Të ligët e të paditurit krijuan kaos strategjik, e me këtë Kushtetutë mundësuan strategjinë për kaos juridiko-politik.
Që nga 15 marsi 2025, kur Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) i shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 për Kuvendin e Republikës së Kosovës, filloi kaosi strategjik me rezultate ngërçi. Kuvendi i Republikës nuk arriti të konstituohej për muaj të tërë për shkak se Kushtetuta ka mundësuar të ketë strategji interpretimesh të llojllojshme nga shumëkush e gjithkush për kaos juridik! Në vend se të konstituohej Kuvendi e të zgjidhej Qeveria u bënë sfidë ekstremiteti fuqia politike dhe mungesa e mençurisë politike, kështu duke trokitur në derën e Gjykatës Kushtetuese nga kaosi i paqartësive strategjike me keqkuptime e keqinterpretime kushtetuese.
Paqartësia strategjike e të ligëve dhe të paditurve, gjithashtu krijoi keqkuptime e ndarje jo vetëm ndërmjet spektrit politik shqiptar dhe të pakicave, por edhe grupeve të interesit qofshin të juristëve, OJQ-ve apo edhe të mediave, si një vështirësi në gjetjen e rubikonit. Në fund, e vetmja shpresë për zgjidhje strategjike mbi kaosin politik, mbeten rikthimet në derën e Gjykatës Kushtetuese. Objektiv i përbashkimit të të ligëve dhe të paditurve, ishte demonstrimi i kaosit juridik, që pa dyshim përbën rrezik serioz për rendin kushtetues dhe shtetin unitar.
Gjykata Kushtetuese e Republikës, me aktgjykimet (...) e saj, në mënyrë të përsëritur ka zbehur rolin e saj formal dhe substancial, të kontrollit dhe interpretimit kushtetues. Thjesht Gjykata Kushtetuese nuk e mbrojti Kushtetutën, sepse nuk i udhëzoi deputetët si të veprojnë, nuk i adresoi shkeljet, nuk e mundësoi funksionalizimin e Kuvendit dhe nuk e zgjodhi as ngërçin juridik-strategjik e as kaosin politik. Gjykata Kushtetuese, në mënyrë të përsëritur ka refuzuar gjyqësinë kushtetuese substanciale me një lloj arsyetimi se nuk mund të jetë gjykatë e fakteve dhe procedurave, duke lejuar që të ligët dhe të paditurit nga politikanët dhe grupet e interesit, përcaktimet kushtetuese e ligjore t'i interpretojnë arbitrarisht.
Kuvendi i Republikës, si organ i pushtetit publik, në vend se të ishte hapësira e kuvendimit të temave shtetërore dhe zgjidhjes së problemeve të qytetarëve të saj, u bë vetë problemi! Prandaj, Gjykata Kushtetuese u thirr si palë që ta bëjë gjyqësinë kushtetuese për t'i evituar keqkuptimet dhe keqinterpretimet e të ligëve dhe të paditurve, por këtë Gjykata nuk e bëri në përputhje me vlerat kushtetuese, për çka është e mandatuar që ta bëjë. Pa harruar faktin që Gjykata Kushtetuese, praktikisht prej vitesh tashmë është shndërruar në një organ noterial sa herë që palët i trokasin në derë, duke mos reaguar ex-officio kur të ligët e të paditurit keqinterpretojnë apo interpretojnë arbitrarisht përcaktimet kushtetuese e edhe ligjore. Gjykata Kushtetuese, duke mos e bërë gjyqësinë kushtetuese, substancialisht jo vetëm se ka lënduar drejtësinë por me aktgjykimet (...) e saj ka burgosur sovranitetin e vendit, ka përhapur shqetësime edhe më tepër për moszgjidhje meritore të çështjeve juridiko-politike si rezultat i mosgjykimit të duhur kushtetues, që do të mbeten aktgjykime të dëmshme historikisht, më tej, duke e vënë seriozisht në pikëpyetje gjyqësinë kushtetuese për drejtësinë e së ardhmes në Republikën tonë. Kur Gjykata Kushtetuese nuk i eviton shkeljet e identifikuara e të qarta dhe të rëndësisë së funksionimit institucional shtetëror, edhe kur ato trokasin në derën e saj nga palë me interes, atëherë Gjykata ka dështuar ta përmbushë detyrën e saj fundamentale, atë të garantimit të rendit kushtetues.
Gjykata Kushtetuese e Republikës na ka shpalosur të paktën diçka me rëndësi përmes aktgjykimeve (...) të saj, kur palët janë në të drejtën e tyre dhe kur kanë legjitimitet. Gjykata, përmes aktgjykimeve (...) të saj, na ka treguar se deputetët e Kuvendit të Republikës nuk i kanë përmbushur detyrimet e tyre kushtetuese! Gjykata, kur e ka gjykuar çështjen, na ka treguar se Kuvendi i Republikës i pakonstituuar nuk e mbron Republikën! Gjykata ka përmbysur një vullnet politik me aktgjykime (...) të saj irracionale, porse zbuloi të vërtetën me të drejtën! Gjyqtarët e Gjykatës na kanë rritur skepticizmin mbi vendimet e Gjykatës Kushtetuese! Gjykata Kushtetuese, kur i ka konsideruar si të pranuara çështjet, nuk i ka gjykuar deri më tani, veçse ka kryer një shërbim.
Sistemi ynë politik demokratik na mundëson që të debatohen e madje edhe të kritikohen me plotë pasion edhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese ashtu siç ndodh në çdo vend, si vlerë civile, por aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të kujdesen jo vetëm për sigurinë juridike, por edhe për reputacionin e Republikës.
Gjykata Kushtetuese, përmes aktgjykimeve të saj, duhet edhe t'ua mësojë të ligëve e të paditurve se në demokraci ka ndërgjegje politike, ka procedura dhe mekanizma, si dhe ka të drejta dhe detyrime.
Gjykata Kushtetuese përmes aktgjykimit që pritet ta nxjerrë duhet ta theksojë përpjekjen për ruajtjen e shtetësisë; duhet të refuzojë interpretime militante nga trysnitë si mundësi lëshimesh karshi Serbisë për pakicën serbe në kundërshtim me frymën e kushtetutave të tjera evropiane; dhe si asnjëherë më parë, Republikës së Kosovës i duhet një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese që t'i ruajë themelet e shtetësisë nga interpretimet shpërdoruese e arbitrare nga të ligët e të paditurit vendorë dhe ata ndërkombëtarë.