OpEd

Mësimet që duhen nxjerrë nga lufta në Ukrainë

Investimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë nuk nënkuptojnë provokimin e një lufte, por frenimin e saj, rrjedhimisht sigurimin e paqes. Rëndom janë sulmuar shtetet më të dobëta dhe jo ato më të fuqishmet

 

Nuk janë të pakta ato shtetet që sigurinë apo edhe vetë ekzistencën e tyre, e kanë “deleguar” tek një shtet i caktuar, grup shtetesh apo mekanizma kolektivë të sigurisë. Kështu, duke abstenuar nga e drejta apo përgjegjësia për të mbrojtur veten. Secilit shtet që rangohet në këtë grup shtetesh, mund të ketë pasur një sërë arsyesh pse ka besuar dhe vepruar kësisoj. Sidoqoftë, e përbashkëta e këtyre shteteve ka qenë se ato gabimisht kanë përfytyruar dy faktorët dominues të sigurisë dhe të mbrojtjes. E para, iluzioni pamor që ishte krijuar se lufta në kontinentin e vjetër, ishte relikt i së kaluarës së largët, ngase rendi botëror ekzistues i dominuar nga demokracitë liberale dhe mekanizma kolektivë si Kombet e Bashkuara, do të frenonin opsionin e luftës në një shtet sovran.

E dyta, iluzioni se edhe sikurse të fillonte lufta ndaj një shteti jo mjaftueshëm të aftë të mbrojë veten, në ndihmë me automatizëm do t’i vihen shtete të fuqishme apo aleanca ushtarake. Nga këto iluzione, siç duket nuk ishte imun as Ukraina.

Në Kartën e Kombeve të Bashkuara ishin mishëruar disa parime fondamentale të rendit të ri botëror, rend ky që po lindte nga hiri i dy luftërave botërore, veçanërisht Luftës së Dytë Botërore. Mes të tjerash, ishte parimi i mosndërhyrjes së shteteve në punët e njëri-tjetrit, respektimi i sovranitetit shtetëror, si dhe krijimi i institucioneve ndërkombëtare të përbashkëta që do të kujdeseshin në arritjen e qëllimeve të përbashkëta, epiqendra e të cilave ishin paqja dhe siguria botërore. Në arritjen e këtyre qëllimeve të përbashkëta, Kombet e Bashkuara kishin themeluar edhe organet qendrore të saj, në mesin e tyre Këshillin e Sigurimit. Madje, Kombet e Bashkuara për të garantuar një veprim të shpejtë dhe efikas, Këshillit të Sigurimit i kishin kaluar përgjegjësinë kryesore në ruajtjen e paqes botërore.

Se parandalimi apo zgjidhja e një konflikti nga Kombet e Bashkuara vis-á-vis Këshilli i Sigurimit, ka qenë mision thuajse i pamundur në shumë raste ku kanë lindur konflikte, e ka dëshmuar edhe rasti i luftës në Kosovë në vitet 1998-1999. Ngjashëm sikurse në rastin e Kosovës, edhe në situatat e tjera lufte ka qenë vetë Këshilli i Sigurimit pengesa kryesore që nuk ka lejuar një ndërhyrje efektive në parandalimin apo ndaljen e një konflikti, sidomos për faktin se Rusia ka bllokuar thuajse secilën iniciativë të botës demokratike, duke përdorur në mënyrë bllokuese të drejtën e saj të vetos, si njëra nga pesë anëtaret e përhershme që gëzojnë këtë të drejtë. Në konfliktin aktual mes Rusisë dhe Ukrainës, roli i Kombeve të Bashkuara do të jetë, në rastin më të mirë simbolik, dhe në rastin më të keq inekzistent, pikërisht për faktin se Rusia ka të drejtë të (keq)përdorë të drejtën e vetos për të bllokuar çdo iniciativë të ndërmarrë kundër saj si agresore e këtij konflikti. Madje, veçse ka vepruar kështu kur ditë më parë i vuri veton dhe bllokoi rezolutën e sponsorizuar nga SHBA-ja dhe Shqipëria për situatën në Ukrainë. Siç mund të kuptohet, anëtari i përhershëm i Këshillit të Sigurimit, organ ky me rolin kyç në ruajtje e paqes dhe sigurisë globale, merr aktivisht rolin e agresorit duke sulmuar pa asnjë justifikim një shtet sovran siç është Ukraina, në kundërshtim të hapur me të drejtën ndërkombëtare. Kështu duke rikonfirmuar se modeli aktual i rendit botëror, i kryesuar nga Kombet e Bashkuara është jashtëzakonisht i ngathët dhe jo efikas në parandalimin apo zgjidhjen e një konflikti.

Gjithashtu, besimi i verbër se nuk mund të ketë luftë në Evropë, është venitur që nga predha e parë e shkrepur nga forcat ruse kundër ushtrisë dhe popullatës ukrainase. Koncepti i paqes në Evropë do të jetë ngushtësisht i lidhur në varësi të epilogut final të këtij konflikti.

Besimi i një shteti se jodomosdoshmërish duhet të posedoj vetë kapacitete të mjaftueshme për të frenuar agresionin eventual ndaj tij nga një shtet tjetër, sepse për sigurinë dhe sovranitetit e tij do të kujdeset dikush tjetër, rezulton të jetë i gabuar gjithashtu. Ngjashëm sikurse shumë vende tjera, siç duket edhe Ukraina ka keqllogaritur një gjë të tillë. Ditën e parë, me të filluar sulmet ruse mbi forcat dhe territorin ukrainas, Presidenti i Ukrainës, mes tjerash ankohej dhe kishte një hatërmbetje të dukshme tek shtetet perëndimore, pse të njëjtat nuk po përfshiheshin direkt në konflikt. Nuk do shumë mend për të kuptuar një fakt bazik, askush nuk do të përfshihet drejtpërsëdrejti në konflikt kur njëra nga palët ndërluftuese është Rusia.

Mirëpo, siç duket presidenti ukrainas e kuptoi shumë shpejt faktin se i vetmi vend që duhet luftuar agresorin rus, ishte vetë Ukraina. Kjo ishte një pikë kthese në fillim të këtij konflikti. Morali dhe angazhimi i ushtrisë dhe popullit të Ukrainës në mbrojte të lirisë, e cila është një e drejtë dhe vlerë natyrore e secilit individ dhe vend, për të cilën nuk bën të hiqet dorë për asnjë çmim, duhet vazhduar deri në limitet e tyre të fundit.

Ndihma nga jashtë, përveçse e drejtë është edhe legjitime të kërkohet, sikurse që është e drejtë dhe detyrim i vendeve perëndimore ta ofrojnë atë ndihmë për Ukrainën, sidomos edhe për faktin se njëra nga arsyet e paarsyeshme të agresionit rus është fakti se Ukraina ka përqafuar vlerat e demokracive liberale, siç janë të drejtat e njeriut, ekonomia e lirë e tregut, multilaterizmi, pra anëtarësimi potencial në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Përveçse konflikt mes dy shteteve, konflikti këtu është më i thellë mes dy koncepteve, perëndimit dhe demokracisë në njërën anë, lindjes dhe autokracisë në anën tjetër. Prandaj shtetet demokratike kanë për obligim ta ndihmojnë modelin simotër të tyre në Ukrainë. Në të kundërtën, po të kishte qenë një qeveri autokratike proruse e instaluar në Kiev, gjasat për një luftë të tillë do të ishin thuajse zero.

Meqenëse investimet më të mëdha në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes i bëjnë po ato shtetet më të fuqishme në Botë, atëherë iluzioni optik i shteteve të vogla apo të pafuqishme, se ato nuk kanë nevojë për një gjë të tillë, duhet flakur tutje së bashku me iluzionin e një paqeje vetëkrijuese. Duket se një kambanë e tillë zgjimi ka rënë tashmë për Gjermaninë dhe jo vetëm, e cila mori vendim që buxhetin për mbrojtje ta rrisë menjëherë në + 100 miliardë euro, si dhe të bëjë detyrim ligjor që së paku 2% e Bruto Produktit Vendor të çdo viti fiskal të shkojë për mbrojtje.

Investimi në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë nuk nënkupton provokimin e një lufte, në shumicën e rasteve do të thotë e kundërta, frenimin e një konflikti dhe rrjedhimisht sigurimin e paqes. Forcimi i kapaciteteve mbrojtëse për këto vende nuk nënkupton as distancim nga aleanca të përbashkëta ushtarake me vendet e botës demokratike. Përkundrazi, e përplotëson dhe jep kuptim një aleance mirëfilli, mes shtetesh të vetëdijshme dhe të përkushtuara për sigurinë e vet dhe të tjerëve.