OpEd

Mbështetja e Ukrainës është e vetmja anë e drejtë e historisë

Sikur të shikonte vetëm interesat politike, pa aspak moral dhe empati, edhe Kosova do të kishte ndoshta më shumë arsye për të qenë në anën e Rusisë. Ukraina, sikurse Rusia, nuk e ka njohur Kosovën si shtet. Interesi nga Rusia, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së me të drejtë vetoje, do të ishte më i madh sesa nga Ukraina. Por lufta në Ukrainë nuk është një ndeshje sporti ku mund të mbështetësh njërën apo anën tjetër, apo të jesh neutral. Është një agresion i përcjellë me krime të tmerrshme që bën Rusia ndaj një vendi dhe një populli të tërë. Dhe Kosova me të drejtë, pa rezerva dhe pa kushte, e mbështet Ukrainën, sepse kjo është e vetmja anë e drejtë e historisë. Kurrë nuk duhet harruar se bota e lirë e mbështeti Kosovën kur u desh, sepse Kosova ishte në anën e drejtë të historisë, dhe kjo nuk kishte të bënte me kalkulimet politike

Është gabim të thuhet se morali nuk ka vend në politikë. Sado që politika udhëhiqet kryesisht nga interesat, megjithatë ajo nuk është tërësisht e zhveshur nga normat morale. Dhe shpesh janë pikërisht këto norma, të cilat ndikojnë në ndryshime dramatike edhe të kalkulimeve politike. Sidomos në vendet e lira demokratike, me media të lira dhe me shoqëri të zhvilluar, paraqiten kufijtë se deri ku mund të shkojnë udhëheqësit politikë, duke injoruar edhe kriteret jopolitike në veprimet e tyre. Agresioni i Rusisë në Ukrainë i ka vënë në sfidë këto vlera. Dhe këto tundime nuk janë të lehta për shumë vende. Ndoshta për asnjë shtet nuk është më vështirë sesa për Gjermaninë. Një shtet, populli i të cilit ka një kujtesë jo të mirë kolektive të përgjegjësisë morale kolektive për atë që ndodhi në kohën e fashizmit. Por në përgjithësi e tërë bota perëndimore po përballet me një detyrim moral që për fat të mirë është bërë edhe prioritet politik; ndihma maksimale popullit të Ukrainës që të mbrohet nga agresioni i tmerrshëm i Rusisë.

Sado që propaganda ruse, e ndihmuar në shumë qarqe nëpër botë, tenton ta fajësojë Perëndimin për këtë luftë, e vërteta është e thjeshtë. Rusia ka sulmuar Ukrainën. Ky sulm ishte inkurajuar, me apo pa vetëdije, me refuzimin e NATO-s që të shprehet në favor të anëtarësimit të Ukrainës në NATO. Ishte inkurajuar dhe me deklaratat e politikanëve perëndimorë se NATO-ja dhe vendet perëndimore nuk do të përfshihen në luftë në Ukrainë. Dhe kur invazioni rus nisi, atëherë populli i Ukrainës vendosi të mbrohej deri në vdekje, i përballur me alternativën që të zhduket si komb dhe si shtet. Dhe Perëndimit nuk i mbeti tjetër pos të bëjë maksimumin për ta ndihmuar.

Nuk ishte Perëndimi ai që nxiti luftën, por ishte Rusia ajo që nisi agresionin. Pohimet që dëgjohen edhe nga liderë të vendeve të NATO-s, si presidenti i Turqisë, Erdogan, ai i Kroacisë, Milanoviq, apo kryeministri i Hungarisë Orban, se Perëndimi me armatosjen e Ukrainës po e zgjat luftën, apo “po lufton kundër Rusisë përmes ukrainasve”, janë pohime të tmerrshme. Pra, ata do të preferonin sikur ukrainasit të mos e kenë armatimin e duhur, të mos jenë në gjendje t’i bëjnë ballë Rusisë, dhe kjo do të ndihmonte që lufta “të përfundonte sa më shpejt”. Nuk ka dyshim se “me përfundimin e shpejtë” ata që janë kundër armatosjes së Ukrainës, mendojnë në fitoren e shpejtë të Rusisë.

Në fillim të luftës ndoshta në shumë vende perëndimore ekzistonte një kalkulim i tillë. Në Bruksel edhe ekspertët në BE dhe në NATO, që paguhen me rroga të majme si të tillë, parashikonin se brenda disa orësh me tanke Rusia do ta merrte Kievin, do të pushkatonte nëpër sheshe lidershipin politik, e pastaj Rusia do të hynte në biseda me Perëndimin për të drejtat e qytetarëve të Ukrainës. Ky ishte kalkulimi politik në kokat e disa politikanëve. Sikur edhe në fillim të luftës në ish-Jugosllavi më 1991, kalkulimet ishin se “forcat jugosllave” do të fitonin brenda disa ditësh në Kroaci e në Bosnjë-Hercegovinë, e pastaj me Beogradin bota do të bënte marrëveshje. Nuk duhet harruar kurrë se Perëndimi vendosi ndalim të eksportit të armëve në Kroaci dhe Slloveni “për të mos ndikuar në përshkallëzim e luftës”, që ishte ndihmë direkte Milosheviqit, i cili e kishte marrë nën kontroll Armatën Popullore të Jugosllavisë, pra kishte armatim të mjaftueshëm për disa lufta.

Detyrimi për ta ndihmuar Ukrainën nuk është i lehtë. Sikur bota të vendoste të mos e ndihmojë këtë vend, Rusia ndoshta do ta fitonte luftën deri tash. Nafta dhe gazi do të rridhnin pa problem nga Rusia, do të ishin edhe më lirë, nuk do të kishte kaq shumë inflacion. Por ndodh që në histori gjeneratat e politikanëve të jenë në test për të vendosur se në cilën anë të historisë duan të jenë. Dhe nuk ka shumë zgjidhje, por ka vetëm një. E vetmja anë e drejtë e historisë është mbështetja për Ukrainën. Dhe ky nuk është një kalkulim politik, por është një detyrim njerëzor, moral, para së gjithash.

Prandaj Kosova ka zgjedhur të vetmen anë të drejtë të historisë, thjesht, me zemër dhe me kujtesën kolektive që ka pasur populli i Kosovës duke u përballur me agresionin që donte atë popull ta zhdukte nga trojet e veta. Dhe Kosova nuk ka bërë këtu kalkulime politike, sikur kanë bërë për shembull Serbia, Turqia, Hungaria, India apo disa shtete të tjera. Kosova nuk ka pasur aspak hamendje dhe ka qenë e zëshme në mbështetje të popullit liridashës të Ukrainës.

Sikur të shikonte vetëm interesat politike, pa aspak moral dhe empati, edhe Kosova do të kishte ndoshta më shumë arsye për të qenë në anën e Rusisë. Ukraina, sikurse Rusia, nuk e ka njohur Kosovën si shtet. Interesi nga Rusia, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së me të drejtë vetoje, do të ishte më i madh sesa nga Ukraina. Por lufta në Ukrainë nuk është një ndeshje sporti ku mund të mbështetësh njërën apo anën tjetër, apo të jesh neutral. Është një agresion i përcjellë me krime të tmerrshme që bën Rusia ndaj një vendi dhe një populli të tërë. Dhe Kosova me të drejtë, pa rezerva dhe pa kushte, e mbështet Ukrainën, sepse kjo është e vetmja anë e drejtë e historisë. Kurrë nuk duhet harruar se bota e lirë e mbështeti Kosovën kur u desh, sepse Kosova ishte në anën e drejtë të historisë dhe kjo nuk kishte të bënte me kalkulimet politike

Nuk duhet harruar se Kosova mori mbështetje jo për shkak të aleancave apo për shkak të interesave që shtetet, të cilat ndërhynë kishin nga Kosova. Por për shkak se Kosova kishte të drejtë në atë që kërkonte. Populli i saj donte liri, siguri dhe të drejtat e veta. Ashtu siç i do sot populli i Ukrainës. Prandaj as vendet e lira nuk kanë më hapësirë për dilema, pos të jenë të gatshme për ta ndihmuar Ukrainën për aq sa do të jetë e nevojshme. E do të jetë e nevojshme për një kohë të gjatë.