Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Liria e medies në Evropë, më e rrezikuar se kurrë

“M100 Sanssouci Colloquium” e ka konsideruar veten forum për demokracinë dhe lirinë e medies, që nga themelimi i saj, më 2005. Me rastin e edicionit të 15-të të Konferencës Ndërkombëtare të Medieve, Bordi Këshillëdhënës i M100 ka nxjerrë Deklaratën M100 me temat kryesore të Konferencës.

Potsdam, shtator – Tema e Konferencës së sivjetme Ndërkombëtare të Medieve trajton një çështje që ka qenë esenciale qysh 14 vjet më parë: gjendja dhe e ardhmja e Evropës. 

Sot, 30 vjet pas rënies së Perdes së Çeliktë, gjendja ka ndryshuar thellësisht. Ajo që dikur merrej si e mirëqenë, nuk mund të trajtohet më si e tillë: demokracia dhe sfera publike duhen të riafirmohen – dhe të mbrohen – brez pas brezi. Një gjë e tillë pasqyrohet edhe përmes rrezikut gjithnjë e më të madh ndaj lirisë së medies. M100 e ka marrë parasysh këtë gjë, gjë që është pasqyruar edhe përmes dhënies së çmimeve të M100 për mediet. 

Derisa çmimet dikur iu jepeshin në radhë të parë atyre që thjesht linin “gjurmë” dhe avokonin për proceset demokratike apo mbrojtjen e të drejtave të njeriut, më 2009, çmimet për medie të M100 u kthyen nga nderimi i gazetarëve, autorëve dhe karikaturistëve të kërcënuar, disa prej të cilëve u desh ta pranonin atë nën masa të rrepta sigurie. 

Çmimet e tilla, siç ka theksuar Roberto Saviano, janë edhe njëfarë forme mbrojtjeje. Vëmendja mbron nga sulmet. Dhe, vëmendja mund të ndihmojë në ruajtjen e asaj që mund ta kthejmë me zor, nëse e humbim: demokracisë liberale. Astrid Frohloff, dr. Leonard Novy, Christoph Lanz, dr. Christian Rainer, Sabine Sasse, Sabine Schicketanz dhe Sophia Wellek rrjedhimisht theksojnë si në vijim, në emër të Bordit Këshillëdhënës të M100, në deklaratën e parë të M100, për ta shënuar edicionin e pesëmbëdhjetë të Konferencës Ndërkombëtare të Medieve: 

(1) Në përvjetorin e “M100 Sanssouci Colloquium”, ne theksojmë me shqetësim se liria e medies në Evropë është në rrezik – si kurrë më parë, që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Dy rajonet në të cilat gjendja është përkeqësuar më së shumti janë SHBA-ja dhe Evropa. Madje edhe profesionistët në shtetet e BEsë pengohen në punën e tyre apo merren në cak prej autoriteteve. Qeveritë e Polonisë dhe të Hungarisë, shtete të BE-së, janë duke shtyrë përpara ristrukturimin e peizazhit mediatik në favor të tyre tashmë sa vite. Këto zhvillime përbuzin vlerat demokratike të BE-së. 

(2) Ndërkohë, delegjitimimi i shënjestruar i medieve kritike është bërë pjesë e repertorit standard të populizmit autoritar jo vetëm në SHBA, demokracinë më të vjetër të botës, por edhe gjetkë. Në të njëjtën kohë, nuk mund të ketë sferë publike apo demokraci, shtetërore apo evropiane, pa medie të lirë dhe të pavarur. Ata që synojnë shpartallimin e gazetarisë së pavarur e shpartallojnë edhe demokracinë. 

(3) Evropa nuk është shtet. Kjo nuk do të thotë se BE-ja nuk duhet të legjitimohet përmes debateve publike dhe as se ato janë të pamundura marrë parasysh dallimet gjuhësore dhe shtetërore. “Uniteti në diversitet” nënkupton se një sferë publike në nivel të BE-së nuk mund të krijohet “nga lart” përmes politikës; ky debat shpërfaqet në diskursin publik të shteteve dhe medieve të tyre. Ruajtja e këtij diskursi ka rëndësi kritike. Puna jonë si gazetarë nuk është të promovojmë BE-në. Megjithatë, gazetaria mund të ndihmojë në mirëkuptimin midis shteteve, duke theksuar ngjashmëritë dhe dallimet midis shteteve dhe brezave, si dhe duke ua mundësuar shteteve të tjera të përcjellin qëndrimet e tyre.

(4) Në kohën kur gjërat që i kemi marrë të sigurta tashmë sa kohë, si komuniteti transatlantik, janë në rrezik të shkatërrohen, BE-ja po dëshmohet me pak kapacitet për të vepruar, aq më shumë shkaku i rrëmujave të brendshme politike në shtetet anëtare. Spektakli rreth Brexitit nuk mund ta fshehë faktin se vetë BE-ja ka nevojë emergjente për reforma. Po qe se blloku nuk ia del të gjejë përgjigje bindëse ndaj pyetjeve të së ardhmes, si ndryshimet klimatike, unioni monetar dhe politikat e sigurisë, po qe se nuk ia del t’i afirmojë vlerat e përbashkëta, si sundimi i ligjit dhe solidariteti, BE-ja do ta humbasë besimin të cilin janë duke ia dhënë aktualisht qytetarët e saj. Evropës i duhet një agjendë strategjike. Asaj në të njëjtën kohë i duhet edhe një politikë e re e njohjes reciproke, e dëgjimit dhe dialogut. 

(5) Kjo kohë është si sprovë, ashtu edhe mundësi për gazetarinë. Një gazetari e fuqishme dhe e pavarur është e domosdoshme sot, teksa ekziston nevoja për ndriçim përballë manipulimit dhe propagandës më të theksuar sesa ndonjëherë më parë në histori. Rëndësia e gazetarisë shpërfaqet jo vetëm përmes zbulimeve të bëra nëpërmjet bashkëpunimeve të medieve ndërkombëtare, por edhe hulumtimeve më pak të vërejtshme të përditshme të redaktorëve lokalë nëpër botë. Për ruajtjen e kësaj duhet një lob i fortë për lirinë dhe shtypin dhe të medias, ashtu si edhe financim adekuat. Shkurtimi i shpenzimeve për gazetari të cilësisë së lartë kushton më shtrenjtë në aspektin afatgjatë, krahasuar me kursimet eventuale afatshkurtra që mund të paraqiten në bilancin e gjendjes. 

(6) Gazetaria cilësore është e mundshme vetëm me resurset e domosdoshme. Mega-korporatat digjitale në SHBA, si Google, Amazon, Facebook dhe Apple tani ofrojnë një kornizë të pazëvendësueshme për financimin, shpërndarjen dhe konsumin e përmbajtjes gazetareske. Këtë nuk e themi për t’u ankuar, por për ta përshkruar një gjendje që ofron si mundësi, ashtu edhe – si e kemi parë – shans për rrëmujë. Sot çështja e vlerave fondamentale, si transparenca, liria e shprehjes dhe diversiteti është duke u shpërfaqur me një urgjencë të re. Ka ardhur koha për mbrojtjen e infrastrukturës komunikuese të demokracive tona për të ardhmen. Për ta bërë këtë, na duhen korniza bashkëkohore shtetërore dhe evropiane për platformat digjitale, kompani mediatike që e bëjnë novacionin prioritet të përhershëm, por edhe një debat social se në çfarë shoqërie duam të jetojmë në të ardhmen – dhe çfarë është e vlefshme për ne.

(M100 Sanssouci Colloquium është konferencë vjetore e themeluar në vitin 2005. Ajo rregullisht mbledh në Potsdam kryeredaktorët, drejtuesit, komentatorët dhe pronarët e medieve më të rëndësishme evropiane, përfshirë “Kohën Ditore”, si dhe figura kyç publike dhe politike të Evropës, për të diskutuar rolin dhe ndikimin e medieve në çështjet ndërkombëtare dhe për të promovuar demokracinë dhe lirinë e shprehjes dhe të shtypit. Për më shumë: http://www.m100potsdam.org)

Artikuj të ngjashëm