Besimi se Borrell dhe Lajçak do të jenë të paanshëm mes Kosovës dhe Serbisë, edhe pse vijnë nga sistemet ku vetë e kanë mbrojtur qëndrimin se pavarësia e Kosovës është gabim dhe e papranueshme, ishte bazuar në thënien se “ata zbatojnë politikën e BE-së e jo të shteteve të tyre”. Por fakt është po ashtu se ata nuk janë vetëm zbatues, por në rastin e Kosovës edhe kreatorë të politikës së BE-së. E në këtë cilësi kohëve të fundit jo vetëm kosovarët i kanë parë të dy këta zyrtarë të jenë rreshtuar krah Beogradit kundër Kosovës. Prononcimet e Borrellit nuk janë “gafa” e as “gabime rasti”, por ato paraqesin qëndrimet e tij. Kur niset nga bindja se Kosova nuk është shtet e Serbia është, atëherë është logjike që të ketë më shumë mirëkuptim për Serbinë sesa për Kosovën dhe të mos i trajtojë në mënyrë të barabartë
Kur e kishte marrë postin e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell kishte shprehur gatishmëri që të pranohej edhe ideja e ndarjes së Kosovës, apo e shkëmbimit të territoreve. Nuk ishte gabim apo keqkuptim. Ai e kishte thënë dy herë. Edhe pasi ishte pyetur për të sqaruar, sepse fjala ishte për një çështje shumë të ndjeshme për tërë rajonin, dhe e kishte përsëritur, bile duke thënë se “nuk mund të bëhemi ne më të shenjtë sesa vetë Papa”. Më vonë kishte dalë i dërguari i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, për të zbutur dëmin që e kishte bërë shefi i tij, duke i quajtur si ide jo të mira. Ka edhe diplomatë që mendojnë se prononcimet e shpeshta të Lajçakut kundër ideve për ndarjen e Kosovës kanë qenë më shumë një taktikë për ta fituar vendin e ri të punës. Sepse prapa tij qëndroi fuqishëm Gjermania. Por Lajçak shpesh ishte arsyetuar se kjo ide nuk ishte e mirë dhe Borrell më nuk e kishte përsëritur qëndrimin se mund të pranohet edhe shkëmbimi i territorit.
Shumë diplomatë, edhe në BE, prononcimin përmes Twitterit rreth zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës të Borrellit e panë si një “gafë të madhe”, ndoshta më të madhen pas atij se mund të pranohet edhe ideja e shkëmbimit të territorit, nëse palët merren vesh, sepse “kush jemi ne t’u themi jo nëse ata merren vesh”.
Por kësaj radhe Lajçak me shpejtësi të madhe i bëri një ri twitt prononcimit të Borrellit. Me shpejtësi këtë e përshëndeti presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Bile duke shprehur kënaqësi që BE-ja kësaj radhe nuk u kishte bërë thirrje “të dyja palëve”, por qartë e kishte bartur përgjegjësinë te Kosova duke folur për “veprime të njëanshme, të pakoordinuara”.
Se sa ishte kundër Kosovës kjo deklaratë dëshmon edhe debati në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, edhe shefi i UNMIKU-ut e cituan pikërisht Borrellin për ta sulmuar Kosovën.
“Arsyetimi i rrejshëm për veprimin e fundit unilateral, siç e ka cilësuar edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ishte lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikimit”, kishte thënë në fjalimin e tij Selakoviq.
“Siç ka thënë Borrell, veprimet unilaterale dhe të pakoordinuara që e rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme”, ka thënë shefi i UNMIK-ut, që ndoshta kërkesa për t’ia hequr vendin e punës e ka bërë të jetë krejtësisht në krah të Serbisë e Rusisë.
Reagimet e BE-së, që janë më të afërta me Rusinë e Serbinë, nuk janë të rastësishme. Janë pjesë e një tendence shqetësuese për të kritikuar Kosovën për gjithçka e Serbinë për asgjë. Dhe, që është edhe më e habitshme: nuk janë në përputhje as me faktet. Sepse, siç kemi parë edhe nga reagimet e NATO-s dhe të disa vendeve të rëndësishme, nuk ka qenë operacioni krejtësisht i pakoordinuar. Bile, për habi shefi i UNMIK-ut shpreh dyshime nëse KFOR-i ka qenë i njoftuar. Por vetë NATO-ja ka konfirmuar se ka qenë në komunikim me të gjitha “institucionet relevante të Kosovës” për këtë veprim, që e ka quajtur si “vendosje të rendit dhe ligjit”. Pra, Borrell duket se nuk ka dashur t’i kërkojë faktet para se të japë deklaratën e tij që më aq kënaqësi u prit dhe u përdor nga Serbia.
Problem edhe më serioz është se Kosova nuk ka detyrim të mos dërgojë njësi policore, e as njësi speciale të policisë në veri të Kosovës. E disa struktura të BE-së, të afërta me Borrellin dhe Lajçakun, për një kohë janë munduar të krijojnë përshtypjen se është e vërtetë ajo që thotë Serbia se “Kosova nuk mund të dërgojë njësitë speciale policore në veri pa koordinim dhe pajtim”.
Në pamundësi të gjejnë ndonjë dëshmi se ekziston ndonjë obligim i tillë i Kosovës nga BE-ja kanë bërë një “spin” duke thënë se “nuk ka obligim ligjor, por është praktikë e zakonshme që të ketë koordinim”.
KOHA ka kontaktuar burime të qeverive të Kosovës, edhe të tashmes edhe të mëparshmeve, dhe asnjë burim, asnjë person i kyçur në dialog, nuk ka thënë se Kosova ka marrë ndonjë obligim të tillë. Madje kanë mohuar kategorikisht se ka pasur edhe pajtim gojor ndonjëherë. Si shembull kanë përmendur dërgimin e njësive ROSU edhe në të kaluarën kur ka pasur operacione në veri.
I vetmi obligim që ka marrë Kosova përmes shkëmbimit të letrave me NATO-n, ka qenë që të mos dërgohen njësi të FSK-së në veri pa pëlqimin e KFOR-it. Por asnjë obligim nuk ka ekzistuar sa u përket forcave të Policisë. Para disa vjetësh “Kohës Ditore” edhe nga NATO-ja i ishte sqaruar se “kurrfarë obligimi nuk ka rreth policisë, por vetëm rreth FSK-së” dhe kishin hedhur poshtë pohimet e atëherë ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq. I inkurajuar ndoshta nga strukturat e BE-së, Daçiq edhe javën e kaluar ka thënë se dërgimi i njësive policore të Kosovës në veri të Mitrovicës është “shkelje e Marrëveshjes së Brukselit”. BE-ja nuk e kishte hedhur poshtë këtë, edhe pse e di se fjala është për problemin kryesor, i cili rrit tensionet në Kosovë e më gjerë. Sepse Serbia, bashkë me BE-në dëshiron ta bëjë si “realitet në terren” se pa lejen e Beogradit, Kosova nuk mund të bëjë asgjë në veri.
Në fund edhe BE-ja e ka konfirmuar se nuk ka obligime të tilla sa i përket policisë, por se koordinimi “është një praktikë e zakonshme”.
“Nuk ekziston marrëveshje nga dialogu që do të parandalonte vendosjen e njësive speciale të policisë nga jugu në veri”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, por ka shtuar se “është një praktikë e zakonshme që të ketë koordinim me bashkësinë ndërkombëtare dhe të informohet KFOR-i në mënyrë paraprake”.
“Krahas kësaj, autoritetet e Kosovës nuk e kanë njoftuar në mënyrë paraprake BE-në, përfshirë edhe EULEX-in si përgjegjës i dytë i sigurisë për operacionin e djeshëm, edhe pse ky mision në Kosovë ndodhet pikërisht për të ndihmuar autoritetet në forcimin e sundimit të ligjit dhe të krijojë e të mbajë një ambient të qetë dhe sigurt”, ka thënë ky zëdhënës i BE-së.
Por ai ka pranuar se as për këtë Kosova nuk ka obligime ligjore.
“Përderisa nuk ka një obligim ligjor për ta bërë këtë, ka shumë kuptim dhe është praktikë e zakonshme - sidomos kur bëhet fjalë për zona të tilla të ndjeshme dhe kohë kaq të ndjeshme (pas eskalimeve të fundit rreth targave të veturave) – për të koordinuar ose së paku për të informuar në mënyrë që të ndihmohet në parandalimin e tensioneve të reja dhe nxitjen e dhunës”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.
Në BE asnjë gjë nuk kishin thënë kur Serbia i bënte Kosovës pengesa në secilin hap. Kur e kishin pyetur presidentin e Serbisë, Vuçiq, se pse Serbia po e shkel marrëveshjen duke e penguar Kosovën në integrime në strukturat rajonale dhe ndërkombëtare, tha: “Ne nuk kemi asnjë obligim që të mos e bëjmë një gjë të tillë”.
Kur një kolege e kishte pyetur se “a është në frymën e normalizimit një sjellje e tillë e Serbisë që t’i bëjë gjithkund Kosovës pengesa?”, ai ishte përgjigjur: “Lëreni ju frymën, më tregoni ku shkruan se ne nuk mund të bëjmë një gjë të tillë. Ne jemi krenarë dhe mburremi me këtë”, pati thënë ai, duke kthyer akuzat ndaj “palës shqiptare” se nuk po i zbaton ato që i ka nënshkruar në Bruksel.
E BE-ja atëherë nuk kishte thënë se “ndonëse nuk ka obligim, do të kishte më shumë kuptim sikur Serbia të sillej në mënyrë më konstruktive dhe inkluzive ndaj Kosovës në nismat rajonale dhe ndërkombëtare”. Bile një zyrtare e lartë e BE-së, e cila tash është avancuar edhe më shumë, ka konfirmuar atë që thotë Serbia se “obligimet kanë të bëjnë vetëm me nismat rajonale e jo me ndërkombëtare!”.
Deri më tash BE-ja nuk ka thënë asnjë fjalë kritike për sulmet ndaj policisë e as ndaj sulmeve ndaj gazetarëve në veri të Kosovës e as ndonjë kritikë për rolin e Serbisë dhe gjuhën nxitëse e fyese të zyrtarëve të saj.
Besimi se Borrell dhe Lajçak do të jenë të paanshëm mes Kosovës dhe Serbisë, edhe pse vijnë nga sistemet ku vetë e kanë mbrojtur qëndrimin se pavarësia e Kosovës është gabim, dhe e papranueshme, ishte bazuar në thënien se “ata zbatojnë politikën e BE-së e jo të shteteve të tyre”. Por fakt është po ashtu se ata nuk janë vetëm zbatues, por në rastin e Kosovës edhe kreatorë të politikës së BE-së. E në këtë cilësi, kohëve të fundit jo vetëm kosovarët i kanë parë të dy këta zyrtarë të jenë rreshtuar krah Beogradit kundër Kosovës. Prononcimet e Borrellit nuk janë “gafe” e as “gabime rasti”, por ato paraqesin qëndrimet e tij. Kur niset nga bindja se Kosova nuk është shtet e Serbia është, atëherë është logjike që të ketë më shumë mirëkuptim për Serbinë sesa për Kosovën dhe të mos i trajtojë në mënyrë të barabartë.
Për të ulur tensionet do të duhej që BE-ja të sqaronte tri gjëra:
E para është se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka qenë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe këtë e ka konfirmuar me mendimin e vet edhe GJND-ja. Nuk ka këtu fare rëndësi se Spanja dhe Sllovakia nuk janë pajtuar me një gjë të tillë dhe si kishte votuar gjykatësi sllovak në GJND.
E dyta është se Kosova nuk ka obligim të mos dërgojë njësi policore në veri të Kosovës nëse vlerëson se një gjë e tillë është e nevojshme për të kryer operacione të caktuara, pa marrë parasysh se a ka kuptim apo jo, a e pranon Serbia këtë apo jo. Ndryshe i jepet Serbisë e drejta për të konsideruar secilin veprim policor kundër qejfit të saj, si sulm ndaj Serbisë dhe të mobilizojë ushtrinë dhe mediat për luftë.
Dhe e treta gjë është se 22 vende të BE-së e kanë njohur Kosovën e pesë jo. Pra, edhe pse formalisht BE-ja nuk mund ta trajtojë Kosovën si shtet, sepse vendoset me unanimitet, ekziston një raport forcash këtu dukshëm në favor të pavarësisë së Kosovës. Nga veprimet e Borrellit e Lajçakut, dhe si pasojë e bashkëpunëtorëve të tyre, fitohet përshtypja se 22 vende nuk e kanë njohur Kosovën e pesë po.
Kur zyrtarët e BE-së t’i kenë parasysh këto tri fakte dhe t’i largohen mendësisë që e kanë pasur për shumë vjet në qeveritë e tyre nacionale kundër pavarësisë së Kosovës, atëherë edhe Serbia do ta ketë më lehtë të ecë drejt marrëveshjes në dialog.
Por Kosova duhet seriozisht të bisedojë edhe me vendet mike, sidomos me ato që janë anëtare të BE-së. Sepse për momentin, fjalën kryesore në krijimin e politikës së BE-së ndaj Kosovës e kanë ata që mendojnë se pa njohjen nga Serbia, Kosova nuk mund të jetë shtet. Dhe në këtë mënyrë e kanë inkurajuar Serbinë, e cila tash qartë thotë jo vetëm se nuk do ta njohë Kosovën, por as se nuk e ka kërkuar kush ndonjë gjë të tillë.
kjo ka bërë që prej ardhjes së Lajçakut, në vend të avancimit drejt “marrëveshjes përfundimtare”, dialogu dhe atë me shumë vështirësi, të reduktohet në takime ekspertësh për letra ngjitëse në targat e veturave dhe atë “sipas standardeve evropiane”.