Samiti i zhvilluar para gati dy muajsh në Berlin ka qenë jo edhe aq i suksesshëm. Në të nuk është shënuar asnjë rezultat konkret. Ai nuk ka qenë sa duhet i përgatitur, ndërsa dështimi më i madh i organizatorëve ka qenë se nuk e kanë ditur sa duhet dallimin mes kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe presidentit Hashim Thaçi. Në atë takim nuk është hequr asnjë opsion i mundshëm për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, e as nuk ka marrë mbështetje ndonjë opsion tjetër. Në fakt për opsione nuk është diskutuar shumë. Në fund si rezultati i vetëm ka dalë data 1 korrik si afat kur do të zhvillohet një takim i ri. Kështu pak a shumë e vlerësojnë Samitin e Berlinit edhe sot e kësaj dite diplomatët evropianë, përfshirë edhe disa pjesëmarrës në atë takim.
Fakti se dy krerët e dy shteteve kryesore të BE-së, kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti i Francës, Emanuel Macron, kishin vendosur të merren me këtë temë është kuptuar si një porosi se vërtet ka ardhur koha për një kthesë të madhe në një çështje kaq të rëndësishme për Evropën. Në njërën anë pa vullnetin e Francës dhe të Gjermanisë, dhe pa angazhimin e tyre, asnjë strukturë e institucioneve të BE-së në Bruksel nuk mund të ketë sukses në arritjen e një zgjidhjeje dhe në bindjen e palëve që ta zbatojnë të njëjtën. Në anën tjetër ndonjë zgjidhje e gabuar, sikur ajo e ndryshimit të kufijve në baza etnike për të cilën flitet tash e një vit, ka mundur dhe ende mund të ketë pasoja për tërë rajonin e Ballkanit. Duke pasur parasysh se për pothuajse një vit nuk ka pasur lëvizje në këtë dialog, është dukur se Merkeli dhe Macroni do t’i lëvizin gjërat me fuqinë e tyre.
Por jo. Samiti, sipas vetë pjesëmarrësve, ishte dështim. Pos dy organizatorëve dhe dy liderëve nga Kosova, Haradinajt dhe Thaçit, të tjerët në samit ishin pak a shumë statistë apo shikues. Thaçi dhe Haradinaj nuk kishin ardhur aty të bashkuar, por organizatorët tentonin t’i bashkonin. Nuk ia kishin arritur qëllimit. Së paku jo në bazë të informatave që kanë dalë nga diplomatët perëndimorë të takimit. Edhe pse ishte quajtur si takim me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, e vetmja temë ishte ajo e raporteve të Kosovës me Serbinë. Por për të ditur se si do të shkojë procesi i normalizimit të raporteve mes dy shteteve, duhej ditur se a ka Kosova një qëndrim dhe cili është ai. Pos që Haradinaj dhe Thaçi kanë pasur dallime në të kaluarën rreth zgjidhjes eventuale, ndërkohë në skenë, së paku në Kosovë, ka dalë edhe Delegacioni shtetërorë i udhëhequr nga Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti. Sot e kësaj dite pak kush jashtë Kosove e di që ky delegacion fare ekziston e aq më pak se ka ndonjë qëndrim apo ide për zgjidhjen e pranueshme apo të papranueshme.
Ka rastisur që qëndrimi i Haradinajt rreth mospranimit të ndryshimit të kufijve të jetë në përputhje të plotë me qëndrimin e Gjermanisë dhe shumë shteteve të tjera të BE-së. Prandaj, për këtë qëndrim të tij ka pasur mirëkuptim në shumë qarqe evropiane, sidomos nga ato që e konsiderojnë si shumë të rrezikshme aventurën për ndryshimin e kufijve që, me apo pa bazë, i atribuohet presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, a atij të Kosovës, Hashim Thaçi, me mbështetje nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ka shumë të tillë në Evropë që nuk mendojnë se kjo qeveri e Kosovës është shumë e suksesshme, në fakt e konsiderojnë si më të komplikuarën për të komunikuar me të deri më tash, por mendojnë se me kundërshtimin e ndryshimit të kufijve ka parandaluar një dëm për tërë rajonin. “Nuk më ka shkuar mendja se një ditë Ramush Haradinaj do të jetë mbrojtës i vlerave evropiane në Ballkan”, pati thënë një diplomat i BE-së në kushte anonimiteti, duke shprehur mllef për pranimin e përfaqësueses së lartë Mogherini dhe komisionarit Hahn që të pranohet edhe ideja e ndarjes së Kosovës, madje edhe duke tentuar që “të izolohet Gjermania”.
kur është zhvilluar takimi, më shumë i dështuar sesa i suksesshëm në Berlin, debatet kanë filluar rreth asaj se çfarë pritet të ndodhë në takimin e radhës në Paris. Mediet në Beograd dhe Prishtinë spekulonin rreth asaj se çfarë po përgatitej. Shumica e spekulimeve ishin rezultat i “informacioneve”, që qëllimisht i lëshonin zyrtarët në Beograd. Ndërkohë ekspertët dhe zyrtarët nga Berlini e Parisi vazhdonin tentimet që ky takim të përgatitej sa më mirë dhe të prodhojë ndonjë rezultat. Në BE më shumë shikonin sesa që dinin se çfarë po bëjnë këto dy shtete të mëdha. Edhe ashtu institucionet e BE-së janë të preokupuara me ndryshimet që duhet të ndodhin në krye të tyre tash pas përfundimit të zgjedhjeve evropiane. Dhe në fund, takimi i Parisit u shty për një kohë të pacaktuar.
Moszhvillimi i Samitit në Paris me siguri ka të bëjë me pritjet se në të nuk do të ketë ndonjë rezultat konkret. Por Merkeli dhe Macroni janë aq të zënë me punë të tjera, jo edhe aq të lehta, saqë për ta shtyrja e takimeve me Haradinajn, Thaçin e Vuçiqin është një lehtësim. Pas dështimit që të pajtohen rreth kandidatit për kryetar të Komisionit Evropian në Samitin e fundit të BE-së, dy liderët e këtyre dy shteteve të mëdha do të marrin pjesë edhe në një samit të jashtëzakonshëm të dielën mbrëma në Bruksel. Atje do të vinë direkt nga Osaka, ku do të marrin pjesë në Samitin G-20-s. Sytë e tyre më 2 korrik do të jenë të drejtuar nga Strasbourgu, ku më 2 korrik konstituohet Parlamenti Evropian. Dy ditë më vonë, në Poznan, zhvillohet Samiti i Procesit të Berlinit. Për dialogun Kosovë-Serbi duhet pritur ndryshimet në strukturat udhëheqëse në institucionet e BE-së e, si duket, ndoshta edhe në Kosovë. Vuçiqi duket i sigurt në Beograd.
Merkeli dhe Macroni kanë një konflikt të hapur rreth mënyrës së zgjidhjes së presidentit të ri të Komisionit Evropian dhe rreth emrave. Përderisa Merkeli fuqishëm mbështet kandidatin e Partisë Popullore Gjermane, Manfred Weber, Macron e kundërshton këtë fuqishëm. Të dytë kanë edhe mbështetësit e vet në Këshillin Evropian, por edhe në Parlamentin Evropian. E tërë vera do të shkojë në zgjidhjen e lëmshit kadrovik në BE, që do të jetë vendimtare edhe për drejtimin nga i cili do të shkojë Bashkimi Evropian në të ardhmen e afërt. Në të me siguri edhe për së paku 5 vjetët e ardhshëm nuk do të ketë vend për ndonjë shtet nga Ballkani. Se sa pak ka rëndësi zgjerimi i BE-së për BE-në, e sa pak ka mbështetje nga Gjermania e Franca, u pa në javën e fundit, ku BE-ja dështoi të caktojë datën e nisjes së negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, edhe pse këto dy shtete i kishin përmbushur kriteret.
Por me gjithë këtë, BE-ja është ajo që ka interes më të madh për stabilitetin e rajonit të Ballkanit, e me këtë edhe për raportet Kosovë-Serbi, sesa faktorët e tjerë ndërkombëtarë. Prandaj, duhet pritur që menjëherë pas verës të ketë lëvizje të reja në përpjekje për të arritur marrëveshje për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi. Duket joreale të pritet që diçka të ndodhë tash kur BE-ja është e preokupuar me vetveten, ndërsa po afrohet edhe koha e pushimeve të verës.