votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend ka qenë obligim i legjislaturës së shkuar, dhe pikërisht për shkak të obstruksionit, përkatësisht bojkotimit të opozitës së atëhershme, këto marrëveshje kanë mbetur pa u votuar. Dhe përderisa partitë politike kanë vazhduar të marrin fonde nga buxheti i Kosovës, të cilin kryesisht e mbush sektori privat (me tatime e dogana), paratë që do të vinin nga këto marrëveshje supozohet se do të duhej shfrytëzuar për të mirën e popullatës. Por jo, paratë nuk vijnë si pasojë e inatit politik: ideologjisë që i udhëheq krejt partitë politike në Kosovë, pa dallim.

* * *

Propozimi i Abdixhikut mbase është nxjerrë nga programi zgjedhor i partisë së tij. Pra, potencialisht, paraqet program qeveritar për sundim katërvjeçar. Për pasojë, propozimi që të formohet një qeveri transitore nga të gjitha partitë politike e që të zgjasë deri në mars të vitit vijues është a priori ftesë për dështim. Mjafton fakti që do të shërbente si urë kalimi nga një krizë në tjetrën.

Mbase qëllimi i këtij veprimi është të thuhet se ka bile një parti që tregohet konstruktive, përderisa të tjerat mrizojnë. Porse zbërthim i këtyre pikave, përderisa dy parti të mëdha tashmë e kanë refuzuar idenë fillestare, nuk shkon përtej konferencës për shtyp ku është lexuar, dhe ku ka mbetur i ngujuar konstruktiviteti.

Nuk e di se cili është sinjali që janë duke e pritur partitë politike për t’u zhbllokuar, porse alarmante do të duhej të ishin raportet e auditimit të pasqyrave financiare të komunave. Këto çka po dëgjojmë e lexojmë janë tejet brengosëse (mbase e njëjta brengë do të na shfaqet kur do t’i lexojmë ato të ministrive).

Nuk e di se çka janë duke pritur.

Çkado që të jetë, le të mbarojë më. Se pos nervave, tash jemi duke e humbur edhe durimin.

 

[email protected]