Pakkush në botën shqiptare mund të ketë dëgjuar për Manès Sperber. Koha për një prezantim të shkurtër të një autori që duhet të lexohet sidomos në kohën aktuale
“Manès Sperber ma ka nxjerrë dhëmbin e kalbur të komunizmit”. Këto fjalë janë të Wolf Biermannit, një poeti, muzikanti dhe disidenti nga Gjermania Lindore, i cili nga komunistët e atjeshëm u dëbua në Gjermaninë Perëndimore (përfshirë heqjen e shtetësisë). Manès Sperber nuk është i njohur në botën shqiptare. Një kërkim në uebfaqet e bibliotekave kombëtare në Prishtinë dhe Tiranë nuk rezulton me asnjë gjetje që përputhet me emrin Manès Sperber, andaj fillimisht disa të dhëna biografike.
Manès Sperber u lind më 1905 në Zabllotov në Ukrainën e sotme perëndimore. Në atë kohë Zabllotov, sipas Sperber, ishte “një qytet i vogël hebre në Galicinë lindore”. Dhe pjesë e Austro-Hungarisë. Kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore atje u dërgua për të luftuar kundër Rusisë një oficer i ri austro-hungarez me origjinë kroato-sllovene, emri i tij: Josip Broz. Pothuaj në të njëjtën kohë familja Sperber emigroi në Vjenë. Në kryeqytetin e perandorisë danubiane Manès Sperber kreu gjimnazin, studioi psikologji dhe lidhi miqësi me Alfred Adlerin, i cili prej dishepullit të Sigmund Freudit ishte shndërruar në kundërshtar të tij të ashpër.
Jetën në vendlindjen e tij në Ukrainë Sperber e përshkruan kështu në vëllimin e parë të autobiografisë së tij: “Kishte burra që agjëronin jo vetëm në ditët e shumta të agjërimit, por edhe çdo të hënë dhe të enjte, që fëmijët ose nipërit të kishin diçka më shumë për të ngrënë”. Por hebrenjtë e Zabllotovit nuk kursenin para për arsimimin e fëmijëve të tyre. Ata dërgoheshin në shkollë që në moshën 3-vjeçare. Këtë botë hebraike Manès Sperber nuk e pa më. Hebrenjtë e Zabllotovit u pushkatuan, u hodhën në lumë dhe u shfarosën në Auschwitz - si 6 milionë të tjerë.
Pas Luftës së Parë Botërore Manès Sperber u bë komunist, ngjashëm si shumë të rinj në Evropë, të cilët kur shikonin pas shihnin shifrën marramendëse: 17 milionë të vdekur si pasojë e konfliktit të armatosur, ndërsa kur shikonin para, shihnin forcimin e partive ekstremiste, të njohura si fashiste apo naziste. Në këtë situatë shumë njerëz shpresonin se një botë më e drejtë, më humane, me shanse e mundësi të barabartë ishte e mundshme vetëm nëpërmjet komunizmit.
Manès Sperber iu deshën 10 vjet ta kuptojë se ishte (vetë)mashtruar rëndë. Hyri në Partinë Komuniste të Gjermanisë më 1927, doli prej saj më 1937. Më 1933 ai u arrestua nga trupat naziste në Berlin dhe pas pesë javësh u dëbua si shtetas austriak. Këtu nisi odiseja e tij e ekzilit. Pas një qëndrimi të shkurtër në Kroaci, të cilën e njihte nga pushimet e mëhershme, Sperber emigroi në Paris. Si bashkëpunëtor i Kominternës u bë dëshmitar kur komunistët shtypnin pamëshirshëm ata që guxonin të shprehnin një mendim ndryshe nga vija zyrtare. Fushata represive e diktatorit sovjetik Stalin kundër kritikëve e bindi Manès Sperber se ideja e komunizmit tashmë ishte korruptuar. “Ia ktheva shpinën partisë kur partia, pra Bashkimi Sovjetik, kërkoi që të shikojë qiellin gjatë natës dhe të pranojë se është ditë. Kjo ndodhi gjatë proceseve të montuara (staliniste). Këtu gjithçka doli të jetë gënjeshtër”.
Nga fundi i viteve 1930 Sperber u bë kritik i ashpër, i sinqertë dhe gjithëpërfshirës i komunizmit. Ai bëri emër si eseist, teoricien, shkrimtar dhe kronist i paudhësive të shekullit 20. Thelbin e punës së tij letrare Sperber e përshkroi kështu: “Detyrë e njeriut nuk është të jetë hero – që do të thotë të bësh një virtyt nga mjerimi – dhe as të jetë shenjtor – që do të thotë të bësh një mjerim nga virtyti – por thjesht të bëhesh i urtë”. Vepra e tij është, në pjesën më të madhe, ballafaqim me gabimet vetjake. Për shembull: më 1931 Sperber qëndroi në Bashkimin Sovjetik tre muaj. Ndonëse me sytë e vet pati rastin të shihte se si (nuk) funksiononte komunizmi, Sperber heshti atëbotë.
Kur nazistët pushtuan Francën më 1940, Sperber u strehua në jug të Francës. Ai kishte një mbështetës të madh dhe mik të madh: André Malraux, shkrimtar dhe më vonë ministër i Kulturës i Francës. Meqë rrethi po ngushtohej, Sperber u arratis në Zvicër në shtator të vitit 1942. Tre vjetët e ardhshëm i kaloi në këtë vend. Lidhur me tre muajt e kaluar në një kamp refugjatësh afër Zürichut, Sperber ka shkruar: “Në këto kampe, ku të internuarit ishin krejtësisht pa të drejta, u ndalohej rreptësishtë edhe përpjekja për t’u ankuar, sikur ankesa të ishte një akt kryengritjeje. (...) Më e keqja ishte toni nënçmues, përçmimi brutal ndaj refugjatëve, nga ana e ushtarëve, nënoficerëve dhe shumicës së oficerëve; pa dyshim, trupës i ishte urdhëruar të na trajtonte si të ishim lebrozë”. Në kamp ai ishte vetëm, gruaja dhe djali i vogël ishin internuar në Zvicrën franceze. Gjatë qëndrimit në kamp, Sperber u sëmur dhe gjeti strehim në familjen e një prifti. Kjo familje zvicerane e priti “hebreun ateist” si mik të dashur dhe i siguroi qasje në “Museumsgesellschaft”, një shoqatë kulturore me renome e Zürichut e themeluar më 1834, e cila edhe sot shërben si qendër leximi dhe reflektimi intelektual. Këtu nisi të shkruante trilogjinë “Si një lot në oqean”, një kryevepër, të cilën nobelisti gjerman Heinrich Böll e ka krahasuar me romanin “Lufta dhe paqja” të Tolstoit. “Si një lot në oqean” trajton konfliktet e mëdha të kohës dhe tundimin që kanë intelektualët për t’u bërë pjesë e sistemeve totalitare të mendimit.
Më 1945 Manès Sperber u kthye në Paris. Bashkë me Arthur Koestlerin, i cili prej një adhuruesi ishte shndërruar po ashtu në paralajmërues të rreziqeve që vinin nga komunizmi, Sperber ishte në shënjestër të intelektualëve majtistë evropianë, të cilët idealizonin Bashkimin Sovjetik, mes tyre ishte edhe filozofi francez Jean-Paul Sartre. Megjithatë, Manès Sperber mbeti majtist - majtist jokomunist. U angazhua për lirinë e shprehjes së intelektualëve në bllokun komunist. Kritikoi studentët “e përkëdhelur të vendeve industriale” të cilët më 1968 në emër të betejës legjitime kundër luftës absurde në Vietnam rrëshqitën pjesërisht në antiamerikanizëm dhe i brohorisnin liderit komunist kinez Maos dhe atij vietnamez Ho Shi Min.
Manès Sperber e quante veten “optimist skeptik” ose “optimist post-purgatori”. Ai kundërshtonte pacifizmin naiv dhe kërkonte që Evropa të bëhet superfuqi. Kështu foli ai para 42 vjetësh, kur mori një çmim të rëndësishëm letrar në Frankfurt të Gjermanisë. Ky fjalim dhe shumë tekste të tjera të Sperber tingëllojnë tepër aktuale në vitin 2025.
Në vitin 1963 Manès Sperber vizitoi Jugosllavinë e sunduar nga Josip Brozi, i cili tani bartte edhe emrin e ri - Tito. Në një referat, i cili mund të dëgjohet falë digjitalizimit të arkivit të mediave publike gjermane, Sperber përpiqet t’i afrohet shtetit shumëkombësh pa paragjykime, madje edhe me dashamirësi. Por Sperber nuk është naiv. Përshkruan një darkë me njerëz të mençur të elitës jugosllave. Biseda shkon mirë deri në çastin kur dikush përmend çështjen nacionale. “Përnjëherë ndihej se në fshehtësi digjej një zjarr i rrezikshëm”, thotë Sperber me gjermanishten e tij me aksent melodik të hebrenjve lindorë. Sperber, ky ateist joarmiqësor ndaj fesë, vdiq në vitin 1984 në Paris. Vitin e kaluar shtëpia botuese e Vjenës Sonderzahl-Verlag ribotoi në tri vëllime veprat kryesore të Manès Sperber. Në vijim titujt në origjinal dhe përkthim: “All das Vergangene …” (E gjithë e shkuara, vëllimi i parë), “Wie eine Träne im Ozean” (Si një lot në oqean, vëllimi i dytë), “Zur Analyse der Tyrannis” (Mbi analizën e tiranisë, vëllimi i tretë).